Historia e rënies së ushtrisë siriane

Publikuar në Dhj. 16, 2025, 12:14 a.m.

“Pas një periudhe të gjatë erozioni dhe humbjeje të besimit që e bëri shtetin të prekshëm nga shembja brenda pak ditësh, kaosi i organizuar u kthye në normë, ndërsa rrënimi i pashmangshëm u bë rezultati final.”

Merve Cerdi, një gazetare për gazetën El-Ahbar, jep detaje mbi rënien e shpejtë të ushtrisë siriane midis 27 nëntorit dhe 8 dhjetorit 2024, bazuar në dëshmitë e pesë oficerëve dhe ushtarëve të ndryshëm. Dëshmitarët theksojnë se rënia nuk erdhi nga mungesa e armëve ose pajisjeve, por nga një boshllëk udhëheqës i krijuar nga ndërprerja e plotë e urdhrave nga Pallati Presidencial dhe komanda e lartë.

Ushtria dhe sistemi i sigurisë i Sirisë u shembën midis 27 nëntorit dhe 8 dhjetorit 2024, përgjatë një vije gjeografike që shtrihej nga Idlibi në veri deri në Damask dhe Latakia në perëndim.

Brenda vetëm njëmbëdhjetë ditësh, forcat qeveritare u tërhoqën pa marrë urdhra, qendrat e komandës u shpërndanë dhe oficerë të lartë i lanë njësitë e tyre pa udhëzime dhe pa mbrojtje, duke braktisur fillimisht pozicionet e tyre e më pas edhe vendin.

El-Ahbar, në këtë artikull, publikon dëshmitë e pesë oficerëve dhe ushtarëve nga njësi të ndryshme, të verifikuara përmes përputhjes së ngjarjeve dhe shqyrtimit të dokumenteve mbështetëse.

“Nuk e di”: deklarata që zbuloi se Pallati ishte evakuuar

Një oficer nga Garda Republikane, në një deklaratë për el-Ahbar, tregon se pika e kthesës nuk ndodhi në vijat e Idlibit, por disa ditë më herët, kur një qendër komande në rajonin e Badiyes u godit nga sulme intensive me dronë.

Grupi i dislokuar atje arriti të rezistonte për një kohë, por goditjet e tejkaluan aftësinë e tyre për t’u mbrojtur; kjo i shtyu oficerët të kërkonin përforcime dhe municion që nuk do të vinin kurrë.

Kur u kërkua një vendim i qartë për t’u tërhequr, për të mbrojtur pozicionet apo për t’u ripozicionuar për të shmangur rënien në rrethim të njësisë, e vetmja përgjigje që erdhi nga Komandanti i Gardës Republikane, Gassan Tarraf, ishte: “Nuk e di.”

Sipas oficerit, kjo përgjigje ishte provë se, ndryshe nga zakoni, Komandanti i Gardës “nuk po merrte udhëzime nga Pallati Presidencial”.

Oficeri thotë: “Nëse Komandanti i Gardës nuk di, kjo do të thotë se edhe Pallati nuk po përgjigjet ose se ka një problem me Presidentin”, dhe shton:

“Garda Republikane komunikon drejtpërdrejt me Presidentin; ndërsa Divizioni i Katërt në ushtri komunikon me vëllain e tij Mahir al-Assad, njësitë e tjera janë nën hierarkinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.”

Sipas të njëjtit oficer, me nisjen e operacionit që Hayat Tahrir al-Sham dhe grupet e tjera opozitare në veri e quajtën “Parandalimi i Sulmit”, njësitë e Gardës të vendosura në Saraqib në veri të vendit qëndruan në pozicionet e tyre pa marrë asnjë urdhër veprimi.

Në atë kohë, udhëzimet kufizoheshin vetëm në “forcimin e fortifikimeve”, ndërkohë që dronët dhe artileria godisnin nga distanca “të pazakonta”.

Në hijen e mungesës së furnizimeve dhe ndërprerjes së pjesshme të komunikimit për shkak të ndërhyrjeve elektronike (jamming), pas fjalës së gjeneral brigade Tarraf: “Vlerësoni situatën dhe merrni vendim”, nisën tërheqjet e para.

