Liban

Sejid Nasrallahu dhe ndërtimi i kombit në Liban

Nëse populli i Libanit, në vitet 1970, do të ndiqte gjurmët e Imam Sadrit dhe jo të liderëve të tij sektarë, nuk do ta përjetonte luftën civile dhe pushtimin. Sot, ai ka dy opsione përpara: ose do të ndjekë gjurmët e Dëshmorit Nasrallahu, do të ngrejë "trekëndëshin e artë" "ushtri-komb-rezistencë" dhe do të sillet si një komb; do ta dëbojë pushtuesin, do të jetojë i lirë dhe me dinjitet. Ose, ashtu siç po bën tani, do të mbajë pushtetin e disa personave mbi interesat kombëtare të Libanit, do të bashkëpunojë me armikun dhe do të luftojë kundër atyre që mbrojnë atdheun e tyre. Vendi ku do ta çojë Libanin ky opsion është shndërrimi në një vendbanim izraelit deri në Lumin Litani.

Artikulli vijues është shkruar për një libër që flet për Sejid Hasan Nasrallahun, i përgatitur nga institucioni i quajtur El-Merkezu'l-İstişârî li'd-Dirâsât ve't-Tevsîk në Liban.

Harta politike e sotme e rajonit u vizatua një shekull më parë nga vendet imperialiste të asaj periudhe. Libani, i cili është një nga dy shtetet që u shfaqën pas marrëveshjes Sykes-Picot, u projektua në mënyrë që të prodhojë krizë dhe konflikt brenda kufijve të vet; ndërsa Izraeli jashtë tyre.

Franca, duke u bazuar në sanxhakun autonom të Malit të Libanit të Osmanllinjve, por duke shtuar rajone të tjera nga Siria, krijoi ‘Libanin e Madh’. Kështu u shfaq Libani i sotëm, popullsia e të cilit përbëhet nga 18 sekte që e shohin njëri-tjetrin me dyshim, duke lehtësuar ndërhyrjen e Francës edhe pas tërheqjes së saj. Për më shumë detaje, vizitoni faqen përkatëse.

zraeli, nga ana tjetër, ishte një version i përditësuar i kolonializmit klasik Perëndimor. Si një fuqi e huaj e vendosur në rajon për shkak të natyrës së vet, ai dëshironte të zgjeronte koloninë e tij. Veçoria e Izraelit për të krijuar konflikte me fqinjët e tij, e cila buron nga natyra e tij ekspansioniste, ia lehtësoi Amerikës ndërhyrjen në të gjithë rajonin.

Kjo rrethanë historike na tregon këtë: Që fuqitë imperialiste të ndërhyjnë dhe të dominojnë në rajon, nevojitet që vendet e rajonit – si në shembullin e Libanit – të përjetojnë konflikte të brendshme, të dobësohen dhe të bëhen të hapura ndaj ndërhyrjes së jashtme; ndërsa Izraeli duhet të zgjerohet si gjeografikisht ashtu edhe politikisht.

Kur e shikojmë nga këndvështrimi i interesave të rajonit, kjo gjendje duhet të përmbyset; domethënë, duhet të fitohet një ndërgjegje kombëtare që do të parandalojë konfliktet e brendshme dhe t'i bëhet ballë agresionit së bashku.

Problemi i ndërgjegjes kombëtare në rajon nuk është i kufizuar vetëm me Libanin. Madje, për shkak të projektimit të vendit të përbërë nga 18 sekte (taife), moszhvillimi i ndërgjegjes kombëtare në Liban mund të konsiderohet i justifikueshëm.

Problemi i ndërgjegjes kombëtare në rajon

Për të parë madhësinë e problemit të ndërgjegjes kombëtare në vendet e rajonit, mjafton ta krahasojmë atë me projektin sionist.

