Kerkimet Filozofike Fetare

Vërtet, tek i dërguari i Allahut ju keni shembullin më të lartë

Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet janë për Krijuesin tonë të Përsosur, Allahun e Madhëruar, i Cili është Një dhe i Vetëm e që mbizotëron gjithkënd e gjithçka. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi më të zgjedhurin e krijesave, mbi ndriçuesin e njerëzimit, mbi atë shpirt të dëlirë dhe fisnik, mbi atë dritë të pashuar. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi familjen e bekuar të Profetit, mbi shokët e tij të nderuar dhe mbitë gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit! Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të gjithë të dërguarit e Tij!

S'ka dyshim se Allahu është burimi i udhëzimit të drejtë e të vërtetë. Allahu ka vendosur në natyrshmërinë e lindur të besimit (fitreh) dashurinë dhe pasionin për të arritur përsosurinë. Por njeriu nuk është i sigurt prej sundimit të zemërimit e të epshit. Për këtë, përveç arsyes dhe mjeteve të tjera të njohjes, Allahu zgjodhi në mesin e njerëzve të dërguarit, të cilët mbajtën mbi supe peshën e rëndë për t'i ftuar njerëzit drejt së Vërtetës dhe Udhëzimit të pakundërshtueshëm.

Në asnjë kohë Allahu nuk i ka lënë njerëzit pa udhëzues, ndriçues e udhërrëfyes. Edhe argumentet logjike e miratojnë faktin se në asnjë kohë Toka nuk do të qëndrojë pa argument, me qëllim që njerëzit të mos kenë arsye për t’u shfajësuar para Allahut të Madhëruar. Argumenti ka ekzistuar para krijesave, me krijesat dhe pas krijesave. Sikur mbi Tokë të ngeleshin vetëm dy njerëz, njëri prej tyre do të ishte argument për tjetrin. Të dërguarit e Allahut dhe eulijatë e Tij morën përsipër udhëzimin me të gjitha fazat e tij duke sakrifikuar çdo gjë. E përse e gjitha kjo? Mos vallë për të fituar post a famë? Jo! Këtë e bënin vetëm për t'i shërbyer njerëzisë, për ta nxjerrë atë prej errësirave në dritën e vërtetë e të pashuar.

Të gjithë të dërguarit e Allahut kanë qenë në shërbim të njerëzimit, mirëpo Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka qenë më i përkushtuari prej tyre. Ai ka qenë më i përsosuri dhe vula e tyre. Pas tij nuk vjen i dërguar, siç e dëshmon Kur`ani Famëlartë në suren “El Ahzab”, ajeti 40: Muhamedi nuk ka qenë baba i asnjërit prej burrave tuaj, por i Dërguari i Allahut dhe vula e të dërguarve.

Kush është Profeti Muham’med

(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk është i panjohur që të ketë nevojë për njohje. Ai është më i njohuri i njerëzve që ka parë bota që kur u bë e përshtatshme për jetesë. Mirëpo, ai nuk është njohur ashtu siç i takon për arsye se mendja e njeriut nuk ka arritur në atë lartësi që të mund të kuptojë pozitën e këtij personaliteti të përsosur e udhërrëfyes për njerëzimin.

A ka mundësi që një person të jetë në gjendje të kuptojë atë, i cili arriti në majat e përsosurisë njerëzore? Ata që thonë se Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është njeriu “më i përsosur” dhe udhërrëfyes i njerëzisë, a e kuptojnë thelbin e fjalës “më i përsosuri”?

S’ka dyshim se njohja e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) plotëson dhe ndriçon mendjet e njerëzve. Të shumta janë kërkimet dhe studimet e studiuesve për jetën e Profetit Muhamed, duke filluar që në kohën e tij e duke ardhur në ditët e sotme, çka do të vazhdojë, pa dyshim edhe në të ardhmen.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk i përket vetëm një kombi a bashkësie, e as një kontinenti; ai është i Dërguar për të gjithë njerëzimin. Ai nuk është vetëm për myslimanët; ai është për gjithë njerëzinë, siç e vërteton Kur’ani Famëlartë: “Ne të dërguam ty për të gjithë njerëzit.” (Surja Sebe, ajeti 27). Cilido që studion jetën e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), si dhe Mesazhin që ai solli, do të shohë se edhe kombet e tjera joislame janë lumturuar me Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ashtu si myslimanët.

