Hizbullahu : Rreziku për kryetarin e Sirisë është eliminuar
Qeveria e kryetarit të Sirisë, Bashar Assad nuk është më në rrezik të bie, tha udhëheqësi i grupit militant Hizbullah në Liban në një intervistë me një gazetë libaneze.
Në një intervistë me gazetën ditore
As- Safir, Hassan Nasrallah tha, gjithashtu, se kërcënimi i bombave në Liban
ka rënë në mënyrë të konsiderueshme për shkak të masave të
miratuara përgjatë kufirit libanezo - sirian.
Militantët e Hizbullahut kanë
luftuar përkrah trupave qeveritare siriane kundër rebelëve të cilët përpiqen
për të larguar Assadin nga pushteti. Luftëtarët e grupit shi’it ishin instrumenti
kryesor për të ndihmuar forcat e Assadit që të largojnë luftëtarët e opozitës
nga fortesat e tyre përgjatë kufirit.
Megjithatë, roli publik i
Hizbullahut në konfliktin tre vjeçar ka përflakur tensionet sektare në Liban.
Muslimanët sunni të vendit kanë mbështetur rebelët sirianë. Në javët e fundit,
militantët sunni kanë kryer disa sulme vdekjeprurëse në fortesat e Hizbullahut
në Liban, duke pretenduar se ato ishin në shenjë hakmarrjeje për ndihmën e
Hizbullahut për qeverinë siriane.
Sa për qeverinë e Assadit në Damask,
Hassan Nasrallah tha: Rreziku i rënies së regjimit sirian ka përfunduar.
Konflikti në Siri filloi me protesta
paqësore në muajin mars 2011. Protestat u shdërruan në një luftë civile me
ngjyrime sektare dhe ekstremistët
islamikë, përfshirë luftëtarë të huaj dhe rebelë sirianë që kanë marrë
ideologjinë e vijës së ashpër të stilit të el – Kaides, kanë luajtur një rol
gjithnjë e më të shquar në mesin e luftëtarëve, dhe uljen mbështetjes së
Perëndimit.
Më shumë se 150.000 njerëz janë vrarë në tre vitet e fundit në Siri, thonë
aktivistët.
Burimi: AP - Bejrut