Dokument i fshehtë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare për Trump-in: Si të shpëtojmë nga Hizbullahu?
Gazeta El-Ahbar ka siguruar një kopje të këtij dokumenti të shënuar si 'sekret', i cili është rreptësisht i ndaluar të ndahet mes diplomatëve dhe politikanëve.
Kryeredaktori i gazetës El-Ahbar, prezanton para publikut dokumentin e fshehtë të rrjedhur nga inteligjenca e SHBA-së. Ky dokument i fshehtë, trajton planin prej 40 miliardë dollarësh të "Kontratës për Rindërtimin e Shtetit", i cili i është paraqitur administratës Trump nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së dhe synon të thyejë ndikimin e Hizbullahut në terren. Strategjia, në vend të operacioneve ushtarake ose thirrjeve abstrakte politike; bazohet në bërjen e shtetit të dukshëm në terren me anë të rindërtimit gjithëpërfshirës të jugut, vendosjes së sigurisë kufitare dhe administrimit publik digjital.
Që nga dy vjet më parë kur nisën sulmet në shkallë të gjerë ndaj Libanit, SHBA-ja, duke ruajtur mbështetjen e saj të palkundur dhënë Izraelit luajti një rol udhëheqës në menaxhimin e ecurisë në terren.
Uashingtoni, madje edhe sot vazhdon ta shohë objektivin e pastrimit të Libanit nga rezistenca, nga Hizbullahi dhe nga ndikimi i Iranit si një formulë përfundimtare shpëtimi.
Në dy vitet e kaluara pesha e aleatëve të SHBA-së në mekanizmin e menaxhimit u rrit; përveç presidencës dhe kryeministrisë, pozicionet më kritike të burokracisë politike, financiare, administrative, ushtarake dhe të sigurisë hynë nën kontrollin e këtyre kuadrove.
Partneri saudit i Uashingtonit në anën tjetër, nuk synon asgjë më shumë sesa të mbrojë zonën e tij të ndikimit, e cila nuk i sjell asnjë përfitim as Rijadit e as Bejrutit, por thjesht krijon një mburojë legjitimiteti përpara botës arabe për projektin amerikano-izraelit në Liban.
Si në periudhën e Joe Biden-it ashtu edhe në atë të Donald Trump-it u ndërmorën shumë iniciativa për të lidhur konfliktin midis Libanit dhe Izraelit me rregulla të caktuara; u përgatitën tekste mirëkuptimi, dokumente pune dhe marrëveshje. Megjithatë, të gjitha këto hapa dështuan të arrinin qëllimin e tyre. Sepse kërkimi i vërtetë i Izraelit nuk u realizua; në qendër të këtij kërkimi qëndron një objektiv i vetëm: T'i jepet fund ekzistencës së rezistencës.
Në dy vitet e fundit administrata amerikane, në dritën e ekuilibrave të rinj të përfshirë në terren diskutoi gjerësisht se si do ta trajtonte dosjen e Libanit.
Në krye të këtyre ekuilibrave, vjen thyerja e madhe gjeopolitike e përjetuar me përmbysjen e regjimit të ish-Presidentit Bashar al-Asad në Siri dhe kalimin e autoritetit të ri të krijuar drejtpërdrejt nën ombrellën amerikane.
Përveç kësaj zhvillimet e lindura nga lufta e zhvilluar kundër Iranit dolën në pah si një titull përcaktues në ekuacionin e Libanit; sepse të gjitha frontet kundër rezistencës, shpresat i kanë varur te rënia e regjimit në Teheran.
Si një shtrirje e drejtpërdrejtë e një rënieje të tillë supozohet se edhe prania e Hizbullahut dhe e rezistencës në Liban do të eliminohet vetvetiu.
Por ndryshimi më goditës në funksionimin e administratës amerikane, shfaqet në stilin e punës së Trump-it.
Trump i cili nuk ka besim te burokratizmi tradicional institucional në mekanizmat e vendimmarrjes strategjike; duke shtyrë në plan të dytë institucionet e rrënjosura të shtetit, nxjerr në pah emrat në rrethin e tij të ngushtë me cilësinë e këshilltarit dhe përgjegjësit të dosjeve kritike.
Pavarësisht ndikimit të gjerë që ka Ministri i Jashtëm Marco Rubio delegacionet e huaja që shkojnë në Uashington, tashmë më shumë sesa nga institucioni i ministrisë flasin drejtpërdrejt për personin e Rubios.
