Ta njohim më tej Kur’anin 1
Kur'ani, Libri i fundit i Allahut, përmban për njeriun programin më të plotë dhe më të përkryer të jetës. Kur’ani është i vetmi Libër që i siguron njeriut lumturinë e vërtetë në të dyja jetët. Kur'ani është drita e përjetshme. Ai është anija e shpëtimit në mesin e dallgëve të fuqishme të jetës.
Përmbajtja e Kur'anit është aq mahnitëse dhe aq madhështore, saqë i ka detyruar mendimtarët dhe dijetarët e shumtë jomyslimanë ta pranojnë madhështinë e këtij Libri të Shenjtë.
Kur’ani i Shenjtë është kushtetuta e përsosur e jetës. Ai është mrekullia e përjetshme, që ia Allahushpalli Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Poeti dhe mendimtari i njohur gjerman, Gëte ka thënë: Kemi arritur të përparojmë në shkencë dhe në dije dhe kemi grisur perdet e fanatizmit të kotë; por madhështia e mësimeve të shenjta të Islamit dhe të Kur'anit kanë ngjallur habi te ne dhe është afër koha kur ky Libër mahnitës do ta tërheqë botën drejt tij dhe do të lërë gjurmë në shkencën dhe në dijen e botës dhe në fund, të bëhet boshti i globit.
Allahu i Plotfuqishëm ka premtuar se do ta mbrojë Kur'anin nga çdo intrigë e ndryshim. Këtë e dëshmon ajeti 9 i sures “Hixhr”, që thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” Drita e këtij Libri të Shenjtë nuk mund të shuhet me fjalë e me intriga djallëzore. Kjo dritë do të vazhdojë të ndriçojë zemrat, shpirtrat, ndërgjegjet dhe mendjet e njërëzve deri në Ditën e Fundit të kësaj jete. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata dëshirojnë ta fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” (Sure “Teube”, ajeti 32.)
Është detyrë e të gjithë myslimanëve, pa dallim race, gjuhe, kombësie e shkolle (medhhebi), që të njihen sa më shumë me Kur’anin e Shenjtë dhe ta zbatojnë atë në jetën e tyre të përditshme.
Çfarë është Kur’ani?
Allahu i Madhërur thotë në Kur’an:
“O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), “me të cilin Allahu udhëzon ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (Sure “Maide”, ajetet 15-16)
Kur’ani është shpirt dhe trup. Shpirti i tij është udhëzimi dhe drita, kurse trupi i tij janë fletët dhe fjalët e e tij të shkruara. Trupi i Kur’anit arrihet lehtë nga të gjithë, qofshin besimtarë apo jobesimtarë. Shpirtit i Kur’anit - drita e udhëzimi tij - nuk arrihet lehtë. Që të arrijë shpirtin e Kur'anit, njeriu duhet të ketë shpirt të pastër.
Njeriu ka nevojë për ndriçim për zbulimin e të vërtetave. Allahu i Madhëruar e cilëson Librin e Tij dritë dhe Libër i qartë. Kjo dritë është e dobishme vetëm për atë që ka arsyetim. Kur'anin e kuptojnë të zotët e mendjes. Nëse njeriu nuk ka mendje të shëndoshë e vëmendje të ngulët, ai është i paaftë për ta kuptuar Kur’anin dhe përmbajtjen e tij të thellë e të pashtershme.
