Poeti i zemrës
Mevlana Xhelaleddin Muhammed Rumi
(1207-1273)
Mevlana,
Kush jam unë?
Unë jam
Shërbëtor
I të Madhërueshmit Kur’an,
Derisa shpirt kam.
Unë jam
Pluhur nën këmbët
E Muhammedit
Alejhiselam…
UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë) e pat shpallur në muajin Mars 2006, vitin 2007-Viti Ndërkombëtar i Rumiut.
Në tërë botën, si në Lindje ashtu edhe në Perendim, u përkujtua Mevlana Xhelaleddin Muhammed Rumiu në 800 vjetorin e lindjes.
Në Europë dhe Amerikë, në Afrikë, Azi dhe në Australi, që nga muaji janar 2007, janë organizuar qindra tryeza, tubime, simpoziume shkencore, ndërsa deri në fund të dhjetorit 2007, janë mbajtur qindra të tjera për nder të Mevlanës, në përkujtim të Mevlanës, në përvjetorin e 800-të, të lindjes së Mevlanës. Sot më 17 dhjetori dita, përvjetor i kur ndrroi jetë, kur kaloi n’Ahiret.
Kush është Mevlana?
Mevlana, në vargje thotë:
Unë jam
Shërbëtor
I të Madhërueshmit Kur’an,
Derisa shpirt kam.
Unë jam
Pluhur nën këmbët
E Muhammedit
Alejhiselam…
Shërbëtori i të Madhërueshmit Kur’an, pluhuri nën këmbët e Muhammedit Alejhiselam, Mevlana Xhelaledin Muhammed Rumiu, lindi me 30 shtator 1207, në Behl të Horasanit, krahinë e Iranit, por sot është pjesë e Afganistanit. Ndrroi jetë me 17 dhjetor 1273, në Konja të Turqisë.
Jetoi 66 vjet në këtë botë të përkohshme, por i dashuruar me zemër në Dashurinë e përherëshme…
Ishte dijetar, teolog, filozof, mistik dhe në veçanti poet i
veçant, poet i zemrës.
Shejh Shemsuddin Tibriziu ishte ai që e frymëzoi, ky frymëzim zemrën ia ndriçoi dhe pastaj Mevlana veten Krijuesit në tërësi ia dorëzoi…
Si erdhi te ndriçimi i zemrës?
Mevlana, në vargje shkruan:
Mevlana Muhammed Xhelaleddin Rumi
(1207-1273)
NDRIÇIMI I ZEMRËS
Shpirti e pranon
Nga shpirti
Atë njohje,
Atë dituri,
Të cilën
Unë e njoh,
Unë e di.
Këtë njohje,
Unë e njoh,
Unë e di,
Se ajo
Nuk rrjedhë
Nga gjuha
Apo nga libri.
Nëse njohja
E fshehtësive
Vjen nga
Zbrazëtia e mendjës
Atëherë,
Ajo është,
Ndriçimi i zemrës…
Ndriçimi i zemrës në këtë jetë-është shtëpia, vatra, jeta jonë e vërtetë. Jeta e vërtetë tokësore, por me Dashuri Hyjnore…
Mevlana, në vargje thotë:
SH P I R T I
Shtëpia ose vatra
Vatra yte e vërtetë
Në këtë jetë
Të shkurtër apo të gjatë
Është në katin e shtatë.
Në katin e shtatë
Të jetës tokësore
Të rritjes shpirtërore.
Aty arrihet:
Përmes Pastërtisë,
Përmes Paqës,
Përmes Dashurisë…
Përmes Pastërtisë, përmes Paqës, përmes Dashurisë Hyjnore arrihet ngritja shpirtërore.
Mevlana nuk urdhëron, Mevlana këshillon:
SHTATË KËSHILLA
Ndaj të tjerëve,
Në ndihmë dhe bujari
Bëhu sikur lumi.
Ndaj të tjerëve,
Në dashamirësi, dhembshuri
Bëhu sikur dielli.
Ndaj të tjerëve,
Në fshehje të mëkateve
Bëhu sikur nata.
Ndaj të tjerëve,
Në zemërim dhe në tërbim
Bëhu sikur i vdekuri.
Ndaj të tjerëve,
Në thjeshtësi-përule kokën
Bëhu i ngjashëm me tokën.
Ndaj të tjerëve,
Me mëshirë, me butësi,
Bëhu i ngjashëm si deti.
Ose jeto, sikur që je,
Me pamjen, dukjen,
Që tani e ke…
Veprat kryesore të Mevlanës
Veprat kryesore të Mevlanës janë:
Methnevia
Divani Shemsi Tibrizi
Fihi Ma Fih
Mexhlis-i Sab’a …etj.
Disa nga këto vepra janë përkthye disa herë, nga disa përkthyes, në disa gjuhë të Lindjes, sikurse janë përkthye edhe në shumë gjuhë të Perendimit, si në anglisht, frengjisht gjermanisht, rusist, spanisht, italisht, boshnjakisht, shqip…
Në gjuhën shqipe është përkthye Methnevia nga Shejh Jahja Shehu, (1931-2002), nga Gjakova, në dy vëllime, botuar në Gjakovë me 1997.
