Kerkimet Filozofike Fetare

Këshilla vëllazërore nga İmam Khomeini

1- Të dashur vëllezër e motra: Ecni drejt të vërtetës

Vendosni të ecni në rrugën e Allahut. Bëjeni të jashtmen tuaj njerëzore. Zbatoni rregullat e Sheriatit (legjislacionit të Allahut) dhe kërkojini Allahut të Madhëruar t’ju ndihmojë në arritjen e qëllimeve tuaja. Kërkoni ndihmën e Allahut që për hir të profetit Muhamed dhe familjes së tij të pastër e të dlirë t’ju mbarësojë në në këtë rrugë. Të shumta janë rrugët e devijimit në këtë jetë. Është e mundur që për një moment njeriu të rrëshkasë në humnerën shkatërruese. Prandaj, lutjuni Allahut t’ju mbrojë nga devijimi prej rrugës së drejtë dhe t’ju dhurojë mirësinë e ndjekjes së mësimeve të Tij dobiprurëse për të dyja jetët.

2- Të dashur vëllezër e motra: Largohuni prej të ndaluarave

Përpiquni të jeni të vendosur në largimin nga gjynahet dhe mëkatet. Nëse do të largoheni nga kjo jetë pa realizuar vendosmërinë tuaj për t’u larguar prej të ndaluarave, jeni  sipërfaqësor dhe jo thelbësor. Në Ditën e Tubimit do të shfaqet e brendëshmja dhe do të shihen të fshehtat tona. Me kryerjen e mëkateve, dalngadalë njeriu e humbet vendosmërinë, e cila mund të konsiderohet si xhevahir i njeriut.

3- Të dashur vëllezër e motra: Luftoni me vetveten

Jini përmendës të madhështisë së Allahut dhe të mirësve të Tij. Gjithmonë mendoni se ndodheni në prani të Tij dhe se Ai është Dëshmuesi juaj për çdo gjë që veproni. Prandaj, jini të bindur ndaj Allahut. Mos i lini ushtarët e djallit të triumfojnë në luftën me veteveten. Forconi ushtrinë e Allahut që gjendet në vetat tuaja, që Allahu t’ju mbarësojë të triumfoni ndaj djallit dhe ushtarëve të tij. Dijeni se lufta me veteveten është e vazhdueshme deri në fund të kësaj jete. Kurrë mos i punësoni vetat tuaja me shpresa të kota. Por shpresa juaj të jetë vetëm te Allahu. Kërkojini Atij që t’ju forcojë në këtë betejë sepse Ai është Përkrahësi dhe Ndihmuesi i vërtetë.

4- Të dashur vëllezër e motra: Mbështetuni në Allahun e Madhëruar

Mendoni dhe kërkojeni ilaçin shërues. Gjejeni rrugën dhe mjetin e shpëtimit tuaj. Mështetuni te Allahu i Plotfuqishëm. Kërkojini Atij në netët e errëta që t’ju bëjë mëshirues e të dashur. Lutjuni Atij që t’ua largojë djallin dhe të jeni të lumtur në të dyja jetët. Mbështetuni te Allahun dhe Atij kërkojini ndihmë. Në Kur’an thuhet: Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë. (Sure “Tallak”, ajeti 3)

Nëse mbështeteni te Allahu, do të fitoni Xhennetin e premtuar nga Krijuesi i Gjithmëshirshëm.

5- Të dashur vëllezër e motra: Jini seriozë dhe aktivë

Hapini veshët dhe sytë e zemrave tuaja që të jeni njerëz të vërtetë. Dilni nga bota e iluzionit dhe e fasadës njerëzore dhe hyni në botën e bërthamës e të xhevahirit. Përpiquni sa më shumë në jetën tuaj. Merrini çështjet me seriozitet dhe kurrë mos neglizhoni në kryerjen e veprave të mira, qofshin të pakta apo të vogla në pikëpamjen tuaj. Mos prisni që gjërat t’ua sjellin të tjerët. Ju gjejini ato se ku ndodhen. Kurrë mos u plogështoni. Jini përpjekës, sepse Allahu do t’ju udhëzojë me dëshirën e Tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: Ata që luftojnë (përpiqen, sakrifikojnë) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!) (Sure “Ankebut”, ajeti 69.)

