Kerkimet Filozofike Fetare

Njohje me shi'izmin

Falënderimet janë për Allahun e botëve, Krijuesin e gjthçkaje, i Cili është Një i Vetëm, i Pashoq. Tek Ai mbështet çdo krijesë. Falënderimet i takojnë Atij që solli Islamin dhe e ka lehtësuar zbatimin e tij! Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili e ka bërë Islamin krenari për ne dhe siguri e qetësi për shpirtrat dhe zemrat tona. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi robin e Tij, të Dërguarin e Tij, të cilin e dërgoi mëshirë për mbarë botët, Muhamedi i biri i Abdullahut, besniku i vërteti! Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi atë, i cili ftoi në adhurimin e Allahut të Vetëm, sakrifikoi, duroi dhe triumfoi në rrugën e bashkimit të zemrave dhe të sqarimit të rrugës së drejtë e të vërtetë! Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi atë pishtar ndriçues, drita e të cilit kurrë nuk do të shuhet, sepse ajo është e lidhur me dritën e Krijuesit të gjithësisë! Ai është profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi familjen e tij të pastër e të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur e të çiltër!

Bashkimi i myslimanëve ka kuptimin e fuqisë dhe të qëndrueshmërisë, të cilat përbëjnë pengesën kryesore përballë intrigave të armikut për përçarje. Armiqtë e Islamit i shohim të lëvizin e të punojnë ditë e natë për të penguar përhapjen e vlerave të larta e të shenjta islame. Kështu që bashkësia islame në përgjithësi ndodhet përballë një lufte ideologjike, kulturore pse jo edhe ushtarake. Me luftë kulturore kemi qëllimin e mësymjes së kulturës antifetare, e cila dita ditës kërcënon Islamin pa dallim medhhebesh, apo grupacionesh, qofshin suni, apo shia, apo zejdij, apo bektashinj, apo tarikate, etj. Pra, kjo luftë përfshin të gjithë myslimanët.

Përsa i përket luftrave ushtarake në vendet myslimane, si në Palestinë, Siri, Irak, Jemen, Libi, Liban, Afganistan, Pakistan, etj., këto nuk janë luftra fetare, por janë politike. Janë armiqtë e fesë e të vlerave të larta të saj ata të cilët i ngjyrosin ato luftra me ngjyrë fetare. Fatkeqësisht, nga këto luftëra gjakatare në vendet myslimane pas të ashtqujturës “pranvera arabe”, të cilën do ta quaja “dimri arab”, është mëse e sigurtë se prej saj përfitojnë vetëm e vetëm armiqtë e Islamit dhe askush tjetër.

Vallë, a nuk ka ardhur koha që ymeti i profetit Muhamed, bashkuesi i zemrave, të bashkohet e të jetë si fortesë e palëkundur përballë këtij rreziku madhor?! A nuk ka ardhur koha për shi'itët dhe synitët, të cilët i përçau dhe vazhdon t’i përçajë politika, që të bashkohen?! S’ka dyshim se ajo politikë, e cila i përçau dhe po i përçan rreshtat e tyre dita-ditës, është e aftë që t’i zbusë zemrat e tyre dhe t’i bashkojë ato.

Po të studiohen me gjakftohtësi këto dy grupe të mëdha islame, syni e shiia, do të vërehet se ata nuk ndryshojnë në thelbin e fesë. Të gjithë besojnë se Allahu është Një, Kur’ani është një, profeti është një. Të gjithë e pohojnë domosdoshmërinë e namazit, agjërimit, haxhit, zekatit etj. Mospajtimet në jurisprudencë (fikh) nuk janë thelbësore, ato janë si pasojë e përpjekjeve individuale. Të tilla mospajtime i shohim tek të pesë medh'hebet islame (katër medh'hebe të Ehli Synetit dhe medh'hebi Shi'it - Xha'ferij). Jo vetëm kaq, mospajtime gjenden edhe në mesin e dijetarëve të një medh'hebi të caktuar.

Është detyrë e myslimanëve të bashkohen mes tyre me qëllim që fjala e Allahut të jetë më e larta dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të zhdukur mospajtimet, sepse mospajtimi nuk i shërben as Islamit dhe as vetë myslimanëve, përkundrazi e shkatërron atë (Islamin) dhe ata (myslimanët).