Në qarqet ushtarake në anën tjetër situata shprehet në një gjuhë shumë më të thjeshtë dhe të hapur: Askush nuk ka asnjë shans të dalë jashtë vijës së vizatuar nga Trump-i dhe ekipi i tij.
Ashtu siç thuhet se mijëra oficerë dhe burokratë të sigurisë të larguar nga detyrat e tyre me udhëzimin e Trump-it, u përfshinë në listat e daljes në pension të detyrueshëm ose vullnetar.
Madje edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i cili historikisht ka marrë përsipër një rol bosht në pjekjen e vendimeve strategjike u transformua duke u kthyer në një shtrirje të drejtpërdrejtë të ekipit të ngushtë të punës së Presidentit.
Pavarësisht kësaj divergjencat e thella të mendimeve në qasjen e komponentëve të administratës amerikane ndaj dosjeve të ndjeshme në rajon, shpeshherë çojnë në lindjen e qasjeve të ndryshme nga vija politike kryesore.
Që nga fillimi i operacionit ushtarak ndaj Iranit dhe pas hyrjes së drejtpërdrejtë të Libanit në konflikt të nxehtë me Izraelin, qarqet që panë se zgjidhjet ushtarake mbetën të pamjaftueshme, u orientuan drejt zhvillimit të modeleve alternative për dosjet e bllokuara duke përfshirë edhe Libanin.
Divergjenca e mendimeve e shfaqur midis Uashingtonit dhe qeverisë së Benjamin Netanyahut në shumë tituj në rajon gjithashtu mundësoi ngritjen e zërave brenda administratës amerikane që mbrojnë qasjen ndaj çështjes së Hizbullahut me një metodologji ndryshe.
Si rezultat i negociatave që zgjatën me muaj Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, përgatiti një dokument të veçantë pune i cili kaloi nën shqyrtimin e shumë zyrtarëve amerikanë që kanë shërbyer në të kaluarën në terrenin e Libanit.
Dokumenti, bazohet në të dhëna që zyrtarët amerikanë nuk i kanë bërë publike; rezultati përfundimtar i arritur prej tij mbart cilësinë e një plani veprimi shumëvjeçar. Ndërsa nenet dhe objektivat e tij nyjëtohen rreth një pyetjeje të vetme themelore: Si të shpëtojmë nga Hizbullahu?
Al-Akhbar ka siguruar një kopje të këtij dokumenti "sekret", i cili është rreptësisht i ndaluar të ndahet midis diplomatëve dhe politikanëve..
Po e publikojmë këtë propozim, të hartuar për t'i paraqitur Trumpit për miratim, në tre pjesë pa asnjë ndryshim. Përkthimi jozyrtar i pjesës së parë është si më poshtë:
40 MILIARDË DOLLARË PËR NDËRTIMIN E NJË SHTETI QË OFRON SIGURI DHE SHËRBIME ME QËLLIM LARGIMIN E SHIITËVE NGA HIZBULLAHU
Diagnoza dhe Arsyetimet
Libani është në një udhëkryq strategjik në kontekstin e përpjekjeve të lëna pas dore prej kohësh për të shkulur dhëmbët ushtarakë të Hezbollahut.
Vendi përballet me katër rrugë të mundshme në varësi të linjës strategjike që do të ndjekë dhe nivelit të mbështetjes ndërkombëtare që do të marrë. Tri nga këto rrugë ose mbeten jashtë vullnetit të Libanit, ose duken të dënuara me dështim, ose mbartin potencialin për të sjellë pasoja shkatërruese. Rruga e katërt, të cilën ne e quajmë "Kontrata e Rindërtimit të Shtetit", është e vetmja mundësi e vlefshme që mund të ndryshojë rrënjësisht rregullat e lojës.
Nuk është reale të pritet që Hezbollahu të dorëzojë armët duke iu dorëzuar një shteti të falimentuar; por as Libani nuk e ka luksin të presë ngritjen e një modeli të përsosur shtetëror për të filluar procesin e dorëzimit të armëve.
E domosdoshme është që këto dy procese të vihen në punë njëkohësisht: Ndërtimi i një strukture shtetërore të besueshme krijon klimën që do ta bëjë dorëzimin e armëve politikisht të zbatueshëm; ndërsa kufizimi gradual i lëvizjes së armatosur do të ngushtojë hapësirën e rezistencës.
