Korridori i Davidit: Rruga e ëndrrës së “Izraelit të Madh”
Në intervistën që Netanyahu i dha i24 më 12 gusht 2025, deklarata e tij se ai është i ngarkuar “me një mision historik dhe shpirtëror të lidhur me vizionin e Izraelit të Madh”, përbënte një pranim të tërthortë të përpjekjes së Izraelit për të zgjeruar kufijtë e tij në një kornizë të bazuar në Tevrat. Në një mënyrë të ngjashme, deklarata e Donald Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2024 se “Izraeli është shumë i vogël dhe duhet zgjeruar”...
Duke ashpërsuar sulmet në jug të Sirisë, Izraeli e shfrytëzoi si një mundësi boshllëkun e krijuar nga rënia e autoritetit të regjimit të Esadit. Këto veprime u justifikuan nën petkun e sigurisë dhe “ndërhyrjes humanitare”. Më pas, qeveria izraelite shpalli planin për krijimin e një zone të çmilitarizuar tampon në jug; si arsye u paraqit mbrojtja e komunitetit druz dhe kufizimi i ndikimit iranian. Ky hap u vlerësua si hapi i parë konkret drejt zgjerimit strategjik që do të lidhte Lartësitë e pushtuara të Golanit me brendësinë e Sirisë.
Më pas, forcat speciale izraelite depërtuan thellë në Kuneytra dhe Deraa-n Perëndimore, duke e forcuar kontrollin de facto në terren. Në dhjetor 2024, Benyamin Netanyahu vizitoi ushtarët izraelitë të dislokuar në territorin sirian, duke i treguar botës se disa rajone në jug tashmë i konsiderojnë si nën sovranitetin e tyre faktik. Paralelisht me këto zhvillime, qendrat kërkimore filluan të nxjerrin në pah studimet e quajtura “Korridori i Davidit”, që paraqesin një plan strategjik. Detajet u bënë të qarta vetëm muajt e fundit, ndërsa origjina e këtij koncepti lidhet me vizionin e hershëm sionist.
Theodor Herzl kishte propozuar një ëndërr për një “Izrael të Madh” që shtrihej nga Nili deri te Eufrati. Më pas, në vitet 1960, Kryeministri David Ben-Gurion zhvilloi “doktrinën e rrethimit”, e cila parashikonte aleanca strategjike me pakica si kurdët, druzët, turqit, marunitët dhe etiopianët, me qëllim dobësimin e “zemrës arabe” dhe ristrukturimin e Levantit në favor të Izraelit. Në këtë kuadër, “Korridori i Davidit” nuk është një ide e re; ai paraqitet si një ringjallje bashkëkohore e objektivave ekspansioniste të kahershme.
Sipas vizionit strategjik të Izraelit, korridori do të shtrihet nga Lartësitë e pushtuara të Golanit, përmes Kuneytras dhe Deras, deri në Suvejda, prej andej te baza amerikane al-Tanf, më pas në Deir ez-Zor dhe në rajonet nën kontrollin e SDG-së në lindje të Eufratit dhe, në fund, do të lidhet me Kurdistanin e Irakut përmes pikave kufitare.
Kjo urë tokësore gjeografikisht e ngushtë, por nga ana strategjike me rëndësi jetike, do të sigurojë Izraelit qasje të drejtpërdrejtë në Siri veriore dhe Irak. Raporti i organizatës për inteligjencë gjeopolitike dhe vlerësim rreziku SpecialEurasia, theksoi se ky plan “nuk është vetëm një vijë mbi letër”; është një projekt gjithëpërfshirës që bashkon sigurinë, ekonominë dhe demografinë për të siguruar dominimin e Izraelit. Në raport, u vunë në pah katër shtresat kryesore të objektivave të planit:
Siguri: Plani synon të ndërpresë lidhjen tokësore midis Iranit dhe Hezbollahut dhe të krijojë një zonë tampon që do ta largonte Boshtin e Rezistencës nga kufijtë e Izraelit.
