Dhikri - shprehja e dashurisë ndaj Allahut

  • None
nga Mexhid Yvejsi | Publikuar në Qershor 8, 2015, mesnatë

Është me rëndësi jetike të kuptojmë se në çka duhet besojmë, se çka duhet të adhurojmë, se çka duhet të përkujtojmë. Çelësi për të njohur Allahun, Krijuesin, Zotin, Hyun apo të madhin Perëndi, i Cili është Një, gjendet tek Shpallja Hyjnore dhe kjo njohuri për krijesat njerëzore është më e madhja fitore…              

Allahu është Një. S’ka zot tjetër përveç Tij. Ai është Një, është kudo në gjithësi, në çdo anë, Krijuesi quhet Allah në Bibël, siç quhet Allah edhe në Kur’an.
Në Kur’an, dhikri apo përmendja ose përkujtimi i Allahut është shprehje e dashurisë ndaj Allahut. Kush e përmend Allahun, te Allahu është i përmendur.

Për besimtarët, përmendja e Allahut është vlerë. Për vlerën e të përmendurit të Allahut ka shumë dëshmi, dëshmi në Kur’anin e madhëruar, dëshmin nga pejgamberi, Muhammed (a.s.) njeriu më i lavduar.

Në Kur’an, Allahu i Madhërishëm na ka urdhëruar që të bëjmë sa më shumë dhikër duke thënë:

“O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje”.
(Kur’an, S. El-Ahzab: 41-42)

 

Ai apo ajo që e kujton Allahun meriton që Allahu ta kujtojë atë, siç thuhet në Fjalët e Allahut të Lartësuar:

“Më përkujtoni mua (me adhurim) Unë ju Përkujtoj juve (me shpërblim), më falënderoni dhe mos më mohoni.” (El-Bekare: 152).

Dhikri, përveç që është përkujtim, është edhe adhurim, falënderim, falje mëkatesh, që pasohet me shpërblim.

Ai që e përkujton Allahun, meriton që Allahu ta përkujtojë atë, siç thuhet në Fjalët e Allahut të Lartësuar, në Kur’anin  e madhëruar:

 

“Më përkujtoni mua (me adhurim) Unë ju Përkujtoj juve (me shpërblim), më falënderoni dhe mos më mohoni.”

                                                              (El-Bekare: 152).
“Shumëpërmendësit e Allahut dhe shumëpërmendeset e Allahut, Allahu për ta ka përgatitur falje (mëkatesh)dhe shpërblim të madh.”

                                                               (El-Ahzabë: 35) 

Njeriu duhet të përkujtojë Zotin, duhet të përmend Zotin. Duke e përkujtuar, duke e përmendur,  ai duhet t’a kuptojë se Zoti e vëren çdo veprim dhe e di çdo mendim të tij. Njeriu shikon vetëm anën e jashtme, por Zoti i shikon që të dyja, të jashtmen dhe të brendshmen.

Ai njeri, i cili me të vërtetë beson, ka përkujdesje edhe për anën e jashtme dhe për të brendshmen. Pra, ai përkujdeset vazhdimisht për vetëdisiplinë! Nëse largohet prej këtij principi, atëherë ai kalon në anën e qafirëve! Edhe nëse vazhdon për të besuar, por në fakt vepron ndryshe, kjo është hipokrizi, dyfytyrësi.
Në një hadith kudsij thuhet:

“Nëse më kujtoni në vete, edhe Unë do t’ju kujtoj në vete, ndërsa nëse më përmend në ndonjë shoqëri, edhe Unë do ta përmend atë në shoqëri më të mirë se ai.

Përkujtimi i Allahut ka vlerë, sepse na ringjallë si natyra në pranverë, ndërsa të tjerët janë si në dimër, akull, hekur, siç është ai që ka vdekur…
  Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

“Shembulli i atij i cili e bën dhikër Zotin e tij dhe i atij i cili nuk bën dhikër Zotin e tij, është sikurse shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.”

Përmendja e Allahut – shpreh dashuri, afërsi, në vetmi apo në shoqëri, sjellë lehtësi në vështirësi...
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

“Allahu thotë: “Unë jam pranë robit tim ashtu sikur që më mendon: nëse më përmend në vete, do ta përmend në veten Time, nëse më përmend në grup, do ta përmend në një grup më të mirë se ai, e nëse më afrohet një pëllëmbë, do t’i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, do t’i afrohem një pashë, e nëse më vjen duke ecur, do t’i shkoj duke vrapuar.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Të kujtuarit sa më shpesh të Allahut është siguria më e mirë që njeriu do të kursehet nga hiprokizia, ngase hipokritët e kujtojnë rrallë Allahun, siç thotë Allahu në Kuran:

…ndërsa Allahun gati nuk e përmendin fare. (En-Nisa: 142)
Një njeri i tha të Dërguarit të Allahut:

“O i Dërguar i Allahut, të shumta janë ibadetet islame, cili është gjithëpërfshirës? Ai u përgjigj:

“Gjuha jote të jetë pandërprerë e lagur nga të përmendurit e Allahut”. (Transmetojnë Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe)
Me të kujtuarit e Allahut ëmbëlsohen frytet e Xhennetit. Në hadithin të cilin e transmeton Xhabiri thuhet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

“Kush thotë: Subhanallahil adhim ve bihamdihi,

(Qoftë madhëruar dhe lavdëruar Allahu i Madhëruar) për të do të mbillet një palmë në Xhennet.
Dhikri, përmendja apo përkujtimi është shprehje e adhurimit. Adhurimi me zemër ka më vlerë se me gjuhë, por në jetën tonë tokësore nuk ka kufizim kohore, sepse neve na është urdhëruar ta përmendim Allahun, të Adhuruarin dhe të Dashurin, në çdo situatë: në këmbë, ulur dhe shtrirë.
Të kujtuarit e Allahut ka rëndësi në vetmi, por aq edhe në shoqëri. Nëse në ndonjë tubim Allahu nuk është përmendur apo nuk është përkujtuar, ai tubim dije se keq ka dështuar.
Muhammedi (a.s.)  ka thënë:

“Ata njerëz të cilët ngrihen nga një tubim ku nuk përmendin Allahun (subhanehu ve teala), s’janë ngritur ndryshe vetëm sikur të ishin një trup i ngordhur i gomarit dhe kështu kanë dështuar.”

(Transmeton Ebu Davudi)

Besimtari, në vetmi apo në shoqëri, për të mos dështuar, duhet sa më shpesh Allahun për t’a përkujtuar, sepse prej Tij jemi, tek Ai do të kthehemi…

Allah është emri më i madh i Krijuesit, është emër i përveçëm, emër që s’ka shumës, emër me të cilin përfshihen të gjitha cilësitë hyjnore....

Allah është emri i Cili në Kur’an është përmendur 2690 herë, që do të thotë se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij.

“Kush drejtohet, le t’i drejtohet vetëm Allahut.

Kush kërkon mbrojtje, le ta kërkojë vetëm tek Allahu.

Kush kërkon ndihmë, le ta kërkojë vetëm prej Allahut.

Çdo gjë në Gjithësi është pasqyrim i veprës së Tij.

Gjithçka në Gjithësi është manifestim i Emrave të Tij.

Vetëm përkujtimi i Emrave të Tij,

Vetëm përmendja e Emrave të Tij,

Na bën me të vërtetë Njeri”

Allahu është Dritë, Dritë mbi Dritë...

Duke e përkujtuar këtë Dritë-na çelën sytë...