Lufta mediatike e “Shtetit Islamik”

  • None
nga Ali Hashem | Publikuar në Tet. 25, 2014, mesnatë

Kur Ebu Bekr Al-Bagdadi, lideri i Shtetit Islamik (IS) dhe kalifi i vetëshpallur u shfaq me 4 korrik për hetë të parë në Mosul, u zgjodh një vend simbolik nga ata që menaxhojnë strategjinë mediatike të grupit terrorist më të kërkuar në botë. Al-Bagdadi zgjodhi Xhaminë e Madhe të Al-Nurit, një vend lutjesh për muslimanët, i ndërtuar në vitin 1172 nga Nureddin Zangi, i cili ëshë i njohur për hapjen e rrugës në ndërtimin e një shteti të fotë islamik mes Sirisë dhe Irakut, që më pas u zgjerua deri në Egjipt, derisa rrëzoi Dinastinë Fatimide. Zangi bëri disa beteja kundër kryqtarëve duke u zotuar për çlirimin e Jeruzalemit nga pushtimi i tyre. Strategët e ISIS-it e përdorën këtë, duke u përpjekur të imponojnë një krahasim në mendjet e atyre që janë të njohur me historinë e xhamisë, për të treguar se çfarë shteti duan të ndërtojnë – një shtet të aftë të pushtojë Shtetin shiit të Iranit dhe të luftojë Perëndimin.

ISIS-i dëshironte ta paraqiste kalifin – i cili pason Pejgamberin Muhammed dhe përfaqëson Zotin në tokë – gjatë predikimit të së premtës në korrik në mënyrën më të mirë të mundshme. Që nga veshja e Bagdadit, kamerat e përdodrura për të transmetuar predikimin, gjithçka ishte planifikuar për të përcjellë një mesazh. Pesë kamera me rezolucion të lartë (hd) u vendosën brenda dhe jashtë xhamisë, të gjitha të lidhura me një pajisje të kontrolluar nga një teknik profesionist, ndoshta një regjizor, i cili krijoi një transmetim televiziv profesional prej 21 minutash. Ky ishte imazhi i shtetësisë së ISIS-it.

“Shteti Islamik beson se lufta mediatike është e barabartë në rëndësi me luftën ushtarake,” tha për Al-Monitor, Marwan Shehade, një eskpert jordanez i lëvizjeve islamike. “Media është e domosdoshme kur bëhet fjalë për ndonjë aktivitet të ISIS-it; përveç të tjerash, ata kanë punuar për të rritur talentin e tyre, sidomos duke parë të gjitha ato financime dhe burime njerëzore të siguruara nga bota arabe dhe muslimane,” tha ai. Sipas Shehade, ISIS-i i ka mundësitë të pajisë veten me teknologjinë më të fundit. “Duke analizuar videon e fundit të transmetuar nga grupi, shihet se ata kanë pajisje të përparuara dhe operatorë profesionistë. Më duhet të them se janë bujarë kur bëhet fjalë për makinerinë e tyre mediatike. Ata i paguajnë shumë profesionistët.”

ISIS-i ka disa sektorë mediatikë që prodhojnë dhe shpërndajnë në internet materialet mediatike. Al-Furqan dhe Al-Itisam janë përgjegjës për materialet vizuale: e para është e përqendruar në materialin ushtarak dhe tregon forcën e shtetit, ndërsa e dyta i kushtohet aktiviteteve shoqërore, fetare dhe predikimeve.

“ISIS-i është një grup ideologjik; prandaj, ata nuk u besojnë mediave të mëdha për të përcjellë mesazhin e tyre,” tha për Al-Monitor Omar Kayed, një gazetar palestinez dhe akademik, i cili ka ndjekur ISIS-in që nga fillimet e tij. “Grupi mbështetet kryesisht vetëm në sektorët e vet mediatikë për të përhapur idetë e tij dhe për të imponuar kushtet e vështira për ata gazetarë që dëshirojnë të punojnë në zonat e kontrolluara prej tyre. Ata duhet t’i japin besen grupit për aleancë, [i cili] ka kontroll të plotë mbi materialet e tyre dhe çdo shkelje e rregullave mund të përbëjë kërcënim për jetën e gazetarëve.”