Sheriati që solli Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është mishëruar plotësisht me ligjet e jetës. Para ardhjes së Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bota ishte trup pa shpirt dhe errësirë; ai solli shpirtin për botën dhe dritën për tokën e errësuar. S’ka dyshim se vetë Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është shpirti dhe dielli i botës me anë të të cilit ndriçohet mendja njerëzore. Po të mos ishte Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe Sheriati i tij, në këtë botë nuk do të shihej gjë tjetër veçse shtypje, padrejtësi, degradim, nuk do të shihej lumturi e begati, as individuale, as shoqërore.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ftonte njerëzit te dija dhe vetë ishte i pashkolluar. A është parë që një i pashkollë të luftojë injorancën? Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk studioi në universitete, nuk mori mësime nga mësues, nuk mori pjesë në simpoziume shkencore e as nuk u rrit në mjedise dijeje; përkundrazi, ai u rrit në një shoqëri, të cilën e kishte mbuluar padituria, hija e fanatizmit dhe e mendjemadhësisë.

Ky “i pashkolluar” është vetë mrekullia: mrekulli në diturinë e tij; mrekulli në virtytet e tij; mrekulli në mendimet e tij; mrekulli në faljen e tij; mrekulli në urtësinë e tij; mrekulli në trimërinë e tij; mrekulli në cilësitë dhe përsosurinë e tij. Sa të pafundme janë mrekullitë në këtë personalitet kaq të madh! Allahu Fuqiplotë në Kur`anin Famëlartë thotë: “Vërtet, tek i Dërguari i Allahut ju keni shembullin më të lartë.” (Surja “Ahzab”, ajeti 21)

Profeti Muhamed - mëshirë për krijesat

Gabon rëndë ai që thotë se feja islame ëshë përhapur me gjuhën e shpatës, sepse po të studiojmë Kur`anin fisnik, do të gjejmë se:

Së pari: Dhuna nuk është e pranueshme në fe, siç thotë vetë Allahu i Madhëruar: “Në fe nuk ka dhunë…” (Surja “Bekare”, ajeti 256) Dhe: “Fto në rrugën e Zotit Tënd me urtësi dhe porosi të përkryera.” (Surja “Nahl”, ajeti 125)

Së dyti: Është mëse e qartë se fitimi i zemrave nëpërmjet dhunës është i pamundur; zemrat fitohen me urtësi, dashamirësi dhe këshillë.

Nëse i hedhim një vështrim jetës së Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), do të shohim se veprimi i parë që ai kreu ishte pastrimi dhe edukimi i zemrave. E, ky veprim është i pamundur të arrihet me anë të dhunës dhe forcës. Arma më e fortë për mposhtjen e armiqve ishin morali i lartë dhe mëshira e gjerë. Për këtë, Profeti Muhamed u quajt “profeti i mëshirës” për të afërmit dhe për të largëtit, për miqtë dhe për armiqtë. Allahu thotë në Kur’an: “Ne të dërguam ty mëshirë për të gjitha krijesat.” (Surja “Enbija”, ajeti 107).

Ai i kishte të gjitha mundësitë për përdorimin e dhunës kur ishte në Mekë. Sikur t’i kishte urdhëruar shokët e tij për të vrarë kundërshtarët e tij, në një natë ai do ta kishte arritur këtë. Dhe, nëse do ta kishte bërë këtë, nuk do shijonte fatkeqësitë që i erdhën prej tyre, sepse drejtuesit e keqbërësve ishin sa numri i gishtërinjve; por ai nuk e bëri këtë sepse ishte Profet i mëshirës. Ai, kurrë, nuk e ka ngritur shpatën mbi ata, përveçse kur ata i ngritën shpatat kundër tij. Nëse do të kishte përdorur gjuhën e forcës, nuk do të ishte ky numër kaq i madh pasuesish të tij. Këtë e dëshmon edhe Kur`ani fisnik, i cili thotë: “Ti ishe i butë ndaj tyre, e Allahu të dhuroi mëshirë; sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të largoheshin nga ti…” (Surja “Ali Imran”, ajeti 159).

Po të lexojmë dhe studiojmë jetëshkrimin e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), do të gjejmë shumë ndodhi armiqësore, të cilave ai u është kundërpërgjigjur me butësi e mëshirë. Ndër ato ndodhi përmendim: Një grua jahudite donte ta helmonte Profetin dhe për këtë ajo e ftoi për gosti në shtëpinë e saj së bashku me disa shokë të tij. Por, Allahu i Madhëruar e mbrojti prej këtij kurthi. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e fali atë grua dhe nuk e ndëshkoi. Ndjenja e thellë e mëshirës që shihej tek ai u shfaq në kohën e çlirimit të Mekës, i cili tha atë thënie të përsosur kur mekasit e pyetën se çfarë do të ndodhte me ta në këtë kohë. Ai u tha atyre: “Shkoni, ju jeni të lirë!” Mendoni tënderuar lexues, a ka në rruzullin tokësor njeri, sado i njohur të jetë, që t’u thotë armiqve të tij më të ashpër, atyre të cilët e torturuan, e poshtëruan, e luftuan për njëzet e tre vjet me radhë, “ju jeni të lirë!”? Ky është Profeti Muhamed. Atij nuk i ngjason askush.