6- Të dashur vëllezër dhe motra: Jini gjithmonë fitimtarë ndaj djallit të mallkuar

Jini me Allahun e Plotfuqishëm në çdo moment. Atij dhe vetën Atij kërkojini ndihmë. Lutjuni Allahut me çiltërsi dhe me bindje duke thënë: “O Zot! Vërtet, djalli është armik i madh. Ka qenë armik i përbindur i të dërguarve dhe i të dashurve të Tu. O Zot! Më ndihmo që të të adhuroj vetëm Ty. Unë jam rob i dobët dhe i sprovuar me iluzione të kota dhe me fantazira të pabaza. Më ndihmo që të triumfoj ndaj këtij armiku të fortë. O Zot. Më ndihmo në duelin me djallin, i cili kërcënon lumturinë time dhe përsonalitetin tim. Më ndihmo ta shporr atë dhe ushtarët e tij!”

7- Të dashur vëllezër dhe motra: Shfrytëzojeni kohën

Zgjohuni nga gjumi dhe nga pavëmnedshmëria (gafleti)  juaj. Shtërgojini rripat e misioneve tuaj në këtë jetë. Shfrytëzojeni kohën sa të keni mundësi në jetën tuaj. Shfrytëzojeni kohën për aq sa keni fuqi. Shfrytëzojeni rininë tuaj në atë që janë të dobishme dhe në të mirë të vetes tuaj, familjes tuaj dhe shoqërisë tuaj. Jini të vëmendshëm që të mos ju sundojnë moralet e këqija dhe veset e ulëta. Nëse jeni të mbërthyer nga moralet dhe veset e këqija kërkoni ilaçin shërues për zhdukjen e atyre moraleve dhe veseve poshtëruese. Gjejeni ilaçin e duhur që shuan ndikimin e epsheve e të devijimit. S’ka dyshim se ilaçi më i mirë është Fjala e Allahut, Kur’ani i shenjtë, tradita profetike dhe porositë e familjes së tij të pastër e të dlirë. “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kur’ani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Sure “Junus”, ajeti 57.

8- Të dashur vëllezër dhe motra: Pastrojini zemrat

Largojeni nga vetja juaj përgjumësinë dhe mpiksejn. Peshojini veprat tuaja me peshoren e logjikës para se të peshohen në atë Botë. Llogaritini vetat tuaja para se t’ju bëhet llogaria. Pastrojeni pasqyrën e zemrës nga ndryshku i të këqijave dhe padrejtësive. Mos e lini dritën e zemrës të shndërrohet në errësirë. Kujtojeni gjithmonë ajetin: “…natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit…” dhe mos e harroni. Mos e shpërdoroni këtë amanet të shenjtë që iua ka dhënë Allahu. Pastrojeni zemrën tuaj me qëllim që të depërtojë drita e Allahut të Madhëruar në brendinë e saj. Pastrojini zemrat tuaja me qëllim që ato të vëlojnë nga dashuria dhe malli për Allahun e Vetëm e të Pashoq. Pastrojini zemrat tuaja me qëllim që ta ndieni kënaqësinë e thirrjes dhe të lutjes që i bëni Allahut. Pastrojini zemrat tuaja me qëllim që të dalloni kënaqësitë e vërteta shpirtërore e hyjnore nga ato shtazore. Pastrojini zemrat tuaja, sepse asgjë nuk do t’ju bëjë dobi para Allahut veçse shkuarja te Ai me zemër të pastër e të shëndoshë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët,  përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure “Shuara”, ajetet 87-88)

9- Të dashur vëllezër dhe motra: Kini kujdes ndaj Allahut.