Të gjithë myslimanët duhet të kthehen te Libri i tyre, Kur’ani i shenjtë, i cili thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” (Sure “El Enfal”, ajeti 46)

 Dhe: “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën…” (Sure “Ali Imran”, ajeti 105)

Dhe: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar.” (Sure “El En’am”, ajeti 159)

Të shumtë janë reformatorët dhe mendimtarët që ftojnë për dialog mes qytetërimeve dhe për afrimitet e bashkim mes popujve. Të shumtë janë personat që dëshirojnë të jenë urë komunikimi me qëllim që të zhduken luftërat gjakatare, të cilat u kanë marrë jetën miliona njerëzve. Profeti Muhamed u dërgua para më shumë se 14 shekujve për mbarë njerëzimin për t’i ftuar ata në adhurimin e Allahut të Vetëm e të Pashoq dhe për t’i bashkuar ata nën parrullën” “S’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”

Përderisa mesazhi i profetit Muhamed është mbarëbotëror, atëherë është e domosdoshme që njerëzit të jenë të bashkuar rreth monoteizmit dhe të gjithë të jenë të kapur pas litarit të Allahut të Madhëruar, larg përçarjes, hipokrizisë, urrejtjes e armiqësisë. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë. Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur'anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Sure “Ali Imran”, ajetet 102-103)

Këto dy ajete na qartësojnë interesimin e të Dërguarit të Allahut, vulës së profetësisë, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që mbarë njerëzia të jetë e lumtur. Po të vërehet me kujdes, këto dy ajetet i urdhërojnë besimtarët në veçanti, të cilët i kanë besuar mesazhit të tij që:

1-      Të jenë të devotshëm ndaj Allahut dhe t’i frikësohen Atij ashtu siç e meriton.

2-      Po të vdesin besimtarë të devotshëm dhe myslimanë, fundi i tyre do të jetë i lumtur.

3-      Të bashkohen mes tyre, arabë dhe joarabë, syni e shiia.

4-      Të kujtojnë poshtërsinë, në të cilën ishin para Islamit dhe shndërrimin e atij poshtërimi në krenari pas Islamit, sepse ata ishin armiq dhe i Dërguari i bashkoi zemrat e tyre dhe në mirësinë e Allahut u bënë vëllezër.

5-      Të kujtojnë se para ardhjes së Islamit ata ishin buzë humnerës së zjarrit për shkak të veprave që ata kryenin dhe ato vepra ishin shkak i rënies së tyre në zjarrin e tmerrshëm e përvëlues të Xhehenemit.

6-     Në këto pak rreshta dua të paraqes një njohje të shkurtër rreth shiizmit. Fatkeqësisht, shumica e njerëzve janë të keqinformuar rreth këtij medh'hebi, si pasojë e interesave politike. Në një hadith lexojmë: Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh. 

Kush janë shiiat?

Fjala esh shiatu është arabe dhe rrjedh prej fjalës mushajeah. Ajo do të thotë ndjekje, pasim.

Myslimanët shi'itë quhen kështu, sepse ata janë ndjekës të Aliut dhe të fëmijëve të tij pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Thënia se shi'iat e kanë prejardhjen nga Abdullah ibn Sebe, është shpifje dhe trillim prej dritëshkurtërve, dashakeqësve dhe armiqve të pasuesve të rrugës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).

Besimi tek shi'itët

1-  Ata besojnë se parimet e Islamit janë: Teuhidi (Njëshmëria e Zotit), Nubuveti (Profetizmi) dhe Meadi (Ringjallja). Ata besojnë gjithashtu se prej Teuhidit është Adli (Drejtësia sipas Zotit) dhe prej Nubuvetit është Imamati (Udhëheqësia).

2- Ata besojnë se dispozitat e Islamit janë: namazi, agjërimi, zekati, khumusi (1/5 e të ardhurave), haxhi, xhihadi, urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga të këqijat, dashuria për Zotin dhe për eulijatë e Tij dhe urrejtja për armiqtë e Zotit dhe për eulijatë e Tij. Kushdo që e mohon domosdoshmërinë e këtyre degëve të Islamit quhet i pafe.

