Djemtë e Imam Khameneit / Si u themelua Hezbollahu?

nga Ali Hashem | Publikuar në Nën. 5, 2024, 4:44 a.m.

Artikulli i shkruar nga Shefi i Byrosë së Teheranit të Televizionit Al Meyadin, Ali Hashim për Hezbollahun dhe i botuar në persisht në Tasnimnews.com: "Imam Khomeini urdhëroi Gardën Revolucionare të dërgonte disa nga kuadrot e tij në këtë vend për të trajnuar këtë grup të ri ideologjik luftëtarësh në Liban, të cilët e quanin veten Hezbollah..."

Kur Udhërrëfyesi i Iranit u drejtohet anëtarëve të Hezbollahut si "bijtë e mi", ai në fakt nuk po flet me ekzagjerim. Ajatollah Khamenei e konsideron këtë lëvizje islamike libaneze si një pjesë integrale të Velayat-e Faqih. Velayat-e Fakih përbën parimin më themelor mbi të cilin është ndërtuar Republika Islamike e Iranit.

Historia e saj shkon prapa në fillim të viteve 60, kur Imam Musa Sadr, një dijetar i ri iranian me origjinë libaneze, u kthye në vendin e tij dhe mori udhëheqjen ekonomike, sociale dhe arsimore të shiitëve atje.

Në atë kohë, në pjesët shiite të Libanit Jugor dhe në Luginën Beka, varfëria ishte shumë e përhapur. Për këtë arsye, një pjesë e konsiderueshme e komunitetit shiit po shkonte jashtë vendit. Në sferën politike, përfaqësimi i shiitëve ka qenë në duart e familjeve feudale që nga pavarësia nga francezët në vitin 1943, dhe këta njerëz në fakt ishin shkaku i vërtetë i varfërisë së gjithë shoqërisë.

Sadr besonte se hapi i parë në zhvillimin e kësaj shoqërie ishte përfshirja e tyre në skenën politike. Sadrit iu deshën disa vite për të arritur këtë qëllim. Në vitin 1974, Sadr themeloi Lëvizjen e të Privuarve, e cila më vonë u bë e njohur si "Amel". Kjo lëvizje nuk vonoi për të tërhequr shumë shiitë në radhët e saj. Këta shiitë në përgjithësi përbëheshin nga të rinj që konsideroheshin të klasit të dytë në shoqëri dhe donin të arrinin një personalitet.

Në të njëjtën kohë me shfaqjen e Sadrit, një dijetar tjetër, Sayyed Muhammad Fadlallah, sapo ishte kthyer në shtëpi pas disa vite studimi në Najaf, qendra e medreseve më të mëdha fetare shiite. Fadlallah, një nga disa themelues origjinal të Partisë Dawa (Hizbuddawa) në Irak, kishte filluar të fokusohej në tërheqjen e të rinjve shiitë. Metoda e Fadlallahut ndryshonte nga ajo e Sadrit në këtë kuptim. Fadlallah po fokusohej më shumë tek të rinjtë e arsimuar që kishin një rol potencial në të ardhmen.

Aktivitetet e dy studiuesve nga fundi i viteve 1960 deri në fillim të viteve 1970 kishin një aspekt politik dhe social dhe disa nga mbështetësit e tyre luajtën një rol në organizatat e rezistencës palestineze që kryen sulme ndaj ushtrisë izraelite nga Libani jugor.

Musa Sadr i kërkoi mikut të tij iranian Mustafa Çamran, i cili kishte një doktoraturë në fizikë nga Universiteti Amerikan i Berklit dhe punonte si studiues i lartë në NASA, që t'i bashkohej lëvizjes së tij. Pastaj Çamran u bë krahu i anës ushtarake të lëvizjes Amal dhe rekrutoi shumë kundërshtarë të tjerë të regjimit Pahlavi në ballë të lëvizjes së tij, duke përfshirë edhe djalin e Ayatollah Khomeinit, Ahmedin.

Musa Sadr u zhduk gjatë një udhëtimi në Libi në 1978, dhe një vit më vonë Revolucioni Islamik në Iran mbizotëroi. Çamran u bë ministër i mbrojtjes i qeverisë revolucionare dhe bashkë me të iranianë të tjerë që kishin luftuar në Liban e gjetën veten mes pararojës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të sapoformuar. Kjo situatë do të hapte një derë të re për marrëdhëniet e tyre me shokët e tyre në Liban, të cilat do të zgjasin për shumë vite.

Kjo mundësi lindi me sulmin e Izraelit në Liban në 1982. Një grup dijetarësh fetarë që ishin ideologjikisht nën ndikimin e Imam Khomeinit vendosën të merrnin ndihmë prej tij në këtë çështje. Këta njerëz erdhën në Teheran dhe u takuan me Udhëheqësin Revolucionar Ayatollah Khomeini (r.a). Imam Khomeini urdhëroi Gardën Revolucionare të dërgonte disa nga kuadrot e tij në Liban për të trajnuar këtë grup të ri luftëtarësh ideologjikë të cilët e quanin veten "Hezbollah".

