Qiproja Turke kritikon SHBA-në për heqjen e embargos së armëve ndaj Qipros Greke

Publikuar në Shta. 5, 2020, 7:36 a.m.

Zyrtarët e lartë të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) kritikuan vendimin e SHBA-së për të hequr pjesërisht embargon e armëve ndaj Qipros Greke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo informoi kreun e administratës së Qipros Greke Nicos Anastasiades se SHBA ka hequr pjesërisht embargon e saj të armëve për Qipron Greke, si dhe kanë diskutuar "thellimin" e marrëdhënieve të sigurisë.

Në një njoftim nga Presidenca e TRNC-së thuhet se presidenti Mustafa Akıncı i tha ambasadores së SHBA-së në Qipron Greke, Judith Gail Garber, se vendimi "nuk ishte një hap në drejtimin e duhur".

Në bisedën telefonike të iniciuar nga Garber, Akıncı theksoi se vendimi nuk do të inkurajojë palën greke për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse në Qipro dhe nuk do t'i shërbente paqes, por përkundrazi do të ndihmonte palën greke të qëndronte larg tryezës së bisedimeve.

Akıncı nënvizoi se është e nevojshme të mos kontribuohet në përpjekjet e armatimit në Qipro dhe në Mesdheun Lindor, por të lehtësohet dialogu dhe pajtimi.

Kryeministri Ersin Tatar në një deklaratë theksoi se heqja e embargos së armëve nuk do të bëjë asgjë tjetër, përveç rritjes së konfliktit dhe do t'i shërbejë SHBA-së për "të bërë para".

Duke theksuar se vendimi ishte i gabuar, Tatar tha se masa, e cila erdhi në një kohë kur provokimet greke në rajon ishin në rritje, nuk i ngjan një anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç është SHBA.

"Dënoj vendimin e SHBA-së dhe i ftoj që të kthehen menjëherë nga ky gabim", tha ai.

Tatar përsëriti se Turqia dhe TRNC kurrë nuk do të heqin dorë nga të drejtat e tyre.

"Ajo që duhet të bëhet nuk është të rriten tensionet, por të arrihet paqja duke parë faktet", shtoi ai.

Ministri i Punëve të Jashtme i TRNC-së, Kudret Özersay, gjithashtu e kritikoi vendimin e SHBA-së.

"Është një zhgënjim për stabilitetin dhe paqen në rajon që SHBA njoftuan vendimin e tyre për të hequr embargon e armëve për Qipron Greke më 1 Shtator, Ditën Botërore të Paqes", tha Özersay në një deklaratë.

Ai gjithashtu theksoi se të gjithë duhet të mendojnë shumë mirë se çfarë do të thotë të heqësh embargon e armëve, e cila u vendos me qëllim që të mos ndërpriten përpjekjet për të zgjidhur problemin e Qipros.

Njoftimi i SHBA-së vjen mes tensioneve të theksuara në rajon midis Turqisë dhe disa kombeve në Mesdheun Lindor.

Pas ndarjes me forcë të ishullit të Qipros në vitin 1963 nga grekët qipriotë, turqit qipriotë vuajtën nga një fushatë e dhunës etnike.

Në vitin 1974, pas një grushti shteti që synonte aneksimin e Qipros në Greqi, Ankarasë iu desh të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).

Dekada kanë kaluar duke regjistruar disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha përfunduan me dështim. E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë së Madhe, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.

Në vitin 2004, në dy referendume, plani i Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u pranua nga Qiproja Turke, por u refuzua nga Qiproja Greke.

Në një raport të fundit, Sekretari i Përgjithshëm aktual i OKB-së, Antonio Guterres, poashtu tha se "ide të reja" ndoshta janë të nevojshme për një zgjidhje në ishull.