Rinia në pikëpamjen e İmam Khomeinit
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë:
مِنَ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ ۖ فَمِنْهُمْ مَنْ قَضَىٰ نَحْبَهُ وَمِنْهُمْ مَنْ يَنْتَظِرُ ۖ وَمَا بَدَّلُوا تَبْدِيلًا
Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë
mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët
presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre. (Sure
“Ahzab”, ajeti 23)
Gjithashtu, në Kur’anin e shenjtë lexojmë:
رِجَالٌ
لَا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ
وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ ۙ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ
وَالْأَبْصَارُ
Njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të
përmendur Allahun, për të falur namazin dhe për të dhënë zeqatin dhe të cilët
kanë frikë nga Dita (e
Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara. (Sure
“Nur”, ajeti 37)
Këto dy ajete të bekuara, flasin për ata njerëz
që janë të lidhur me Allahun dhe te cilët nuk i pengon asgjë që t’i kryejnë
detyrat e ngarkuara prej Tij (Allahut). I tillë ishte edhe imami i paharruar,
eruditi, juristi, komentuesi, udhëheqësi dhe revolucionari Ruhullah El Musauij
El Komeini (Paqja qoftë mbi të!)
Shumë janë thënë e shumë janë shkruar rreth imam
Khomeinit (Paqja qoftë mbi të!). Megjithatë, lapsat dhe gjuhët nuk
arrijnë ta përshkruajnë plotësisht personalitetin e këtij imami të madh. Ai
është personalitet i lartë dhe rrallë mund të shfaqen të tillë personalitete,
pas të dërguarve dhe zëvendësve të tyre të dashur tek Allahu i Madhëruar.
Të tillë personaliete, si imam Khomeini, shfaqen në
kohë të caktuar të historisë së njerëzimit, me qëllim që të kryejnë vepra
madhështore e të paharruara, të cilat e ndriçojnë ekzistencën me dritën e tyre
njësoj si dielli, i cili me rrezet e tij ndriçon gjithçka. Historia
bashkëkohore islame nuk ka parë personalitet si ai i imam Khomeinit (Paqja qoftë mbi të!).
Të flasësh për personalitetin e imam Khomeinit dhe për
rrugëtimin e tij, do të thotë të flasësh për Islamin, sepse e gjithë jeta e tij
ishte Islam dhe Kur’an. Ai ishte i bindur se vetëm Islami është ai që e udhëheq
shoqërinë dhe i administron çështjet e saj sociale, kulturore, ekonomike,
politike etj.
Imam Khomeini ka mundur, që për kohët e sotme, të jetë
përfaqësuesi i një shembulli të shkëlqyeshëm në disa dimensione të ndryshme. Ai
(Paqja qoftë mbi të!) ka folur e
ka shkruar për shumë çështje të ndryshme. Prej këtyre çështjeve, është ajo që
ka lidhje me rininë, e cila është pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë dhe pa
më të voglin dyshim, konsiderohet si zemra e saj, e cila pulson. Kjo shtresë është
ajo që e ngre lart shoqërinë nëpërmjet energjive të saj të veçanta dhe të
pashtershme.
Imam Khomeini e vlerëson shumë rolin e rëndësishëm të
rinisë në shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe në atë islame në veçanti. Ai
ka thënë se kjo shtresë jetike e shoqërisë, rinia, është njëkohësisht më e
sulmuara dhe më e luftuara prej armiqve të Islamit dhe i vlerave të larta
humane, pasi ajo është shtresa që përfaqëson të ardhmen e shoqërisë njerëzore në
përgjithësi dhe të ardhmen e ymetit islam në veçanti.
Nuk ka dyshim se rinia ka një rol
bazë në jetën e një shoqërie dhe në orientimet e saj. Një shoqëri, rinia e së
cilës e ka humbur freskinë, energjinë dhe vlerën e saj, është një shoqëri e
vdekur, ose një shoqëri që rrugëton e sigurtë drejt vdekjes. Kjo është arsyeja
përse imami i paharruar, imam Khomeini (Paqja qoftë mbi të!),
vazhdimisht e vinte theksin tek rëndësia e madhe e aktivizimit të rinisë dhe e
përfitimit prej energjive të saj.