Në gjuhën angleze është përkthye Methnevia në tërësi, në tetë vëllime, me komente, nga Reynold A. Nicholson, botuar në Londër gjatë viteve 1925-1940…
Methnevia e Mevlanës, gjatë vitit 2004, në Amerikë ishte libri më kërkuari, më i shituri. Vetëm librat e Mevlanës të përkthyeme anglisht nga Coleman Barks janë shitur afër 1 kopje…
Dikur, poeti i madh persian, Xhamiu, kishte thënë në gjuhën persishte për Mevlanën dhe Methnevinë:
“Nist Pejgamber ve li dared kitab”
“Nuk është Pejgamber, por ka libër (si të pejgamberëve)”
Sot, personalitete, yje të Holivudit, si Goldie Hown, Demi Moore, recitojnë me kënaqësi vargje të Mevlanës.
Kënga e Madonës “A prayer” (Lutje) është marrë nga vargjet e Mevlanës “Zoti i Xhennetit”…
Bota Perendimore, po e nderon, po e përkujton, po e vlerëson Mevlanën, veprën e tij, sidomos atë në poezi, sepse ajo ka vet nevojë, më shumë se gjithçka, për Dashuri…
Në Botën Perendimore, thonë, të gjitha i kanë, që të tjerët nuk i kanë, por Dashuri, mjerisht, s’kanë…!
Mevlana thotë:
JETA PA DASHURI
Jeta pa dashuri
Është kotësi.
Dashuria është
Uji i Jetës,
Pije çdo ditë
Me zemër.
Ne që jetojmë sot, 800 vjet pas lindjes së Mevlanës, ne jetojmë në një botë ku më shumë se 800 milionë njerëz janë të uritur, kurse ne jetojmë në një botë të begatë….
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë se 50 milionë njerëz gjenden në pragun e varfërisë, pavarësisht se
Tre njerëzit më të pasur të botës janë më të pasur se 48 shtetet më të varfra të marra së bashku…
Pse kaq shumë farfëri në një botë me plotë pasuri?
Sepse dëshirat e tepërta për pasuri i zhytin njerëzit në errësi, në rrënim dhe në shkatërrim…
Ky rrënim, ky shkatërrim i një pjese të njerëzisë vjen përmes pasurisë…!
Por, çka vjen përmes dashurisë?
Mevlana shkruan:
PËRMES DASHURISË
Përmes Dashurisë
Gjithçka që është
E hidhur-dëshmohet
Se do të ëmbëlsohet.
Përmes Dashurisë
Gjithçka që është
Bakër i thatë
Do të bëhet dukat.
Përmes Dashurisë
Gjithçka që është
Llum, fundrrinë
Do të shdërrohet
Në venë të kthjelltë
Që ruan pastërtinë.
Përmes Dashurisë
Të gjitha dhembjet
Që sjellin vështirësi
Do të kthehen në ilaçe,
Që sjellin lehtësi.
Përmes Dashurisë
Të vdekurit
Do të ngjallën.
Përmes Dashurisë
Mbreti do të bëhet
Shërbëtor i njerëzisë…
Një art është i gjallë, thoshte Rajnhard-i, kur në gjirin e tij rreh një zemër.
Një zemër poeti, një poet i zemrës, si Mevlana, është i lidhur drejt me Dritën e Njësisë (Teuhidit) të All-llahut, i Cili është Dritë mbi Dritë.
Vetëm me këtë Dritë njerëzimit, në përgjithësi, i çelën sytë…
Vetëm me këtë Dritë, shqiptarët në veçanti, kanë m’u ngritë…
Vetëm me Dritë dhe Dashuri Hyjnore të gjithë do të korrin fitore…
Kur e kishin pyet Mevlanën, çka është Dashuria Hyjnore? Ai është përgjigjur:
“Bëhu si unë dhe shihe”!
Mevlana ndrroi jetë me 17 dhjetor 1273, kur ishte 66 vjeç.
Është varrosur në Konja, Turqi, ku i është ngritur një
përkujtimore madhështore, ku ndodhet një xhami, muze, mauzole dhe një tyrbe, e cila quhet Jeshil Tyrbe, që vizitohet nga miliona njerëz nga mbarë bota, nga Lindja, nga Perendimi, për Mevlanën në shenjë nderimi…
Në Jeshil Tyrbe, ku është varrosur Mevlana, qëndron i shkruar ky epitaf:
“Kur të vdes, mos e kërkoni varrin në tokë,
por e gjeni atë në zemrat e njerëzve.”
Megjithatë, varrin e tij e vizitojnë me miliona njerëz, kurse miliona të tjerë e kanë në zemër, poetin e zemrës, Mevlana Xhelaleddin Rumiun…
Siç e udhëzoi Mevlanën, Zoti na udhëzoftë edhe neve…