Parlamenti në Maqedoni bënë padrejtësi me ndarjen e buxhetit, Miliarda për maqedonas, miliona për shqiptarë

Publikuar në Jan. 14, 2018, 1:11 a.m.

Në Buxhetin 2018, për ministrat shqiptarë janë rezervar shumë më pak para se sa për ministrat maqedonas të LSDM-së. Ministrat shqiptarë lëvizin mes 300 milionë deri në 600 milionë denarë, ndërsa ata maqedonas – vetëm tek Kultura kanë mbi 300 milionë denarë, derisa tek të gjithë të tjerat janë nga një miliard deri tek 43 miliard denarë, aq sa ka Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Me zgjedhjen e ministrit të ri të Shëndetësisë, Venko Filipçe, pozicioni politik i partive shqiptare është ulur ndjeshëm në Qeverinë e Maqedonisë, ndërsa kjo situatë nuk ka qenë që nga zgjedhjet e vitit 2002. Edhe në zgjedhjet e vitit 1994 dhe 1998, shqiptarët kishim më shumë ministri ndonëse nuk ishin të kyçur në administratën shtetërore dhe në organet gjyqësore si pas konfliktit të vitit 2001, shkruan gazeta KOHA. Ndërkaq organika e Qeverisë edhe e administratës publike nuk ka ndryshuar nga qeverisja VMRO-BDI. Kjo e fundit mjaftohet me vetëm tre ministri atë të Ekonomisë, Drejtësinë dhe Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërsa RDK udhëheq me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Partitë shqiptare, e më shumë BDI – duket që janë të pafuqishme të realizojnë atë që kishin premtuar para zgjedhjeve të 2016-ës – që Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit të kalojë në Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie midis komuniteteve. Ky propozim doli nga Analiza profesionale që iu bë Marrëveshjes së Ohrit nga Instituti Evropian i Paqes dhe ekspertë nga OSBE dhe ekspertë tjerë të pavarur nga organizata joqeveritare.

Shqiptarët nuk dinë se çfarë është të udhëheqësh me Entin Shtetëror të Statistikave, Entin Gjeologjik të Maqedonisë dhe me Arkivin Shtetëror të Maqedonisë – tri organe administrative shtetërore ndër më të rëndësishmet në vend. Kuadro shqiptar nuk udhëheqin as me organet e pavarura shtetërore si Agjencia për Rini dhe Sport, Agjencia për Emigracion, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, si dhe Komisioni për bashkësitë fetare dhe grupet religjioze. Kur jemi tek buxheti, ministritë që udhëheqin kuadrot shqiptare kanë buxhet shumë të vogël se sa ato që udhëheqin kuadro maqedonas, si p.sh. Ministria e Ambientit Jetësor ka buxhet 651 milionë e 300 mijë denarë, Ministria e Ekonomisë me 645 milionë e 575 mijë denarë, Pushteti Lokal me 443 milionë e 594 mijë denarë, Ministria e Drejtësisë me vetëm 320 milionë e 896 mijë denar.