Në vijim do të përmend disa thënie prej thënieve të
imam Khomeinit rreth rinisë.
Ai ka thënë: “Sa herë ju shoh juve
duke i shpenzuar energjitë tuaja për Islamin me sinqeritetin më të lartë të
dalë prej shpitërave tuaj të pastër, ndjej një krenari të papërshkruar. Ndjehem
krenar që të rinjtë e muslimanëve janë kaq të pjekur, kaq të formuar dhe kaq të
vendosur në rrugën e tyre në mbështetje të Islamit. Sa herë shoh një rini të
tillë, qetësohet zemra ime dhe jam i bindur se nuk ka fuqi mbi Tokë të na
mposhtë. Rinia jonë mbështetet tek Allahu i Lartësuar, ndërsa armiqtë tanë
mbështeten tek armët që kanë.”
Në një porosi për të rinjtë, imam
Khomeini thotë: “E dashur rini! Mos lejoni kurrësesi që fuqia e moshës dhe
energjitë e saj të mëdha t’ju rrëshkasin prej duarve. Sa më shumë ta humbasë
fuqinë rinia, aq më e vështirë bëhet rezistenca ndaj viruseve të gjynaheve dhe
ndikimeve të tyre në zemër me kalimin e moshës. Në këtë luftë dhe në këtë
betejë me të keqen, fuqia e rinisë e ka më të lehtë triumfin dhe fitoren...”
Dhe: “Rini e dashur! Allahu i Madhëruar
ju ka nderuar me këtë mirësi të madhe që është mosha e rinisë. Ju ftoj me të
gjithë dëshirën e madhe të zemrës time që të mos e shpërdoroni këtë mundësi të
artë.” Sa e mrekullueshme kjo pororsi e imamit të paharruar. Por fatkeqësisht,
rinia e sotme e shpërdoron pa kriter këtë moshë të begatë e shumë frytdhënëse.
Imam Khomeini (Paqja qoftë mbi
të!) dëshironte një rini të arsimuar, të kulturuar, të edukuar dhe të
ditur. Ai ka thënë: “Është detyrë e secilit prej jush, që pikërisht tani, në
moshën e rinisë të përfitoni sa të mundeni prej lëmive të ndryshme të shkencave
dhe të diturisë...”
Përparimi që shohim sot në
Republikën islamike të Iranit, e ka themelin te rinia e kohës së tij, e cila iu
përvesh punës për t'u arsimuar, derisa arriti që çdo gjë ta prodhonte vetë me
forcat dhe me dijet e veta.
Imam Khomeini nuk kërkoi anëtarësimin e rinisë në qarqe e parti politike, siç po ndodh në vendin tonë e në shumë vende të tjera, por ai e nxiste rininë që të arsimohej, të shkollohej dhe të mbështetej në Allahun e Madhëruar.
Lidhur me këtë, imam Khomeini (Paqja
qoftë mbi të!) thotë kështu: “Ju, rinia, mund ta realizoni me fuqinë
tuaj çfarë të dëshironi vetë. Ju, rinia e këtij populli, kudo që të ndodheni,
duhet të mendoni vazhdimisht për të ardhmen e vendit tuaj. Është detyrë madhore
e juaja, që të mos ndaleni kurrë dhe të ecni përpara drejt zhvillimit e prosperitetit
duke u mbështetur tek dy elementë që janë më të rëndësishmit në ëkzistencë:
Besimi dhe mbështeja tek Allahu i Madhëruar dhe besimi tek energjitë dhe
aftësitë tuaja. Nëse e ndiqni dhe e zbatoni me përpikëri këtë skemë në jetë,
keni për të prekur shumë shpejt, zhvillimin, prosperitetin dhe kanë për t’u
hapur të gjitha dyert e lumturisë për ju.”