Sektorët mediatikë të ISIS-it kanë prodhuar disa seri ku lavdërojnë grupin, ideologjinë dhë luftëtarët e tij. Në një epison të quajtur, “Mesazhe mediatike nga Toka e Betejave Epike” (“Media Messages from the Land of Epic Battles,”) portretizohen shumë luftëtarë të huaj të cilët marrin pjesë në betejë. Në një seri tjetër, “Flakët e Luftës” (“Flames of War”), i prodhuar fillimisht në gjuhën angleze, tregon luftëtarët e ISIS-it që marrin pjesë në beteja të ashpra – në mënyrë të qartë një mesazh drejtuar Perëndimit. Një video tjetër tregon një të moshuar i cili falënderon Allahun që i ka mundësuar të luftojë nën flamurin e ISIS-it. Grupi gjithashtu synon të tregojë fytyrën e tij humane duke prodhuar pamje të anëtarëve të ISIS-it, të cilët në mënyrë miqësore ndihmojnë njerëzit në nevojë në zonat brenda kufinjve të shpallur nga shteti.

“Ata gjithashtu këmbëngulin që të tregojnë anën humane të luftëtarëve të tyre në disa video, duke i shfaqur ata të buzëqeshur kudo ku ndodhen. Duan të thonë se ata që gjenden nën kontrollin e tyre trajtohen në mënyrë njerëzore, që lidhet me versetin (ajetin) kuranor që thotë: “Muhammedi është i Dërguari i Allahut, e ata që janë me të janë të ashpër me mosbesimtarët dhe të mëshirshëm ndërmjet tyre,” tha Kayed.

Megjithatë, videot më të famshme, janë ato që tregojnë prerjen e kokave të “pabesimtarëve” dhe “renegatëve/felëshuesve” në zemër të shkretëtirës apo gjatë ndonjë beteje, të cilat transmetohen si pjesë e një strategjie mediatike më të gjërë për të forcuar imazhin e ISIS-it. “Grupi ndjek shkollën juridike (medhhebin) Hanbeli dhe ka marrë disa ide të cilat i përdor si taktikë sa herë që janë duke luftuar, duke i futur armikut frikë dhe terror,” tha Shehade. “Ata i referohen një hadithi të Pejgamberit Muhammed gjatë luftërave të hershme të Islamit: ‘Ne kemi ardhur te ju me kasaphane,’ dhe një hadith tjetër që thotë: ‘O Allah më bëj fitues me anë të frikës (duke u futur Zoti frikën armiqve të mij) sa largësia e udhëtimit një muaj.’ Ata punojnë në konsolidimin e doktrinës së luftës brenda rradhëve të tyre duke e ndryshuar dhe duke e justifikuar atë me premtimin e parajsës pa dhënë llogari.”

Shehade shtoi se kjo strategji ka treguar se është e suksesshme, duke parë se “ISIS-i ka qënë i aftë të fitojë disa beteja pa pasur nevojë të luftojë, si në Siri ashtu edhe në Irak. Ata besojnë se kjo i ndihmon në luftën e tyre mediatike, e cila është e vërtetë; ata e përdorin këtë kundër të gjithë atyre që u kundërvihen. Gjëja më interesante është se ata përdorin gjuhën angleze sa herë që duan t’i drejtohen Perëndimit, dhe nuk lejojnë njerëz me theks britanik apo amerikan që t’i dublojnë.”

Madje, ISIS-i ka prodhuar një lojë që ngjan në të gjitha aspektet me luftën kundër armiqve të tij, duke shfaqur terren të ngjashëm me zonat ku lufton grupi dhe audio që refklekton ideologjinë e tij. Loja që Al-Monitor inspektoi është një modifikim i “Grand Theft Auto” (GTA-së) dhe ka akoma logon origjinale në të.

“Këto materiale janë thelbësore në fushatën rekrutuese të ISIS-it,” tha Kayed. “Është propaganda më e mirë për idetë e tyre.”



Burimi : Al Monitor