Në Kur’an çdo gjë është e qartë. Ai sqaron të vërtetat dhe zbulon çështjet e jetës dhe rregullat e saj të përgjithshme. Allahu i Plotfuqishëm, nëpërmjet Kur’anit, udhëzon në atë që është më e mira. Por, kush është i aftë ta rrokë këtë udhëzim? Në ajetin që u citua më lart thuhet se të aftët për udhëzim janë: “...ata që ndjekin pëlqimin e Tij...” (Sure “Maide”, ajetet 16)
Prej dëshirave më të mëdha të njeriut është që të jetojë një jetë të qetë e të kënaqshme në këtë botë dhe të sigurojë shpëtimin në Botën Tjetër. Këto arrihen duke studiuar Kur’anin, duke zbuluar të vërtetat e tij të pafundme, të cilat po sqarohen dita - ditës me përparimin e shkencës dhe duke e zbatuar atë. Cilido që ndjek porositë e Allahut, e meriton që Allahu ta nxjerrë prej errësirave në dritë. Errësirat në këtë jetë janë moralet e këqija, padrejtësia, mendjemadhësia, fanatizmi verbues, padituria dhe shkatërrimi. Drita janë moralet e mira, udhëzimi, mëshira, dija, arsyetimi etj. Kur’ani na urdhëron që të jemi gjithmonë me dritën dhe të largohemi prej errësirave humbëse e shkatërruese.
Si ta kuptojmë Kur’anin?
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “ Ne edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve u kemi dhënë Shpallje. Prandaj i pyesni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).”
‘(Të dërguarit i çuam) me prova të qarta dhe libra. Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kur'anin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” (Sure “Nahl”, ajetet 43-44)
Cila është rruga e drejtë dhe e saktë për ta kuptuar Kur’anin?
Përgjigja: Ta studiojmë dhe ta zbatojmë atë. Atëhere do të zbulojmë të vërtetat që përmban ai. Allahu i Madhëruar e ka bërë të lehtë Kur'anin për t'u kuptuar si nga arabët, ashtu edhe nga joarabët. Nëse studiohen ashtu siç duhet ajetet e Kur’anit, atëherë njeriu është i udhëzuar. Nuk lejohet që njeriu ta komentojë Kur’anin sipas mendimit të tij. Është transmetuar se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Alolahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kushdo që e komenton Kur’anin me idenë e tij, ai ka shpifur gënjeshtra për Allahun.” (Biharul Anuar, vëll 36, f. 227).
Atëherë, nëse përballesh me paqartësi në ndonjë tekst kur’anor, mos u nxito, por pyet të diturit e studiuesit, të cilët e kanë studiuar dhe e kanë kuptuar Kur’anin. Allahu i Madhëruar thotë: “Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe në mbrëmje. Njerëz, të cilët nuk i pengon shitblerja për ta përmendur Allahun dhe falin namazin dhe japin zekatin dhe kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.” (Sure “Nur”, ajetet 36-37).
Njerëz të tillë janë Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Alolahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe familja e tij (paqja qoftë mbi të!) dhe pasuesit e vërtetë e të denjë të profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kushdo që ecën në rrugën e tyre, e kupton Kur’anin. Ndjekësi i rrugës së tyre nuk është prej pasuesve të epshit. Atë nuk e pengon asgjë që të zbatojë urdhrat e Allahut të Madhëruar. Ai do të jetojë i lumtur në këtë jetë dhe do të jetë prej të shpëtuarve në Jetën Tjetër.
Të përsiatim për Kur'anin
Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Sure “Muhamed”, ajeti 24)
Allahu i Madhëruar e krijoi dritën dhe e ndau në dy pjesë. Të parën e vendosi te njeriu dhe e quajti mendje, intelekt. Me pjesën e dytë krijoi një libër, që e quajti Kur’an. Kur’ani është libri që Allahu e ka programuar me gjuhën e njeriut dhe e zbriti nga lart që njeriu, krijesa më e nderuar e Krijuesit, ta kuptojë.
Pa dyshim që gjendet përputhshmëri mes mendjes dhe Kur’anit. Kjo përputhshmëri e çon njeriun tek e vërteta. Sa më shumë të ndriçohet mendja me ajetet e Kur’anit dhe sa më shumë të zbatohet Kur’ani, aq më shumë kuptohet.
Kur’ani nuk mund të kuptohet pa një mendje të shëndoshë. Gjithashtu, as mendja nuk mund të jetë e shëndoshë pa Kur’anin. Ura lidhëse mes Kur’anit dhe mendjes është studimi, arsyetimi i ajeteve të tij e përsiatja mbi to. Lexuesi i Kur’anit nuk mund ta lexojë atë kalimthi. Leximi i tij nuk mund të jetë, thjesht lëvizje e gjuhës. Gjatë leximit duhet menduar thellë që të kuptohet përmbajtja e Fjalës së Allahut.
