Kerkimet Filozofike Fetare

Nata e Kadrit, nata e pendimit dhe e paqes

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Të dashur agjërues!

Jemi akoma në bankat e shkollës më të mirë dhe më të përkryer. Është shkolla e cila na edukon, na skalit dhe na ndërgjegjëson më shumë me qëllimin e ardhjes tonë në këtë jetë. Është shkolla që na mëson se petku më i mirë është devotshmëria. Ajo është shkolla e muajit të shenjtë të Ramazanit. Edhe kjo shkollë, si çdo shkollë tjetër, përmban lëndët e saj mësimore dhe e edukative. Por kjo shkollë ndryshon nga shkollat e tjera sepse programuesi i kësaj shkolle është Allahu i Madhëruar, Krijuesi i gjithësisë dhe i mbarë njerëzisë.

Edhe pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e kësaj shkolle për këtë vit. Të gjithë duhet të përfitojmë nga kjo shkollë. Me dëshirën e Allahut, diploma jonë të jetë me rezultatet më të shkëlqyera në ditën e Bajramit!

Ajo që i jep vlerë edhe më shumë kësaj shkolle të Allahut është prania e Natës së Kadrit në të. Nata e Kadrit është prej çasteve më të mira dhe më të këndshme për njeriun. Në këtë Natë të madhe zbresin mirësia, mëshira, falja dhe begatia e Allahut për njerëzit. Kjo është nata më e volitshe për pastrimin e zemrave e të shpirtave tanë. Kjo është nata e dritës dhe e shpresës. Është nata në të cilën njeriu me çiltërsinë më të madhe duhet të ulet dhe të mendojë më shumë për qëllimin e ardhjes së tij në këtë jetë.

Në këtë natë njeriu duhet të përpiqet që me anë të adhurimit të Allahut të Madhëruar të çlirohet nga prangat e mëkateve e të gjynaheve që ia kanë mbyllur atij zemrën duke penguar hyrjen e dritës së udhëzimit në të. Në këtë natë është hapur një dritare nga Parajsa drejt tokës dhe aroma që del nga ajo dritare mbulon të gjithë gjithësinë.

 Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Cilido që nuk i shfrytëzon begatitë e natës së Kadrit, është njësoj si ai njeri që nuk i shfrytëzoon të gjitha mirësitë tjera.” 

Për besimtarët e vërtetë e të sinqertë Nata e Kadrit është rasti më i mirë për të vazhduar rrugën e tyre të besimit, adhurimit, lutjes dhe veprave të mira për të pastruar sa më shumë zemrat e tyre.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit të Ramzanit Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet  e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e paloste dyshekun e tij dhe qëndronte zgjuar duke adhuruar në xhami. Për këtë, edhe besimtarët myslimanë, duke ndjekur udhëheqësit e tyre shpirtërorë, në krye të të cilëve është profeti Muhamed dhe familja e tij e pastër dhe e dlirë, qëndrojnë zgjuar gjatë këtyre netëve duke bërë adhurim dhe lutje për t’u afruar sa më afër Allahut të Madhëruar.

Nata e Kadrit është një rast shumë i vlefshëm që njeriu të pendohet dhe të kthehet te Krijuesi i tij, Allahu Fuqiplotë. Me të vërtetë nata e Kadrit është momenti më i mirë dhe më i vlefshëm që njeriu të pastrojë veten e tij me dritën e Kur’anit të shejntë dhe të largojë ndryshkun e zemrës në burimin me ujin e pendimit.

Në Kur’anin e shenjtë gjendet një sure e plotë me emrin “Kadr”, në të cilën thuhet: Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit. (Sure “Kadr”, ajetet 1-5)

Kjo sure e bekuar tregon disa të vërteta që kanë lidhje me Natën e Kadrit, me karakteristikat e saj, cilësitë e saj, zbritja e Kur’anit në këtë Natë, zbritja e engjëjve dhe e shpirtit për të zbatuar çdo çështje prej çështjeve të njeriut. Ajo tregon se kjo natë është atë e paqes.

Nëse thellohemi në përmbajtjen e kësaj sureje të begatë do të shohim se ajo përmban disa çështje:

Së pari: S’ka dyshim se Nata e madhe e Kadrit është në muajin e Ramazanit. Mirëpo, Kur’ani i shenjtë nuk e ka përcaktuar ekzaktësisht se cila është ajo natë prej netëve të muajit të madhnueshëm të Ramazanit. Janë transmetimet e ardhura nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nga imamët prej Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) të cilët na thonë se cila natë prej netëve të muajit të Ramazanit është Nata e Kadrit. Është e njohur se Nata e Kadrit është në një prej netëve të dhjetëditëdëshit të tretë të  muajit të begatë të Ramazanit.

