Poet me ndikim në lindje e perendim Shejh Muhammed Ikball

  • None
nga Mexhid Yvejsi | Publikuar në Gus. 21, 2014, mesnatë

(1877-1938)

 

    

   Shejh Muhamed Ikball është filozof, politikan, shkrimtar, letrar, sufi, në veçanti një poet, një poet me ndikim në Lindje e Perendim, me poezitë e tij ka frymëzuar e frymëzon ende çdo brezni. Është poet kombëtar i vatanit, është babai shpirtëror i Pakistanit.

 

 

 

 

 

                  Lindja, ndikimi, arsimimi

 

     Shejh Muhammed Ikballi lindi me 9 Nëntor 1877 në qytetin e famshëm Sailkot, në krahinën e njohur Panxhab, në Pakistan, që atëherë ishte nën sundimin britanik.

     Është djali i Nur Muhammedit, i cili ishte me profesion rrobaqepës, por lexonte shumë, ishte i devotshëm dhe kishte prirje mistike.
     Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku krahas mësimeve e kreu edhe Hivzin, e mësoi Kur’anin përmendësh. Në fëmijëri, përveç prindërve,  ndikimi kryesor fetar-shpirtëror, që i la gjurmë tërë jetën, i erdhi nga dijetari i madh, Mevlana Mir Husein.
    Studioi filozofinë, letërsinë angleze, gjuhën arabe etj, në qytetin Lahor të Pakistanit.
   Ka jetuar, studiuar dhe punuar disa vite në Evropë, kryesisht në Angli dhe Gjermani, ku ka doktorue në filozofi.

 

         Veprimtaria e tij frymëzon çdo brezni

 


    Shejh Muhamed Ikball ishte filozof, sufi, politikan, shkrimtar, letrar, në veçanti një poet, një poet me ndikim në Lindje e Perendim, që me poezitë e tij ka frymëzuar e frymëzon ende çdo brezni.

    Ka shkrue në tri gjuhë: në urdisht, persisht dhe anglisht.
    Ka shkrue poezi në gjuhën perse dhe urdu. Prej afër 12.000 vargjeve, rreth 7.000 vargje janë në gjuhën perse.
    Poezia e tij, kryesisht, është ndikuar nga poeti i madh, Mevlana Xhelaluddin Rumiu, për të cilin Muhamed Ikballi kishte një nderim të veçantë.
    Përmbledhja e parë me poezi e Muhamed Ikballit është botuar me 1915, është shkruar në gjuhën perse, me titull: “Asrar-e-Khudi” (Fshehtësitë e Egos”).
    Në vitin 1924 botoi librin e dytë me titull: “Payma-e-Mashrik” (Mesazhi i Lindjes).
    Kurse në vitin 1927 e botoi përmbledhjen e tretë, me titullin:
    “Zebur-e-Axhem” (Psalmet Persiane)…
    Ka shkruar e botuar edhe libra të tjerë me përmbajte politike, ekonomike, filosofike, islamike,  disa prej të cilave janë:

     “Ilmu’l-Iktisad” (Ekonomi Politike), në gjuhën urdu, 1903.

      The Development of Metaphysics in Persia (‘Zhvillimi i Metafizikës në Persi’; anglisht, 1907 - botuar më 1908).

    Stray Reflections (“Përsiatje....”; anglisht, 1910;

    The Reconstruction of Religious Thought in Islam (“Rindërtimi i Mendimit Fetar në Islam”; 1930; botimi i zgjeruar i Oksfordit, 1934).

 

 

         Pejgamberi (a.s.),  Kur’ani dhe Vatani

 

    Në poezinë e tij Shejh Muhammed Ikballi përdor shumë mo­tive islame (të themi se zarb-i kalim është shkopi i Mu­sait, pastaj bang-i dara që është zëri i kambanës së de­vesë i cili besimtarët i shpie drejt karvanit të Pej­gam­be­rit (a.s.) që niset në drejtim të Mekkes.

     Sipas Fazlur Rahmanit, përdorimi i Ik­ba­llit i simboleve islame nuk duhet shpjeguar si ro­man­ti­zëm, edhe më pak si vajtim për lavdinë e kaluar his­to­ri­ke të islamit, por si thirrje të poetit për islamin di­na­mik.