Organizata Botërore Sioniste u themelua në vitin 1897; ndërsa Izraeli në vitin 1948. Historia e shkurtër e sionistëve na tregon këtë realitet: Komunitetet që ishin të huaja për rajonin, brenda 51 viteve e krijuan shtetin e Izraelit nga asgjëja dhe dominuan Palestinën.

Marrëveshja e Camp David-it u nënshkrua në vitin 1978; ndërsa marrëveshja e Oslos në vitin 1993. Këto dy data na tregojnë këtë realitet: Vendasit e rajonit nuk mundën të rezistonin as 51 vjet. Egjipti, shteti më i madh arab, u dorëzua brenda 30 viteve, ndërsa PLO - përfaqësuesja ligjore e popullit palestinez, u dorëzua brenda 44 viteve. Ata e përqafuan pushtimin izraelit në atdheun arab qindra-vjeçar.

Ndërsa realitetet konkrete shkencore lidhur me historinë, gjeografinë, kulturën dhe qytetërimin e rajonit tregojnë se avantazhin e kishin arabët, dhe jo sionistët.

Sepse;

  • Marrëdhënia e arabëve me gjeografinë dhe historinë e rajonit është e vërtetë dhe konkrete; ndërsa ajo e sionistëve është mitologjike dhe fiktive.
  • Arabët janë vendasit e këtij rajoni, sionistët janë të huajt e rajonit.
  • Prania dhe sovraniteti qindra-vjeçar i arabëve në atdhe mund të provohet me të dhëna historike shkencore.
  • Pretendimi i sionistëve për të drejta mbi atdheun nuk ka asnjë bazë tjetër përveç mitologjive çifute.

 

Sionistët pretendojnë se çifutët janë ‘kombi’ më i vjetër në botë. Megjithatë, siç vënë në dukje edhe studiuesit izraelitë, sprova e parë e historisë moderne e shkruar nga një historian çifut i përket Jacques Basnage-it, i cili jetoi në shekullin e 19-të.[1] Kjo histori e parë çifute, e cila mund të konsiderohet se plotëson kriteret shkencore, përmban të dhëna që bien plotësisht në kundërshtim me tezat e sionistëve.

Atëherë, si ndodhi që sionistët, të cilët nuk kanë asnjë lidhje historike, gjeografike dhe kulturore me rajonin, arritën të themelojnë një shtet artificial në 51 vjet? Pse arabët nuk mundën të rezistonin as 51 vjet, ndërkohë që ishin kaq të avantazhuar sa i përket gjeografisë, historisë, kulturës, qytetërimit, burimeve njerëzore dhe pasurive natyrore?

Në fakt, ekziston një arsye e përbashkët që u dha sionistëve fuqinë për të 'krijuar nga asgjëja' dhe që i bëri arabët të paaftë për të përdorur avantazhet që zotëronin: ndërgjegjja kombëtare. Kombi përkufizohet si "bashkësi njerëzish që janë në unitet në gjuhë, kulturë dhe ideal; dhe që ndajnë ndjenja të përbashkëta në gëzime e në hidhërime".

Dihet që në botë nuk ka asnjë popull të pastër dhe homogjen. Megjithatë, prania e komuniteteve të ndryshme etnike, fiseve dhe sekteve nuk e pengon atë të jetë një komb. Duke qenë se sionistët e kishin këtë ndërgjegje, ata krijuan një atdhe dhe një komb nga asgjëja në 51 vjet.

Liderët sionistë u dhanë një ideal kombëtar çifutëve që jetonin në rajone të ndryshme të botës, flisnin gjuhë të ndryshme e u përkisnin kulturave të ndryshme, dhe shpikën një ‘komb’. Ata ringjallën një gjuhë të vdekur që kishte mbetur vetëm në tekstet e shenjta. Ndërkohë, arabët janë tashmë një shoqëri që flet të njëjtën gjuhë në të njëjtën gjeografi dhe i përket një kulture, historie e qytetërimi të përbashkët. Ka komunitete arabe që u përkasin fiseve dhe sekteve të ndryshme; por e njëjta gjë vlen edhe për çifutët, madje edhe për sionistët.

