Kerkimet Filozofike Fetare

Ndodhia e mubaheles dëshmi e qartë për vilajetin e ehli bejtit

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme. Nëse kapeni për këto të dyja, nuk keni për të humbur kurrë pas meje: Librin e Allahut dhe pasardhësite mi, Ehli Bejtin tim.”

Cilido musliman që hulumton literaturat islame, larg fanatizmit dhe nervozizmit verbues, do të shohë me qartësi se gjenden transmetime të shumta, të ardhura për Ehli Bejtin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ato transmetime flasin për virtytet e tyre specifike dhe për tiparet e tyre dalluese me të cilat u veçuan nga individët e tjerë të shoqërisë islame.

Ajo që s’ka dyshim, është se arritja e kësaj sasie të madhe transmetimesh për përparësinë e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) dhe për sqarimin e pozitës së tyre, pavarësisht përpjekjeve të fshirjeve, devijimeve e ndryshimeve me të cilat u përballën këto transmetime, tregojnë qartazi pozicionin e tyre si prijës dhe udhëheqës të ummetit islam dhe se ata mbartin aftësi dhe mundësi për këtë udhëheqje.

Në librat e komentimit të Kur’anit të shenjtë gjenden dëshmi të qarta se ka shumë ajete që kanë zbritur për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!), të cilat sqarojnë pozitën e tyre të veçantë në mesin e bashkësisë islame. Nga dëshmitë unanime të kësaj çështjeje është ajeti i pastrimit (ajetu’t-tat’hijr), ajeti i dashurisë (ajetu’l-meuddeh), ajeti i dhënies së ushqimit (it’amut ta’aam), ajeti i lutjes për mallkim (ajetu’l-mubaheleh). Në këto pa rreshta do të flas për ajetin e lutjes për mallkim (ajetu’l-mubaheleh), i cili dëshmon dhe konfirmon shumë qartë pozitën e lartë të Ehli Bejtit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Allahu Lartësuar thotë: “E kush të kundërshton ty në çështjen e tij, Isait, pasi të është bërë e ditur e vërteta, t’i thuaj: ‘Ejani, t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej, sinqerisht të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 61.)

Ky ajet ka zbritur si rezultat i debatit ndërmjet të Dërguarit më fisnik, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe një delegacioni të krishterësh nga Nexhrani, të cilët pretendonin të vërtetën në anën e tyre dhe të fesë së tyre.

I Dërguari i Allahut i ftoi ata në lutje për mallkim (mubahele), siç thotë edhe ky ajet i bekuar. Rezultati i saj ishte se ai e hodhi poshtë pretendimin e tyre duke ua mbyllur gojën me argumente dhe duke i mundur me fakte.

Ata zgjodhën nënshtrimin dhe pagimin e xhizjes (taksës) në vend që të luteshin për mallkim me të Dërguarin më fisnik dhe Ehli Bejtin e tij, pasi që u bindën për ndëshkimin e dhimbshëm dhe mallkimin e përhershëm që do të binte mbi ata.

Kjo ndodhi është më e njohur sesa të përmenden hollësitë dhe detajet e saj, sepse janë librat e historisë, të hadithit, të jetëshkrimit profetik dhe të komentimeve të Kur’anit, ato që kanë marrë përsipër sqarimin e saj në mënyrë të detajuar.

Ajo që është e rëndësishme për ne këtu, është sqarimi i vërtetësisë së këtij ajeti të begatë, me anë të të cilit, Allahu i Lartësuar e zgjodhi Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!) për këtë pozitë madhështore, si dhe për sqarimin e treguesve të kësaj zgjedhjeje të qëllimshme të Allahut.

Librat e komentimit, të haditheve dhe të jetëshkrimit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) janë në unanimitet se ata të cilët i ka zgjedhur i Dërguari i Allahut, bazuar tek urdhri i Zotit, si vërtetues për ajetin e ndritur, janë: Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni dhe askush përveç tyre, as nga shokët e as nga bashkëshortet e profetit. (Shih:Sahijhu Muslim, 4: 1871. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 225/2999. Mesabijhu’s-Sunneh, 4: 183/4795. El-Kamilu fi’t-Tarijkh, 2: 293. Esbabu’n-Nuzul i Uahidijut: 60. Tefsijru’r-Razij, 8: 81. Tefsijru’z-Zemakhsherij, 1: 368. Tefsijru’l-Kurtubij, 4: 104. Tefsijru’l-Alusij, 3: 188-189. Tefsijru’n-Nesefij, 1: 221. Fet’hu’l-Kadijr i Sheukanit, 1: 347. Me‘alimu’t-Tenzijl i Begavijut, 1:480. Xhamiu’l-Usul, 9: 470/6479, e shumë të tjerë. Shih edhe Ajka e Kuptimeve të Kurani Qerimit i Hafiz Ibrahim Dalliut, komentimi i ajetit në fjalë, f. 333-334, ribotim i Fondacionit të Kur’anit, Tiranë. Po ashtu, shih edhe Kur’ani, përkthim me komentim në gjuhën shqipe i Sherif Ahmetit, f. 89.)