Shteti nuk ka nevojë të jetë i përfunduar në çdo aspekt përpara se të fillojë çarmatimi; megjithatë, është e domosdoshme që ai të ketë kapur pragun minimal të besueshmërisë, me qëllim që hapi i dorëzimit të armëve të mos perceptohet si një kërcim në një zbrazëti të pafundme.
Irani dhe Hezbollahu kanë ndërtuar për më shumë se katër dekada një sistem të integruar që gërsheton patronazhin, mirëqenien sociale, ndërtimin e identitetit, nderin, dëshminë, frikën, shërbimet publike bazë dhe punësimin; njëkohësisht, rrënjosën në mendje rrëfimin se shteti libanez është i korruptuar, jofunksional dhe i paaftë për të mbrojtur komunitetin shiit. Nuk është e mundur që kjo strukturë të shpërbëhet me fjalime të thata politike, konferenca donatorësh, sanksione apo thirrje abstrakte për sovranitet.
Ajo që nevojitet këtu është një lëvizje që do të krijojë një tronditje psikologjike dhe politike me një thellësi që do të lindë një realitet të ri: Një arkitekturë e besueshme sigurie që do të ngrihet me Izraelin, rindërtimi në shkallë të gjerë i rajoneve të kthyer në gërmadha e veçanërisht i jugut, vendosja e autoritetit shtetëror, një kalendar i besueshëm reformash që mbron të drejtat e depozituesve dhe rimëkëmb strukturën financiare kombëtare, si dhe një administratë publike digjitale e detyrueshme që do të nxjerrë jashtë loje rrjetet e korrupsionit.
Kjo ofertë duhet të jetë aq konkrete, gjithëpërfshirëse dhe e dukshme në sytë e shoqërisë, saqë mekanizmi i Hezbollahut të detyrohet të përballet me këtë pyetje të vështirë: A po e mbron vërtet "rezistenca e përhershme" komunitetin shiit, apo është kthyer në një pengesë përpara rindërtimit, sigurisë, dinjitetit dhe rikthimit të shtetit?
Më 16 prill 2026, Presidenti Donald Trump njoftoi se ishte shpallur një armëpushim midis Izraelit dhe Libanit; ai deklaroi se do të ftonte Presidentin e Libanit, Jozef Aun, dhe Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë "për të zhvilluar negociatat e para domethënëse midis Izraelit dhe Libanit që nga viti 1983".
Më 23 prill, armëpushimi u zgjat dhe Trump deklaroi se dy liderët do të vizitonin Uashingtonin "në një datë të afërt". Më 30 prill, Ambasada e SHBA-së në Bejrut bëri thirrje për mbledhjen e këtij samiti, duke e kushtëzuar mbështetjen amerikane për Libanin me realizimin e këtij takimi.
Më 14 dhe 15 maj, në Uashington filluan negociatat Liban-Izrael nën ndërmjetësimin e SHBA-së. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i cilësoi bisedimet si "pozitive dhe konstruktive" dhe njoftoi se armëpushimi u zgjat edhe për 45 ditë të tjera.
Në praktikë, çështja nuk është më një mundësi teorike, por është shndërruar në një kanal diplomacie funksional. Prandaj, projekti për rindërtimin e shtetit që kemi përgatitur duhet të përbëjë shtyllën kurrizore të vërtetë që qëndron pas këtij kanali diplomatik.
Një samit i zhveshur nga kjo përmbajtje, në fund të ditës do të mbetet vetëm një mundësi për të dhënë një fotografi. Megjithatë, nëse teksti që ne ofrojmë do të përbëjë bazën e negociatave midis palëve, e ardhmja e Libanit do të jetë dëshmitare e një ndryshimi rrënjësor të kursit.
Propozimi ynë nuk bazohet në një ndërhyrje të papritur dhe të përkohshme apo në një takimi të vetëm donatorësh; ai shpreh një zotim kombëtar të shtrirë në kohë, me një plan veprimi intensiv dy deri në pesëvjeçar që ka një skemë të qartë zbatimi.
I dizajnuar për të krijuar një efekt tronditës, ky propozim bazohet në një rrëfim të plotë: Një operacion i qëndrueshëm, i dukshëm, i kontrollueshëm dhe gjithëpërfshirës në atë masë sa për të zhvleftësuar mitin e "shtetit të dështuar", të cilin projekti i armatosur e ka përpunuar për dyzet vjet. E kjo do të sigurohet duke ndërtuar një realitet të ri shoqëror, të cilin Hezbollahu e pretendon si të "pamundur".