Djalli i mallkuar përpiqet që gjatë leximit të Kur’anit njeriu të mendojë për çdo gjë, por të mos mendojë për përmbajtjen e asaj që po lexon. Ashtu siç pëshpërit gjatë namazit, agjërimit e adhurimeve të tjera, po ashtu bën edhe gjatë leximit të Kur’anit. Për këtë Allahu na urdhëron e thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kur'anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar.” (Sure Nahl, ajeti 98.) Pëshpëritjet e djallit janë një shkak i moskuptimit të domethënies së Kur'anit.
Kur’ani është libër për të gjithë
Allahu i Madhëruar thotë: “Elif Lám Râ. Ky është një Libër, ajetet e të cilit janë radhitur mrekullueshëm dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e Një të Urti të Gjithëditur. (Sure “Hud”, ajeti 1).
Edhe pse me kalimin e kohës njeriu ka përparuar, qoftë në teknologji apo në botëkuptim, përsëri ai ka nevojë për udhëzues dhe orientues.
Allahu e ka zbritur Kur’anin për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët. Kjo e vërtetë e padiskutueshme është prej mrekullive të Kur’anit. Ai u flet të gjithë njerëzve, pa dallim mendësie, ideologjie, kombi, race, ngjyre, gjuhe, vendi e kohe.
Kur’ani ka anën e jashtme dhe anën e brendshme. E jashtmja e tij janë shkronjat, fjalët dhe fjalitë. E brendshmja e tij është shumë e thellë. Sa më shumë të futemi në thellësitë e Kur’anit, aq më shumë do të pajisemi me njohje e me dije. Njeriu i thjeshtë kupton nga Kur’ani diçka të caktuar. Dijetari, hulumtuesi studiuesi e mendimtari e kuptojnë më shumë dhe janë të aftë të nxjerrin ligje e rregulla për njerëzit. I tillë ka qenë profeti, mësuesi dhe komentuesi i parë i Kur’anit. Pas tij imamët prej familjes së tij të pastër, shokët e tij të zgjedhur dhe pasuesit e devotshëm. Në çdo kohë, njerëzit kanë përfituar shumë prej Kur’anit. Është si puna e shiut që zbret prej qiellit dhe shpërndahet në tokë e në lugina e secila tokë e luginë depoziton aq ujë sa i nevojitet.
Kur’ani është Libri i Allahut. Edhe gjithësia është Libri i Allahut. Të dy këta libra janë në përshtatje dhe në përputhje të plotë me njëri tjetrin. Ai që dëshiron të njohë jetën dhe natyrën, të lexojë Kur’anin dhe të ndriçohet me dritën e tij të pashuar. Ata që e lexojnë Kur’anin pas portave të mbyllura, pa vështruar se çfarë gjendet rreth tyre, nuk mund të përfitojnë prej tij. Edhe ata që dëshirojnë të njihen me jetën dhe me natyrën pa pasur ndonjë libër udhëzues e sqarues, asnjëherë nuk do të mund ta kuptojnë. Jeta njihet duke medituar e jetuar sipas Librit të Allahut që sqaron gjithçka.
Përderia Kur’ani është libër me vlera të larta dhe burim i pashtershëm dijesh për mbarë njerëzit dhe kohët, është detyrë që këto dije e njohjeje të përhapen edhe më shumë duke përdorur rrugë dhe metodologji të ndryshme.
Ne dhe Kur’ani
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur'ani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur'anin, si (diçka) të urryer. Dhe, kështu Ne, çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës. Jobesimtarët thonë: “Përse Kur'ani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi ajet pas ajeti.” (Sure “Furkan”, ajetet 27-32)
Tani, kur po afrohen largësitë dhe po hiqen kufijtë, shkenca e teknologjia kanë përparuar shumë, lind pyetja: Vallë, me përparimin e shkencës e të teknologjisë, a kemi njevojë për Kur’anin? Sigurisht, po.
