Këshilli i Evropës: Lind Observatori, që kontrollon mësimdhënien e histories

Publikuar në Nën. 29, 2020, 4:15 a.m.

Shtrembërimi i historisë dhe paraqitja e saj sipas interesave është shqetësimi i Observatorit për Mësimin e Historisë në Evropë, organizëm i ri i Këshillit të Evropës, për të cilin janë marrë vesh 17 shtete anëtare. Ndër to, edhe Shqipëria.

Shqipëria, historinë e së cilës, ajo vetë dhe të tjerët e kanë paraqitur në një mijë mënyra e shpesh, shtrembëruar, bën pjesë në një nismë të re të Këshillit të Evropës, bashkë me 16 shtete të tjera anëtare, që kanë vendosur të krijojnë    Observatorin për Mësimin e Historisë në Evropë, në formën e një “Marrëveshjeje të pjesshme të zgjeruar”. Qëllimi kryesor i Observatorit “do të jetë mbledhja dhe vënia në dispozicion, të informacionit konkret mbi mënyrat se si zhvillohet mësimdhënia e historisë në vendet pjesëmarrëse, përmes një sërë raportesh periodike dhe tematike”.

Kundër populizmit

Objektivi është “shkëmbimi i praktikave të mira dhe përvetësimi i mësimeve nga njëri-tjetri. Projekti do të shërbejë edhe si platformë për zhvillimin profesional dhe për lidhjen ndërmjet shoqatave profesionale e institucioneve evropiane aktive në fushën e mësimdhënies së historisë”, shpjegohet në një deklaratë të Këshillit të Evropës. “Në kontekstin e populizmit në rritje, edukimi për interpretimin e historisë, që inkurajon perspektivën e gjithanshme dhe mendimin kritik është çelësi për zhvillimin e kulturës së demokracisë”.

Bëjnë pjesë 17 shtete evropiane

“Duke nxjerrë në plan të parë praktikat, që inkurajojnë mësimdhënien e historisë në përputhje me vlerat e Këshillit të Evropës, Observatori do të ndihmojë në betejën kundër manipulimit dhe shtrembërimit të historisë, si edhe në promovimin e paqes dhe të dialogut”. Vendet pjesëmarrëse janë: Shqipëria, Andorra, Armenia, Qipro, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Irlanda, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Malta, Portugalia, Federata Ruse, Serbia, Sllovenia, Spanja, Turqia.



Burimi : Radio Vatikan