 Dijeni mirë se Allahu ju ka krijuar për Atë, siç thuhet në një hadith kudsij: “O biri i Ademit, i kam krijuar krijesat për ty dhe të kam krijuar ty për Mua.” Kjo nuk ka kuptimin se Ai ka nevojë për ju. Kurrë. Ai është i Vetmjaftueshëm. Prandaj, vendoseni Allahun në zemrat tuaja, sepse si ti ashtu edhe zemra jote, jeni prej argumenteve dhe shenjave të Allahut. Jo vetëm kaq, jeni të shenjtë te Allahu. Kurrë mos i cënoni shenjtëritë e Tij. Kurrë mos lejoni duart e papastra të njollosin shenjtëritë e Tij. Kini kujdes ndaj Allahut, përndryshe Ai do t’ju çjerrë maskën në këtë botë dhe nuk do të arrini ta ndreqni veten tuaj sado që të përpiqeni. Prandaj, jini të kujdesshëm ndaj Allahut. Mos i çoni vetat tuaja në shkatërrim me duart tuaja. Vërtet, Allahu është i Gjthmëshirshëm por, është edhe Ndëshkues.

10- Të dashur vëllezër dhe motra: Larguhuni nga të shtirurit

Kontrollojeni veten tuaj në çdo vepër. Veproni vepra të mira e të ndershme dhe urdhëroni në kryerjen e tyre. Nëse bëni vepra të mira, mos ia thoni askujt. Nëse faleni natën apo u jepni nevojtarëve fshehurazi, nuk është nevoja të flisni se çfarë keni bërë. Përderisa Allahu e di se çfarë veproni, nuk është e thënë që të lajmëroni njerëzit për ato që keni bërë. Sepse, mos e thëntë Allahu, mund të goditeni me mburrjen. Falenderojeni Alllahun, i Cili i’u ka dhuruar këtë shpirtbardhësi dhe këtë zemër të pastër. Jini të kujdesshëm ndaj pëshpëritjes së unit tuaj, i cili mund t’ju mashtrojë e të bëheni mburracakë. Para se të bëni një punë mendoni mirë. Nëse është për Allahun bëjeni, nëse nuk është për Allahun, më mirë mos e bëni.

11- Të dashur vëllezër dhe motra: Njiheni fuqinë e vërtetë

Mendohuni për të gjetur rrugën e shpëtimit. Dijeni se pozita te njerëzit është iluzion i pabazë. Ajo nuk përbën asgjë. Zemrat e njerëzve që kërkojnë pozitë në mesin e njerëzve, janë të humbura e të dobëta. Ato zemra nuk kanë fuqi për asgjë. Këta lloj njerëzish janë të pafuqishëm e të dobët. Fuqia e vërtetë është ajo e Allahut të Madhëruar. Ai është Vepruesi i Plotfuqishëm dhe Krijuesi i gjithçkaje. Sikur të gjithë njerëzit të bashkoheshin për të krijuar krijesën më të vogël, kurrë nuk do ta bëjnë. Sa bukur e përshkruan Kur’ani këtë gjë në një ajet ku thotë: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” (Sure “Haxh”, ajeti 73.)

