Greqia edhe pse aleate me Turqinë, forcon bashkpunimet në interes të vendit

Publikuar në Qershor 21, 2017, 3:31 a.m.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras dhe homologu turk, Binali Yildirim ranë dakord për riforcimin e bashkëpunimit në sektorin turistik dhe energjetik, pavarësisht tensioneve në detin Egje ku mosmarrëveshjet vazhdojnë.

“Agjenda jonë pozitive në sektorët strategjikë duhet të zhvillohet, ne do të përshpejtojmë bashkëpunimin tonë përsa i përket transportit, energjisë, investimeve dhe turizmit”, deklaroi kryeministri grek, Alexis Tsipras për median në përfundim të takimit me homologun turk.

Dy fqinjët po bashkëpunojnë ngushtë në ndërtimin e gazsjellëve (TAP dhe Turkish stream) që do të transportojnë gaz në Evropë nëpërmjet Turqisë.

Tsipras paralajmëroi gjithashtu kundër shkeljeve turke në ujërat territoriale greke në detin Egje dhe në hapësirën ajrore, që janë intensifikuar, sipas tij, këto nëntë muajt e fundit.

“Egjeu duhet të jetë deti i paqes dhe i stabilitetit”, nënvizoi ai duke shtuar se parimet e fqinjësisë së mirë dhe respektit të përbashkët duhet të prevalojnë.

Nga ana e tij, Binali Yildirim theksoi se shkeljet kanë ndodhur nga dy krahët.

“Është mirë të përqendrohemi në çështjet mbi të cilat kemi dakordësi dhe jo tek mosmarrëveshjet”, theksoi kryeministri turk, përcjell Atsh.

Në frontin e marrëdhënieve BE-Turqi, Binali Yildirim falenderoi homologun grek për mbështetjen e tij përsa i përket anëtarësimit të Turqisë në BE.