3- Ata besojnë se Allahu është Një i Vetëm e i Pashoq; nuk ka të ngjashëm me Të; nuk është i lindur dhe s’ka lindur askënd. Ata besojnë se Atij i përket gjithçka që ndodhet në qiej e në Tokë. Ai është Krijuesi, Furnizuesi, i Gjithëdituri, i Plotfuqishmi etj. Ai ka emrat më të bukur dhe atributet më të përkryera. Vetëm Atij i takon adhurimi. Cilido që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, ai është politeist, idhujtar. Allahu është Sunduesi i kësaj jete dhe i Jetës Tjetër.

4-  Ata besojnë se profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është profeti i fundit. Për këtë, ata bazohen tek thënia e Allahut të Madhëruar në Kur’anin e shenjtë në suren “Ahzab”, ajeti 40: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.” (Sure “Ahzab”, ajeti 40). Pra, nuk vjen i dërguar tjetër pas Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

5- Ata besojnë se Kur’ani që ndodhet në duart e myslimanëve është po ai që i ka zbritur profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pa asnjë lloj shtese ose mangësie. Ata i kushtojnë kujdes të madh Kur’anit të shenjtë, leximit të tij, mësimit të tij përmendsh, komentimit dhe shkencave të tjera kur'anore. Ata kanë shkolla të posaçme për mësimin përmendsh të Kur’anit, për mësimin e leximit dhe të komentimit të Kur'anit të Shenjtë. Ata besojnë se Kur'ani i shenjtë është libri i fundit qiellor dhe nuk vjen libër tjetër pas Kur'anit. Ai është libri epokëbërës dhe kushtetuta e përkryer për mbarë njerëzimin.

6- Ata besojnë se Islami është feja e vërtetë dhe e drejtë dhe se vetëm Islami është i pranueshëm tek Allahu i Madhëruar. Për këtë ata bazohen tek ajeti i Kur'anit, i cili thotë: “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrë nuk do t’i pranohet dhe ai në Botën Tjetër është nga më të humburit.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 85)

7-  Ata besojnë se ligjet dhe rregullat islame janë ato ligje dhe rregulla të cilat i solli Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) prej Allahut të Madhëruar, siç janë: rregullat e shitblerjes, të qirasë, të divorcit, të martesës, të gjykatës, të dëshmive, të trashëgimisë, të dënimeve e të ngjashme me to.

8- Ata besojnë se Islami nuk ka lënë asgjë pa e sqaruar. Ata besojnë se politika, ekonomia, kultura, edukimi, shoqëria, paqja, lufta, familja, qeveria, bujqësia, industria e shumë çështje që lidhen me njeriun, nga lindja e tij e deri në vdekje, janë të sqaruara në Islam. Të gjitha këto kanë rregulla të posaçme dhe ligje të drejta. Nëse njerëzit i zbatojnë këto rregulla dhe ligje: “…Ata do kishin furnizim me bollëk nga qielli dhe toka…” (Sure “A’raf”, ajeti 96)

 “Hallalli i Muhamedit - hallall deri në Ditën e Gjykimit; harami i Muhamedit - haram deri në Ditën e Gjykimit.”

9- Ata besojnë se moralet islame të pëlqyeshme tek Allahu janë: e vërteta, amaneti, turpi, trimëria, puna, nderi, përhapja e paqes, pajtimi në mes njerëzve, dashamirësia, vëllazëria etj.

Po ashtu, ata besojnë se Islami paralajmëron për moralet e papëlqyera e të ndaluara si: gënjeshtra, përgojimi, tradhtia, përtacia, pirja e pijeve alkoolike, ngrënia e haramit, kamata, vjedhja, kurvëria, homoseksualiteti, kopracia, çrregullimi, zbulimi i grave, mendjemadhësia etj.