Ky ishte komunikimi i fundit përmes pajisjeve Tetra, pas të cilit sinjalet u ndërprenë; më pas, iniciativa iu la në dorë komandantëve të terrenit. Kështu njësitë u tërhoqën drejt zonës së Xhebel Erbainit.

Atje, “grupe nga brigada të ndryshme u grumbulluan pa një komandë të përbashkët ose mbështetje ajrore; nuk u pa që avionët sirianë të ngriheshin në fluturim, ndërsa avionët rusë kishin ndalur fluturimet mbi Alepo.”

Në mes të këtij kaosi, oficeri thekson se situata “pothuajse arriti në përplasje me forca mike”. Arsyeja ishte “zbulimi i forcave që përparonin nga një pikë me burim të panjohur në shpatet e malit”.

Oficeri vazhdon: “Nuk erdhi asnjë mbështetje dhe, ndonëse pritej ardhja e komandantit të Divizionit të 25-të, të njohur me nofkën ‘Tigrat’, Suheyl al-Hasan, nuk u shfaq asnjë komandant i nivelit të lartë që të merrte iniciativën.”

Pas pesë ditësh të kaluara në majë, ku ndodhej edhe një tyrbe, erdhi një urdhër i shkurtër me telefon nga gjeneral brigade Tarraf për t’u tërhequr drejt Masyafit.

I njëjti oficer thekson: “Gjatë kësaj tërheqjeje, ndërsa kalonim nëpër Hama, njësitë tona u vunë nën zjarr të dendur dhe si pasojë u vra komandanti i regjimentit.”

Oficeri vazhdon rrëfimin:

“Pas tre ditësh që kaluam në Masyaf, që ishte pika jonë e re e grumbullimit, komandantëve të batalionit dhe regjimentit iu dhanë urdhra të rinj për të shkuar në Damask.”

Kur grupi mbërriti natën e 6 dhjetorit në qendrën e komandës së Gardës në kryeqytet, ndërtesa ishte “krejtësisht bosh; gjeneral brigade Tarraf nuk ishte aty dhe nuk iu përgjigj thirrjeve tona. Kur pyetëm për situatën, na u dhanë këto fjalë: Shkoni në shtëpitë tuaja… Mos pyesni asgjë.”

Oficeri e përfundon dëshminë e tij duke iu referuar komandantit të tij që u vra gjatë tërheqjes drejt fshatrave të Hamës:

“Ai u largua nga kjo botë pa arritur të shihte rrëzimin e plotë të udhëheqjes. Ushtria që ne njihnim nuk ekziston më.”

Nga Alepo në Homs: “Këto ditë do t’i fshij nga jeta ime”

Një toger që mori pjesë në procesin e tërheqjes nga Alepo dhe Idlibi drejt Homsit, në një deklaratë për el-Ahbar, thotë: “Fillimi i shembjes nuk ndodhi me hyrjen e forcave sulmuese, por me tërheqjen e forcave ruse nga shtabet e tyre në Maasaran; kjo i la njësitë tona të pambrojtura përballë sulmeve me dronë, solli rritjen e humbjeve dhe detyroi njësitë të tërhiqeshin drejt rrugës M5 nën mjegull dhe bombardim të pandërprerë.”

Në ato momente, ushtarët filluan të dëgjonin drejtpërdrejt nga komandantët e tyre vetëm një fjali: “Hyni dhe mos u frikësoni.” Togeri shton: “Përleshjet vazhduan pa një plan të qartë për t’u përballur me forcat sulmuese.”

Ndërsa tërheqja vazhdonte drejt Maaret el-Numan dhe Khan Sheikhoun, e më pas drejt rrethrrotullimit Sebahi në hyrjen veriore të Hamës, “në mungesë të disa komandantëve, pikëpyetjet mes nesh po shtoheshin”, shton togeri:

“Me ndërprerjen e urdhrave, duke qenë se e dinim se njësitë e Gardës Republikane kishin lidhje të drejtpërdrejta me Pallatin, filluam të ndiqnim lëvizjet e tyre dhe t’i imitonim.”

