Autori i Himnit të Turqisë - Bir i shqiptarisë: Mehmed Akif Ersoj
(1873-1936)
Mehmed Akif Ersoj, me prejardhje shqiptare nga katundi Shushicë në rrethin e Pejës, është një figurë e shquar në Turqi, një personalitet i dalluar në shumë lëmi: ishte besimtar, dijetar, akademik, poet, shkrimtar, politikan, pedagog, deputet e njihet në Turqi, si autor i Himnit Shtetëror dhe për këtë admirohet si një shenjëtor…
Lindi në Stamboll më 20 Dhjetor 1873. Rrjedh prej një familje besimtare, intelektuale.
Është djali i myderriz Tahir Efendiut, një myderriz i njohur në Medresesë e njohur “Fatih” të Stambollit, i cili ka lindur me 1826 në katundin Shushicë, në rrethin e Pejës, ndërsa ka ndrrue jetë në Stamboll në vitin 1888.
Mehmed Akif Ersoj, në kujtimet e tij, për myderriz Tahir Efendiun, pra, për babain e tij, ndër të tjera, shkruen:
“Ai qe edhe babai, edhe hoxha (mësuesi) im. Çka di, kam mësuar prej tij...”
Mësimet fillestare i kreu në shkollën “Emir Buhari”, vazhdoj “Iptidaijen,” “Ruzhdien” e “Idadijen”. Në vitin 1893 diplomoi në Fakultetin e Veterinarisë, ku ishte shpallur shpallur studenti më i mirë.
Krahas mësimeve, studimeve, Mehmed Akifi në Medresënë “Tabhane” të Stambollit mësonte gjuhën arabe dhe përgatitej për Hafiz, mësimin e Kur’anit të madhnueshëm përmendësh. Në vitin 1894, meqë e mësoj përmendësh Kur’anin e Shenjtë, e mori titullin: Hafiz i Kur’anit, pranë dijetarit, Hafiz Isa Efendiut…
Në vitin 1894 filloj punën si inspektor i veterinarisë, ku iu dha rasti me shetitë, me vizitue, shumë qytete e zona të ndryshme të shtetit, si Rumeli, Anadoll deri n’Arabi…
Në vitin 1918 u emërue kryesekretar i Këshillit të Lartë Islam (Daru’l Hikmeti’l Islamiyye).
Në qershor të vitit 1920 u zgjodh deputet i Burdurit dhe u pranue nga Kuvendi (Mexhlisi).
Në vitin1921, me kërkesën e ushtarakëve, Ministria e Kulturës u dha gazetave të dates 7 nëntor një njoftim, ku bëhej e ditur se
“Shpallet konkurs për Marshin e Pavarësisë dhe se për fituesin e tekstit dhe melodisë do të jepej nga një shpërblim prej 500 lirash”.
Në qendrën e konkursit u paraqitën mbi shtatëqind tekste, por , me gjithë këtë, komisioni vlerësues nuk e pranoi asnjë poezi, sepse asnjë prej tyre nuk plotësonte kriteret e kërkuara, që të zgjonte ndikimet e dëshiruara…
Atëherë, Hamidullah Suphiu, që ishte Ministër i Kulturës, me gjithë komisionin vlerësues, iu drejtuan Mehmed Akifit, që të shkruen poezinë. Por, Mehmed Akif Ersoj, iu përgjigjë:
“Nuk shkruej poezi për para…”
Kur, ministri me bashkëpuntorët, i premtuen se “nuk do t’i jepnin shpërblimin edhe nëse do të fitonte…! Me këtë kusht, Mehmet Akifi e shkroi tekstin…
Marshi i Pavarësië (Istiklal Marshi), shkrue nga Mehmed Akifi, u lexue në Kuvendin e Madh të Kombit (Parlamenti Turk) më 1 Mars 1921, kurse me 21 Mars 1921 u pranue zyrtarisht…
Kur zyra e llogarisë e Kuvendit të Madh e ftoi të merrte shpërblimin, Mehmed Akifi i mori pesëqind lirat, por menjëherë iu shpërndau fukarave e jetimëve përmes Institucionit Bamirës “Daru’l Mesai”…
Në shtator të vitit 1922, Mehmed Akifi u zgjodh anëtar i Akademisë së Studimeve Islame…
Prej vitit 1925 deri më 1936, Mehmed Akifi ka jetuar e punuar në Kairo, ku shërbeu si professor i turqishtes në Universitetin e Egjiptit…
Ditën e diel, në mbrëmje, në ora 19:45, më 27 Dhjetor 1936 ndrroi jetë në Stamboll, në moshën 63 vjeçare.. Ditën e hënë, me 28 Dhjetor 1936, pas namazit të drekës, në Xhaminë Bajazit u falë namazi i xhenazës, në praninë e mijërave admiruesve, kryesisht studentë universitarë, të cilët, në shenjë nderimi, e bartën me duartë e tyre deri në Varrezat e Dëshmorëve në Edirnekapi…
Mehmed Akif Ersoj, përveç gjithë këtyre shërbimeve që bëri në Turqi, me përkushtim, me devotshmëri, është marrë edhe me krijimtari. Krijimtaria e tij është thesar, është pasuri dhe mund të ndahet në dy kategori:
1 Veprat e shkruara në vargje ose veprat poetike.
2. Veprat e shkruara në prozë ose veprat prozaike.
Veprat e shkruara në vargje janë të përmbledhura me një emërtim të përgjithshëm :Safahat ose Fletët. Kjo është një përbledhje librash poetikë në shtatë shtatë libra me emërtime të veçanta:
1. Safahat : Përmbledhje me 44 poezi; me 3084 vargje. Stamboll, 1911, 1918, 1928.
2. Në Katedrën e Sulejmanijës: 1 poezi, me 1002 vargje, Stamboll, 1912, 1914, 1918, 1928.
3. Zëri i së Vërteës: 10 poezi, 482 vargje, Stamboll, 1913, 1918, 1928.
4. Në Katedrën e Fatihut: 1 poezi, 1692 vargje, Stamboll, 1914, 1924.
5. Kujtimet: 10 poezi, 1314 vargje, Stamboll, 1917, 1918, 1928.
6. Asimi: 1 poezi, 2292 vargje, Stamboll, 1924, 1928.
7. Hijet: 41 poezi, 1374 vargje, Kairo, 1933.
Në këto vepra, thënë me pak fjalë, trajtohen çështje njerëzor, shoqërore dhe shprehet mahnitja, admirimi, ndaj forcës qetësuese, ngushëllese të besimit dhe ndaj të fshehtave të botës hyjnore...
Mehmed Akifi, ndonëse i lindur në Stamboll, Turqi, se është shqiptarë e ka pohuar me krenari...Me krenari, në shkrimet e tij e përmend Shqipninë, Kosovën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën...
Në poezinë me titull:
A s’e njeh? Kosova!
ndër të tjera, shkruen:
“Po si mund ta njihje?
Po, edhe pse s’e njeh, ke të drejtë,
S’ka lënë gur mbi gur egërsia e tërbuar!
Mijëra jetë priten sikur të pritëshin dru në pyll!
Ç’hije e zezë ka rënë mbi atë Kosovë të blertë!
Drejt veriut, Prizreni, Peja, Gjakova
Janë kthyer në qiell të ditës së fundit
Nga klithmat e zisë...
Pse e ndatë Shqipërinë...
Dhe e shkatërruat tërë vendin?
Ndërsa, në një poezi tjetër, të cilën e fillon me këtë ajet nga Kur’ani i madhnueshëm:
“E mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë...” ndër të tjera, shkruen:
A ende të përfytemi?
“Kur individët të thonë “unë e “ti”, bashkimi prishet
Dhe atëherë për kombet kijameti fillon!
Zbrit në të shkuarën dhe shëtiti
Të gjitha kohët e shkatërrimeve
Do të shohësh se ligji i Allahut nuk ndryshon...!
Përveç shtatë veprave me poezi, të cilat kanë mbi 10.000 vargje, Mehmed Akifi ka botue edhe
gjashtë vepra në prozë, titujt e të cilave janë:
1. Tefsiret ose Komentet e Kur’anit
2. Vazët apo predikimet
3. Artikujt
4. Përkthimet
5 Veprat ose shkrimet tjera
6. Letrat
Mehmed Akif Ersoj, ky dijetar, poet, prozator, ky shkrimtar që krenohet që është shqiptar e besimtar, ky deputet, politikan, pedagog, akademik, autor i Himnit Shtetër, për të cilin admirohet si një shenjëtor, çfarë ishte si njeri? Këtë e përshkruan miku i tij...
Eshref Edib Beu, pronar i revistës “Sebihur-reshad”, që e ka njohur mirë, ndër të tjera, thotë:
“Mehmed Akif Ersoj ishte burrë edhe i idesë, edhe i shoqërisë. Ishte i vendosur, besnik, modest, serioz, i guximshëm, trim, i turpshëm, i qëndrueshëm..”
Thënë shkurt, me një fjali:
“Bindjet e tij i kishte ngritur mbi këtë formulë:
Fe = Moral = Atdhedashuri = Dituri...”