Tek Ehi Suneti është e njohur se Nata e Kadrit është nata e njëzet e shtatë e muajit të Ramazanit. Kurse tek shiitët, është e njohur se Nata e Kadrit është nata e 19, ose 21 ose 23 të muajit të begatë të Ramazanit. Por më shumë theksojnë se Nata e Kadrit është nata e 23 e muajit të Ramazanit, sipas transmetimeve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!)

Nga kjo që u përmend kuptohet se Nata e Kadrit është e fshehtë dhe nuk është e përcaktuar me saktësi. Kjo na fton neve që të pyesim rreth shkakut të kësaj fshehtësie në caktimin e Natës së Kadrit.

Shumica e njerëzve besojnë se fshehja e Natës së Kadrit ka mundësi të jetë përshkak që njerëzit të kujdesen për të gjitha netët teke të dhjetëditëshit të fundit të muajit të Ramazanit me adhurim, dua, lexim Kur’ani, namaze nafile, etj.

Pra, Allahu i Madhëruar e ka fshehur Natën e Kadrit në mesin e netëve të muajit të begatë të Ramazanit që njerëzit ta adhurojnë Atë në të gjitha netët dhe të mos mjaftohen me interesiin e një nate të vetme. Njësoj siç fshehu kënaqësinë e Tij në mesin e të gjitha adhurimeve me qëllim që njerëzit të kryejnë të gjitha adhurimet.

Po ashtu, Ai e ka fshehur zemërimin e Tij në mesin e gjynaheve me qëllim që njerëzit të largohen prej të gjitha gjynaheve. Gjithashtu, Ai i ka fshehur të dashurit e Tij në mesin e njerëzve me qëllim që të respektohen të gjithë njerëzit. Ai e ka fshehur kohën e vdekjes me qëllim që njerëzit të jenë gjithmonë të përgatitur për vdekjen. Po kështu, Allahu e ka fshehur Natën e Kadrit në mesin e netëve të muajit të Ramazanit që njerëzit të përpiqen dhe të sakrifikojnë më shumë për të fituar shpërblim e mirësi.

Së dyti: Sipas ajeteve të kësaj sureje, Nata e Kadrit nuk është e posaçme vetëm për kohën e zbritjes së Kur’anit dhe për kohën që jetonte profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Përkundrazi, ajo përsëritet çdo vit në muajin e begatë të Ramazanit dhe kështu do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete.

Ka transmetime se kjo natë është prej mirësive të Allahut për ummetin Islam dhe nuk ka qenë në popujt e mëparshëm. Transmetohet nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi  të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Vërtet, Allahu i ka dhënë umetit tim Natën e Kadrit të cilën nuk ia ka dhënë atyre që ishin para tyre .”  (Ed Dulejmi) 

Së treti: Allahu i Madhëruar e ka quajtur këtë natë me Nata e Kadrit sepse në këtë natë Allahu cakton çështjet dhe ndodhitë e vitit të ardhshëm. Në këtë natë caktohen çështjet e njerëzve për të gjithë vitin siç janë jeta, vdekja, furnizimi, lumturia,  etj. Këtë e tregon edhe ajeti i 4 i sures “Ed Duhan” që thotë: Në atë (natën e Kadrit) vendoset çdo punë e urtë”. Pra, në këtë natë caktohen të gjitha çështjet jetësore që kanë lidhje me njeriun, jetën dhe gjithësinë.

Së katërti: Sipas ajetit të katërt të sures “Kadr” mësohet se në Natën e Kadrit zbresin engjujt dhe ruhu. Sipas komentuesve të Kur’anit, “er ruhu” është një krijesë madhështore, më e madhe se engjujt. Engjujt dhe “er ruhu” zbresin me lejen e Zotit me të gjitha vendimet për caktimin e çështjeve të vitit të ardhshëm. Këtë e tregon thënia e Allahut të Madhëruar në ajetin e katërt të kësaj sureje: “Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.” Pra, me vendimet që kanë lidhje me njeriun, jetën dhe gjithësinë.

