Gazeta Ha’aretz: Ushtria izraelite po luan një lojë vdekjeprurëse në Gaza
Ushtria izraelite është duke luajtur një lojë ndjekjeje të pafundme në Gaza. Ndërsa militantët e Hamasit po mësojnë nga luftërat e kaluara dhe nga grupet e tjera terroriste (!), Forcat Izraelite të Mbrojtjes po zbulojnë se armiku tashmë nuk ik kur sheh ndonjë tank izraelit të mbushur me ushtarë.
Ndërsa gjithë më tepër ushtarë të lënduar evakuoheshin të dielën nga luftimet e ashpra në Shuxhaijeh dhe silleshin në bazën e improvizuar ajrore në Kfar Aza, pranë kufirit me Gazën, komandanti lokal urdhëroi që mjekimet të bëheshin prapa një pemishteje të vogël, fshehur nga ekipet e mediave.
Numri i viktimave nuk ishte shpallur ende për publikun dhe gjëja e fundit që dëshironin Forcat Izraelit të Mbrojtjes ishin pamjet e ushtarëve të plagosur e të bandazhuar teksa nxirreshin nga zona e luftës.
Helikopteri Blackhawk, i cili i barti ushtarët për në spitale në qendër e në jug të Izraelit, hidhte shkrepëtima zjarri për t’u shpëtuar raketave që orientohen sipas nxehtësisë. Në një hapësirë prej dy ditësh, ajo që duhej të ishte një operacion i kufizuar tokësor u shndërrua në një përsëritje të Luftës së Dytë të Libanit, me një ushtri teknologjikisht të përparuar izraelite, e cila po luan një lojë mace-mi me ekipet e vogla të raketave.
Një oficer veteran i operacioneve në Gaza, i cili ishte larguar nga zona e luftimeve për disa orë, tha për Haaretz: “Unë kam qenë në Shuxhaijeh (një paralagje e Gazës) edhe më parë, por kurrë nuk e kam parë kështu, as Shuxhaijen dhe as Hamasin. Pajisjet dhe taktikat e tyre janë tashmë njësoj si ato të Hezbollahut: gjithandej kurthe raketore (missile trap) dhe pajisje të improvizuara eksplozive (IED: Improvised Explosive Device). Dhe për dallim nga herët e tjera, ata qëndrojnë në vend dhe luftojnë, duke mos ikur si më parë.”
Fill pas luftës së vitit 2006 në Liban, Forcat Izraelite të Mbrojtjes e zhvilluan rezervën e tyre të Transportuesve të Blinduar (Armored Personnel Carrier, APC), duke e pajisur me mjete më të rënda Achzarit dhe me Namer-in e ri, të mbështetur në dizajnin e tankutMerkava. Ushtria u pajis edhe me tankun e ri Merkava të tipit MK IV, të ngarkuar me sistemin anti-raketor Trophy, i cili është, në thelb, një version i miniaturizuar i Kupollës së Hekurt (Iron Dome), i përshtatur për mjetet e blinduara luftarake.
Por numri i këtyre tankeve dhe transportuesve të blinduar që janë në dispozicion të ushtrisë është shumë i pamjaftueshëm për të përkahur një operacion madhor tokësor. Për shembull, trembëdhjetë ushtarët e Brigadës së Golanit, që u vranë në luftime në orët e hershme të të dielës, ishin në një tranportues të blinduar M-113 pesëdhjetëvjeçar, i cili fillimisht u godit nga një IED e më pas nga një raketë.
Një oficer tjetër tha për Haaretz se “transportuesit e ri të blinduar janë më të mirë por edhe ata janë të brishtë karshi raketave, veçanërisht në një mjedis të tillë, ku kanë shumë pak hapësirë manovrimi. Këta mjete duhet vazhdimisht ta ndryshojnë pozitën e tyre dhe në vende si Shuxhaijeh, nuk ka shumë hapësirë për një gjë të tillë”.
Tre ushtarë të Brigadës së Golanit, duke përfshirë edhe një zëvendëskomandant të batalionit, u vranë kur një raketë tjetër e goditi godinën ku e kishin vendosur bazën e tyre të përkohshme.
Por ndërsa problemet e veprimit në mjedisin urban të Gazës janë të njohura për Forcat Izraelite të Mbrojtjes falë operacioneve të mëparshme në Gaza, niveli i luftëtarëve të Hamasit dhe profesionalizmi i tyre relativ i befasoi deri diku forcat izraelite.
“Nuk është një katastrofë”, thotë një oficer izraelit. “Ne ende jemi të aftë t’i përballojmë dhe kemi vrarë shumë më tepër nga luftëtarët e tyre nga ç’kanë vrarë ata nga tanët. Por s’ka dyshim se ata janë një nivel më lartë nga ajo që kemi pritur.”
Brigada e Golanit e sulmoi Shuxhaijen në natën e tretë të sulmit tokësor. Burimet ushtarake thonë se kjo ndodhi për shkak të vonesës në evakuimin e civilëve nga kjo lagje dhe për shkak të hezitimit të forcave izraelite për ta sulmuar në një fazë të hershme të operacionit “të kufizuar” këtë zonë, e cila konsiderohet ndër bazat më të rëndësishme të Hamasit e që është një mishmash tunelesh e bazash raketahedhëse.
Një oficer i njohur mirë me planet operative në Gaza thotë: “Ne nuk hymë të premten sepse duhej të qëndronim prapa. Direktivat ishin për një operacion të kufizuar, por tunelet që u gjetën dhe goditjet e Hamasit nga kjo zonë (i ndryshuan gjërat)...Vërtet u habitëm me atë që gjetëm atje. Problemi i vetëm është se luftimi në një vend si Shuxhaije është skenari ideal për Hamasin, sepse ne u japim shumë caqe për të goditur. Pikërisht kësaj përpiqeshim t’i shmangeshim.”
Edhe përkundër viktimave në të dyja anët, Forcat Izraelite të Mbrojtjes thonë se luftimet në Shuxhaije ishin të pashmangshme dhe sollën rezultate madhore në aspektin e tuneleve dhe infrastrukturave të tjera të shkatërruara të Hamasit. Ndërkohë që palestinezët thonë se së paku 60 civilë u vranë në këto luftime, ushtria izraelite thotë se dy të tretat e viktimave ishin ushtarë të Hamasit.
Të dielën në mbrëmje, artileritë dhe helikopterët e Forcave Izraelite të Mbrojtjes po hidhnin një breshëri zjarri mbi Shuxhaijen natën e dytë me radhë, ndërkohë që edhe luftimet e afërta në lagje vazhdonin. Asnjëra nga palët nuk e dorëzon këtë pozitë strategjike, e cila është bërë tani simboli i asaj që gjithë më tepër po duket si një luftë e mirëfilltë e që ka shkaktuar mjaft gjakderdhje.
Burimi: Mendimi Alternativ