10- Ata kanë mendimin se myslimanët, me gjithë ndryshimin e tyre në medh’hebe, sekte e tarikate të ndryshme, ata janë ymet (bashkësi) i përbashkët. Ata janë vëllezër në fe, siç thotë Zoti i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë: “S’ka dyshim, se besimtarët janë vëllezër. Bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj!” (Sure “Huxhurat”, ajeti 10)

Dhe: “…me dhuntinë e tij u bëtë vëllezër…” (Sure “Ali Imran, ajeti 103)

Dhe: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur në mesin e njerëzve…” (Sure “Ali Imran”, ajeti 110)

11- Ata besojnë se çdo përpjekje që ka për qëllim përçarjen e myslimanëve, futjen e urrejtjes dhe të armiqësisë mes tyre, përhapjen e shpifjeve e trillimeve dhe devijimin e tyre prej Kitabit (Kur’anit) dhe Synetit (fjalët dhe veprat e Profetit), është e ndaluar (haram) në Sheriatin Islam dhe e dënuar. Allahu i Madhuar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Sure “Nur”, ajeti 19)

12- Ata besojnë se burimet e Fikhut (teologjia) islam janë katër: Kitabi (Kur’ani), Syneti {fjalët dhe veprat e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)}, El – Ixhmau (konsensusi i dijetarëve) dhe Akli (logjika).

Nuk është i lejueshëm zbatimi i atyre ligjeve, të cilët janë në kundërshtim me këto katër burime, sepse: “E kush nuk gjykon me atë që e ka zbritur Allahu, ata janë mohues.” (Sure “Maide”, ajeti 44)

13- Shiiat gjenden në mbarë botën dhe nuk janë të fshehur. Ata gjenden nw Arabinw Saudite, nw Iran, nw Irak, nw Liban, nw Bahrejn, nw Afganistan, nw Pakistan, nw Egjipt, etj... Ata, gjatë gjithë historisë islame, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë qeveri, dijetarë, shkrimtarë, poetë, filozofë, mendimtarë, shkolla, botime, biblioteka, ligjërues e udhëzues.

14-  Shiiat, po ashtu, quhen (xhaferijetu), sepse Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), nipi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), u përpoq në përhapjen e diturive të Profetit. Shiiat i morën nga ky imam këto dituri. Po ashtu, shiiat quhen (imamijetu), sepse ata thonë se Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) emëroi mbas tij dymbëdhjetë imamë.

Dëshmi të arta

Edhe pse kundërshtarë të shumtë flasin dhe hedhin parrulla të rreme mbi medh’hebin e Ehli Bejtit, ka dijetarë të drejtë nga Ehli syneti, të cilët shënuan fjalë të qarta e të sakta për këtë medh’heb. Disa nga ata e quajnë edhe medh’hebin e pestë dhe të tjerët e konsiderojnë si pasqyra e kthjellët e Islamit.

Ja disa nga dëshmitë e tyre:

1- Imami i madh, Shejhu i Azharit, Mahmud Sheltut ka thënë: “Vërtet, medh’hebi  Xha’feri, i njohur me si medh’hebi shi’it i imamit të të dymbëdhjetëve, lejohet me  sheriat që të ndiqet, njësoj si medh’hebet e tjera të Ehli synetit.” (Islamuna, i Rafiiut; f. 59. Kjo fetva u botua në revistën “Risaletul islam”, e cila botohet në Egjipt.)

2- Shejhu i Az’harit, doktor Muhamed Muhamed El Fehham ka thënë: “Unë isha nga  ithtarët e Shejh Mahmud Sheltutit. E pëlqeja shumë moralin e tij, dijen e tij, njohuritë e gjera që kishte, aftësitë e tij në gjuhën dhe letërsinë arabe, në tefsijrin e Kur’anit dhe në studimet e parimeve të jurisprudencës. Ai nxori fetvanë për ndjekjen e medh’hebit të shiiave imamij. Unë nuk dyshoj në këtë, sepse sipas mendimit tim, kjo fetva e tij qëndron mbi këtë parim. Allahu e mëshiroftë Shejh Sheltutin, i cili e hodhi vështrimin nga ky kuptim fisnik! Ai do të qëndrojë i përjetshëm me fetvanë e tij të qartë e guximtare për lejimin e zbatimit të medh’hebit të shii’ave imamij.” (Islamuna; f. 59)

3- Thirrësi, Shejh Muhamed el Gazalij në librin “Difaun anil akijdeti ue sheriah”, në faqen 257 thotë:  “Besoj se fetvaja e profesorit të madh, Shejh Mahmud Sheltut ka hapur një rrugë të gjerë dhe është një kthesë për përpjekjet e qeveritarëve dhe dijetarëve për të përgënjeshtruar pretendimet e orientalistëve, të cilët thonë se smira do ta hajë ymetin (bashkësinë) para se të bashkohen radhët e saj nën flamurin e përbashkët.” Kjo fetva, sipas mendimit tim, është fillimi i rrugës dhe puna e parë. Pa dyshim, se shiiat besojnë në shpalljen e Muhamedit. Ata janë si të gjithë myslimanët dhe nuk mendojnë se ka njeri, nga të parët e të pasmit, më të madh sesa “Sadikul Emijni” (i vërteti dhe besniku).”

