Politikat kukulla të Shqipërisë: Projekt-ligji i censurës së internetit dhe hapja e rrugës për propagandën e MEK-ut

nga Filip Vukoviç | Publikuar në Shk. 5, 2019, 2:53 a.m.

Ekspertët e medias dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësime rreth dy projekt ligjeve të propozuara nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që do të fuqizonin qeverinë duke kontrolluar mediat online nën kërcënimin e ndëshkimeve dhe mbylljes. Ndryshimet u prezantuan nga zyra e kryeministrit gjatë një seance dëgjimore publike në Tiranë në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, ku synohej krijimi i një regjistri të publikimeve në internet dhe fuqizimi i një Këshilli të ri Ankesash për të sanksionuar mediat online bazuar në kërkesat e palëve të treta dhe si pasojë urdhërohej mbyllja ose bllokimi i tyre në Shqipëri. Zyra ka propozuar ndryshime për një sërë arsyesh, duke përfshirë lajme “të njëanshme”, lajme që “dëmtojnë moralin publik” dhe “publikime që mund të nxisin vepra penale”. Mosrespektimi i ligjit do të rezultonte me gjoba deri në 1 milion lekë (rreth 8,000 euro) dhe madje edhe me mbyllje të faqeve të internetit.

Drafti i parë synon të ndryshojë ligjin për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), autoriteti që mbikëqyr tregun e komunikimeve. Ai e transformon institucionin nga statusi neutral që ka ndaj përmbajtjeve dhe e bën përgjegjës për mbajtjen e një “regjistri specifik për mediat online”, duke siguruar në këtë mënyrë që “sipërmarrësit të respektojnë detyrimet e tyre ndaj sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe ligjeve të tjera”. Ligji obligon faqen e internetit të çdo personi fizik ose juridik që të ketë informata kontaktuese dhe një adresë të publikuar dhe i jep të drejtën AKEP-it të mbyllë faqet e internetit në bazë të kërkesës së Autoriteteve Tatimore. Propozimi tjetër synon të transformojë Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) në një organ policor të autorizuar për të gjykuar mbi cilësinë e lajmeve dhe moralin publik. Sipas propozimit, botuesit duhet të “respektojnë rregullat etike dhe morale të publikut dhe nuk duhet të lejojnë publikimet që mund të nxisin vepra penale”. Një organ i quajtur Këshilli i Ankesave do të marrë ankesat ndaj mediave dhe do të gjobisë ose do urdhërojë mbylljen e tyre nëse gjendet në shkelje të ligjit. Propozimi gjithashtu thekson se gjobat dhe urdhrat e mbylljes duhet të zbatohen menjëherë, pavarësisht nëse faqja e internetit zgjedh të dërgojë çështjen në gjykatë. Në përgjithësi në Shqipëri gjykatat janë shumë të ngadalta, prandaj mund të duhen vite për të zgjidhur çështje të tilla si dhe për të riaktivizuar faqet e mbyllura të internetit.

Kryeministri Edi Rama është ankuar shpesh për “shpifje” ndaj qeverisë dhe i ka sulmuar mediat kritike duke përdorur një shumëllojshmëri epitetesh, duke i quajtur disa prej tyre sharlatanë, kazanë mbeturinash, helm dhe armiq të publikut”. Në tetor ai deklaroi se po përgatiste një “paketë anti-shpifje që do të përfshinte gjoba të rënda”. Duke folur gjatë konsultimit me publikun muajin e kaluar, Elira Kokona, një përfaqësuese e zyrës së Kryeministrit, tha se shpifja në shumicën e vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është një vepër penale, megjithëse ajo nuk shpjegoi sesi shpifjet lidheshin me ligjet e propozuara. Ilir Zela, kryetari i AKEP, tha se ishte e nevojshme që të kishte një regjistër për identifikimin e shpejtë të pronarëve të mediave online në rastet e shkeljeve ligjore si “terrorizmi apo shpifja”. Zela i cili drejton një institucion formalisht të pavarur, ka qenë gjithashtu një ish-anëtar i Partisë Socialiste dhe është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në pushtet të kryeministrit Rama. Gentian Sala, kryetari i AMA- s, thotë se ligji u përgatit nga zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë me qëllim të “disiplinimit” të mediave gjithnjë e në rritje në Shqipëri. I pyetur për qëndrimin e tij, Sala tha se institucioni i tij mund të fliste vetëm pas një vendimi të bordit, kështu që ai nuk mund të mbështeste ose të kritikonte planet.