A nuk duhet respektuar atëherë ky personalitet? A nuk duhet të ndiqen këshillat dhe porositë e tij? Sigurisht që po, sepse në dashurinë, respektin dhe ndjekjen e tij ka kënaqësi dhe qetësi për zemrat. E, më shumë se kaq, në dashurinë dhe në ndjekjen e rrugës së tij është kënaqësia e Allahut të Madhëruar. Kur’ani fisnik thotë: “Thuaj: ‘më ndiqni mua e Allahu t’ju dojë ju.’” (Surja “Ali Imran”, ajeti 31)

Përderisa udhëheqësi i kësaj feje është i tillë, atëherë si do të jetë vallë feja e tij? S`ka dyshim se feja e tij është fe e paqes, e mëshirës, e faljes, e vëllazërimit, e bujarisë. Në fenë islame nuk ekziston urrejtja e padrejtësia, as poshtërimi e pabarazia sepse Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte ai, i cili i zhduku ndjenjën e urrejtjes, padrejtësinë, poshtërimin e pabarazinë. Në një hadith të tij thuhet: “Nuk ka dallim mes arabit e joarabit, përveçse me devotshmëri.” Ishte Profeti Muhamed ai që vendosi drejtësinë, aio që vendosi të drejtat e gruas se ajo është njeri si burri. Ishte Profeti Muhamed ishte ai që i porosiste prijësit e ushtrive para se të niseshin për në betejë, duke u thënë: “Mos vrisni të moshuarit, as fëmijët e as gratë! Mos i prisni pemët! Mos i masakroni të plagosurit! Mos digjni shtëpitë e mos i plaçkitni ato…!”

Ky është Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe kjo është feja e tij e cila e ndalon rreptësisht vrasjen dhe gjakderdhjen. Kur`ani fisnik thotë: “… Ai që vret një njeri që nuk ka vrarë e as nuk ka bërë shkatërrim, është njëlloj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit…” (Surja “Maide”, ajeti 32”)

Feja islame është fe e paqes. Këtë e shohim që në takimin e parë në mesmyslimanëve, të cilët përshëndeten me “selam alejkum!” (paqja qoftë mbi ju!). Por, nëse themi se Islami e ligjëron xhihadin, kjo nuk nënkupton se Islami është fe e dhunës, sepse në jurisprudencën islame sqarohen më së miri kushtet e kësaj çështjeje. Prandaj, ftojmë të gjithë ata, që hedhin akuza mbi këtë fe të pastër që ta studiojnë - sa më mirë dhe larg fanatizmit interesit, - kushtetutën bazë të kësaj feje, Kur’anin fisnik, si dhe, jetën e të Dërguarit të Allahut, vulës së profetësisë, Profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e pastaj të nxjerrin përfundimet e tyre. Allahu i Madhëruar thotë në Kur`an: “Punoni se Allahu do t’i shohë punët tuaja dhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët.” (Surja “Teube”, ajeti 105)

Ditëlindja e Profetit Muhamed - dita e unitetit islam

Ditëlindja e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është dita e unitetit të myslimanëve. Në këtë ditë, myslimanët në mbarë botën festojnë ditën e lindjes së Profetit Muhamed, por edhe nxjerrin mësime për të ardhmen e tyre, duke u bazuar në Kur’anin fisnik dhe në thëniet e porositë e të Dërguarit të Allahut të Madhëruar. Në Kur’an thuhet: “Ato çka ju jep i Dërguari, merrini dhe për ato që ju ndalon, ndaluni!” (Surja “Hashr”, ajeti 7) Por, nuk mjafton që Profeti të përkujtohet një herë apo dy herë në vit. Ai nuk ndodhet në mesin tonë trupërisht, por është mrekullia e tij e përhershme, Kur’ani, si edhe hadithi i tij. Ata janë frymëzues për çdo njeri. Kur’ani dhe hadithi janë të pandarë nga njëri-tjetri. Argument mëse i qartë i këtij uniteti është dëshmia e myslimanit, shehadeti: Eshhedu en la ilahe il-lAll’llah ue eshhedu en-ne Muhameden resulullah (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i tij). Dëshmia thotë se zemrat e myslimanëve janë të drejtuara dhe të bashkuara në besimin tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.

