Kerkimet Filozofike Fetare

Gojëdhëna e Rolit Të Nasiruddin Tusit Dhe Shiitëve Në Rënien e Bagdadit

“Dijetari dhe historiani iranian Resul Xhaferijani, në artikullin e tij shumë të rëndësishëm, rrëzon një nga argumentët thelbësore të propagandës antishiite. Themi se gjenden, një shumëllojshmëri këndvështrimesh të ndryshme, të cilat disa herë kundërshtojnë njëri-tjetrin, për sa i përket rolit politik në botën islame, të dijetarit të madh iranian Haxhi Nasiruddin Tusit, veçanërisht në disa ngjarje të ndodhura në botën islame, gjatë pushtimit mongol. Kjo larmi mendimesh e vështirëson më tej, gjykimin e paanshëm të Nasiruddin Tusit dhe qëndrimin e tij politik”.

“Disa studiues e kanë akuzuar Nasiruddin Tusin, për dhënien përparësi të përfitimeve politike, përballë përmirësimit fetar, ndërsa disa të tjerë, kanë pretenduar se ky i fundit, nuk është përfshirë në çështjet politike. Sipas këtyre studiuesve, Nasiruddin Tusi nuk zotëronte fuqinë e mjaftueshme, për të krijuar një ndikim, me përmasa të mëdha politike dhe shoqërore. Përveç këtyre dy grupeve, gjendet dhe një grup i tretë studiuesish, i cili duke i marrë si të mirëqëna, pretendimet rreth tij pohon se, qëndrimi i Nasiruddin Tusit, jo vetëm që nuk binte ndesh, me përmirësimin fetar të muslimanëve, por ai ishte qëndrimi i duhur, duke iu përshtatur përmirësimit. Ne në këtë artikull, do të kryejmë shqyrtimin, e këtyre mendimeve dhe do të orvatemi të hedhim sadopak dritë, mbi këto çështje të dyshimta”.

“Ngjarja e rënies së Bagdadit në vitin 656 e mërgimit islam / 1258 gregorian në duart e mongolëve, pranohet si një pikë kthese në historinë islame. Kjo ngjarje la një gjurmë të pashlyeshme, kështu që disa studiues të historisë islame, me kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës, pohojnë njëzëri se viti 656, përfaqëson fundin e udhëheqjes së abbasitëve”.

“Përfundimi më i rëndësishëm i rënies së Bagdadit, është rrënimi i udhëheqjes së abbasitëve dhe kalimi i tij, në duart e perandorisë jomuslimane të ilhanëve. Pas kësaj ngjarje, udhëheqja u largua njëherë e përgjithmonë, për të mos u kthyer më kurrë, nga trojet politike iraniane, Gadishullit Arab dhe Azisë së Mesme. Si rrjedhojë, udhëheqja kaloi nëpër duart e prijësve dhe udhëheqësve të vegjël”.

“Gjatë pushtimit të Bagdadit, shiitët ishin një pakicë të papërfillshme, përballë shumicës dërrmuese të sunnitëve. Në atë epokë sunnitët, përbënin shumicën e banorëve të Iranit dhe Irakut. Gjithashtu sunnitët merrnin pjesë, në shumicën e ushtrisë së harezmshahëve dhe abbasitëve. Kur erdhën mongolët, nuk hasën në një rezistencë serioze, si pasojë e shpërthimit të përçarjeve dhe trazirave të brendshme, në sistemin qeverisës dhe ushtarak të abbasitëve, ose më saktë në mungesën e fanatizmit kombëtar, në trojet islame lindore. Kjo ishte arsyeja, që mongolët ia dolën mbanë, që të rrënonin lehtësisht, nga themelet udhëheqjen e abbasitëve”.

“Me fjalë të tjera, shiitët e Iranit dhe Irakut e asaj epoke ishin një pakicë. Ata i shëmbëllenin një fije kashte, përballë vërshimit shkatërrues të mongolëve. Si rrjedhojë, as abbasitët dhe as sunnitët, nuk mundën t’i ndalonin këto sulme të njëpasnjëshme. Vetëm qyteti i rëndësishëm shiit irakian i Hiles, zgjodhi rrugën e paqes. Ibn Tausi luajti rolin e ndërmjetësuesit, në këtë marrëveshje”.

