Vaksinat janë pasuri publike

Publikuar në Jan. 6, 2021, 4:57 a.m.

Vaksinat janë pasuri publike dhe duhet t’u sigurohen të gjithëve në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, duke u dhënë përparësi atyre, që kanë më shumë nevojë për to. Këtë kujtojnë Komisioni i Vatikanit Covid-19 dhe Akademia Papnore për Jetën në një dokument të përbashkët, në të cilin nënvizojnë rolin themelor të vaksinave për fundin e pandemisë.

Duke i bërë jehonë mesazhit të Krishtlindjes së Papës, u bëhet thirrje krerëve të botës t’i rezistojnë tundimit për “nacionalizimin e vaksinës” dhe shteteve e firmave të ndryshme të bashkëpunojnë - dhe jo të konkurrojnë - me njëri-tjetrin. Që “të mund ta shndrisin dhe t’i sjellin shpresë gjithë botës - pohoi Papa më 25 dhjetor – vaksinat duhet të jenë në dispozicion për të gjithë”.

Parimet

Drejtësia, solidariteti dhe gjithëpërfshirja janë kriteret kryesore, që duhen ndjekur për të përballuar sfidat e kësaj emergjence planetare. Kompanitë që mund të vlerësohen pozitivisht, tha Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme të 19 gushtit, janë ato që “kontribuojnë në përfshirjen e të përjashtuarve, në promovimin e të fundmëve, në të mirën e përbashkët dhe në kujdesin për gjithësinë”.

Busulla e vlerësimit është pra, horizonti i gjerë që lidhet me parimet e doktrinës shoqërore të Kishës, “siç janë dinjiteti njerëzor dhe parapëlqimi për të varfërit, solidariteti dhe susidiariteti, e mira e përbashkët dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët, drejtësia dhe destinacioni universal i pasurive tokësore”.

Puna kërkimore, prodhimi dhe materiali biologjik

Përsa i përket vaksinës kundër Covid-19, si për çdo vaksinë, duhet marrë parasysh gjithë “cikli jetësor” i saj, shkruhet në dokument. Fazat e para të kësaj rruge kanë të bëjnë me punën kërkimore dhe prodhimin. Shpesh, ka diskutime për materialin biologjik të përdorur për zhvillimin e vaksinave. “

Nga informacioni që kemi – lexohet në tekst - rezulton se vetëm disa nga vaksinat që po miratohen përdorin, në disa faza të procesit, linja qelizore nga fetuse të abortuara vullnetarisht disa dekada më parë, ndërsa të tjerat i kufizojnë ato vetëm në disa faza të provave laboratorike”.

Akademia Papnore për Jetën e ka trajtuar këtë çështje në dy nota, në vitin 2005 dhe më 2017. Në notën e dytë përjashtohej “bashkëpunimi moralisht i vlefshëm, ndërmjet atyre që i përdorin sot këto vaksina dhe praktikës së abortit vullnetar”. Prandaj, lexohet në dokument, mund të përdoren “të gjitha vaksinat e rekomanduara klinikisht, me ndërgjegjen e qetë se kjo nuk do të thotë bashkëpunim në abortin vullnetar. Pavarësisht nga impenjimi i përbashkët për t’u siguruar që çdo vaksinë të mos përgatitet nga ndonjë material me origjinë abortive, ritheksohet përgjegjësia morale për vaksinimin, në mënyrë që të mos ketë rrezik serioz shëndetësor për fëmijët dhe popullatën në përgjithësi”.

Patentat

Çështja e prodhimit të vaksinës lidhet edhe me çështjen e patentimit të saj, kërkesë njerëzore kjo, jo në natyrën e gjërave. Duke pasur parasysh funksionin e saj, thekson dokumenti, është e arsyeshme të interpretohet vaksina “si pasuri për të gjithë, pa diskriminim, sipas parimit të destinacionit universal të të mirave materiale, përmendur edhe nga Papa Françesku”.

Siç tha Ati i Shenjtë në mesazhin e tij të Krishtlindjes, “nuk mund të lejojmë që virusi i individualizmit radikal të fitojë dhe të na bëjë indiferentë ndaj vuajtjeve të vëllezërve dhe motrave të tjera... duke i vendosur ligjet e tregut dhe patentat mbi ligjin e dashurisë dhe mbi shëndetin e njerëzimit”. “Vetëm objektivi i shfrytëzimit tregtar - kujtohet në dokumentin e Komisionit të Vatikanit Covid-19 dhe të Akademisë Papnore për Jetën - nuk është etikisht i pranueshëm në fushën e mjekësisë dhe të kujdesit shëndetësor. Investimet në fushën mjekësore duhet ta gjejnë kuptimin e tyre më të thellë në solidaritetin njerëzor”.        Duhen kërkuar “sisteme, që favorizojnë transparencën dhe bashkëpunimin, në vend të antagonizmit dhe konkurrencës”. E duhet kapërcyer çdo formë e “nacionalizimit të vaksinës”, duke kërkuar bashkëpunim ndërmjet shteteve, përfundon teksti.



Burimi : Radio Vatikan