Në përkujtim, në 10 vjetorin e kalimit n’amshim: Hafiz Sabri Koçi
Më 18 qershor 2014 u bën 10 vjet që Hafiz Sabriu kaloi n’Ahiret. Hafiz Sabri Koçi ndrroi jetë me 18 qershor 2004, ditën e Xhuma, në mbrëmje, në moshën 83 vjeçare, duke lënë prapa një emër të paharruar në historinë islame-shqiptare.
Hafiz Sabri Koçi lindi me 14 maj 1921, në katundin Orenjë, në rrethin e Librazhdit. Idriz quhej babai i tij, i cili nga varfëria u detyrue të shkoi në Selanik, Greqi, ku edhe ndrroi jetë, aq i ri. Kur erdhi lajmi se babai, Idrizi, kishte vdekur, Sabriu ishte foshnje, ende s’kishte filluar as me ecur.
Kështu ishte caktimi i Zotit që Sabriu të rritej jetim, jetim nën kujdesin e nënës, Zenja, e cila për djalin jetim ishte jo vetëm nënë por edhe baba.
Sabriun, në vitin 1932, i cili tashmë ishte djalosh dhjetë vjeçar, e dërguan në Shkodër, për të vazhduar shkollimin. Mësuesit e tij ishin dijetarët më të shquar të Shkodrës, ndërsa Shkodra ishte për Shqipni djepi ku përkundej, rritej, çdo dituri…!
Për më se dhjetë vjet studimi pa ndërpre, Sabri Koçi ndoqi mësimet pranë dijetarëve si Hafiz Muhamed Kastrati, Haxhi Muhamed Bekteshi, Hafiz Sabri Bushati, Shejh Qazim Hoxha, Hafiz Ibrahim Kaduku etj.
Sabriu, sipas dëshmive të mësimdhënësve të tij, ishte ndër studentët: më i devotshmi, më i zgjuari, më i dalluari…Ky student kaq i vyeshëm, më në fund, diplomoi me rezultat të shkëlqyeshëm. Jo vetëm që diplomoi, por ai u bë edhe hafiz, sepse, njëkohësisht, edhe Kur’anin e madhnueshëm përmendësh e mësoi…
Shërbimi dhe burgimi
Hafiz Sabri Koçi filloi shërbimin me përkushtim në Xhaminë e Bardhë, në Shkodër, pastaj në Luguçeshme, rrëzë kështjellës “Rozafat”, më vonë në lagjën Dudas, kurse në vitin 1952 e emëruan imam në xhaminë e R. të Vogël, po në Shkodër.
Hafiz Sabriu kudo që shërbeu, kudo që shkoi xhamitë i ndryshoi, i meremetoi, i zbukuroi…Kudo që shërbeu, kudo që shkoi, zuri miqësi, jo vetëm me pleqë, por më shumë me rini…
“Nëna Parti” këtë veprimtari të tij e përcjellte në vazhdimësi me “dylbi”...Një ditë, Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, për rrethin e Shkodrës, me paturpësi futet në Xhami dhe e nxjerrë rininë përjashta, ndërsa kryetari i degës e kërcënon:” Ti je më reakcionari i të gjithë klerikëve, po na helmon rininë….”
Kështu, “Nëna Parti”për ta helmuar të shkretën rini, Hafiz Sabriun, që ju çelte sytë, në vitin 1956 e transferojnë në Krujë, në Kavajë, në Korçë, por edhe në këto qytete ai punoj edhe me shumë, por as “Nëna Parti” nuk rrinte në gjumë…!
Mbas disa vitesh e lejojnë të kthehët në Shkodër, ku shkodranët e presin me përzemërsi, por një ditë, me 4 qershor, 1966, ditën e xhuma, organet e shtetit, të “Nënës Parti”, në Xhami, e prangosin, e arrestojnë, e burgosin…!
E burgosin Hafiz Sabriu me 4 qershor 1966, kur ishte në moshën 45 vjeçare, ndërsa e lirojnë me 22 tetor 1986, kur kishte kaluar moshën 65 vjeçare.
Në burg kishte qëndruar 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë, ku gjithçka kishte provuar, por asnjëherë nuk ishte dorëzuar. Në burg kishte përballuar shumë provokime, tortura, punë të rënda fizike, por kishte qëndruar siç thonin stoikët – stoikisht apo siç themi ne, shqip, burrënisht…!
Për herë të parë Hafiz Sabriun e kam takuar në Tiranë, me 18 korrik 1993, në zyrën e tij, në Komunitetin Musliman. Shqiptar. Në fillim qëndruem në zyrën e revistës “Drita Islame”, ku me anëtarët e redaksisë shkëmbyem mendime, ide të ndryshme dhe pas gjysmë ore, bashkë me mikun tim nga Gjakova, Fehmi Haxhikadriun, ju themi se kemi dëshirë m’u takue me Kryetarin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçin, menjëherë na thanë se është i nxanun me punë! Menjëherë, edhe unë ju thashë:
“More, burra, kemi ardhur nga Gjakova, nga Kosova, për herë të parë në Tiranë, në Shqipni, tregoni kryetarit, Hafiz Sabriut, se jam djalë hafizi…, e pede çka po thotë…!”
Njëri prej tyre duel nga zyrja dhe pa kalue as dy-tre minuta u kthye e na tha:
”Kryetari, Hafiz Sabriu, po ju prêt në zyre, në katin e dytë, jini të mirëseardhun!” Na përcjelli deri te zyrja e tij dhe u kthye.
Hafiz Sabriu, me derë të hapur, veç ishte në këmbë, na përqafojë, mirëseardhje na urojë dhe na tha rehatohuni në fotele, pranë tij, me shumë përzemërsi….!