Sa’d ibn Ebi Uekasi ka thënë: “Në çastin që zbriti ky ajet: “Thuaj: Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj…”, i Dërguari i Allahut ftoi Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Hysejnin dhe tha: “O Allah, këta janë Ehli Bejti im.” (Shih: Musnedu Ahmed, 1: 185. El-Mustedrek ‘ala’s-Sahijhejn, 3: 150, dhe ka thënë: Është i saktë sipas dy Shejkhëve (Buhariut e Muslimit) dhe e saktësoi atë Dhehebiju gjithashtu. Fet’hu’l-Barij, 7: 60. Usdu’l-Gabe, 4: 10. El-Istij‘ab i Ibn Abdil-Berrit, 3: 37.)

Xhabir ibn Abdullahi ka thënë: “…vetë ne dhe vetë ju…”, i Dërguari i Allahut dhe Aliu dhe “…bijtë tanë…”, Hasani dhe Hysejni dhe “…gratë tona…” – Fatimeja.” (Ed-Durru’l-Menthur, 2: 38-39.)

Është transmetuar po për këtë kuptim nga Sha’biu. (Esbabu’n-Nuzul i Uahidijut, 59.) Madje këtë hadith e kanë transmetuar rreth 24 sahabë dhe tabi‘inë dhe më shumë se 52 persona prej transmetuesve të hadithit dhe dijetarëve të komentimit të Kur’anit (Shih: Teshjijdu’l-Muraxhe‘at, 1: 344-348.)

Zamakhsheriu tërheq vëmendjen se shkaku i paraprirjes së bijve dhe grave ndaj vetvetes në ajetin e ndritur është për të tërhequr vëmendjen për pozicionin e tyre të madh dhe pozitën e tyre të afërt, ngaqë ata kanë më përparësi se vetvetja. Nuk ka argument më të fortë për të e fakt më të qartë për vërtetësinë e profetësisë së Profetit sesa zgjedhja e pjestarëve të Mbulesës. (Tefsijru’l-Kesh’shaf, 1: 369-370.)

Ndërsa dëshmitë që mbart ky tekst kur’anor janë:

 

Dëshmia e parë:

Përcaktimi i personaliteteve për mubahele (lutje për mallkim) nuk është rast spontan i improvizuar, por është zgjedhje nga Allahu dhe e qëllimshme.

I Dërguari, kur u pyet për këtë zgjedhje, është përgjigjur: “Sikur ta dinte Allahu se në Tokë ka njerëz më fisnikë se Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni, do të më urdhëronte mua që të bëja lutje për mallkim me ta, por më urdhëroi mua që të lutem për mallkim me këta dhe me këta triumfova mbi të krishterët.”

Dëshmia e dytë:

Fenomeni i lidhjes së përhershme ndërmjet të Dërguarit dhe Ehli Bejtit të tij nënkupton domethënien e madhe të Mesazhit të Zotit, i cili mbart dëshmi ideologjike, shpirtërore dhe politike të rëndësishme.

Çështja nuk është një përkushtim i konceptit fisnor, i cili u rrënjos në trurin e arabëve, por është një përgatitje e qëllimshme nga Allahu për formulimin e ekzistencës së vazhdueshme në lëvizjen e Mesazhit të Zotit.

 

Dëshmia e tretë:

Nëse përpiqemi të konceptojmë përmbajtjen e fjalëve kur’anore që përmenden në këtë tekst e që është thënia e Tij e Lartësuar “…vetë ne…” do të mund të përceptojmë vlerën e këtij teksti në argumente të besueshme për vërtetimin e udhëheqësisë (imamatit).

Kjo shprehje kur’anore e konsideron imam Aliun si një gjendje mishërimi të plotë me personalitetin e të Dërguarit, duke përjashtuar profetësinë, e cila i dhuron të Dërguarit të Allahut një specifikë që s’mund të jetë askush tjetër pjesëmarrës në të, sido e sado që të jetë pozita e tij. Kështu, Aliu, me atë që ka nga besueshmëria e plotë është i merituari i vetëm në përfaqësimin e të Dërguarit në jetën e tij dhe pas vdekjes së tij. (Et-Teshejju’ i Abdullah El-Gurejfit, 224.) Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Ali. A nuk dëshiron të jesh tek unë në atë pozitë që ka qenë Haruni te Musai, me përjashtim se nuk ka profet pas meje.”

Në një thënie të tij i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Duajeni Allahun për atë që ju ushqen nga begatitë e Tij, më doni mua për dashurinë që keni ndaj Allahut dhe duajeni Ehli Bejtin për dashurinë që keni ndaj meje.” (Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 664/3789. Hiljetu’l-Eulija ue Tabakatu’l-Esfija i Ebu Naim El-Isfahanit, 3: 211, Daru’l-Kitabi’l-Arabij, Bejrut, botimi 4. Tarijkhu Bagdad, 4: 159. Usdu’l-Gabeh, 2: 13. El-Mustedrek ‘ala’s-Sahihejn, 3: 150. Ka thënë për të është hadith me zinxhir të saktë dhe është dakort me të edhe Dhehebiu.)

Allahu na bëftë prej atyre që e duan dhe e ndjekin Ehli Bejitn (paqja qoftë mbi ta!) në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!