Shkup, mbahet akademi solemne kushtuar 28 Nëntorit

Publikuar në Dhj. 1, 2020, 9:50 p.m.

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në përkujdesje të kreut të partisë ka organizuar një akademi solemne në Shkup e cila tradicionalisht mbahet për çdo vit kushtuar kësaj feste, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në këtë akademi ishin mysafirë të shumtë, ministra dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të vendit nga radhët e partisë shqiptare në pushtet, BDI, si dhe përfaqësues të korit diplomatik nga Tirana dhe Prishtina.

Para të pranishmëve në sallë u adresua kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili theksoi se ky flamur i bashkon të gjithë shqiptarët kudo që janë jashtë Shqipërisë.

"Edhe pse nuk jemi bashkë kjo nuk do të thotë se nuk frymojmë, nuk mendojmë dhe punojmë bashkë për një të ardhme ku do të gjithë do të jemi qytetarë të një familje të madhe evropiane", tha Xhaferi.

Ai tha se duke qenë "të shpërndarë anembanë" mund të vendoset dhe zhvillohet bashkëpunimi në nivel më të ndryshëm duke filluar nga ato më të larta shtetërore deri në ato lokale, fqinjësore dhe farefisnore.

"Synimi ynë përfundimtar është që këto vende të rajonit tonë të jetojnë në paqe"

Ndërkaq, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se flamuri shqiptar është "një simbol që ka mbajtur shpirtin gjallë dhe duke mbajtur shpirtin gjallë ka mbajtur të gjallë një komb", sepse siç tha ai, "shumë kombe që nuk kanë pasur simbole janë zhdukur, si gjuhët e tyre, si kombet e tyre".

Ai theksoi se është një e vërtetë e madhe se shqiptarët kanë luftuar për t'u bashkuar dhe shtoi se çdo kush që e mohon këtë nuk e thotë të vërtetën, por e fsheh atë. Më tej, ai shtoi se në vitet e 90'ta gjërat ndryshuan duke i vendosur shqiptarët në pozitë për t'u ridefinuar, duke përmendur si misione pavarësinë e Kosovës dhe barazinë e plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

"Synimi ynë përfundimtar është që këto vende të rajonit tonë të jetojnë të qetë, në paqe dhe stabilitet të përhershëm të anëtarësuar në Bashkimin Evropian, të anëtarësuar në NATO", tha Ahmeti, duke shtuar se kjo është zgjidhja më e mirë, më e dobishme dhe më e padhimbshme për të gjithë bashkëqytetarët e këtij rajoni.

Fjalim rasti patën edhe ambasadorët e Tiranës dhe Prishtinës në Shkup. Ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka, tha se patriotët shqiptar që prej kohës rrugëtimin e tyre e kanë patur perëndimor, gjë siç tha ai, "është demonstruar edhe në vijimësi deri në vitet tona".

Ndërsa, ambasadori kosovar në Shkup, Gjergj Dedaj, tha se kjo ditë është një "shënim i veçantë" i krenarisë, lavdisë dhe atdhedashurisë së popullit shqiptar.

Pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë, kjo datë festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë e Shqipërisë dhe është festë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë në mënyra të ndryshme festohet kudo nga shqiptarët në botë.