Ambasadori Ukrainas : Rreth 300 serbë aktualisht luftojnë në Ukrainë

Publikuar në Nën. 3, 2017, 1 a.m.

Ambasadori i Ukrainës në Beograd Oleksandr Aleksandroviq ka adresuar shumë kritika e akuza kundër Serbisë dhe bashkëpunimit të saj me Rusinë.

“Kurrë asnjë të keqe s’ua kemi bërë. Parlamentarët tanë nuk shkojnë ë Kosovë. Futboll dhe basket kundër Kosovës luajmë në terrene neutrale sepse Ukraina nuk njeh pasaportat kosovare. Dhe ukrainasit nuk vijnë në Serbi për të vrarë”, ka thënë Aleksandroviq.

“Çfarë ju kemi bërë ne ukrainasit?”, ka pyetur ambasadori ukrainas duke folur për mercenarët serbë që luftojnë në anën e rusëve kundër Ukrainës dhe ka shtuar se Kievi zyrtar e tashmë e ka publikuar identitetin e disa serbëve që luftojnë në ushtrinë mercenare të Putinit.

Aleksandroviq ka thënë se rreth 300 serbë aktualisht luftojnë në Ukrainë.

“Rusia trajnon mercenarët serbë për të vrarë ukrainas. Rusia ka shfrytëzuar ekstremistë serbë për të kryer grusht shtetin në Mal të Zi. Rusia nxit separatizmin në Republikën Serbe. Rusia shfrytëzon faktorin serb për ta destabilizuar Maqedoninë. Rusia aktivisht merr pjesë në kthimin e serbëve kosovarë kundër shqiptarëve kosovarë. Rusia i shet aeroplanë Serbisë për të shkaktuar tensione me Kroacinë”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

“Kur politikanë serbë udhëtojnë në Krime dhe atje lavdërojnë ‘politikën e mençur e të fuqishme të Putinit’, kur keni mercenarët serbë, kur Serbia voton kundër Ukrainës në OKB, natyrisht se e gjithë kjo ndikon në imazhin negative të Serbisë në Ukrainë”, ka thënë ndër të tjera Aleskandroviq.