Ben-Gurion ishte një socialist i lindur në Poloni, Chaim Weizmann ishte një liberal i lindur në Bjellorusi dhe i rritur në Angli, ndërsa Ze'ev Jabotinsky ishte një fashist i lindur në Ukrainë. Të tre këta, ashtu si lideri themelues i organizatës sioniste, Theodor Herzl, ishin ateistë. Domethënë, në të vërtetë nuk besonin në asnjë fe, përfshirë edhe judaizmin. Megjithatë, ata pretenduan se Zoti, tek i cili nuk besonin, u kishte premtuar atyre një atdhe. Nga judaizmi shpikën një ideologji të shtetit-komb të quajtur Sionizëm. Themelimi i Izraelit u bë ideali kombëtar i kësaj ideologjie, ndërsa interesat e Izraelit u mbajtën mbi të gjitha interesat e tjera.

Lideri i parë që u përpoq të krijonte shtete-komb arabe të zhvilluara duke i dhënë ndërgjegje kombëtare popullit arab, i cili për shekuj me radhë kishte qenë nënshtetas i perandorive të ndryshme, ishte Gamal Abdel Nasseri. Megjithatë, kjo dritë që ai ndizte mundi të ishte efektive vetëm gjatë jetës së tij politike (1952-1945). Pas vdekjes së tij, shtetet-komb arabe 'revolucionare' që u frymëzuan prej tij u shndërruan në mbretëri që emrin e kishin republikë.

Ndryshe nga sionistët, burimi i motivimit në shoqëritë arabe nuk është ende ndërgjegjja kombëtare; por tribalizmi (fisezia) dhe sektarizmi (taifecizmi). Nëse ndërgjegjja kombëtare do të ishte burim motivimi, dhjetëra mijëra militantë që sakrifikuan veten në Siri dhe Irak do të ishin mobilizuar për Palestinën. Për shkak se fanatizmi sektar është bërë më i fuqishëm se ndërgjegjja kombëtare, bombat e arabëve po shpërthejnë nëpër rrugët e arabëve. Të tregosh si kërcënim zejdijtë në Jemen, alevitë në Siri ose shiitët në Irak, dhe jo sionistët që kanë pushtuar atdheun arab, bëhet e mundur pikërisht falë këtij fanatizmi sektar.

Kontradikta midis mbijetesës së pushtetit dhe interesit kombëtar
Për të kuptuar se interesi kombëtar është në dobi të çdokujt që jeton në vend, është e nevojshme të zotërohet një nivel minimal i ndërgjegjes kombëtare. Shoqëritë që nuk kanë ideale kombëtare nuk kanë udhëheqës kombëtarë; ato kanë feudalë, shehë ose sulltanë. Prandaj, në shoqëritë ku mungon ndërgjegjja kombëtare, natyrisht që prioriteti nuk janë interesat kombëtare, por mbijetesa e pushtetit të feudalëve, sulltanëve dhe krerëve të shtetit.

Kur ndërgjegjja kombëtare nuk zhvillohet te popujt, fakti nëse emri i shtetit është emirat, mbretëri apo republikë nuk e ndryshon marrëdhënien midis qeverisësit dhe të qeverisurit. Udhëheqësit e shteteve që formalisht janë republika mund të sillen si mbretër; ndërsa udhëheqësit e partive apo organizatave që formalisht janë moderne mund të sillen si feudalë. Në këtë lloj udhëheqësie, meqenëse prioriteti natyrisht nuk janë idealet kombëtare por mbijetesa e pushtetit, pushtetet nuk sakrifikohen për interesat kombëtare, por interesat kombëtare mund të sakrifikohen për pushtetet.