Irani e thuri këtë zinxhir varësie në dyzet vjet. Propozimi që keni në dorë nuk mund ta likuidojë këtë mekanizëm brenda një nate; por duke ngritur një realitet alternativ që do të matet me të, ai e dobëson dominimin e Hezbollahut shtresë pas shtrese, lagje pas lagjeje, shërbim pas shërbimi. Në fund, pretendimi se projekti i armatosur është "mbrojtës i veqantë" bëhet i pambrojtshëm.
Çfarë Modeli Ngriti Irani?
Madhësia e propozimit duhet të matet me përmasat e sistemit aktual që ai synon të zëvendësojë. Prandaj, është e nevojshme të kuptohet vëllimi i shpenzimeve që Teherani i ka bërë Hezbollahut që nga viti 1982, i cili ka hyrë në histori si investimi më i madh dhe më jetëgjatë që një shtet i ka ofruar forcës së tij të autorizuar (përfaqësuese) në historinë moderne. (Tabela 1 mund të merret si referencë në këtë kontekst.)
Këto kosto nuk përfshijnë dërgesat e armëve (një arsenal masiv raketash dhe predhash që sipas burimeve të hapura shprehej me dhjetëra dhe qindra mijëra përpara luftës së vitit 2024, por që sot ka rënë ndjeshëm), objektet e infrastrukturës, kampet e stërvitjes, mbështetjen e inteligjencës ose të ardhurat indirekte të siguruara nga vetë burimet e Hezbollahut (shuma që arrijnë rreth 300 milionë dollarë në vit të nxjerra nga kontrabanda e drogës, kaptagonit, falsifikimi dhe pastrimi i parave).
Siç ka deklaruar publikisht Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA-së, Tom Barrack, Hezbollahu punëson në strukturat e tij 40 mijë personel me kohë të plotë dhe u paguan anëtarëve të tij paga që arrijnë deri në 2 mijë e 200 dollarë në muaj; kjo sasi është e barabartë me rreth tetëfishin e pagës mujore të një ushtari të ushtrisë libaneze (275 dollarë).
Institucioni Qard al-Hasan, i cili është në pozicionin e bankës de fakto të organizatës, u shërben rreth 300 mijë klientëve.
Në këtë drejtim, programi për rindërtimin e shtetit duhet të jetë aq konkret dhe me bazë të gjerë sa të gjejë një përgjigje të drejtpërdrejtë në bazën shiite; në mënyrë të tillë që, kur Hezbollahu të refuzojë të përfshihet në proces, kostoja politike që do të përballojë të bëhet e papërballueshme. Buxheti i parashikuar për programin është rreth 40 miliardë dollarë; kjo shifër është në një nivel që do të lërë pas burimet që Irani i ka transferuar Hezbollahut në dyzet vjet.
Qëllimi nuk është thjesht vendosja e një tjetërsie monetare; por ngritja e një programi transparent, të kontrollueshëm dhe me prani të ndjeshme në terren, i cili arrin drejtpërdrejt te shtresat shoqërore që janë bërë të varura nga sistemi i Hezbollahut.
Pse Duhet të Interesohet SHBA-ja për Këtë Projekt?
Është e natyrshme që një vendimmarrës i nivelit të lartë amerikan, i cili ka kohë dhe angazhim jashtëzakonisht të kufizuar, të bëjë këtë pyetje: "Pse duhet që SHBA-ja të alokojë kapital politik dhe burime financiare për këtë projekt?"
Përgjigjja përmblidhet në pesë pika kryesore:
Kosto më e ulët në krahasim me opsionet alternative: Një luftë me fund të hapur midis SHBA-së dhe Iranit mund të kushtojë qindra miliarda, madje edhe trilionë dollarë, pa premtuar asnjë rezultat konkret. Në të kundërt, "Programi i Libanit" kërkon një buxhet prej 40 miliardë dollarësh të shtrirë në një kalendar pesëvjeçar dhe të ndarë midis një numri të madh vendesh donatore. Me një pjesë minimale të buxhetit vjetor të mbrojtjes amerikane, krijohet mundësia për të arritur një rezultat të qartë në terren.
