Letër e hapur Këshillit Prokurorial të Kosovës
Para ca ditësh përfundoi konkursi për pranimin e 39 zyrtarëve ligjor në Prokuroritë Themelore të Kosovës, Prokurorinë Speciale dhe Zyrën e Krye- prokurorit të Shtetit, me ç’rast Divizioni i Burimeve Njerëzore pranë Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK) shpalli listat e kandidatëve më të suksesshëm të pranuar që kanë konkurruar për pozitën e zyrtarit ligjor.
Duke marrë parasysh gjendjen aktuale në Kosovë, me numrin enorm të të papunëve, për 39 pozita të zyrtarit ligjor kanë aplikuar mbi 1600 kandidatë në tërë Republikën e Kosovës, ndërsa nga komuna e Prizrenit kanë aplikuar 243 kandidatë për 9 pozita të zyrtarit ligjor pranë Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në këtë vështrim lidhur me aktualitetin e lartcekur në fjalë, do të përqendrohem vetëm për rrjedhën e konkursit për pranimin e 9 zyrtarëve ligjor pranë Prokurorisë Themelore në Prizren.
Pranimi i zyrtarëve ligjor si shërbyes civil është rregulluar me Ligjin për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, ku në mes tjerash për pranimin në shërbimin civil në nenin 11paragrafi 1, decidivisht shkruan:” Pranimi në Shërbimin Civil të Kosovës bëhet në pajtim me parimet e meritës, aftësisë profesionale, paanshmërisë, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve”.
Ndërsa, parimet themelore të shërbimit civil të cilëve duhet të përmbahen shërbyesit civil, sipas nenit 5 të Ligjit për shërbimin civil të Republikës së Kosovës janë: “ligjshmëria, jodiskriminimi, detyrimi për t’u përgjigjur kërkesave, efektshmëria dhe efikasiteti, përgjegjësia, paanësia dhe pavarësia profesionale, transparenca, shmangia e konfliktit të interesit, parimi i mundësive të barabarta për komunitete dhe gjini”.
Shtrohet pyetja, a thua sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës gjatë procesit të konkursit që nga fillimi e gjer te përzgjedhja e kandidatëve më të suksesshëm i është përmbajtur parimit të meritës, suksesit, paanshmërisë, mos diskriminimit, zotësisë, ligjshmërisë, transparencës, aftësisë profesionale???
Testi me shkrim për kandidatët që kanë aplikuar nga Prizreni u mbajt me 03.03.2018 ditën e shtunë në ora 14.oo në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Askush nga anëtarët e komisionit të pranishëm nuk ceku se me sa pikë është kalueshmëria e testit, në sqarimet e tyre të dhëna para testit rreth mënyrës dhe ecurisë së mbajtjes !!!
Pas disa ditësh, në vend se të shpallen rezultatet në portalin e KPK-së, në të cilën ishin shpallur të gjitha informatat tjera rreth konkursit në fjalë, për habinë e të gjithëve ato nuk u shpallën fare në portal, por me telefon iu është komunikuar kandidatëve të cilët kanë kaluar testin dhe të cilët do të nënshtrohen intervistës në ditën e caktuar dhe në orën e caktuar. Nëpër kuloare përflitej se testin e kishin kaluar 27, 40, 50 , 60, por askush nga kandidatët që kanë aplikuar nuk e dinte të saktë numrin që kanë kaluar testin. Si mund të ndodh kjo, edhe pse në Ligj decidivisht aludohet në transparencë. Si është e mundur të mos shpallet në portalin e KPK-së lista e të gjithë kandidatëve që iu nënshtruan testit, prej të parit e deri te i 243-ti, secili kandidat nga sa pikë ka marrë në test, sa ka qenë niveli i kalueshmërisë së testit, 70, 75 apo 80 pikë ???