Camp David-i i ofroi Anwar Sadat-it dhe pasardhësve të tij një garanci pushteti të përjetshëm. Osloja i dhuroi udhëheqjes së PLO-së pushtetin e një ‘administrate autonome’. Ata që u dhanë këto pushtete, morën në këmbim siguri për Izraelin dhe një atdhe arab. Kjo rezultoi në dëm jo vetëm të një vendi arab, por të mbarë kombit arab dhe rajonit.

Izraeli, i cili në vitet 1970 kërkonte të njihej prania e tij në rajon, tani po përpiqet të imponojë dominimin e tij mbi rajon. Ky hov i Izraelit nuk buron nga fuqia e tij; por nga udhëheqësit e rajonit të cilët janë të gatshëm të shesin interesat kombëtare në këmbim të mbijetesës së pushtetit të tyre.

Rezistenca në Liban dhe përpjekja për ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare
Libani, ndryshe nga vendet e tjera arabe të themeluara pas Sykes-Picot, nuk u qeveris asnjëherë me mbretëri. Megjithatë, republika nuk arriti ta modernizonte shoqërinë dhe strukturën politike në Liban dhe as ta çlironte atë nga feudalizmi. Përkundrazi, sistemi politik i ngritur nga imperialistët e konsolidoi edhe më shumë sektarizmin tradicional dhe i përditësoi sërish marrëdhëniet feudale.

Formimi i institucioneve politike jo sipas parimeve demokratike dhe meritokracisë, por sipas sektarizmit, u bë pengesa më e madhe që libanezët të shndërroheshin në një komb.

Imam Musa Sadri ishte udhëheqësi i parë që e kushtoi jetën e tij për t'u rrënjosur libanezëve ndërgjegjen kombëtare. Ai e përkufizoi shumësinë e sekteve jo si një problem të Libanit, por si një pasuri të tij, dhe u përpoq të shuante zjarret e luftës civile duke kultivuar një ndërgjegje kombëtare rreth boshtit të ‘paqes së brendshme’.[2]

Rrugën e Imam Sadrit e vijoi Sejid Hasan Nasrallahu. Ai, nga ana tjetër, u përpoq të krijonte një ndërgjegje kombëtare rreth boshtit të ‘sigurisë kombëtare’. Ekuacioni ishte i thjeshtë: sa herë që prishej paqja e brendshme, Libani pësonte pushtim. Për ta mbrojtur atdheun nga pushtimi, nevojitej një front i brendshëm solidar dhe një forcë ushtarake parandaluese. E që të ndodhnin këto, para së gjithash, duhej ndërtimi i kombit.

Pushtimi izraelit që filloi në vitin 1982, përfundoi në vitin 2000 jo përmes negociatave politike apo përpjekjeve diplomatike të shteteve arabe, por falë ‘rezistencës’ së udhëhequr nga Sejid Nasrallahu. Izraeli u tërhoq për herë të parë nga një vend që kishte pushtuar pa marrë asgjë në këmbim, dhe libanezët me të gjitha sektet e tyre u çliruan falë rezistencës.

Ideali i Sejid Nasrallahut për të krijuar një komb libanez nga sektet (taifet) ishte një trashëgimi ideore që ai e mori nga Imam Sadri. Në intervistën e tij të parë dhënë shtypit si sekretar i përgjithshëm i Hezbollahut, Sejid Nasrallahu kishte theksuar se Hezbollahu nuk ishte "një projekt që i përket një sekti apo partie të caktuar, por një parti që vepron në nivel kombëtar si një e tërë".

Libani ishte gjithmonë një vend ku përpjekja për të dominuar shtetin duke marrë mbështetje nga fuqitë e jashtme shihej si një aktivitet normal politik. Sejid Nasrallahu, nga ana tjetër, ishte një përjashtim në këtë aspekt. Ai fuqinë e tij ekonomike, ushtarake, politike dhe shoqërore, të cilën nuk e posedonte askush tjetër në vend, nuk e përdori për të marrë në dorë shtetin; përkundrazi, e përdori për të ndihmuar vendin.