Përgjigjja e ka burimin tek e vërteta se ç'është njeriu. Njeriu është shumë më i lartë se krijesat e tjera sepse Allahu i fryu shpirtin e Tij dhe i bëri engjët t’i përulen atij në shenjë nderimi. Në kohën e sotme, kur janë përhapur pasuria dhe lakmia, njerëzit me pozitë mundohen t’i shfrytëzojnë të tjerët në maksimum për hir të interesave të veta. Sot njeriu bota ka nevojë më shumë se kurrë për vlera, shpirtmadhësi, respekt, dashurie e mirëkuptimi.
Në këtë botë të teknologjisë së përparuar, të atomit e raketave, duhen njerëz që i mbështeten Allahut e kapen fort pas litarit të Tij - fesë islame - dhe që e ngrejnë zërin kundër keqbërësve e të padrejtëve e thonë se Zoti është Një e i Vetëm e vetëm Atij i takon përulja dhe adhurimi. Dhe kjo nevojë mund të përmbushet nëpërmjet disa projekteve:
1- Të ngrihen qendra të posaçme kur'anore për fëmijë. T’u mësohen fëmijëve ajetet e Kur’anit në mënyrë të thjeshtë, tërheqëse dhe të përshtatshme. Kështu, mendjet e fëmijëve myslimanë ndriçohen që në vogëli me fjalën e Krijuesit, Allahut të Madhëruar.
2- Duhet që Kur’ani dhe dijet e tij të pashtershme të jenë epiqendra e punëve dhe e lëvizjeve tona në këtë jetë të mbushur me sfida e me mentalitete të ndryshme materiale.
3- Kur’ani të jetë në themel të studimeve tona. Të mos shpenzojmë kohë me diskutime e debate pa vlera e pa dobi, por t’i kthehemi Kur’anit e ta studiojmë, ashtu siç e meriton ai. Kur’ani është i mbushur me këshilla e urtësi, për të cilat kanë nevojë të gjitha grupmoshat dhe shtresat e shoqërisë.
Është detyrë e çdo myslimani dhe myslimaneje që besimi i tyre dhe punët e tyre ta kenë burimin te Kur’ani i Shenjtë. Kur'ani është Libër i gjallë. Kur'ani nuk është vetëm për të kënduar a lexuar Jasinin, a për të hapur ceremoni e programe të ndryshme. Kur'ani nuk është, thjesht Libër për të zbukuruar bibliotekat tona e aq më pak, për t'u mbajtur pranë timonit të makinave.
Mosinteresimi ndaj Kur'anit ka bërë që njerëzit të mbeten në udhëkryqin e tekonoligjisë së shpejtë dhe nuk dihet se ku do t’i çojë!!!
Kur njeriu blen një pajisje të re, puna e parë që bën është të shohë katalogun se si funksionon dhe si duhet ruajtur.
Allahu i Madhëruar, kur i krijoi gjithësinë dhe jetën, çoi për njerëzit të dërguar dhe libra për t'u mësuar atyre mënyrën e jetesës. U sqaroi atyre ligjet dhe rregullat e qetësisë dhe të paqes si për këtë jetë ashtu edhe për Jetën Tjetër.
Në Kur'an ka përgjigje të qarta rreth krijimit të universit. Ka përgjigje për shkaqet e përparimit dhe të shkatërrimit të popujve të shkuar. Ka përgjigje për gjithçka sepse vetë Allahu thotë: ...Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje... (Sure Nahl, ajeti 89.) Asnjëherë të mos mungojë Kur’ani në jetën tonë. Të jetë njësoj si dielli që lind përditë. Sepse ai nuk ka zbritur për një popull të caktuar por Allahu e ka zbritur për mbarë njerëzinë. Ai ecën siç ecën nata dhe dita.
Leximi i Kur’ani pa u vënë jetë, nuk është tjetër veçse humbje kohe dhe mospërfitim.
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur'anit!