Një sukses konkret që mund t'i shkruhet meritave të Presidentit: Me gjithë dobësitë e tij, Libani nuk është një strukturë teokratike e udhëhequr nga mulla ideologjikë që janë betuar të fshijnë SHBA-në dhe Izraelin nga harta. Një kornizë paqeje, një nismë për rindërtim dhe neutralizimi i investimit më të suksesshëm përfaqësues të Iranit; të gjitha këto mund të projektohen dhe të regjistrohen si një sukses konkret brenda një mandati të vetëm presidencial. Kjo nismë nuk është një lëvizje për të shkatërruar një shtet, por një lëvizje për ta ringritur shtetin në këmbë.
Një lëvizje strategjike e drejtuar jo vetëm ndaj Libanit, por drejtpërdrejt ndaj Iranit: Programi synon arkitekturën rajonale të Iranit në pikën e tij të nyjës më të fortë dhe më të kushtueshme; mirëpo këtë e bën jo me bomba, por duke ngritur një mekanizëm shtetëror funksional. Nëse me triumfin e shtetit libanez plasariten rrethinat e forcës përfaqësuese më të përparuar të Iranit, ky sukses do të shndërrohet në një model të zbatueshëm për të gjithë rajonin. Reformistët në Irak do të gjejnë një burim frymëzimi, populli iranian do të dëshmojë se investimi prej miliarda dollarësh ka shkuar dëm dhe rrëfimi i "Aksit të Rezistencës", në mënyrë të ngjashme me dinamikën që dikur shpërbëri Bashkimin Sovjetik, do të zhbëhet nga rrethinat e jashtme drejt qendrës.
Ekuilibri asimetrik i rrezikut: Nëse Kontrata arrin sukses, do të jetë korrur fitorja më e madhe diplomatike në Lindjen e Mesme që nga Camp David. Edhe nëse rezulton pjesërisht e suksesshme, çdo dollar i shpenzuar për rindërtim do të mbetet si një fitore e përhershme. Nëse dështon me gjithë përpjekjet serioze, Libani të paktën do të ketë provuar të vetmen rrugë që mund të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Rreziku që do të buronte nga mosveprimi është shumë herë më i madh se rreziqet e një nisme të planifikuar dhe të ndërtuar mirë. Papërgjegjshmëria e vërtetë është të mos bësh asgjë.
Dritarja aktuale e mundësive: Tërheqja e vëmendjes së drejtpërdrejtë të një presidenti amerikan është një situatë e rrallë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Trump e ka përfshirë Libanin në agjendën e tij të punës dhe po i kushton kohë personalisht kësaj çështjeje. Nëse Libani heziton ose nëse Uashingtoni drejtohet nga një dosje tjetër, kjo dritare mundësish mund të mbyllet për të mos u hapur më për një brez të tërë. Prandaj, fatura e mosveprimit në situatën aktuale nuk është mbetja në vend, por mbetja plotësisht jashtë ekuacionit.
Cilat Janë Opsionet Përpara Hezbollahut?
Skenari i Parë: Rrënimi i regjimit të Iranit dhe i Hezbollahut. Teorikisht është skenari më i qartë, por në realitetin e Libanit është ai me zbatueshmërinë më të dobët. Rrëzimi i udhëheqjes në Teheran ose rënia dramatike e aftësive të saj do ta privonte Hezbollahun nga thellësia e tij strategjike, financimi, furnizimi me armë, referenca ideologjike dhe misioni rajonal. Megjithatë, realiteti në terren është shumë më i ndërlikuar; Hezbollahu është vendosur në damarët kapilarë të vendit përmes politikës, sigurisë, ndihmës sociale, legjitimitetit fetar, qeverisjes lokale, varësisë shoqërore dhe parandalimit të armatosur. (Vlerësimi ynë: Të varësh shpresat te rrënimi i regjimit iranian nuk mund të quhet strategji; as Libani nuk ka kohë për të pritur.)
Skenari i Dytë: Negociata me fund të hapur, çarmatim dhe integrim. Kjo është rruga tradicionale e diplomacisë, e cila bazohet në negociata graduale, çarmatim të shkallëzuar, integrim të militantëve në shtet dhe garanci institucionale. Megjithatë, nëse Irani nuk bëhet plotësisht partner në proces ose nëse udhëheqja e Hezbollahut nuk bindet se linja e saj aktuale është e paqëndrueshme, mundësia e dështimit të këtij opsioni është jashtëzakonisht e lartë. Sepse Hezbollahu nuk e sheh armën thjesht si një monedhë këmbimi për pazare; ai e vlerëson atë si pjesë të identitetit të tij, mjet parandalues, garanci për ndikimin rajonal të Iranit dhe si mburojë të komunitetit shiit.