12- Të dashur vëllezër dhe motra: Kujdesuni nga adhurimi i vetvetes

Mos jini prej të pavëmendshmëve ndaj njohjes së Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Mos jini prej atyre që nuk kuptojnë vetëm dëshirat e egos e të epsheve. Zbatoni ato që ka sjellë Krijuesi dhe largohuni prej atyre që ai ka urdhëruar që të largoheni. Sa herë që të veproni diçka mendohuni e thoni: vallë, këtë punë po e bëj që të arrij qejfet dhe kënaqësinë e kësaj jete, apo për të fituar kënaqësinë e Krijuesit? Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni asgjë Atij në adhurim. Kurrë mos jeni të vetkënaqur me ato që veproni. Dijeni se Allahu ju shikon e ju dëgjon. A nuk turpëroheni kur bëni ndonjë punë të keqe?!Adhurimi është ai që e afron më shumë njeriun me Krijuesin. Mos e kryeni adhurimin për t’u mburrur e për t’u dukur.  Jini të kujdesshëm ndaj kurtheve dhe intrigave të djallit e të egos. Dijeni se djalli nuk dëshiron kurrë që të bëni një vepër me sinqeritet e me pastërti. Ai përpiqet që t’ju largojë nga e vërteta dhe nga rruga e Allahut. Mos u bëni prej pasuesve të djallit sepse do të dënoheni rëndë si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër, sepse Allahu ju ka lajmëruar në Kur’an që djalli është armiku më i përbetaur i juaji. Ai ju shpie në rrugën e poshtërimit e të degjenerimit. Në rrugën e vuatjes e të mjerimit. Në rrugën e dhimbjes e të lëndimit shpirtëror. Hiqni dorë nga vetpëlqimi dhe mendjemadhësia sepse këto janë prej veprave të djallit. Gjithmonë mendoni, a jeni në rrugën e Allahut apo në rrugën e shejtanit?!

13- Të dashur vëllezër dhe motra: Njiheni të dashurin e vërtetë

Mos u bëni prej atyre që Allahu është i zemëruar. Mos e shitni dashurinë e Allahut për hir të iluzioneve dhe fantazive të kota. Mos i mashtroni njerëzit me dashuri falco vetëm për të realizuar qëllimet dhe synimet tuaja. Kujtojini mirësitë e të pafundme të Allahut që ju mbulojnë në çdo çast të jetës tuaj. Mos e zëvendësoni dashurinë e Krijuesit me dashurinë e krijesës. Mos mendoni të përfitoni tjetër gjë nga dashuria për Krijuesin përveçse pendimin dhe kthimin tek Ai. Njiheni mirë të dashurin e vërtetë në këtë jetë sepse më pas nuk do t’ju bëjë dobi asnjë lloj njohjeje. Jinni prej atyre që Allahu thotë në Kur’an: “…Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun…”

14- Të dashur vëllezër dhe motra: Pastrojini shpirtërat

Kjo arrihet duke përmendur Allahun e Madhëruar. Mundohuni që punët dhe veprat tuaja të jenë vetëm për Allahun. Nëse janë të tilla do të shihni ndihmën e Allahut në çdo hap të jetës tuaj. Nëse punoni për Allahun, do t’ju shpërblejë si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Si përfundim do të jeni të dashur te Allahu. Duke punuar çdo gjë për Allahun, shpirtërat tuaj do të jenë të pastër dhe Ai do t’ua lartësojë pozitën në të dyja jetët. Mundohuni sa më shumë që të paiseni me shpirtin e përpjekjes e të sakrificës me qëllim që nëpërmjet përpjekjes dhe sakrificës të largoni papastërtitë e shpirtit dhe të jeni prej banorëve të Xhennetit.

15- Të dashur vëllezër dhe motra: Jinni modestë

Ta dini se nëse jeni të thjeshtë e modestë njerëzit do t’ju respektojnë dhe t’ju konsiderojnë të mëdhenj. Nëse bëheni mendjemëdhenj ndaj njerëzve, nuk do të fitoni respektin e tyre. Kur jeni mendjemëdhenj ndaj njerëzve do të jeni të poshtër në sytë e tyre dhe nuk do të keni pozitë në mesin e tyre. Hapini zemrat e njerëzve me modestinë. Nëse afroni zemrat e të tjerëve do të duken ndikimet e tyre. Nëse i largoni zemrat e njerëzve ndikimet e tyre do të jenë në kundërshtim me dëshirat tuaja. Prandaj, duhet të ndiqni rrugën që ju çon në respektin e njerëve. Nëse nuk e dini këtë rrugë, lexoni porositë e Lukmanit të urtë për djalin e tij që përmenden në Kur’anin e shenjtë: “O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë memendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (Sure “Lukman”, ajetet 17-19.)