Jemi duke jetuar në shekullin e informatikës dhe internetit, dhe me një klikim në portal të KPK-së,” informohemi me të gjitha lajmet dhe informata”, e tani kandidatët që kanë aplikua nuk ju mundësohet që të dinë se sa pikë kanë marrë, bile çoftë edhe ai i fundit, i 243 edhe po të ishte me 0 pikë, e drejta e tij është me u informua, e jo të mbeten në terr informativ. Po si është e mundur kjo, pse sekretariati i KPK-së të mos jetë transparent??? Pse dhe çfarë i ka penguar, çfarë zori apo presioni ka pas. Kjo s’ka tjetër si të perceptohet ndryshe , porse rrjedh se këtu se diç nuk është në rregull, është e dyshimtë, që le hapësirë për parregullësi, pse ka vepruar kështu KPK-ja, pse nuk ka qenë transparente, pse nuk i ka shpall rezultatet e testit në portalin e saj!!!
Intervista me kandidatët që kanë kaluar testin, edhe sot e kësaj dite nuk dihet se sa ishin dhe kush ishin ata, është mbajtur gjatë dy ditëve, por pa ju treguar nga sa pikë ka marrë gjatë intervistës secili kandidat!!
Më në fund, tre ditë pas intervistës, në portalin e KPK-së u shpallën” 9 kandidatët më të suksesshëm të pranuar”!!!. Këtu akoma edhe më pak transparent ishte sekretariati i KPK-së, pasi që nuk është shpallur rezultati i çdo kandidati që është intervistuar, nga sa pikë ka marrë në intervistë, nga sa pikë ka marrë në test, sa është totali i pikave të fituar, por vetëm emrat e “9 kandidatëve të pranuar më të suksesshëm me numrin në total të pikëve”.
Kjo mënyrë e mos transparencës të sekretariatit të KPK-së, ndjell dyshime, pikëpyetje të shumta nga se rrjedh se e tërë procedura e zhvilluar e konkursit për pranim të 9 zyrtarëve pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, ishte jo e rregullt, jo e ligjshme, jo meritore, jo transparente, jo profesionale, diskriminuese, jo e barabartë, jo efikase, jo përgjegjëse dhe ekzistojnë dyshime se të “përzgjedhurit” nuk janë të zgjedhur në bazë të meritave por në baze te preferencave të ”dajallarëve”.
Përzgjedhja meritore e kandidatëve më të suksesshëm do të duhej të ishte në atë mënyrë që nga 243 kandidatë që ju kanë nënshtruar testit me shkrim, do të duhej të përzgjidhen 9 kandidatë të parë të cilët kanë fituar më së shumti pikë, dhe eventualisht në rast se do të kishte më shumë se 9 kandidatë me pikë të njëjta, atëherë do të nënshtroheshin edhe intervistës me gojë, gjatë të cilët do të përzgjidheshin kandidatët më të suksesshëm dhe më meritor dhe me sukses më të lartë të treguar në testin e mbajtur me shkrim.
Kështu veprohet me konkurset e shpallura për pozitat e ndryshme të shërbyesve civil, e të mos flasim për pozitat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, në shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, në të cilat vjen në shprehje pikë së pari integriteti, aftësia, zotësia, suksesi i treguar gjatë studimeve, sukses i treguar në test dhe intervistë, të cilët janë të vetmit çelës për punësim, ndërsa në Kosovë edhe pse çdo njeri në teori secili e ka gojën plot fjalë, “integrime në Bashkimin Evropian”, në praktikë veprojnë të kundërtën e asaj që flasin siç shihet edhe nga mënyra e përzgjedhjes në këtë konkurs.
Kështu veprojnë tek ne organet prej të cilëve varet zbatimi i ligjit dhe i ligjshmërisë. Kjo është gjendja sot për fat të keq në të gjitha sferat e jetës në Kosovë. Është e kotë pritshmëria nga qytetarët se me sistemin e kapur nga ana e “meritokacisë” do të ndryshojë diçka në të mirë.
Duke pasur parasysh këtë gjendje kandidatët e suksesshëm respektivisht ata te cilët kanë merituar të përzgjidhen sipas rezultateve te treguara në test dhe intervistë, e të cilët nuk kanë ”dajallarë” në pozita udhëheqëse, nuk ju mbetet gjë tjetër, por veç të dalin dhe të ikin jashtë në Evropë, pasi që kanceri i antivlerave ka metastazuar në atë shkallë në shoqërinë kosovare, sa për fat të keq e ka kapluar edhe sistemin gjyqësor në përgjithësi e sistemin prokurorial në veçanti.