Dita e Nevruzit

Publikuar në Mars 21, 2019, 11:21 p.m.

Prejardhja e festës së Nevruzit është nga Persia. Nga Persia rrjedh edhe vet fjala Nevruz. Fjala Nevruz rrjedh nga persishtja, madje nga persishtja e vjetër, nga fjalët: Nava = e re dhe ruzanh = ditë, pra, që do të thotë: Ditë e Re.

Kjo festë, Ditë e Re, pra, Nevruzi është një festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane, që kremtohet tash e 3 000 vjetë…

Kremtohet edhe sot e kësaj dite në Iran, por si fillim i Vitit të Ri, kremtohet edhe në Irak, Afganistan, Uzbekistan Azerbajxhan, Turkmenistan, Kazakistan, Taxhikistan, Kurdistan dhe në disa vende të tjera…

Kjo festë, Nevruzi, përputhet me fillimin e pranverës, ringjalljen e natyrës, mbas dimrit të ftohtë, të gjatë, të vështirë. Në këtë ditë është ekuinoksi, barazohet dita e nata dhe duke filluar prej kësaj dite ka më shumë ditë, ka më shumë dritë.

Persianët e lashtë, si edhe shumë popuj tjerë të Lindjes, besonin në bestytni: besonin se kishte ditë që sillnin fat, sikur që besonin se kishte ditë që sillnin fatkeqësi. Por, Nevruzi i takonte një prej atyre ditëve që sillte vetëm fatmirësi dhe e kremtonin me madhështi…! 
Historianë, hulumtues, gjurmues të ndryshëm të lashtësisë e përcaktojnë Nevruzin si një nga festat pagane më popullore në të gjitha kulturat e lashta në Mesopotamin e Vjetër…

Nevruzi kremtohej shumë shekuj para se të vinte në këtë jetë Zaratustra, mësues i urtësisë, themelues i fesë së vjetër (dualiste) persiane, rreth tetë shekuj para Krishtit ose Hazreti Isait (a.s.)…

Kur persianët filluan të përqafojnë fenë Islame pas vitit 650, në fillim, për dy shekuj, u ndalue kremtimi i Nevruzit, por më vonë u lejue, për arsye tregtare-ekonomike, sepse shkëmbeheshin dhurata, bëheshin shpenzime dhe kështu nxitej, stimulohej ekonomia…!

Gjatë pushtimit mongol (1219-1500) të atyre viseve, kjo festë, Nevruzi, u ndalue sërish.

Në periudhën e sundimit të dinastisë së mbretërve Safavidë, pas vitit 1500, Nevruzi dalngadal fillojë të kremtohej, por gjithnjë si kremte e fillimit të Vitit të Ri, si fillim i pranverës, si një Ditë e Re…

Me ngadhnjimin e Revolucionit Islamik në Iran (1979), prijësi i Revolucionit Islamik, Imam Humeini e dënoj këtë kremte si një festë pagane, jo islame, por me kalim kohe, meqë nuk rrezikohej Republika Islamike e Iranit, në heshtje u lejue për t’u kremtue…!

Nevruzi, përveç Iranit, kremtohet në Afganistan, Hindi, Armeni, Azerbejxhan, Gjeorgji, Irak, Pakistan,, Kazakistan, Kirgistan, Rusi, Siri, Taxhikistan, Turqi, Liban, Turkmenistan, Kurdistan, Uzbekistan etj. Nëpër disa vende nëpër botë, Nevruzi kremtohet edhe nga grupet fetare si Baha’itë, Babitë, Alevitë dhe Ismailitë. Ismailitë, një degë e madhe nga Islami Shi’it, e festojnë Nevruzin në frymën e falënderimeve për All-llahun (xh.sh.), për dhuntitë e mirësitë e Tij.

Nevruzin e përkujtojnë, e kremtojnë edhe në trojet shqiptare disa nga tarikatet, por jo të gjitha…E kremtojnë, ndër të tjerë, kaderitë, rifa’itë, sa’aditë, halvetitë, nakshibenditë, bektashinjt, por jo si fillim i Vitit të i Ri, por si ditëlindja e Imamit Ali!     

Dita Ndërkombëtare e Nevruzit është regjistruar në Listën UNESCO-s si Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit më 23 shkurt, 2010.   

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2010 e ka njohur 21 Marsin si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit,  duke e përshkruar atë si një festival pranvere me prejardhje persiane e cila është festuar për më shumë se 3000 vjet dhe duke u bërë thirrje vendeve të botës për të nxjerrë në dukje historinë e pasur për të promovuar paqen dhe vullnetin e mirë.

Dita Ndërkombëtare e Nevruzit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën e saj A / RES / 64/253 të 2010, me iniciativën e disa vendeve që ndajnë këtë festë (Afganistani, Shqipëria, Azerbajxhani, Maqedonia, India , Irani, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turqia dhe Turkmenistani.

Nevruzi është shënuar në vitin 2009 në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit si një traditë kulturore e respektuar nga shumë popuj, Nevruzi është një festë stërgjyshore që shënon ditën e parë të pranverës dhe rinovimin e natyrës.

Nevruzi promovon vlerat e paqes dhe solidaritetit midis gjeneratave dhe familjeve, si dhe pajtimin dhe fqinjësinë, duke kontribuar kështu në diversitetin kulturor dhe miqësinë ndërmjet popujve dhe komuniteteve të ndryshme.