Dijeni se nga modestia dhe thjeshtësia lind dija dhe njohja. Nga mendjemadhësia lind padituria dhe mosnjohja. Hiqeni nga vetja juaj të keqen e paditurisë. Pajisuni me virtytet e të dërguarve dhe mënjanoni cilësitë e djallit. Mos u bëni mendjemëdhenj ndaj Allahut sepse do të poshtëroheni në këtë jetë dhe do të dënoheni në Jetën Tjetër. Nëse doni të ndreqni vetat tuaja bëjeni me vepra dhe jo me fjalë. Rruga e vetme për të mposhtur egon dhe djallin është rruga e Allahut. Kurrë mos devijoni nga kjo rrugë shpëtuese e lumturuese.

16- Të dashur vëllezër dhe motra: Mos u kapni pas kësaj jete

Duhet të njiheni me dëmet e të dhënit pas kësaj jete. Ato dëme e çojnë njeriun në shkatërrim dhe e zhveshin nga besimi. Prandaj, mos u bëni prej mallëngjuesve të kësaj jete, sepse do të jeni prej të humburve në të dyja jetët. Jini vërtetues të thënies së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Puno në këtë jetë sikur do të jetosh përgjithmonë. Dhe mendo për Jetën Tjetrë sikur do të vdesësh nesër.” Dijeni se mirësitë e kësaj bote janë të mbushura me dhimbje dhe janë të paqëndrueshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu, është më e mire dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!” (Sure “Kasas”, ajeti 60.)

17- Të dashur vëllezër dhe motra: Largohuni nga hipokrizia

Ta dini se prej shenjave të hipokrizisë janë dygjuhësia dhe dyfytyrësia. Ka mundësi që në këtë botë të jeni të sprovur me këtë shenjë përshkak se perdet e paditurisë, të mendjemadhësisë errësuese, të dhënit pas kësaj jete kanë mbuluar mendjet dhe zemrat tuaja. Dijeni se hipokrizia është sëmundje e rrezikshme, e cila e shkatërron mbartësin e saj. Për t’u njohur më shumë me këtë sëmundje dhe me fundin e dhembshëm të hipokritëve lexoni dhe logjikoni ajetet e Kur’anit që flasin për këtë sëmundje.

18- Të dashur vëllezër dhe motra: Jini të sinqertë

Nëse besoni në monoteizëm, atëherë zemrat tuaja nuk adhurojnë tjetërkënd përveç Allahut. Besimtarët e vërtetë e të sinqertë i luten vetëm Allahut. Duhet që e jashtmja juaj dhe e brendshmja juaj të jetë një e përbashkët. Zemrat e të sinqertëve kurë nuk i nënshtrohen pasuesve të dynjasë. Punoni me sinqeritet, sepse Allahu nuk sheh fizionominë tuaj por, Ai sheh zemrat tuaja. Ai është i Gjithëditur për qëllimet tuaja. Mundohuni të jeni të sinqertë me Allahun, me veten dhe me njerëzit e tjerë që ju rrethojnë. Nëse jeni të sinqertë, jini asketë ndaj kënaqësive të kësaj jete. Asnjëherë mos u gëzoni kur njerëzit ju lavdërojnë. Kurrë mos jetë asketizmi juaj në këtë dynja për këtë dynja. Sinqeriteti është virtyt i të dërguarve. Ata triumfuan përshkak të sinqeritetit të tyre ndaj Allahut. Profeti ynë i dashur, hazreti Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë në majat e sinqeritetit. Vallë, a e pasoni ashtu siç duhet atë?!

O Allahu ynë! Na bëj prej atyre që i dëgjojnë këshillat dhe i zbatojnë ato në jetën e tyre!