“Në këtë ngjarje historike, përmenden emrat e tre dijetarëve shiitë:

a. “Haxhi Nasiruddin Tusi, i cili jetonte në qytetin e Alamutit dhe pasi Hulagu Hani e pushtoi këtë, iu bashkangjit ushtrisë së tij dhe krijoi afrimitet me prijësin”.

b. “Muejjiduddin Ibn Alkami, veziri i prijësit abbasit Mustasimit, i cili e ka mbajtur postin e tij, deri në pushtimin e Bagdadit, i cili jetoi dhe disa muaj falë ndërmjetësimit të Nasiruddin Tusit dhe të tjerëve”.

c. “Sejjid Ibn Tausi, i cili qëndronte pranë, por duke iu frikësuar udhëheqësit abbasit, i cili vijoi të mbante të njëjtin qëndrim dhe në epokën e mongolëve, si dhe ndërmjetësuesi mes tyre dhe si rrjedhojë shpëtimtari i jetëvë të shiitëve”.

“Në vëmë re, se në burimet sunnite, gjenden disa të dhëna, mbi bashkëpunimin e Nasiruddin Tusit dhe mongolëve, deri në një epokë të caktuar, si dhe dhënien shtysë Hulagut. Përveç kësaj armiqtë dhe kundërshtarët, në pallatin mbretëror të asaj epoke të Ibn Alkamit, pasi përhapën disa thashetheme të rreme, i shënuan ata në veprat e tyre. Themi se këta thashetheme, e ruajnë vlefshmërinë e tyre dhe në ditët e sotme, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe historianëve bashkëkohorë. Në këtë kontekst janë kryer disa studime mbi rolin e Ibn Alkamit siç janë kryer dhe hetime mbi figurën e Nasiruddin Tusit. Në këtë artikull, do të shqyrtohen pikërisht këta mendime”.

“Në këtë mënyrë, u krijua terreni i përshtatshëm, për hedhjen e akuzimeve, të llojit se Haxhi Nasiruddin Tusi, pas pushtimit të qytetit të Alamutit nga mongolët, nisi bashkëpunimin me Hulagun dhe interesimi i tij si mbret erdhi, si pasojë e dijes së tij të madhe. Më pas ata vijojnë, duke thënë se, pas pushtimit të Bagdadit, ai tërhoqi vëmendjen e mbretit dhe iu caktua si detyrë vëzhgimi i insitucionëve islame dhe më tej i observatorit”.

“Të tërë këta akuzime, ndodhën pas një harku kohor, prej dyzetë vjetësh, pra pas një periudhe relativisht të gjatë, pasi shiitët përfituan, nga mungesa e udhëheqjes së abbasitëve. Kjo ishte arsyeja që disa historianë hanbelitë, akuzuan Nasiruddin Tusin, për rolin e tij nxitës, në pushtimin e Bagdadit. Akuzimet më të rënda, kryesisht u kryen nga historianë, si Ibn Tejmijje dhe Ibn Kethiri, të cilët njihen për qëndrimet e tyre ekstremiste kundër shiitëve. Siç shihet dukshëm, këta akuzime janë një tregues i mospasqyrimit të të vërtetave historike, por janë të fryra dhe të madhuara nga fanatizmi i doktrinave sunnite”.

“Me shtimin e dozës së akuzimeve të rënda dhe ndaj Ibn Alkamit, gjendja u përkeqësua ndjeshëm. Thashethemi ishte se Ibn Alkami, i cili shërbeu për çerek shekulli, si veziri i udhëheqësit abbasit, u akuzua për letërkëmbimin me Hulagun dhe për nxitjen e këtij të fundit për pushtimin e Bagdadit”.

“Duke u nisur nga këto thashetheme pohojmë, se gjenden dy arsye: E para është se Ibn Alkami, duke patur paarsysh epërsinë numerike dhe strukurën luftarake të mongolëve, ishte kundër mendimit të luftimit të tyre dhe kërkonte paqe. E dyta është se Ibn Alkami, i përkiste doktrinës shiite të dymbëdhjetë imamëve dhe sapo kishte shpëtuar, nga dora e komandantit abbasit Devatdarit, i cili kishte sulmuar dhe masakruar lagjen shiitë të Kerehut. Këto janë dy arsyet kryesore, që ai është akuzuar se ai, ka kryer letërkëmbimin me Hulagu Hanin”.

“Përveç këtyre dy dijetarëve të rëndësishëm irakianë shiitë, si Nasiruddin Tusi dhe Ibn Alkami, i cili kishte jetuar në këtë epokë ishte dhe Ibn Tausi. Ky i fundit, kishte marrëdhënie të mira, me dy udhëheqësit abasitë, përkatësisht si me Mustansirin, ashtu dhe me Mustasimin. Megjithatë ai nuk pranoi asnjë detyrë zyrtare, krahas këmbënguljeve të shumta, si për shembull përfaqësimi i etnisë shiite. Pas pushimit të Bagdadit, nisi interesimi për të dhe ai e pranoi me detyrim, përfaqësimin e kësaj etnie”.

