'SHBA dhe talebanët pajtohen për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani

Publikuar në Mars 15, 2019, 1:11 a.m.

Është raportuar se zyrtarët amerikan dhe ata të Talibanit të cilët janë takuar në kryeqytetin e Katarit, Doha, kanë arritur një marrëveshje për tërheqjen e trupave amerikan nga Afganistani dhe luftën kundër terrorizmit.

Është raportuar se janë arritur zhvillime konkrete në ditën e fundit të bisedimeve të raundit të 5-të, në takimet që kanë filluar me 25 shkurt në qytetin Doha në mes të SHBA-së dhe talebanëve.

Sipas TOLOnews, SHBA dhe talebanët ranë dakord mbi një projekt-marrëveshje mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani dhe luftën kundër terrorizmit.

Burime diplomatike thanë për TOLOnews, se SHBA-të nuk kishin njohuri për kohën e tërheqjes nga Afganistani, por që talebanët ranë dakord të prishnin lidhjet me të gjitha organizatat terroriste, duke përfshirë al Kaedën, dhe të bashkoheshin me luftën kundër tyre.

Burimet vunë në dukje faktin se ende nuk është bërë ndonjë nënshkrim, dhe thanë se Uashingtoni ‘nuk ka pranuar asgjë deri sa të mos bëhet një nënshkrim, duke shtuar se në ditët në vijim, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Halilzad pritet të udhëtojë në Uashington për t’u takuar me një numër zyrtarësh të nivelit të lartë, përfshirë edhe Presidentin Donald Trump.

Sipas burimeve, dy baza amerikane do të vazhdojnë operacionet e tyre në Afganistan.

REUTERS: PALËT DO TË TAKOHEN PËRSËRI

Në ndërkohë, burimet që flasin për Reuters, thanë se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në lidhje me kohën e tërheqjes së ushtarëve amerikan nga Afganistani, dhe se së shpejti, palët do të takohen përsëri për raundin e ri të bisedimeve.

Detajet e bisedimeve të paqes që ishin përgatitur kohët e fundit nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së dhe që e ndanë pushtetin në Afganistan në mes të talebanëve dhe qeverisë së Kabulit, kishin depërtuar në shtyp. Është thënë se sipas planit, të gjitha trupat amerikane në vend pritet të tërheqen brenda 3 deri në 5 vjet.



Burimi : Sputnik News