Në këtë ditë të madhe të gjithë myslimanët njihen me sakrificat e Profetit për bashkimin e zemrave dhe përgatiten për t’i bërë ballë çdo kundërvënieje që mund t’u vijë atyre, ashtu siç u bënte ballë Profeti. Jo më kot, Allahu na urdhëron e na thotë se te Profeti ne gjejmë shembullin më të lartë, sepse ai është shembull për moralin: “Vërtet, ti je në majat më të larta të moralit.” (Surja “Kalem”, ajeti 4) Ai është shembull i lartë në gjithçka. Me atë shembull të lartë –thotë Zoti për Profetin, - ai arriti të bëjë bashkimin e zemrave. E, zemrat e myslimanëve duhet të jenë të bashkuara dhe të kenë si qëllim vetëm një gjë e kjo është Islami. Allahu thotë në Kur`an: “Kapuni pas fesë së Allahut e mos u ndani.” (Surja “Ali Imran”, ajeti 103)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ishte njëkohësisht prind, baba e udhëheqës i një bashkësie dhe shpallës i një feje mbarëbotërore e pa dyshim, nuk mund të ishte mospërfillës ndaj së ardhmes dhe mirëqënies së ymmetit (bashkësisë) të tij. Përkundrazi, gjithçka që ka të bëjë me ymmetin - zhvillimi, arsimimi, detyrimet dhe të drejtat ishin të një rëndësie të veçantë për të. Kur’ani i Shenjtë dhe Synneti (tradita profetike) janë plot me referime për çështjet që lidhen me ymmetin dhe Sheriatin. Ato përmbajnë shumë urdhëresa, të cilat përcaktojnë detyrimet dhe përgjegjësitë që ka çdo individ. Synneti i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) përmban një mori elementesh që lidhen me mbrojtjen, jo vetëm të shoqërisë myslimane, por të mbarë shoqërisë njerëzore. Sheriati që solli Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është i mishëruar në ligjet e jetës.

Jeta e Profetit të nderuar është shembulli më i mirë për të gjithë. Është shembull si udhëheqës fetar. Është shembull si udhëheqës shteti. Është shembull si prind e si bashkëshort.

Është shembull për ata që dëshirojnë të fitojnë dashurinë dhe kënaqësinë e Zotit. Është shembull për ata, të cilët edhe pse kanë pasuri, falënderojnë Allahun dhe dinë të jenë të thjeshtë. Është shembulli i durimit dhe i mbështetjes tek Allahu në kohë dhe situata të vështira. Është shembulli i zemërgjerësisë dhe i bujarisë. Është shembulli i mëshirës ndaj familjes, ndaj të dobtëve, jetimëve, robërve të luftës etj. Është shembulli i faljes dhe i tolerancës ndaj gjynahqarëve.

Nëse dëshiron të mbrosh drejtësinë, të thirrësh në drejtësi, ta ngresh lart atë, atëherë shih jetën e Profetit të nderuar në Mekë, kur ai nuk kishte asnjë ndihmës dhe i thërriste politeistët në shpëtim, duke u shpallur të vërtetën. Ai është një udhërrëfyes: me anë të traditës së tij mund t'i korrigjosh të gjitha gabimet, t'i drejtosh punët që të kanë dalë nga kontrolli, të rregullosh gjendjen.

Në qoftë se ju bie në sy një sistem që me drejtësi rregullon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, në qoftë se ka një mëshirë e butësi që i lidh zemrat e tyre, apo nëse në një vend të pasurit me mëshirë vrapojnë në ndihmë ndaj të varfërve, të fuqishmit mbrojnë të dobtit, të shëndetshmit ndihmojnë të sëmurët, të pasurit kujdesen për jetimët e vejushat pa kurrëfarë interesi, ta dini se këto cilësi janë të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe të atyre që ndjekin rrugën e tij.

Jeta e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është e jashtëzakonshme; vlerat më të larta të etikës dhe moralit janë të tubuara tek ai. Për çdo gjë që kërkohet dhe është e nevojshme për njerëzit, gjendet shembull në jetën e tij shembullore. Ai është pikë orientimi për edukimin e njerëzve në mbarë rruzullin tokësor. Ai ndriçon rrugën e atyre që e kërkojnë atë. Ai e ndriçon çdokënd që dëshiron ta gjejë lumturinë. Ai është i vetmi udhërrëfyes i njerëzisë.

Edhe pse Profeti është ndarë nga kjo jetë, këshillat dhe porositë e tij vazhduan, vazhdojnë dhe do të vazhdojnë deri në fund të kësaj jete. Përkujtim i Profetit do të thotë zbatim iKur’anit dhe i traditës profetike. Profeti nuk duhet përkujtuar vetëm në muajin Rebiul Evel. Ai duhet përkujtuar çdo ditë, çdo orë e në çdo hap që bëjmë, sepse porositë e tij vërtet janë recetë për shërimin e shpirtit e të zemrës, për arritjen e lumturisë së vërtetë në të dy jetët.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur'an:Thuaj: ‘Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet tuaja se Allahu është Ai që fal shumë, mëshiron shumë.’ (Surja “Ali Imran”, ajeti 31)