“Siç është shprehur dhe vetë Ibn Tausi, pas ardhjes së mongolëve, ai krijoi marrëdhënie me këta të fundit, me qëllimin e marrjes nën mbrojtje të tij, familjes dhe miqve të tij. Ibn Tausi falë kësaj marrëdhënie miqësore, ai ia doli mbanë, që të shpëtonte me zgjuarsi, jo vetëm banorët e Hiles, por edhe shumë banorë të rrethinave të Bagdadit”.

“Ibn Tausi e shpegon këtë çështje në dy vende: “Në faqen 587, të veprës së tij me titull “Ikbal” (Pranimi), ai shkruan se në çastin, kur mongolët hynë në Bagdad, ai gjendej në vendin e quajtur Muktedijje dhe më pas me lejen e mbretit, pra Hulagu Hanit ai së bashku me njëmijë vetë shkoi në Hile dhe aty falenderoi Allahun e Madhëruar për këtë. Më tej shënon se ajo ditë e shtunë (18 Muharrem 656), ishte dita e rrënimit të shtetit abbasit, pikërisht siç e kishte përshkruar dikur Imam Aliu (p.m.t.), në një hadith të njohur, në mesin e popullit”.

“Në faqen 588, të së njëjtës vepër, citon se në datën 10 të muajit Sefer, të së njëjtit vit, kishte qëndruar përballë Mbretit të Botës Hulagut. Falë kësaj ndihme, ai kishte arritur që të shpëtonte veten, familjen, shumë të afërm dhe vëllezërit e tij. Ibn Tausi shton se ai, e kishte shpallur këtë ditë, si një ditë feste për të dhe ishte i detyruar, që të falenderonte Allahun (f.m.t.). Me këto thënie Ibn Tausi, sikur kërkon që nipërit e tij, të jenë në dijeni të rëndësisë së madhe të kësaj dite”.

“Mbi marrëdhënien mes Ibn Tausit dhe Hulagut, përmendet dhe një ngjarje tjetër. Në faqen 17, të veprës së tij me titull: “Fahru Fi’l-Edebi’s-Sultanijje” (Mënyra e Edukatës Mbretërore), Ibn Tiktika shkruan kështu: “Në vitin 656 kur mbreti Hulagu Hani, pushtoi Bagdadin, ai i ngriti pyetjen dijetarëve, se cili ishte më i ndershëm, mbreti i drejtë i pafe, ose udhëheqësi shtypës musliman. Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje, ai i mblodhi dijetarët në Mustansirijje. Kur erdhi koha e zbardhjes së vendimit dijetarët ngurruan. Në këtë mbledhje, merrte pjesë dhe një dijetar i respektuar dhe përparimtar, Radijuddin Ibn Tausi. Ky i fundit kur vuri re ngurrimin e dijetarëve, mori një laps dhe një letër dhe shkroi se mbreti i drejtë i pafe, ishte më i ndershëm, se udhëheqësi shtypës musliman. Pastaj dhe dijetarët e tjerë, bënë të ditur mendimet e tyre”.

“Në një fragment tjetër, në faqen 599, të veprës së tij me titull: “Ikbal” (Pranimi), Ibn Tausi kumton se ka lexuar një hadith, të shënuar nga Imam Sadiku (p.m.t.) në veprën e Batainit, në të cilin thuhet se, pas rrëzimit të udhëheqjes së abbasitëve, një njeri i drejtë nga Ehli Bejti, do të qeverisë bashkësinë e Muhammedit (p.q.m.t.) dhe më pas do të shfaqet i Përjetshmi”. (Mbi marrëdhënien e Nasiruddin Tusit dhe mongolëve, vështroni faqet 29-33 të veprës me titull: “Kitabhane Ibni Tausi” (Libraria e Ibn Tausit)”.

Përplasjet e Doktrinave Dhe Përfitimi i Pushtimeve Mongole Nga Përplasjet e Doktrinave

“Para së gjithash, dua të bëj një kujtesë: “Sulmet e mongolëve, kundër botës islame, kanë arsyet e tyre të qarta historike. Ndonëse syrit të historianëve, nuk i ka shpëtuar, as kërkesa e udhëheqësve abbasitë, drejtuar mongolëve, për të rrëzuar harezmshahët në trojet lindore islame, pohojmë se kjo kërkesë nuk ka shumë rëndësi. Sulmet mongole, kanë mënyrën dhe arsyet e tyre të veçanta, të cilat nuk kanë të bëjnë, as me doktrinën shiite as atë sunnite, as me Alamutin dhe as me abbasitët”.