Hussein Dehgan, tani Ministër i Mbrojtjes i Iranit, ishte gjithashtu komandanti i parë i Gardës Revolucionare që mbërriti në Liban. Dehgan është i vendosur në qytetin lindor të Libanit të Baalbek. Forcat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike kishin arritur të krijonin një ushtri të vogël të modeluar sipas tyre brenda pak muajsh.

Kjo organizatë e re u akuzua se qëndronte pas sulmeve në selinë e marinsave amerikanë në Bejrut dhe qendrën komanduese të parashutistëve francezë. Hezbollah, deri më sot, ka mohuar të jetë pas këtyre sulmeve (siç e dini, Hezbollah u themelua zyrtarisht në 1985; përkth.), por ai ka marrë hapur përgjegjësinë për një operacion martirik në Sur që rezultoi në vdekjen e më shumë se 200 ushtarëve izraelit.

Në vitet në vijim, marrëdhënia në mes të Iranit dhe Hezbollahut gradualisht u forcua dhe u zhvillua. Gjatë kësaj periudhe, Hezbollahu kreu qindra sulme ndaj selisë ushtarake izraelite në Libanin Jugor. Hezbollahu është akuzuar po ashtu edhe për kryerjen e një sërë operacionesh pengjesh politike në mbështetje të politikës së jashtme të Iranit. Organizata i mohon vazhdimisht këto akuza.

Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1989 të nënshkruar në Taif, Arabi, e cila i dha fund luftës civile libaneze dhe Sirisë që iu bashkua Iranit në mbështetjen e organizatës, roli i Hezbollahut si një organizatë e rezistencës u rrit edhe më shumë.

Gjatë kësaj periudhe, sekretari i dytë i përgjithshëm i Hezbollahut, Sayyed Abbas Mousavi, u vra nga Izraeli dhe këshilli i partisë, me mbështetjen e liderit të ri të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ra dakord të zgjidhte 32-vjeçarin Sayyed Hassan Nasrallah si udhëheqësin e tyre të ri. Nasrallah jetoi në Iran për disa vite dhe studioi në një medrese në Kum. Ndërkohë që gjatë kësaj kohe kryente disa nga detyrat e tij organizative, ai u miqësua shumë edhe me Udhëheqësin në Iran.

Në 1992 dhe 1994, Irani dhe Hezbollahu u akuzuan për bombardimin e interesave izraelite në Argjentinë në përgjigje të vrasjes së Abbas Mousavi dhe rrëmbimit të Mustafa Deiranit, një ish-komandant i Amal. Thuhej se Deirani ishte personi i fundit që pa pilotin izraelit Roan Dan në birucë.

Në Liban, Hezbollahu vazhdoi luftën e tij për të çliruar jugun e vendit nga pushtuesi izraelit dhe forcat e milicisë libaneze pro-izraelite, si dhe e detyroi Izraelin të tërhiqej në mënyrë të njëanshme nga Libani Jugor pas 22 vitesh okupim. Kjo ishte një pikë kthese e rëndësishme e cila e detyroi Iranin dhe Hezbollahun të rishikonin strategjitë dhe marrëdhëniet e tyre.

Ndryshimi i personit që ulet në zyrën presidenciale në Iran nuk shkakton ndonjë ndryshim në marrëdhëniet e Teheranit me këtë organizatë. Megjithatë, thuhet se ish-presidenti i Iranit, Sayyed Mohammad Khatami, donte të kufizonte këtë patronazh, por kjo nuk u bë e mundur pasi e gjithë dosja, përfshirë ndihmën ekonomike, u krye nga dora e Udhërrëfyes Revolucionar dhe ekzekutimi i Gardës Revolucionare Islamike.

Pas sulmit amerikan në Irak, roli i Iranit në mbështetjen e forcave anti - amerikane filloi të tërhiqte vëmendjen kur Uashingtoni akuzoi Teheranin për armatosjen dhe mbrojtjen e grupeve që sulmonin forcat okupuese në Irak. Amerika akuzoi Hezbollahun për trajnimin e organizatave shiite në Irak dhe arrestoi një zyrtar të lartë operacional të Hezbollahut në 2007. (Ky komandant më vonë u lirua; përkth.)

Në vitin 2006, Izraeli filloi një luftë për të shqyer plotësisht Hezbollahun nga Libani. Ky sulm shpërtheu pasi dy ushtarë izraelitë u kapën nga Hezbollahu për t'u përdorur në shkëmbimin e të burgosurve palestinez dhe libanez. Hezbollahu luftoi për 33 ditë dhe dërgoi mijëra raketa drejt Izraelit.

Kjo organizatë demonstroi fuqinë e saj të lartë shkatërruese për të gjithë duke shkatërruar dhjetëra tanke, dy helikopterë dhe një luftanije të avancuar. Pas këtij armatimi dhe teknologjie qëndronte Irani. Rusia dhe Kina qëndronin pas disa prej tyre. Irani dha mbështetje të madhe financiare për rindërtimin e mijëra shtëpive, rrugëve dhe urave të shkatërruara pas luftës.

Lufta në Siri nënkuptonte një provë të re në marrëdhëniet në mes të Iranit dhe Hezbollahut. Në këtë luftë të përgjakshme, të dyja palët po e mbështesin Presidentin Bashar Assad në çdo mënyrë, duke përfshirë paratë, armët dhe forcën, për ta mbrojtur atë.



Burimi : Al Mayadeen