Së pesti: Ajeti i fundit i kësaj sureje thotë: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” Ky ajet e cilëson këtë Natë të madhe se është e mbushur me paqë e siguri deri në sabah. Ajo është e gjitha paqë e mirësi. E zbrazët nga e keqja, intriga, privimi e padrejtësia. Ajo është nata e mëshirës, e mirsisë e berqetit, e lumturisë e adhurimit. Në këtë Natë robtë e Allahut janë të përfshirë nga një mëshirë e posaçme.

Meqenëse kjo natë është natë e paqes dhe e mëshirës që përfshin të gjithë njerëzit; meqenëse në këtë natë caktohen çështjet e njerëzve bazuar në aftësitë dhe gadishmëritë e tyre psiqike e shpirtërore, atëherë duhet që njeriu në këtë natë të qëndrojë zgjuar dhe të adhurojë Allahun.

Njeriu nuk duhet ta humbasë këtë natë të çmuar duke u marrë me punë e vepra të kota, por ta kalojë këtë natë me lutje, namaz e këndim Kur’ani. Në këtë mnyrë ai do të jetë më afër Allahut të Madhëruar dhe do të fitojë më shumë shpërblim. Ajo që është  më e rëndësishmja, njeriu në këtë natë duke adhuruar Allahun e Madhëruar, do të fitojë kënaqësinë  Tij. Jo vetëm kaq, ai do të paiset me më shumë energji shpirtërore për të përballuar sfidat e shumta qofshin nga armiku i brendshëm, egoja, apo nga armiku i jashtëm, të cilët nuk ia duan të mirën as Islamit e as myslimanëve.

Ka disa njerëz të cilët mendojnë se agjërimi i kësaj nate është njësoj me agjërimin e të gjithë muajit të begatë të Ramazanit. Ky është mendim i gabur. Është detyrë e çdo myslimani që të agjërojë të gjithë muajin e Ramazanit, sepse Allahu iMadhëruar thotë në Kur’an: “…Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë…” (Sure “Bekare”, ajeti 185). Nga ky ajet sqarohet se duhet të agjërohet i gjithë muaji i begatë i Ramazanit.

Sigurisht, që nata e Kadrit është e veçantë dhe dallohet nga netët e tjera të vitit. Në Kur’an përmendet pozita dhe vlera e lartë e kësaj nate të Madhe. Allahu i Madhëruar thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” Një mijë muaj është e barabartë me më shumë se 80 vjet jetë.

Cila është ajo natë vlera e së cilës është e barabartë me një moshë të begatë e të gjatë prej më shumë se tetëdhjetë vjet? Adhurimet në të janë më të mira se adhurimet e njëmijë muajve. Veprat dhe punët në këtë natë janë më të mira se sa punët dhe veprat e mira në një mijë muaj.

Është detyrë që të njihemi me vlerën e madhe të Natës së Kadrit. Duhet që të gjitha netët e jetës tonë të jenë Natë Kadri. Të jenë netë të mbushura me besim, me adhurim, me falje e me respekt. Të mos jenë netë të cilat kalohen në mëkate nëpër kazino e nëpër klube nate deri në lindjen e diellit.

Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën  e Tij në këtë jetë. Të jemi prej zbatuesve të porosive të Tij, sepse porositë e Allahut janë shëruese për zemrat dhe shpirtrat. Porositë e Allahut janë ndriçuese për mendjet. Me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat. Qetësia më e madhe fitohet në Natën e Kadrit.

Allahu na rregjistroftë prej punëmirëve dhe na bëftë prej shpëtuesve nga zjarri  i Xhehenemit.

Në një lutje në muajin e begatë të Ramaznit thuhet: “…O Zoti im, unë të lutem vetëm Ty për ato punë të vulosura që Ti vendos e cakton në çdo Natë Kadri, për vendimin e caktimin Tënd që as nuk sprapset e as nuk tjetërsohet, të lutem të më shkruash mua prej atyre (që kthehen) me Haxh të pranuar e të falenderuar në “Shtëpinë Tënde të Shenjtë”, dhe (më bëj) nga ata që Sa’ji tyre është për ta falje mëkatesh dhe shlyerje e veprave të këqija! Bëj për mua o Allah pjesë ndër ato çka do të vendosësh e të caktosh, të më shtosh jetën, të bësh bollëk në furnizimin tim me ushqim, të kryesh për mua emanetin tim e të shlyesh borxhin tim; m’i prano këto lutje, o Zot i botëve!” (Lartësimi i shpirtit, faqe 454, botim i shoqatës FLLADI.)

Allahu na e pranoftë të gjithëve agjërimin e këtij muaji të begatë dhe na bëftë prej shpëtuesve nga zjarri i Xhehenemit!