Në Romë, nga 8 deri më 11 tetor, Festivali i Filmit Ballkanik

Publikuar në Tet. 11, 2020, 2:43 a.m.

Fillon më 8 e do të vazhdojë deri më 11 tetor, Festivali i Filmit Ballkanik në Romë, që synon ta njohë publikun italian me trashëgiminë kinematografike të Ballkanit, ndër më të pasurat e Evropës. Marrin pjesë Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Italia.

“Festivali i Filmit Ballkanik”, që do të mbahet në Casa del Cinema në Romë, nga 8 deri më 11 tetor, synon ta njohë publikun italian me trashëgiminë kinematografike të Ballkanit, ndër më të pasurat e Evropës. Festivali promovon edhe pjesëmarrjen aktive të Qendrave Kinematografike të Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Sllovenisë, në projektet e Ministrisë italiane të Trashëgimisë dhe të Veprimtarisë Kulturore e të Turizmit (MIBACT), si edhe në veprimtarinë e ANICA-s (Shoqatës Italiane të Industrisë Kinematografike Audiovizive dhe Multimediatike). Një impenjim i përbashkët e shumëpalësh, që do të mundësojë bashkëpunime më intensive dhe bashkëprodhime kinematografike më cilësore, me frymë evropiane.

Festivali hapet me dokumentarin “Honeyland” nga Maqedonia e Veriut, me regjisorë Tamara Kotevska dhe Ljubomir Stefanov, për të vazhduar me filmin grek “Defunct” me autor Zacharias Mavroeidis, “The Voice” me regjisor Ognjen Sviliçiç (bashkëprodhim i Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) , “The Father” me regjisorë Kristina Grozeva dhe Petar Valchanov (Bullgari, Greqi), “Rounds” me regjisor Stephan Komandarev (Bullgari, Francë, Serbi), “Breasts” me regjisore Marija Perović (Mali i Zi, Kroacia, Serbia), “Erased” me regjisorë Miha Mazzini dhe Dusan Joksimovic (Slloveni, Kroaci, Serbi) dhe “Portreti i papërfunduar i Clara Bellini-t” me regjisor Namik Ajazin, 2019 (Shqipëri, Itali).

Jashtë programit, Festivali parashikon edhe projektimi i filmit         “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, film i Luciano Tovoli-t, një bashkëprodhim italo-francez i vitit 1984, pasuar nga një takim me regjisorin. Pastaj, një çast i veçantë në kujtim të Gjergj Xhuvanit, në të cilin do të paraqitet vepra e tij dhe do të shfaqet filmi “Liqeni im” (bashkëprodhim i Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut) dhe do të reflektohet mbi temën “Kinemaja dhe shoqëria në Ballkan”.

“Festivali i Filmit Ballkanik” organizohet nga Shoqata “Occhio Blu - Anna Cenerini Bova” në bashkëpunim me MIBACT dhe ANICA. Për shkak të emergjencës shëndetësore, numri i të pranishmëve është i kufizuar, por mund të hyjnë të gjithë derisa të plotësohen vendet, duke respektuar masat e sigurisë.



Burimi : Radio Vatikan