Imam Khomeini (Paqja qoftë mbi të!) gjithmonë
i porosiste të rinjtë që të ishin të vëmendshëm ndaj ndreqjes dhe përmirësimit
të karakterit:
Ai thoshte: “Të dashur
të rinj! Kjo është mosha më e përshtatshme që ju ta bëni këtë përpjekje madhore
për ndryshim. Kjo është mosha më e përshtatshme për ta reformuar qënien. Kjo
është mosha e më e përshtatshme për ta përmirësuar sjelljen tuaj. Kurrë mos
pranoni dhe mos lejoni që t’ju ikë prej duarve tuaja një mirësi dhe një dhuratë
kaq e çmuar sa kjo. Sa më shumë të shpërdorohet dhe të keqpërdoret kjo periudhë
e jetës së njeriut, aq më shumë shtrihen rrënjët e gjynaheve dhe të moralit të
keq, thellë qënieve tuaja. Sa më shumë të shpërdorohet kjo periudhë e artë e
jetës, aq më e vështirë bëhet përballja me gjynahun dhe me të keqen. Nëse e
përmirësoni moralin tuaj dhe nëse gjatë këtyre viteve të rinisë mbillni thellë
qënieve tuaja normat dhe vlerat më të larta njerëzore, nuk ka dyshim, se
fitorja dhe triumfi do të jenë ndjekësit tuaj në të gjitha periudhat e tjera të
jetës.”
Imami i nderuar thoshte se rinia
gjithmonë duhet t'i mbështetet Allahut dhe morali i saj të jetë në përputhje me
urdhrat e Allahut Fuqiplotë, përkundrazi, atë rini do ta godasë dështimi. Për këtë
ai ka thënë: “Në qoftë se morali i rinisë sonë nuk është i bazuar dhe i
mbështetur mbi Teuhidin e Allahut të Madhëruar dhe mbi besimin e palëkundur në
Ditën e Ringjalljes dhe të Llogarisë, dështimi është i sigurtë. Në këtë rast
është plotësisht e pamundur që njeriu të heqë dorë nga egoja dhe ta përqëndrojë
qënien dhe energjitë e saj tek hallet e ymetit islam.”
Imam Khomeini e porosit rininë që
të kontrollojë fuqitë e saj dhe të jenë syçelë e vigjilentë. Ai ka thënë: “Ju
sot jeni duke jetuar ditët tuaja të rinisë. Ju sot jeni posedues të fuqisë që
ka rinia, ndaj ju ftoj miqtë e mi që t’i kontrolloni mirë ato fuqi, ato energji
të mëdha me të cilat Allahu e ka zbukuruar moshën tuaj. Ju nuk e keni provuar
ende çdo të thotë që njeriu të jetë i pafuqishëm. Shumë e dashura rini! Jeni të
gjithë të ftuar që të qëndroni të zgjuar e syçelë...”
Imami porosit mësuesit duke thënë:
“Në ditët e sotme lind si detyrë për të gjithë mësuesit dhe profesorët e
ndershëm e të moralshëm, që të angazhojnë të gjitha energjitë e tyre dhe të
bëjnë të pamundurën, për t’u njohur me elementët e shthurjes dhe të së keqes.
Është detyrë madhore dhe shumë e rëndësishme e juaja sot, që të pastroni
mjediset tuaja kulturore dhe t’i shkulni nga rrënjët përfaqësuesit e shthurjes,
imoralitetit, të pisllëkut dhe të së keqes prej mjediseve tuaja edukative e
arsimore. Mos lejoni në asnjë menyrë, që universitetet tona të nxjerrin në jetë
një rini të shthurur, të shkatërruar dhe të degjeneruar, por luftoni dhe bëni
të pamundurën që ato shkolla dhe ato universitete të prodhojnë një rini të guximshme,
të aftë për të luftuar dhe për t’u përballur në çdo moment me armiqtë e ymetit.”
Liria është një thirrje që
gjithmonë shkëlqen me përmbajtjen e saj. Por një pjesë e rinisë ndonjëherë
harrojnë dhe ndonjëherë e kanë të pamundur ta dallojnë se termi “liri” është si
një llastik që mund të zgjatet dhe mund të ngushtohet sipas dëshirës. Shumë
prej të rinjve e kanë të pamundur ta kuptojnë dhe ta perceptojnë realitetin e
kësaj fjale dhe mënyrat dinake, nëpërmjet të cilave, mund të abuzohet me të.
