Greqia kritikon qëndrimet e BE ndaj krizës së emigracionit

Publikuar në Tet. 8, 2017, 12:05 a.m.

Ioannis Mouzala, ministër i emigracionit në Greqi, ditën e dielë ka kritikuar disa vende evropiane për standardet e tyre të dyfishta në çështjen e emigracionit.

Ministri grek iu referua vendeve si Polonia të cilët kanë thënë se pranojnë emigrantët nga vendet e tjera evropiane por janë kundër emigrantëve që kërkojnë azil në këtë vend. Kohë më parë ministrat e Brendshëm dhe ata të Mbrojtjes të 15 vendeve ranë dakord për të marrë masa të tjera për të siguruar që rruga tokësore nga Greqia të mbetet e mbyllur për refugjatët që përpiqen të hyjnë në vende të tjera evropiane. Të thirrur nga ministrat austriakë të Brendshëm dhe të Mbrojtjes, takimi përfshiu homologët nga Çekia, Kroacia, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Serbia, Bosnja, Kosova dhe Greqia.  

Pas takimit, ministri i Brendshëm austriak Wolfgang Sobotka dhe ai i Mbrojtjes Hans Peter Doskozil njoftuan se është rënë dakord për të hartuar një plan deri në prill për të ashtuquajturën “rrugë të Ballkanit Perëndimor”. Gjermania pritet t’i rifillojë kthimet e azilkërkuesve mbrapsht në Greqi, edhe pse qendrat e pritjes atje janë të mbipopulluara dhe ka një mbingarkesë të madhe në procesin e të kërkuarit azil.

Ministri i Brendshëm gjerman tha për rrjetin televiziv gjerman se deri në fund të korrikut i ka kërkuar Greqisë që të marrë mbrapsht 392 azilkërkues. Sipas raportit, transferimi në Greqi do të prekë emigrantët që mbërritën në Gjermani nga mesi i marsit të vitit 2017.

 Në vitet 2015-2016, Gjermania mori mbi 800 mijë emigrantë dhe refugjatë, shumica e të cilëve largoheshin nga lufta apo skamja në vende si Afganistani, Iraku apo Siria. Një varkë me refugjatë, e nisur nga brigjet turke drejt Greqisë, është mbytur pak pas mesnatës së të dielës në zonën detare në veri të ishullit Lesbos.

Sipas pjesëtarëve të Rojes Bregdetare greke, të paktën 16 persona kanë humbur jetën, midis tyre 4 gra dhe një fëmijë i vogël. Nëntë prej trupave të viktimave janë gjetur nga anijet greke dhe ato të “Frontex”, kurse 7 të tjerë nga Marina turke.

Një grua shtatzënë, e gjetur e gjallë në det, është transportuar në spitalin e ishullit, ndërsa është shpëtuar edhe një grua tjetër, e cila ka dëshmuar se në varkën e nisur nga Turqia ndodheshin të paktën 25 refugjatë të kombësive të ndryshme, ndërsa mbytja e saj ndodhi brenda pak çasteve. Në zhvillim ndodhet operacioni i mjeteve të Agjencisë së Ruajtjes së Kufijve Evropianë “Frontex”, Marinës greke dhe peshkarexhave të ishullit, për të zbuluar nëse ka të mbijetuar të tjerë, ndërsa kushtet e motit janë të mira. Varka e mbytur ndodhet në një thellësi prej 70 metrash dhe sa më shumë kalojnë orët, organet greke shprehen se numri i viktimave mund të jetë më i madh. Tragjedia e re risjell edhe njëherë skenat e dhimbshme me qindra mijëra refugjatë, kryesisht nga Siria, që duke rrezikuar jetën kaluan në vitin 2015 ujërat e Egjeut, nga brigjet turke drejt ishujve grekë, dhe shumë prej tyre nuk ia arritën.