Pranë tij qëndruem dhe afër dy orë biseduem…! I bëra edhe një intervistë, me mbi tridhjetë pyetje. Një nga pyetjet ishte edhe kjo:
Keni vuejtur shumë, pothuejse, që nga lindja, jeni rritur jetim, jeni shkolluar me shumë mundim, keni punuar pa pushim dhe më në fund - gjithë këtë mund “Nëna Parti” iu “shpërbleu” me mbi 20 vjet burgim, si keni qëndrue dhe a ka ndonjë ditë në jetën tuej që t’ka gëzue…?!
“Po, Mexhid i dashtun, kam vuejtur shumë, po, ashtu ishte shkrue prej Zotit (xh.sh.), gjithmonë jam mbështet tek Zoti…”
“Dita më e bukur e jetës sime ishte dita e xhuma, me 16 nëntor 1990, kur për herë të parë, pas 23 vjetësh, u dëgjue ezani, në pranin e mbi 50.000 qytetarëve shkodranë e të tjerë, dhe u falë Namazi i Xhumasë, në Xhaminë e Plumbit, në Shkodër…”
Në shërbim të ringjalljes së fesë Islame në Shqipni
Prej kësaj dite, 16 nëntor 1990, nën udhëheqjen e Hafiz Sabri Koçit, filloi ringjallja e Fesë Islame në Shqipëri.
Në fillim u krijue shoqata: “Bashkësia Islame Shqiptare” me qendër në Shkodër.
Me 23 janar 1991, u krijue, u zyrtarizue, “Bashkësia Islame e Shqipërisë” me qendër në Shkodër.
Me 14 shkurt 1991, Hafiz Sabri Koçi u zgjodh Kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman të Shqipërsisë.
Kryetari, Hafiz Sabri Koçi, me 7 tetor 1991 i drejtohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me një shkresë, ku kërkon të mundësoj botimin e një gazete për myslimanët shqiptarë.
Me 19 dhjetor 1991 doli numri i parë i gazetës “Shkëlqimi Islam”, si organ i shoqatës “Rinia Islame e Shqipërisë”
Me 10 janar 1992 doli numri i parë i gazetës “Drita Islame”, si organ i përdyjavshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Më vonë dolën edhe gazeta të tjera islame, si gazeta “Shpresa”, organ i shoqatës së “Intelektualëve Islam”, gazeta “Triumfi Islam” etj.
Përveç këtyre gazetave, u botuen edhe me qindra libra me përmbajtje fetare-kulturore, u themeluem mbi dhjetë medrese, nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, u rindërtuen, u ndërtuen nga themeli me dhjetra, qindra xhami, ku flitet shqip, ku i thonë Shqipni…
Të gjitha këto u bënë nën udhëheqjen e Hafiz Sabri Koçit, i cili merrte pjesë si përfaqësues i Shqipërisë nëpër Kongrese, Simpoziume, Konferenca, Seminare Ndërkombëtare, në shumë shtete, nëpër kontinente…
Këtu vlenë të përmendën disa prej tyre:
Kongresi Islam, Kairo, Egjipt, 24 prill 1991.
Kongresi i Myslimanëve të Europës Lindore, Sarajevë, Bosne-Hercegovinë, 3-4 shtator 1991.
Me 15-28 shkurt 1992, Hafiz Sabri Koçi vizitoj Kuvajtin, Arabinë Saudite, Gjermaninë, Maqedoninë, Belgjikën, Kroacinë, Italinë, Turqinë…
Ndërsa gjatë vitëve 1994-1995…, vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa shtete të Afrikës, Italinë, Turqinë, Zvicrrën, Anglinë, Kuvajtin, Egjiptin, Libinë…
Hafiz Sabri Koçi jo vetëm që ka vizituar pothuejse gjithë botën, por, ai, gjithashtu, ka pritur në Tiranë, Shqipëri, me qindra, mijëra vizitorë, individë e delegacione të ndryshme nga mbarë bota…
Edhe në Kosovë tonë ka qenë disa herë, ndërsa në Gjakovë, vendlindjen tonë, ka qenë tri herë… !
Ndrroi jetë me 18 qershor 2004, ditën e Xhuma, në mbrëmje, në moshën 83 vjeçare, duke lënë prapa një emër të paharruar në historinë islame-shqiptare.
Në vazhdim është një poezi kushtuar personalitetit të tij.
LUM SHQIPNIJA PËR KËTË BURRË
(Haxhi Hafiz Sabri Koçi)
(1921-2OO4)
Kush beson kurrë s’dëshprohet
E rrëxojnë-përsëri çohet.
Natë e ditë me shpresë duke pritë
Që mëngjesi të zbardhë me dritë.
Në Shkodër kur Xhamia e Plumbit u çel
Sikur trëndafili nga gonxhja kur del.
Haxhi Hafiz Sabriu fliste kjartë
Për Udhën e Drejtë e të Lartë.
Errësirës s’i lë vend askund
Dritën Islame e përhapi gjithkund.
Si valë deti i shkonte zëri kah qielli
Në Shqipëri po lind Dielli.
Po lindë Dielli i Islamizmit
Po perëndon terri i komunizmit.
Fliste Hafiz Sabriu për Komb e Atdhe
Jemi vëllezër nga cilado Fe.
Kemi një Krijues, All-llahun, Perëndinë,
Kemi një Atdhe-me Kosovën e Çamërinë.
Fjalët e tij- rreze të Kur’anit
Po ndriçojnë çdo anë t’Vatanit.
Kanë me ndriçue për jetë e mot
Sepse është Drita e të Madhit Zot.
Të Madhit Zot i lutem për mëshirë
Për Hafizin-Njeri, Burrë e Dashamirë.
Se goja mjaltë i rrjedhte si gurrë
Lum Shqipnija për këtë burrë.