Sipas togerit, forcat më pas u grumbulluan në Masyaf, në fshatin përreth Hamës, pranë njësive të Gardës, me qëllim lëvizjen drejt Homsit.

Por me zhvendosjen e komandantëve të batalioneve dhe regjimenteve të Gardës drejt Damaskut, “thashethemet u përhapën më shpejt se çdo dhomë operacionale dhe filluan të qarkullojnë biseda për mundësinë e rënies së kryeqytetit.”

Në fakt, forcat sulmuese kishin hyrë në lagje të gjera të Homsit “pa asnjë përplasje të vërtetë”. Rreth orës tre të mëngjesit, komandantët e fundit në terren u larguan, por togeri thotë: “Nuk munda ta braktis pozicionin tim. Qëndrova brenda tankut me pesë ushtarë që zgjodhën të qëndronin me mua. Nuk luftuam, por as nuk u larguam.”

Në mëngjesin e 8 dhjetorit, “civilë nga një fshat fqinj arritën te tanku dhe na thanë t’i linim të gjitha dhe të largoheshim, sepse regjimi kishte rënë.”

Pa mjet transporti, togeri vendosi të shkonte në këmbë drejt Latakias; në autostradën Homs–Tartus, “grupe të armatosura më ndaluan, më konfiskuan armën dhe dokumentet e mia”, dhe shton:

“Pamja ishte kaotike… Në të dy anët e rrugës kishte kufoma ushtarësh. Nuk do t’u tregoj fëmijëve të mi asgjë, sepse as unë vetë edhe sot nuk e di çfarë ndodhi.”

Trupa e Humusit: “Nga ‘Gjendja perfekte’ te rënia e qytetit”


Në kontrast me zonat e Idlibit dhe Halepit, në Humus komunikimi funksionoi deri në momentin e fundit. Kapiteni, që i rrëfen el-Ahbar ditët e fundit të detyrës pranë Shkollës Ushtarake, thotë: "Nuk pati asnjë ndërhyrje (jamming)" dhe se "përjashtimi i vetëm" ishte një mjet mbrojtës ajror i tipit Shilka që u dërgua në zonën rurale të Hamës dhe menjëherë humbi kontaktin, gjë që vërteton se "operacionet e ndërhyrjes ishin intensive në Aleppo dhe Hama".

Megjithatë, kapiteni mendon se problemi nuk ishte "teknik, por lidershipi":

"Komandanti i batalionit tonë u zhduk një javë më parë dhe komandanti i regjimentit pranë nesh, dy kilometra larg, nuk dha asnjë urdhër për njëmbëdhjetë ditë."

Më 7 dhjetor, kapiteni ndoqi nga pika ku ndodhej konvojtë e mjeteve ushtarake që largoheshin drejt Damaskut dhe zonës bregdetare. "Për të përdorur në rast nevoje për ikje, përgatita një motor," thotë ai.

Por kur një mik nga shkollat ushtarake e thirri dhe i tha: "Ne u tërhoqëm… në Humus nuk ka mbetur askush tjetër përveç jush," kapiteni shkoj tek komandanti i batalionit për t’i njoftuar vendimin për largim. Përgjigjja e komandantit ishte: "Shko. Por përgjegjësinë e ke ti."

Pa ndonjë urdhër zyrtar, të gjithë u larguan dhe forcat sulmuese hynë duke dhënë urdhër "dorëzo armën dhe largo". Kapiteni mbeti i vetëm. Ushtari kujton me të qeshur një diskutim me komandantin e batalionit pas rënies së regjimit:

"Ai më tha se kishte tentuar të telefononte Degën e Inteligjencës Ajrore për të bërë ankesë për mua, por një ushtar i tha se dega kishte tërhequr më parë."

Inteligjenca ushtarake: Evakuimi dhe boshllëku i komandës

Pesëmbëdhjetë ditë para operacionit "Parandalimi i Sulmit", Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake mori një raport të ndjeshëm nga një burim civil nën komandën e saj.