Ekspertët e medias u kërkuan autoriteteve të heqin dorë nga propozimet, duke i parë ato si potencialisht anti-kushtetuese. Kushtetuta e Shqipërisë i jep mundësinë autoriteteve që të licensojnë radiot dhe televizionet, por jo gazetat apo publikimet online. Ligjet e propozuara gjithashtu mund të përbëjnë censurë, thonë kritikët, sepse e gjithë përmbajtja e një faqe interneti mund të ndalohet nëse gjendet vetëm një pjesë lajmi ose një ngjarje e vetme e konsideruar e paligjshme. Për shkak të së kaluarës autoritare të vendit, asnjë shumicë parlamentare nuk ka tentuar së fundmi të hartojë ndonjë ligj për mediat e shkruara. Ligji i fundit i tillë u miratua në vitin 1993 dhe u kritikua për të qënurit një mjet censurimi në duart e qeverisë, pavarësisht se në faqen e tij të parë u deklarua se “media është e lirë”. Ai u shfuqizua në vitin 1997. Ligji i ri i AMA-s thekson gjithashtu se propozimi përjashton median e shkruar. Megjithatë, qeveria me sa duket ka vendosur të konsiderojë mediat online si “multimedia” dhe jo si “media të shkruara”. Teknikisht, AKEP mund ti fshijë faqet e internetit të regjistruara në Shqipëri me kodin “.al” të vendit. Ligji i propozuar gjithashtu thekson se mund të ndalojë hyrjen në Shqipëri të faqeve të internetit të regjistruara diku tjetër, nëse Këshilli i Ankesave konsideron se faqet e tilla kanë shkelur ligjin.

Ekziston një dyshim i llogjikshëm se këto ndryshime ligjore të propozuara kanë për qëllim politikën e brendshme, duke pasur parasysh se dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dominojnë qeverinë që nga rënia e komunizmit në vitin 1990, kështu që nuk ka gjasa që mediave të pavarura të mund tu tronditin pozitat politike. Nga ana tjetër, censura e medias në nivel ndërkombëtar duket të jetë shumë më e dobishme. Duke vënë re lajmet e javëve të fundit, shohim se Muxhahedin el Khalq (MEK ose MKO) ka blerë nga një firmë shqiptare 1.700 kompjutera të markës Lenovo. Ky kult terrorist, i dashur për konservatorët e Uashingtonit, izraelitët dhe sauditët, ka krijuar një shtet brenda një shteti në Shqipëri dhe po përdoret nga sponsorët e tij për të zbatuar një politikë të ndryshimit të regjimit në Iran. Në fushatën e tyre të propagandës kundër terrorizmit, një OJQ iraniane për të Drejtat e Njeriut e quajtur Shoqata Habiliane (Habilian Association) ka ngritur nje faqe të specializuar online në gjuhën shqipe, ku ofron lajme, analiza dhe dokumente mbi krimet e kryera nga MEK. Megjithatë faqe të tilla interneti së shpejti mund të bllokohen ligjërisht për publikun shqiptar. Qeveria shqiptare i ndjek haptazi urdhrat dhe planet e SHBA-së. Vetëm para një muaji qeveria dëboi ambasadorin iranian dhe një diplomat tjetër, duke u vlerësuar në këtë mënyrë nga vetë Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Nuk ka dyshim se Shqipëria po bëhet qendra evropiane për promovimin e propagandës terroriste të MEK-ut./balkanspost/Gazeta Impakt

Filip Vukoviç është një politolog serb dhe gazetar investigativ nga Beogradi që mbulon zonën e Ballkanit Perëndimor. Fokusimi i tij është tek nacionalizmi, tensionet etnike dhe politikat ekonomike në rajonin e pas-Jugosllavisë.



Burimi : Gazeta İmpakt

Filip Vukoviç

Filip Vukoviç është një politolog serb dhe gazetar investigativ nga Beogradi që mbulon zonën e ...