Imam Khomeini (Paqja qoftë mbi
të!) ka paralajmëruar dhe ka thënë: Ajo
rini që e ka kohën e saj të zënë me imoralitet dhe me devijime të tjera morale
të së njëjtës natyrë, është një kontigjent njerëzish parazitë, të cilëve nuk u
intereson asgjë tjetër përveç punës të tyre. Gjithashtu, rinia e kapur peng
prej kthetrave të drogës nuk është aspak e interesuar dhe as që do t’ia dijë
për të ardhmen e vendit. Të gjithë ata të rinj, të cilët janë rritur dhe
formuar në shthurje dhe imoralitet nuk janë aspak të interesuar për fatet dhe
të ardhmen e vendit të tyre. I vetmi kontigjent i vëmendshëm ndaj interesave
madhore të vendit, është rinia, që është rritur dhe edukuar me normat e larta të
moralit islam dhe që qëndron larg shthurjes dhe imoralitetit. Rinia jonë, është
pasuria më e madhe që kemi.
Rinia është shpresa e popullit
tonë. E ardhmja e shoqërisë mbështetet mbi supet e tyre. Rinia do të jetë ajo që do t’i
shpartallojë planet e armiqve dhe të zullumqarëve. Nëpërmjet përpjekjes, mundit,
sakrificave të saj të mëdha dhe do të mbrohen interesat e umetit. Për këtë
arsye, rinia meriton një vëmendje të veçantë.
Imam Khomeini ka thënë: “Është detyrë e të gjitha insitucioneve
edukative që janë të pasionuara pas brezit të ri dhe së ardhmes së vendit, që
t’i japin përparësi të madhe edukimit, arsimimit dhe mbrojtjes së adoleshentëve
tanë prej shthurjes dhe imoralitetit. Nuk ka dyshim se e ardhmja e lirisë dhe e
pavarësisë së vendit është e lidhur me formimin profesional dhe me integritetin
moral të filizave të rinj. Këtu del në pah roli i mësuesve dhe i edukatorëve të
brezit të ri, të cilët janë një faktor shumë i rëndësishëm dhe vendimtar në
përcaktimin e së ardhmes së vendit.”
Sa të
mrekullueshme thëniet e imamit të paharruar, imam Khomeinit rreth rinisë. Sa
mirë do të ishte që rinia e sotme, veçanërsisht ajo islame, që të largohej nga
të këqjat dhe nga të shëmturat, me fjalë e me vepra. Të heqin dorë nga përdorimi
i fjalorit banal në jetën e tyre. Duhet ta dimë se çdo gjë të keqe që të bëjmë
e bëjmë për vetat tona. Këtë e thotë edhe Kur’ani i shenjtë: Çdo gjë të mirë që
bëjmë, e bëjmë për vetat tona. Ne jemi përgjegjësit
e fjalëve dhe të veprave tona. Nëse bëni mirësi, e keni bërë për veten tuaj. E,
nëse bëni keq, ia keni bërë po vetes.” (Sure “Isra”, ajeti 7)Nuk i bëjmë keq atij që shajmë dhe që
ofendojmë përveçse vetave tona.
O ju të rinj e të
reja! O ju që keni për ibër Kur’anin. Hiqni dorë nga të sharët dhe të oenduarit
sepse vetëm veten tuaj dëmtoni.
Për të gjithë ata që shajnë dhe ofendojnë, po përmend disa ajete nga Kur’ani i shenjtë:
Allahu i Madhëruar
thotë në Kur’anin e shenjtë: “Mos
shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe
zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (Sure “Isra”, ajeti 36.)
Dhe: “Ju përcillnit me
gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni.
Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e
madhe.” (Sure “Nur”, ajeti 15.)
Dhe: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose
imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në
Tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Sure “Nur”, ajeti 19.)
Dhe: “O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush
të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai.
Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më
të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëritjetrin me nofka (të
këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit
të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.” (Sure
“Huxhurat”, ajeti 11.)
Dhe: “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës” (Sure
“Humeze”, ajeti 1).
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!