Gjatë krizës së madhe të karburanteve në vitin 2021, madje edhe ambulancat në Liban ishin bërë të paafta për të punuar. Hezbollahu solli karburant nga Irani dhe, pa bërë asnjë dallim sektar, një pjesë të tij e shpërndau falas dhe një pjesë tjetër me çmime afër kostos për institucione të tilla si spitalet, shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, jetimoret, administratat e ujësjellësit, bashkitë, furrat e bukës dhe bizneset e gjeneratorëve privatë.

Ata që duhej të mendonin për qetësinë, sigurinë, unitetin dhe bashkimin e shoqërisë ishin burrat e shtetit; por atë që duhej të bënin burrat e shtetit, po e bënte Sejid Nasrallahu. Ai e ndërtoi qëllimin e tij për ta kthyer në komb një popullatë sektesh që historikisht e shihnin njëri-tjetrin me dyshim, mbi konceptet e 'sigurisë së përbashkët' dhe 'rezistencës'. Për të mos lënë hapësirë për fitnen e sektarizmit në vend, ai u zgjati dorën e miqësisë të gjithëve – të krishterëve, sunitëve, druzëve dhe salafistëve.

Libani, për shkak të strukturës së tij politike sektare, ka pasur vështirësi në qeverisjen e vet që nga dita e themelimit. Pas çdo zgjedhjeje, formimi i një qeverie mund të zgjasë me muaj apo edhe me vite. Për shkak të sigurisë së tij të dobët, ai përkufizohet si një “kopsht pa gardh” ku çdokush nga jashtë mund të hyjë. Fuqitë Perëndimore nuk e lejojnë shtetin e Libanit, i cili është i hapur ndaj ndërhyrjeve të jashtme, të ketë një ushtri të fortë dhe kombëtare për të mbrojtur ‘kopshtin’ e tij. Fakti që kopshti është i pambrojtur i ndez edhe më shumë konfliktet e brendshme, ndërsa ndezja e konflikteve të brendshme shton ndërhyrjet e jashtme dhe pushtimet.

Sejid Nasrallahu propozoi një vizion me dy shtylla që do të thyente këtë rreth vicioz dhe do ta shpëtonte Libanin përgjithmonë:

1- Një rezistencë kombëtare që nuk është e hapur ndaj ndikimeve të jashtme si shteti dhe ushtria, por që u ndihmon të dyjave.

2- Solidariteti i asaj që ai e quante "Trekëndëshi i Artë" – "kombi, ushtria dhe rezistenca" – për çlirimin e tokave nën pushtim dhe për një parandalim që do të mbrojë tërë Libanin nga rreziqet e jashtme.

Realizimi i këtyre ishte i mundur vetëm me fitimin e një ndërgjegjeje kombëtare nga populli i Libanit, e cila do të kapërcente sektarizmin. Sejid Nasrallahu bëri sakrificën më të madhe për këtë ideal të lartë. Ai i ndau partitë dhe liderët që bashkëpunuan hapur me Izraelin gjatë viteve të luftës civile nga sektet e tyre. Ai i la pas veten vuajtjet dhe armiqësitë e luftës civile. Ndërsa hidhte hapat e ndërtimit të kombit dhe krijonte aleanca me të krishterët, ai u shpreh kështu:

“Hapjen ndaj të krishterëve e shohim si jetike dhe të natyrshme; ndërsa mendojmë se hapja ndaj shtresave të popullit do të jetë më efektive dhe pozitive. Nuk besoj se këta njerëz janë në anën e Izraelit për nga natyra e tyre; janë liderët e tyre, të cilët kanë ëndrra dhe qëllime të caktuara politike, ata që i shtynë të bëjnë paqe me Izraelin.”[7]

Në një gjeografi ku Izraeli, Amerika dhe shërbimet e tjera të inteligjencës Perëndimore ishin aktive, zhvillimi i një lufte për liri në mënyrë të pavarur nga shteti natyrisht që kërkonte fshehtësi dhe besim; megjithatë, Sejid Nasrallahu nuk e bëri rezistencën ekskluzive vetëm për shiitët.