(Vlerësimi ynë: Ky opsion është i vlefshëm për t'u marrë parasysh, por është i brishtë. Kërkesa që Hezbollahu të braktisë forcën e tij të armatosur pa u shndërruar shteti libanez në një strukturë që ngjall besim, është e aftë dhe ka një rrjet mbrojtjeje efektiv, nuk do të prodhojë asnjë rezultat.)
Skenari i Tretë: Opsioni ushtarak. Përshkallëzimi i operacioneve ushtarake të Izraelit; shkatërrimi në shkallë të gjerë i Libanit Jugor dhe i periferive jugore të Bejrutit (Dahiyeh). Kjo lëvizje e dobëson Hezbollahun, por nuk mund ta zhdukë plotësisht; ndërsa Libani mbetet vetëm me një shkatërrim dhe rrënim të përgjithshëm. Në fund të procesit, Hezbollahu mund të evoluojë në një strukturë të ngjashme me Hamasin: Një organizatë e plagosur, e dëmtuar në qendërsinë e saj, e kthyer në legjendë dhe e pamundur për t'u eliminuar plotësisht nga pikëpamja politike.
(Vlerësimi ynë: Ky është skenari më i keq; ai nuk garanton një fund përfundimtar të pranisë strategjike të Hezbollahut dhe, për më tepër, e kthen Libanin në një gërmadhë totale.)
Skenari i Katërt: Programi për rindërtimin e shtetit. Ky është i vetmi opsion që mund ta shkëpusë Hezbollahun nga ekosistemi i gjerë shoqëror prej të cilit ai ushqehet. Shteti libanez dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, në vend që të sulmojnë drejtpërdrejt Hezbollahun si organizatë, duhet t'i ofrojnë shoqërisë ato mundësi që ai nuk do të mund t'i sigurojë kurrë: Siguri, rindërtim, dëmshpërblime, dinjitet shtetëror, rimëkëmbje ekonomike, garanci ndërkombëtare dhe një të ardhme të vërtetë për jugun nën ombrellën e shtetit.
(Vlerësimi ynë: Kjo është e vetmja rrugë që i mundëson Presidentit Trump të shpallë një sukses konkret: Një arkitekturë paqeje, një nismë rindërtimi, një forcë përfaqësuese iraniane të dobësuar dhe një shtet në transformim. Të gjitha këto objektiva mund të jetësohen brenda një mandati të vetëm presidencial dhe me një pjesë shumë të vogël të kostos që do të sillte një luftë e përhershme.)
Nesër: Filozofia e planit të rindërtimit dhe modelet e financimit.
Sistemi i Hezbollahut: Shtresat, Linjat e Çarjes dhe Objektivi i Programit
Gabimi më i madh strategjik i Perëndimit dhe i mendjes politike në Liban lidhur me luftën kundër Hezbollahut është se e shohin organizatën si një aktor monolit dhe supozojnë se rezultati përfundimtar varet nga "po"-ja ose "jo"-ja e tij. Sepse kjo qasje i njeh udhëheqjes së Hezbollahut një të drejtë vetoje që nuk e meriton. Objektivi i "Programit për Rindërtimin e Shtetit" nuk është drejtpërdrejt Hezbollahu; por thyerja e varësisë së bazës ndaj organizatës duke prodhuar një alternativë të besueshme përmes shtetit. Kjo lëvizje duhet të ekzekutohet me një strategji të thurur shtresë pas shtrese:
Shtresa e Parë: Masat e dëmtuara dhe të zhvendosura. Lidhja e familjeve, fshatrat e të cilave u shkatërruan në Libanin Jugor, me Hezbollahun është kryesisht funksionale. Në momentin që shteti siguron rindërtimin, sigurinë, kthimin dhe dëmshpërblimet, varësia e kësaj shtrese nga organizata zhduket. Ky është objektivi parësor i programit.
Shtresa e Dytë: Shtresa e mesme pragmatike shiite. Në këtë grup bëjnë pjesë profesionistët, drejtuesit e kompanive dhe edukatorët që nuk kanë një lidhje ideologjike me Hezbollahun dhe që po luftojnë me kushte të rënda ekonomike. Shumica e tyre humbën depozitat, punën dhe të ardhmen e tyre. Një udhërrëfyes i besueshëm që do të zgjidhë problemet e depozituesve, gjallërimi i ekonomisë dhe një administratë publike digjitale do ta afrojnë këtë shtresë përsëri me shtetin.