4- Doktor Mustafa Rafi’ij ka thënë: “Ato dy medh’hebe - ka si qëllim imamitët dhe zejditët- janë të vetmit nga grupacionet e shiave që kanë afrimitet me medh’hebet e ehli synetit dhe është e rregullt ndjekja sipas rregullave të tyre.” “Nuk shoh asnjë pengesë në vendosjen e Medh’hebit Xha’ferij përkrah medh’hebeve të tjera.” (Islamuna; f. 32 dhe 59)  

5- Hasan el Bena ka thënë: “Dijeni se synitët dhe shiat të gjithë janë myslimanë. Ata  i bashkon një fjalë e vetme “La ilahe il-lallah Muhammed Resulullah” (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij).” Ky është parimi i besimit, ku synitë dhe shiiat bashkohen me njëri-tjetrin. Ndërsa ndryshimet mes tyre janë çështje që mund të afrohen mes tyre.” (Dhikrajat la Mudhekkirat, i Umer et Telmisani; f.249 dhe revista “El Alem”, nr. 519,f.40)

6- Profesor Ahmed Bekr el Misrij, profesor i Sheltutit dhe i Ebi Zuhretu ka thënë: “Shi’itët imamitë janë myslimanë. Ata besojnë në Allahun, në Profetin, në Kur’anin dhe në çdo gjë që solli Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).Te shiiat imamitë, si në kohët e shkuara, edhe tani, ka juristë shumë të mëdhenj dhe dijetarë në çdo fushë. Ata janë mendimtarë të thellë dhe njohës të gjerë. Shkrimet e tyre janë me qindra e mijëra, ku shumë prej tyre i kam lexuar.” (Tarihul Teshriul islamij) 

7- Shejhu i Az’harit, Sejjid Muhamed Tantavi ka thënë: “Pa dyshim, myslimanët synitë dhe shi’itë besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. Ndryshimi i mendimeve nuk e pakëson shkallën e besimit të njerëzve.” (Revista “Risaletu Thakalejni”, nr. 12, i vitit të parë të botimit, 1413 hixhri. F. 252-253.)

8- Profesor Mahmud Sertavij, Rektor i Fakultetit të Sheriatit në Universitetin jordanez dhe një nga myftitë më të njohur, ka thënë: “Unë them po atë që kanë thënë të shkuarit tanë të mirë: Shiiat imamitë janë vëllezërit tanë në fe. Ata kanë te ne të drejtën e vëllazërisë, e gjithashtu, edhe ne tek ato. Ato mendime dhe pikëpamje të ndryshme që gjenden mes nesh dhe atyre, janë te degët e fesë.” (I njëjti burim i lartpërmendur, f. 90)

9- Profesor Abdul Fetah Abdul Meksud ka thënë: “Unë besoj se shiiat janë ballina e saktë e Islamit dhe pasqyrë e pastër. Kushdo që do të shohë Islamin, ta shohë nëpërmjet besimit të shiiave dhe nëpërmjet punëve të tyre. Historia është dëshmuesja më e mirë për ato që kanë bërë shiiat dhe për shërbimet e mëdha që kanë dhënë në fushën e mbrojtjes së besimit islam. Vërtet, dijetarët e nderuar shi’it kanë luajtur rol të madh në fusha të ndryshme, ku askush nuk mund ta bëjë. Ata sakrifikuan dhe luftuan shumë  për hir të lartësimit të Islamit, për përhapjen e mësimeve të tij të çmuara, për udhëzimin e njerëzve dhe për drejtimin e tyre kah Kur’ani.” (Fi sebijli vahdetil islamijeh)

Allahu na bëftë prej besimtarëve të drejtë dhe na e largoftë urrejtjen dhe armiqësinë nga zemrat tona!