Reagimet e Kishës amerikane pas sulmit kundër Kongresit

Publikuar në Jan. 10, 2021, 5:33 a.m.

Gjendje e rëndë e surreale në Uashington, ku dje, grupe protestuesish pro-Trump, disa prej të cilëve të armatosur, sulmuan kompleksin e Capitol Hill, ku Kongresi amerikan ishte mbledhur për të njohur zgjedhjen e Joe Biden si president i ri i SHBA-ve. Protestat vijuan gjithë natën (me orën evropiane), me senatorët dhe deputetët, që u detyruan të shoqërohen jashtë nga policia.  Manifestuesit hynë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe situata doli jashtë kontrollit, duke shkaktuar 4 viktima, 13 të plagosur e më se 50 të arrestuar. Kongresi, nën kryesinë e zv.presidentit Mike Pence, njohu gjithsesi zgjedhjen e presidentit të ri Joe Biden, i cili ka marrë 306 vota nga të ashtuquajturit “Votues të Mëdhenj”, në krahasim me 232 të Donald Trump-it.

Dënimi nga ana e opinionit publik botëror

Opinioni publik botëror sheh i tronditur pamjet e ndeshjeve, në demokracinë, që deri tani, konsiderohej më e përparuara në botë. Kryetari i bashkisë së Uashingtonit deklaroi gjendjen e emergjencës edhe për dy javë të tjera, deri në ditën e përurimit të presidencës së Joe Biden, nga frika e tensioneve të mëtejshme. Ndërkohë, vijojnë dorëheqjet: që nga zëdhënësja e Melania Trump-it tek zv.zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. Kritika nga e gjithë bota: që nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tek presidenti francez Macron e tek kryeministri britanik Johnson. “Sulmi në Capitol Hill është një faqe e zezë që do të mbetet”, deklaroi presidenti i Parlamentit të BE-së, David Sassoli.

Zëri i ipeshkvijve amerikanë

Nga Los Anxheles, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-së, imzot José Horacio Gómez, bashkohet me zërat, që dënojnë dhunën: “Ne nuk jemi kështu, si amerikanë. Për ne, kalimi paqësor i pushtetit është një nga shenjat dalluese”, deklaroi ai, duke ia besuar popullin Zojës së Bekuar që ta udhëheqë në rrugën e urtisë e të patriotizmit të shëndoshë dhe të vërtetë.

“Duhet të ndalemi e të lutemi për paqen në këtë çast kritik”, pohoi kryeipeshkvi i Uashingtonit, kardinali Wilton Gregory. “Toni përçarës, që ka mbizotëruar kohët e fundit në dialogun publik duhet të ndryshojë - nënvizoi ai - dhe ata që përdorin retorikën e fryrjes së zjarrit duhet të marrin përgjegjësinë për nxitjen e dhunës në rritje në vendin tonë”.

Kardinali bëri thirrje të nderohet ai vend, të cilin e quajti “truall i shenjtë”, ku diskutohen dhe vendosen ligjet e politikat e kombit amerikan. Prelati u lut për sigurinë e funksionarëve të zgjedhur, të personelit, të punonjësve, të demonstruesve dhe të policëve. “Ka plagë dhe dëmtime të jashtëzakonshme”, pranoi ai, duke u bërë të gjithëve thirrje për bashkëpunim, për respekt ndaj vlerave demokratike dhe për kontribut në favor të së mirës së përbashkët.

Kryeipeshkvi i Çikagos, kardinali Blase Joseph Cupich, në një sërë prononcimesh në Twitter, foli për “turp kombëtar”. “Dashuria e Zotit – u lut ai – u kujtoftë të gjithë amerikanëve se politika është zgjidhje paqësore për pikëpamje të kundërta. Kjo është tradita jonë si komb demokratik e ne po e minojmë, duke vënë në rrezik vetveten”. Kardinali u bën thirrje edhe funksionarëve të sapozgjedhur: “Dëgjoni këshillat e engjëjve tuaj më të mirë për të mbrojtur Kushtetutën, që jeni betuar ta ruani”. E, më pas, denoncon: “Dhuna në shërbim të mashtrimit është më e keqja”. “Për muaj me radhë kemi qenë dëshmitarë të erozionit të qëllimshëm të rregullave të sistemit tonë qeverisës”. Ndërsa mbron protestën paqësore e cila, nënvizon ai, është e drejtë shenjte, thekson se ngjarjet në Capitol Hill duhet “t’ia shkundin ndërgjegjen çdo amerikani patriot dhe çdo besimtari katolik”.

Komenti i Pax Christi-t

Edhe Johnny Zokovitch, drejtor ekzekutiv i Pax Christi-t në SHBA, nuk i kursen fjalët e ashpra për ngjarjet e mbrëmshme në Uashington. I quan “rezultat i demagogjisë së një njeriu, të presidentit Trump, dhe i dështimit të gjithë atyre - politikanë, media, familje e të tjerë – që e justifikuan, s’i dhanë rëndësi, e lejuan, ose e inkurajuan retorikën e urrejtjes dhe të përçarjes, që karakterizoi mandatin e këtij presidenti”.

Pax Christi thekson edhe se “ata që mund dhe duhej ta kishin konsideruar përgjegjës këtë president, bënë pikërisht të kundërtën gjatë katër viteve të fundit, prandaj, incidentet e shëmtuara dhe të turpshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara ishin rezultati i trishtë dhe i parashikueshë



Burimi : Radio Vatikan