Ekonomi: Përveç lumenjve Eufrat dhe Tigris, si dhe marrjes nënë kontroll të burimeve të grurit dhe naftës së Sirisë; vendi do të kthehet në një bazë bujqësore dhe energjetike nën mbikëqyrjen e Izraelit. Ky rrugëtim është i lidhur me Korridorin Indi–Lindja e Mesme–Evropa (IMEC) të mbështetur nga SHBA, dhe integron zgjerimin e Izraelit në rrjetet globale të infrastrukturës dhe tregtisë."
Politikë/demografi: Siria do të ndahet në kantone autonome; me druzët në jug, kurdët në verilindje dhe potencialisht kantonet alavite përgjatë bregdetit. Kjo strukturë do të dobësojë Damaskun dhe do të riformësojë ekuilibrat sektarë.
Ideologjia ekspansioniste: Projekti “Izraeli i Madh” do të avancohet me narrativa të bazuara në Tevrat.
Raporti i SpecialEurasia thekson ndikimin e planit në integritetin territorial të Sirisë, Irakut dhe Iranit. Vendosja e një pranie druze në Suvejda dhe një pranie kurde në verilindje do ta copëtonte në mënyrë efektive Sirinë; do ta dobësonte sigurinë iraniane, do ta ndante Irakun dhe do të destabilizonte Turqinë.
Duke e vlerësuar korridorin si një kërcënim të drejtpërdrejtë, Ankara, në korrik 2025 përmes Ministrit të Jashtëm Hakan Fidan, pretendoi se Izraeli planifikonte të shpërbënte Sirinë dhe bëri paralajmërim për një ndërhyrje të mundshme ushtarake. Turqia gjithashtu ka shqetësime ekonomike që burojnë nga ndërprerja e rrugëve tradicionale të tregtisë me Gjirin.
Me ngjarjet që shpërthyen në Suvejda në muajin qershor dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Izraelit, "Korridori i Davidit" u ringjall. Udhëheqësi druz, Hikmat al-Hajari, bëri thirrje për një "korridor humanitar" në zonat kurde, një thirrje e mirëpritur nga SDF-ja.
Në muajin gusht, në Paris u arrit një marrëveshje paraprake në një takim mes përfaqësuesit të posaçëm të SHBA-së Thomas Barrack, Ministrit të Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer dhe të ashtuquajturit “ministri i jashtëm” i organizatës Heyet Tahrir es-Sham (HTŞ), Esad Shejbani: u vendos armëpushimi me ndërmjetësimin e SHBA-së, transferimi i sigurisë lokale te “forcat Druze” dhe leja për dorëzimin e ndihmave ajrore. Pas kësaj, Izraeli dërgoi ndihma humanitare ajrore në Suvejda.
Jordania refuzoi të lejonte që ndihma izraelite të kalonte nëpër territorin e saj dhe Damasku kundërshtoi një korridor të drejtpërdrejtë nga Lartësitë e Golanit drejtë Suvejda-s. Uashingtoni më pas propozoi një korridor përgjatë vijës Damask - Suvejda si një zgjidhje të përkohshme.
Izraeli, zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë plan të “Korridorit të Davidit”. Megjithatë, në një intervistë për i24 më 12 gusht 2025, kur Netanyahu tha se është përgjegjës “me një mision historik dhe shpirtëror të lidhur me vizionin e Izraelit të Madh”, kjo u interpretua si një pranim indirekt i përpjekjes së Izraelit për të zgjeruar kufijtë e tij brenda një kuadri të bazuar në Tevrat. Në mënyrë të ngjashme, deklarata e Donald Trump në fushatën e zgjedhjeve të 2024se “Izraeli është shumë i vogël dhe duhet të zgjerohet” u konsiderua mbështetje e drejtpërdrejtë për vizionin shtrirës të Netanyahut.
Analistët theksojnë se projekti përballet ende me pengesa serioze: Asnjë forcë nuk kontrollon të gjithë rrugën; Iraku dhe Jordania refuzojnë ndryshimet kufitare; ndërsa Turqia është plotësisht kundër zgjerimit ose pavarësisë së kurdëve. Për momentin, “Korridori i Davidit” ekziston më shumë si një qëllim i gjallë në planet strategjike të Izraelit sesa si një projekt i realizuar në terren dhe pritet të sjellë ndryshime në ekuilibrat e fuqive rajonale.
Burimi : al-Akhbar