Mulla Rexhep Voka
“O burra! O bijë, mirë ta dini që feja e dija
janë dy fletë për njerëzinë nga Perëndia....”
“I lutem Zotit në këtë jetë
shqiptarë të pa fe mos të ketë....”
- Mulla Rexhep Voka
Lindja, shkollimi dhe shërbimi
Rexhep Voka, i biri i Nuredin Vokës, lindi në vitin 1847 në katundin Shipkovicë, në rrethin e Tetovës. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, kurse Medresenë e kreu në Tetovë.
Sapo kishte mbushur 20 vjet, meqë ishte i zgjuar, i etur për dituri, muarr rrugën për në Turqi, ku në vitin 1868 u regjistrue në institucionin kryesor edukativ-arsimor në “Fatih” të Stambollit, një institucion i dëgjuar, ku ishte ndër studentët më të shquar.
Në Stamboll, aty ku kishte studiuar, pas diplomimit, Drejtoria e Arsimit, hoxhën shqiptar profesor e kishin pranuar. Disa vite dha mësim, shërbeu si myderriz në Stamboll, Turqi, por mendja i shkonte, zemra i rrihte për Shqipëri...
Kthimi në Shqipëri dhe veprimtaria e tij
Në vitin 1895, pas afër 30 vite qëndrimi në Stamboll, si student e mësimdhënës, kthehet në vendlindje, në katundin Shipkovicë të Tetovës.
Në fillim shërbeu si hoxhë, mësues e predikues, por duke i parë aftësitë e tij, zyrtarët e lartë të kohës, në vitin 1903, e zgjedhin myfti.
Si myfti i vilajetit të Manastirit, i cili përfishte rreth dymijë katunde, Mulla Rexhep Voka përveç detyrave fetare përpiqej edhe në veprimtarinë kombëtare.
Ka marrë pjesë në ngjarjet kryesore të kohës, siç ishte Tubimi në Bukuresht në vitin 1906, ku ishte i pranishëm, krahas me Ismail Qemal Vlorën.
Në vitin 1908 ishte pjesëmarrës në Tubimin e Ferizajt, e përfaqësoi Tetovën, ku para 20000 shqiptarëve të tubuar mbajti një fjalim, i cili masat popullore i kishte frymëzuar...
Në Kongresin e Manastirit, që i zhvilloi punimet në javën e tretë të nëntorit, 14-22 nëntor 1908, Mulla Rexhep Voka u paraqitë me një kumtesë që e kishte titullin: “Dobitë e bashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve ...”
Në vitin 1909 ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës....
Përveç veprimtarisë së vazhdueshme politike-shoqërore, Mulla Rexhep Voka na ka lënë edhe disa vepra të rëndësishme ekukative-kulturore.
Ka përpilue alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja arabe. E hartoi, e botoi në Stamboll, në vitin 1910, një abetare, të cilin e titulloi: ”Elifbanë Shqipe”, përkatësisht ”Abetaren Shqipe”.
Po të njëjtin vit, me 1910, në Stamboll, botoi librin me titull ”Mendime”, kurse në vitin 1911 botoi “Gramatikën elementare shqipe”, si edhe tekstin mësimor-edukativ-shkollor “Ilmihal i hollësishëm shqip, ku janë paraqitur parimet themelore fetare islame....
Në vitin 1913, kur Serbia sapo kishte pushtuar trojet shqiptare, Mulla Rexhep Voka me lotë në sy u detyrue të largohet nga Nana Shqipëri, shkoi në Bukuresht, Rumani, kurse nga Bukureshti shkoi në Stamboll, Turqi, ku jetoi deri në vitin 1917, viti kur ndrroi jetë në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme për çështjen fetare-kombëtare...
Për veprimtarin e tij në dobi të çështjes fetare-kombëtare, emrin e tij, Rexhep Voka sot e mban me nder shkolla fillore tetë vjeçare në Shipkovicë të Tetovës, si edhe ” Shoqëria Kulturore e Shipkovicës quhet “Rexhep Voka”. Busti i këtij hoxhe atdhetar e shkrimtar është vënë në qendër të fshatit të lindjes në shenjë përkujtimi dhe falënderimi për kontributin e tij në shumë lëmi....
Ndërsa, më 26 janar të vitit 1993, Kryetari i Republikës së Shqipërisë dr.Sali Berisha e nderon Mulla Rexhep Vokën me urdhërin për veprimtari patriotike të klasit të parë me motivacionin:
“Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”.
Lufta për pavarësi e çlirim deri diku u krye, por pa bashkim ende këto s’kan kuptim... Ose siç thoshte Mulla Rexhep Voka:
“...Veshë kemi, por nuk ndijmë, sy kemi e nuk shohim, mend kemi e gjë s’dijm. Sot bota është bërë tjetër, vetëm me pushkë e me thikë nuk fitohet. Lypet shkrim e lexim, fjalë e mendim... Ne, shqiptarët, është turp të mbesim më poshtë se popujt e tjerë....