   Poezitë e Shejh Muhammed Ikballit  për Muhammedin (a.s.) si njeri model, trupëzim i gjallë i Kur’anit, janë xhevahirë të letërsisë  perse dhe urdu, vargjet në vijim e dëshmojnë këtë përkushtim:

 

Ai, që i dinte rrugët e Hakkut,

Ishte vula e pejgamberëve

Për syrin e ashkut dhe ekstazës

Ai është i pari e i fundit,

Ai është Kur’ani, ai është Furkani

Ai është Ja-Sini dhe Ta-haja…

 

 

Veprat me ndikim  në Lindje dhe Perëndim

 

    Poezia e Ikballit është përkthyer në anglisht, gjer­ma­nisht, holandisht, arabisht, turqisht, rusisht, çekisht, italisht, spa­njisht, boshnjakisht, shqip…

“Në Pakistan  Shejh Muhammed Ikballin e duan shumë, për të thonë se është i vet­mi i dyti pas Kur’anit! Aq e ngrenë lartë! Shejh Muhammed Ikballin në Iran e duan shumë.

     Ara­bët nuk e njohin shumë Ikballin. Janë të rrallë ata që in­teresohen për të, sikur Shejh Ahmed Zeki Jamani. Në ara­­bisht janë përkthyer vetëm disa vepra të tij. Duhet të shtoj se veprat e Ikbalit janë të ndaluara në Arabinë Sau­dite. Ikballi në Turqi është shumë i dashur prej kur është përkthyer Xhavidnameja e tij. Në Indonezi dhe në Indi, natyrisht, Ikballi, është po ashtu shumë i po­pu­lla­ri­zu­ar dhe i njohur.”

    Veprat e Shejh Muhammed Ikballit, përveç studiueses An­ne­ma­rie Schimmel, e cila ka shkru­ar një studim madhështor në gjuhën angleze mbi idetë fe­tare të Sir Muhammed Ikballit (Gabriel’s Wing: A stu­dy into the Religious Ideas of Sir Muhammad Iqbal, Lei­den, 1963), profesoresha e shquar e studimeve islame, e ka për­kthy­er në gjermanisht edhe veprën e Ikballit Payam-i ma­shriq me titull Botschaft des Ostens (Wiesbaden, 1963). Për lexuesit perendimor me shumë sukses veprat e Ikballit ia kanë paraqitur edhe studiuesit Johann Christoph Bur­geli, Alessandro Bausani dhe Seyd Abdul Vahidi.

     Në vazhdim një poezi e Ikballit që sjell frymëzim!

 

 

SHKENCA DHE FEJA

Një herë shkenca i tha fesë:
“Syri im
Mund të shoh çdo gjë
Që në këtë botë
Është e krijuar,
Bota e tërë
Është në rrjetën time
E shtrënguar, e pushtuar.
Unë jam e interesuar
Vetëm për gjërat materiale,
Ato sjellin fitime, fitore,
Ç’më duhen mua
Çështjet shpirtërore?
Unë mund të zbulojë
Mijëra melodi,
Haptas mund të shpalli
Çdo fshehtësi…

Feja i tha shkencës:
Me magjinë tënde
Madje valëve në det
I vëni flakën,
Detin e kallni krejt.
Ju mund ta ndotni,
Ta fëlliqni atmosferën
Me gazra helmues
Që janë vdekjeprues.
Kur ndahesh prej meje,
Drita yte s’është dritë,
Ajo bëhet terr, varr,
Flakë, zjarr.
Në jetën tokësore
Ti ke prejardhje Hyjnore,
Por jeni e verbuar,
Nuk po e vëreni
Se jeni e kurthuar,
Në rrjetë e pushtuar,
Nën kthetrat
E shejtanit të mallkuar.
Lirohu. Eja. Kthehu.
Këtu, këtë tokë djerrinë,
Këtë tokë shkretëtirë
Shndërroje në kopsht të mirë.
Huazo prej meje pakëz mirësi,
Huazo prej meje pakëz dashuri,
Dhe tokën ku jetojmë
Xhennet mund ta bëjmë.
Që nga dita e Krijimit
Ne bashkë kemi jetuar,
Të jetojmë bashkë përsëri,
Ne jemi zëra të ndryshëm
Por kemi të njëjten melodi.”

Përktheu nga anglishtja:
Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 

Shejh Muhammed Ikballi ndrroi jetë me 21 Prill 1938.

 

Burimet kryesore:

1. Schimmel, Annemarie,  Gabriel’s wing: a study onto the relious ideas of Muhammed Iqbal. (1962) 

2. Kuliyat Iqbal, Iqbal Academy Publications, 1990, Lahore, Pakistan

3. Ayesha, Jalal (1994). The Sole Spokesman: Jinnah, the Muslim League and the Demand for Pakistan. Cambridge University Press.

4. Allama Iqbal – The spiritual fathe of Pakistan,  Daily Dawn, 8 8 November 2003.

5. Mir, Mustansir, Iqbal. I.B. Tauris, (2006)

Anil Bhatti. “Iqbal and Goethe “(PDF). Yearbook of the Goethe Society of India. 2011

6. Sharif, Imran, “ Allama Iqbal’s 73 anniversary observed with revernce”,Pakstan Today, 21 April 2011