Ai themeloi ‘Brigadat e Rezistencës’ për ata nga sektet e tjera që dëshironin t'i bashkoheshin radhëve të rezistencës. Rënia dëshmor e djalit të Sejid Nasrallahut, Hadiut, në një operacion kundër Izraelit, bëri që shumë sunitë, druzë dhe të krishterë, të cilët dëshmuan sakrificën e treguar në mbrojtjen e atdheut, t'i bashkoheshin gjithashtu Brigadave të Rezistencës.

Të gjithë liderët politikë ia faturojnë humbjet të tjerëve, ndërsa fitoret ia atribuojnë vetes. Sejid Nasrallahu bëri të kundërtën e kësaj për të forcuar ndërgjegjen kombëtare. Ai mori përgjegjësinë për gabimet në emër të vetes dhe të partisë së tij. Për shembull, në një intervistë të dhënë pas luftës së vitit 2006, ai u shpreh: "Po të më pyesnit mua, nëse do ta dija më 11 korrik se operacioni do të çonte në një luftë të tillë, a do ta bëja? Padyshim që jo", duke marrë kështu përgjegjësinë.[8] Ndërsa fitoret e tij i ndau me mbarë popullin e Libanit. Për shembull, në fjalimin e mbajtur në vitin 2000 pasi çliroi tokat e vendit nga pushtimi armik, ai tha sa vijon:

“Kjo nuk është fitorja e një partie, e një lëvizjeje apo e një organizate. Kjo nuk është fitorja e një sekti dhe humbja e një sekti tjetër. Personi që mendon apo thotë këtë, gabon dhe është injorant. Kjo është fitorja e Libanit. Kjo rezistencë ishte një forcë për atdheun dhe do të mbetet një forcë për atdheun.”[9]

Forcat izraelite u larguan nga Libani në vitin 2000; megjithatë, ata i braktisën në fatin e tyre bashkëpunëtorët e quajtur ‘Ushtria e Libanit Jugor’, të cilët i përdornin si mercenarë kundër popullit libanez. Këto forca, të cilat edhe pse ishin libaneze u kishin bërë mizori popullit libanez po aq sa edhe izraelitët, u kapën një nga një; por Hezbollahu nuk i ndëshkoi ata me epsh hakmarrjeje. Ai i dorëzoi ata te drejtësia libaneze dhe bllokoi rrugën që krimi i tradhtisë ndaj atdheut të kthehej në një gjakmarrje sektare. Kjo ishte një disiplinë që rrallëherë shihet në botë, dhe kjo disiplinë që nuk e drejtoi kurrë armën e saj nga brenda buronte pikërisht nga kujdesi për të krijuar një komb.

Sejid Nasrallahu mbajti një fjalim të ngjashëm edhe për fitoren e vitit 2006 dhe tha sa vijon:

“Kjo nuk është fitorja e një partie; nuk është fitorja e një sekti; nuk është fitorja e një grupi. Kjo është fitorja e Libanit të vërtetë, e popullit të vërtetë të Libanit dhe e çdo njeriu të lirë në këtë botë. Mos e tjetërsoni këtë fitore të madhe historike; mos e burgosni atë brenda kufijve partiakë, konfesionalë, sektarë apo rajonal.”[10]

Përfundim
Deri në momentin kur ra dëshmor, Sejid Nasrallahu kishte ndërtuar një ekuacion parandalimi të cilin asnjë vend tjetër nuk e kishte përballë Izraelit. Hezbollahu, edhe pas rënies së tij dëshmor, e mbrojti Libanin nga pushtimi në luftën “Uli’l Bes” që zgjati nga 1 tetori deri më 27 nëntor. Shteti i Libanit, në vend që t'i besonte “trekëndëshit të artë” ushtri-komb-rezistencë, u besoi vendeve ndërmjetësuese. Kjo i dha Izraelit mundësinë që gjatë armëpushimit të merrte në dorë ato toka libaneze të cilat nuk kishte arritur t'i merrte gjatë luftës.

