Katolikët e ortodoksët miratojnë dokumentin mbi primatin

  • Kardinali Kurt Koch me Hilarion
Publikuar në Shta. 30, 2016, 2:02 a.m.

Komisioni i përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse ka miratuar një dokument të rëndësishëm me titullin “Sinodaliteti dhe Primati në Mijëvjeçarin e Parë. Drejt një mirëkuptimi të përbashkët në shërbim të unitetit të Kishës”. Mbledhja plenare u mbajt në Chieti të Italisë nga 16 deri më 21 shtator dhe është bashkë-kryesuar, nga pala katolike, nga kardinali Kurt Koch, president i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të Krishterëve, e nga pala ortodokse nga kryeipeshkvi i Telmessos Job Getcha, përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.

Zëvendës-sekretari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të Krishterëve, imzot Andrea Palmiero, në mikrofonin e Radio Vatikan shpjegon vlerën e këtij dokumenti.

“Dokumenti është rezultat i një udhe të gjatë, përuruar me dokumentin e Ravenës, që është miratuar më 2007. Aty pohohej – katolikët e ortodoksit së bashku – nevoja e një primati në Kishë në nivelin lokal, rajonal e universal. Ishte fjala për shpjegimin se në çfarë mënyre ky primat do të duhej të ushtrohej në Kishë. Tani, me këtë dokument – që kërkoi një punë të gjatë, sepse prek njërin prej problemeve kyçë të mosmarrëveshjes ndërmjet katolikëve e ortodoksëve – kemi një shpjegim se si në Mijëvjeçarin e Parë të Kishës primati e sinodaliteti artikuloheshin. E ky model i Mijëvjeçarit të Parë bëhet kështu një tregues për të ardhur deri të zgjidhja e problemeve që akoma ekzistojnë ndërmjet katolikëve e ortodoksëve.

Cila është domethënia e miratimit të këtij dokumenti për sot?

Është një hap, është vetëm një hap në udhën që akoma duket e gjatë. Po gjithsesi, është një hap i rëndësishëm, sepse e vënë Mijëvjeçarin e Parë si tregues, si shembull, si model për të ardhur deri te mundësia e zgjidhjes së problemeve që ende janë të hapura në nivelin kishtar. Aty gjejmë jo vetëm pika referime të dobishme, por të domosdoshme për të imagjinuar ushtrimin e primatit në kontekstin e sinodalitetit, edhe në një Kishë përfundimisht të pajtuar.

Cilat perspektiva hapen tani për dialogun?

Dialogu tani ka një bazë mbi të cilën mund të vazhdojë studimin e asaj që mund të jetë struktura mbi të cilën Kisha mund të sigurojë bashkimin ndërmjet të gjitha Kishave të Lindjes e të Perëndimit. Ekziston një pik e përbashkët referimi që mbështet mbi eksperiencën e Mijëvjeçarit të Parë e në interpretimin e asaj për çka kanë ra dakord katolikët e ortodoksët. Ky dokument hap një udhë, por nuk i zgjedh përfundimisht të gjitha vështirësitë. Po gjithsesi, na mundëson, të jemi optimist për të ardhmen.



Burimi : Radio Vatikan