Shtresa e Tretë: Aktorët lokalë dhe komunat.
Këta janë zbatues pragmatikë që pajtohen me cilindo që ofron shërbimin. Kur shteti të tregojë praninë e tij në terren me infrastrukturën e e-qeverisjes dhe aktivitetet transparente të rindërtimit, edhe elementët lokalë do t'i kthejnë sytë nga shteti.
Shtresa e Katërt: Shërbimet sociale dhe rrjeti i shoqërisë civile. Shteti nuk duhet të përpiqet të shkatërrojë shkollat publike, klinikat dhe organizatat e ndihmës; përkundrazi, duhet t'i përfshijë ato në strukturën e vet, t'i rregullojë dhe, me cilësinë e shërbimit që ofron, të kalojë me milje para strukturave organizative.
Shtresa e Pestë: Blloku politik. Aktorët politikë rreshtohen krahas strukturave që u sigurojnë atyre patronazh, ndikim dhe sukses elektoral. Propozimi që ne ofrojmë nuk bazohet në metodën e bindjes, por në krijimin e një zhvendosjeje strukturore të aksit përmes mekanizmave stimulues.
Shtresa e Gjashtë: Bërthama ideologjike dhe ushtarake (skifterët). Shtylla kurrizore ushtarake dhe e sigurisë, identiteti i së cilës është shkrirë plotësisht me rezistencën e armatosur dhe që ka kontakte të drejtpërdrejta me jashtë, nuk është një masë që mund të bindet; kjo shtresë mund vetëm të izolohet. Qëllimi nuk është të bindet udhëheqja e Hezbollahut, por të bëhet gradualisht i pavarur nga qendra ekosistemi shoqëror rreth organizatës.
Ky sistem e merr fuqinë e tij nga narrativi i bazuar te pafuqia e shtetit dhe nevoja për mbrojtje sektare. Kundër çdo teze të organizatës, shteti duhet të ketë në dorë një kundërlëvizje të balancuar: Ndaj neglizhencës së shtetit në të kaluarën, duhet të shfaqet një kthim konkret në jug, i cili mund të monitorohet në mjedisin digjital.
Si një alternativë ndaj mburojës mbrojtëse që ofron Hezbollahu, ushtria libaneze duhet të zbarkojë në terren me kapacitete të vërteta ushtarake, me një plan të qartë sigurie dhe me garanci amerikane. Kërcënimi i Izraelit duhet të eliminohet përmes një arkitekture të zbatueshme të sigurisë kufitare, e cila përfshin garancitë e tërheqjes.
Pretendimet për "konspiracionin perëndimor" duhet të hidhen poshtë përmes një fondi rindërtimi transparent dhe me shumë partnerë, nën udhëheqjen e shtetit libanez, i cili vendos në plan të parë interesat e shoqërisë. Akuzat për korrupsion, nga ana tjetër, duhet të përballen me modelin e detyrueshëm të e-qeverisjes , i cili mundëson ndjekjen e çdo qindarke dhe nxjerr jashtë loje ndërmjetësit.
Hezbollahu u rrënjos masave një diskurs nderi përmes rezistencës. Nuk duhet harruar se populli i jugut është elementi themelues i shtetit libanez që do të ringrihet përsëri në këmbë.
Prandaj, qëllimi nuk është të hyhet në një duel fjalësh me ekosistemin e organizatës; por të nxirren jashtë kohe diskurset e saj duke konkretizuar realitetin e ri që Hezbollahu e quan të "pamundur".
Duhet të kuptohet se shoqëria shiite e ka paguar faturën e rënies së shtetit më gjatë se kushdo tjetër. Programi i jep kësaj shoqërie këtë mesazh të qartë: Shteti po kthehet; po kthehet kryesisht për t'ju mbrojtur juve, për të ringritur qytetet tuaja, për të mbuluar dëmet tuaja dhe për t'ju përqafuar juve.
Populli i jugut nuk është një masë e mposhtur, por është themeluesi kryesor i shtetit libanez që po rilind nga hiri i vet. Programi nuk synon të shkatërrojë identitetet; por synon të lërë pa bazë pretendimin se projekti i armatosur është një "aktor legjitim i rezistencës" në politikën dhe shoqërinë libaneze.