Nëse populli i Libanit, në vitet 1970, do të ndiqte gjurmët e Imam Sadrit dhe jo të liderëve të tij sektarë, nuk do ta përjetonte luftën civile dhe pushtimin. Sot, ai ka dy opsione përpara: ose do të ndjekë gjurmët e Dëshmorit Nasrallahu, do të ngrejë "trekëndëshin e artë" "ushtri-komb-rezistencë" dhe do të sillet si një komb; do ta dëbojë pushtuesin, do të jetojë i lirë dhe me dinjitet.

Ose, ashtu siç po bën tani, do të mbajë pushtetin e disa personave mbi interesat kombëtare të Libanit, do të bashkëpunojë mediatikisht e politikisht me armikun dhe do të luftojë kundër atyre që mbrojnë atdheun e tyre. Vendi ku do ta çojë Libanin ky opsion është shndërrimi në një vendbanim izraelit deri në Lumin Litani.

[1] Shlomo Sand, Si u shpik populli çifut? Nga Bibla tek Sionizmi, përktheu në turqisht: Işık Ergüden, Stamboll: Doğan Kitap, 2011, f. 93.

[2] Shih: Alptekin Dursunoğlu, Ndërtimi i Rezistencës (1967–1982) (Stamboll: Yakın Doğu Yayınları, 2026), f. 300.

[3] Intervistë e Sejjid Hassan Nasrallah botuar në gazetën al-Safir më 7 qershor 1992, cituar nga Dina Matar, “Hassan Nasrallah: The Cultivation of Image and Language in the Making of a Charismatic Leader,” Communication, Culture & Critique 8, no. 3 (2015): 433–447. https://doi.org/10.1111/cccr.12089

[4] Laila Bassam and Nafisa Eltahir, “Hezbollah Arranges Iranian Fuel for Lebanon,” Reuters, August 20, 2021, https://www.euronews.com/2021/08/20/us-lebanon-crisis-hezbollah?  ; “Lebanon’s Hezbollah Says Iranian Fuel Oil to Arrive This Week,” Al Jazeera, September 13, 2021, https://www.aljazeera.com/amp/news/2021/9/13/hezbollah-iranian-tanker-bringing-fuel-to-lebanon-in-syria?  

[5] “حزب الله والتيار السلفي بلبنان يوقعان وثيقة ‘منع الفتنة’,” الجزيرة, 18 أغسطس https://www.aljazeera.net/news/2008/8/18/حزب-الله-والتيار-السلفي-بلبنان-يوقعان  

[6] Alptekin Dursunoğlu, a.g.e, s. 225.

[7] Cituar nga gazeta ed-Diyar e datës 21 qershor 1992, nga Abed Kanaaneh, “Revolution and Tradition: Hassan Nasrallah’s Rhetorical Evolution and Transnational Alliances, 1982–2024,” British Journal of Middle Eastern Studies (2026), https://doi.org/10.1080/13530194.2026.2656734.

[8] The Guardian, 28 Gusht 2006, Hizbullah leader: we regret the two kidnappings that led to war with Israel

[9] Fjalimi i fitores i Sejjid Nasrallahut me rastin e çlirimit të Jugut nga pushtimi më 26 maj 2005: كلمة السيد نصر الله في عيد المقاومة والتحرير 26-5-2000

https://www.al-akhbar.com/Archive_Local_News/210126/خطاب-السيد-نصر-الله-في-مهرجان-الانتصارhttps://mediarelations-lb.org/post.php?id=1564

[10] Fjalimi i fitores i Sayyed Hassan Nasrallah nga 22 shtator 2006, gazeta al-Akhbar.خطاب السيد نصر الله في مهرجان الانتصار

 

Burimi: Yakın Doğu Haber