Sipas një anëtari të degës që foli me Al-Akhbar, raporti përmbante harta, koordinata dhe vlerësime të sakta të forcave të përfshira.

Gjithashtu në raport tërhiqej vëmendja mbi praninë e “oficerëve të huaj” dhe të batalionit të UAV-ve të tipit “Şahin”, që përdorej për herë të parë në atë periudhë.

Megjithatë, raporti u dërgua në Shtabin e Përgjithshëm në një format rutinë, dhe më pas te njësitë me një paralajmërim të përgjithshëm: “Ju lutemi të jeni të kujdesshëm dhe të vëmendshëm.” Agjenti i inteligjencës përmbledh situatën kështu:

“Raporti shkruhet, shqyrtohet, pastaj dërgohet me postë… Zgjat dy ditë. Ne përballemi me një sulm real, por vendimi mbeti vetëm në letër.”

Sipas të njëjtit agjent, më 7 dhjetor oficeri përgjegjës mori një urdhër të prerë për të “lënë dyert e administratës ushtarake të hapura, ku ruheshin dokumente të ndjeshme nga dosjet e oficerëve deri te regjistrat e identitetit.” Agjenti shton:

“Siguria Ushtarake, ditën tjetër deri në orën 04:30 të mëngjesit, isha i vetmi që mbaja komandën në bazë. Gjeneralbrigadieri përgjegjës, kur u largua, tha: Mbulojeni atë që keni parë… Tani nuk mund të bëj më asgjë.”

Dëshmitari shpjegon se kolapsi organizativ në orët e fundit bëri që gjenerali i lartpërmendur, “oficeri më i lartë që kishte mbetur”, të detyrohej të menaxhonte degën, dhe në atë moment pranë tij ishin vetëm tre oficerë me gradë më të ulët.

Sinjalet e tërheqjes së hershme: Evakuimi i familjeve të oficerëve


Sipas një ish-oficeri inxhinierie në aeroport që i rrëfeu el-Ahbar, që nga 4 dhjetori Aeroporti Ushtarak Mezze u bë skenë e një “lëvizjeje jashtëzakonisht aktive”.

Oficeri shpjegon se “familjet e oficerëve të lartë u evakuuan drejt zonës bregdetare me avionë që shkonin në Hmeymim, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Kreut të Inteligjencës Ajrore, Gjeneralbrigadier Halil Kahtan.”

Gjatë këtyre operacioneve, “nuk u shpall asnjë protokoll ushtarak, urdhër i veçantë apo udhëzime që të shpjegonin arsyet e kësaj lëvizjeje.” Oficeri shton:

“Kjo nuk dukej si një masë sigurie. Ishte e qartë se dikush e dinte se po vinte diçka e madhe dhe evakuimi po bëhej për një grup të caktuar.”

Më pas, siç konfirmoi edhe New York Times, u zbulua se vetë Kahtan më 8 dhjetor kishte udhëtuar me avion privat, fillimisht për në Hmeymim dhe pastaj për në Moskë, duke lënë vendin.

Në mungesë të komandës së lartë, inxhinieri oficer dhe dy shokët e tij në aeroport vendosën “të shkonin në fshatrat e tyre pa marrë urdhër zyrtar.” Oficeri vazhdon:

“Mendonim se do të gjykohemi. Por kur të lartët u larguan, nuk mbeti ushtri që të na gjykonte.”

Të gjitha dëshmitë e mësipërme përkojnë në një pikë: mungesa e vendimeve nuk ishte mungesë kapaciteti. Ushtria ende ekzistonte, armët ishin aty, por udhëheqja nuk ishte.

Për njëmbëdhjetë ditë nuk u regjistrua asnjë kryengritje apo ndarje e organizuar; situata dukej më shumë si një tërheqje e miratuar mes shokëve të armëve pas lënies pa udhëzime të oficerëve dhe ushtarëve.

Kështu, pas një periudhe të gjatë erozioni dhe humbjeje të besimit që e bëri shtetin të prekshëm nga shembja brenda pak ditësh, kaosi i organizuar u kthye në normë, ndërsa rrënimi i pashmangshëm u bë rezultati final.



Burimi : Al- Akhbar