“Në këtë pikë theksojmë se, vendimi nuk i përkiste as klerikëve, as Nasiruddin Tusit dhe as dinastisë xhuejnite. Këtu bëhet fjalë, për një popullsi endacake në rritje e sipër, e cila ishte nisur që nga Lindja e Largët (Mongolia) dhe kishte pushtuar trojet e pasura të Azisë Perëndimore. Të njëjtat sulme i kishin kryer dhe selçukët më herët, por të paktën këta të fundit ishin muslimanë. Pushtuesit mongolë, e njihnin mirë artin e luftës, metodologjinë e politikës dhe gjatë rrugës së tyre ata përfituan nga mënyra dhe mjete të ndryshme”.

“Shumë muslimanë të përzgjedhur shiitë, sunnitë dhe sufistë iranianë, u pranuan në pallatin mbretëror mongol, ndërsa një pjesë tjetër të madhe u masakruan. Pushtuesit mongolë, përparuan me shpejtësi hap pas hapi. Pas sulmit të parë të Bagdadit, kishin kaluar dyzetë vite. Kësaj radhe mongolët, nuk kishin për qëllim, vetëm pushtimin e Bagdadit (Irakut), por donin të pushtonin dhe Sirinë dhe Egjiptin, por nuk ia dolën mbanë. Secila fazë e sulmit mongol, kishte mënyrën, mjetin dhe pretekstin e tij. Njëra nga këta, ishte dhe përplasja mes doktrinave, por natyrisht kjo nuk kishte ndonjë rëndësi për ta”.

“Pushtuesit mongolë përfituan nga mosmarrëshja, mes qendrës së udhëheqjes dhe harezmshahëve. Kjo ishte një mosmarrëveshje vdekjeprurëse. Mongolët shfrytëzuan si arsyetim dhe sulmin ndaj tregtarëve të tyre, si dhe një sërë arsyetimesh të tjera, por thskojmë se këta ishin vetëm pretekste. Sipas burimeve historike, mësojmë se mongolët shfrytëzuan, përplasjet mes hanefitëve dhe shafiitëve dhe shiitëve mes sunnitëve”.

“Njërën nga këto ngjarje të çuditshme, e hasim në vëllimin e katërt, të faqes tridhjetëetretë, të veprës me titull: “Habibu’s-Sijeri” (I Dashuri i Jetëshkrimit). Kjo ngjarje flet për zbatimin e urdhrit të Xhengiz Hanit, nga Xhebe Nojani dhe Thubutaj Bahadiri, të cilët përndoqën dhe vranë banorët e harezmshahut, si dhe plaçkitën disa nga prefekturat e iraniane. Pastaj flitet për shkuarjen e Thubutaj Bahadirit në Tus dhe masakrimin masiv të banorëve të tij dhe për vajtjen e Xhebe Nojanit në Mazenderan dhe asgjësimin e shumë farefisve”.

“Më tej Xhebe Nojani, u nis për në qytetin e Rejit dhe Thubutaj Bahadiri iu bashkua atij. Në atë epokë, muslimanët ishin tejet fanatikë, si rrjedhojë e larmisë së doktrinave. Kështu që shafiitët pasi morën lajmin, se mongolët po afroheshin, dolën që t’i takonin ata. Shafiitët i nxitën mongolët, që të vrisnin gjysmën e banorëve hanefitë. Kështu që mongolët, fillimisht i kaluan në tehun e shpatës hanefitët dhe pastaj vranë dhe shafiitët duke thënë: “Vallë çfarë e mire do të na gjejë nga këta njerëz, që kërkuan vrasjen e bashkëqytetarëve të tyre?!” Pastaj Thubutaji shkoi nga Reji në Kazvin. Ndërsa Xhebeja mori rrugën, në drejtim të Hamedanit. Kur arriti në Kum, me nxitjen e banorëve sunnitë, vrau pjesën tjetër shiite. Më tej kur iu afrua Hamedanit, nënshkroi një marrëvdhje paqeje, me prefektin Mexhduddin Alauddeule Aleuitin”.

“Ndërsa në vëllimin e dytë, të faqes njëqind e tetëdhjetë e dy, të veprës me titull: “Tabakatu’n-Nasiri” (Klasifikimi i Nasirive), Sherif Xhuzxhani përmend një ngjarje, e cila ka të bëjë me akuzimin e shiitëve, se si dijetarët më të mëdhenj të Kazvinit, u takuan me Mengun për të vrarë shiitët ismailitë”.

“Në kreun me titull: “Pastrimi i Ateistëve (Mallkimi i Allahut (k.m.t.) Qoftë Mbi Ta)”, të veprës së tij Xhuzxhani citon: “Shkaku i daljes së ushtrisë nga qyteti dhe dërgimi i ushtarëve në qendrat e ateistëve, të cilat janë kështjellat, është se kështjellat që nga koha e Hasan Sabbahut (Allahu (l.m.t.) e Mallkoftë), janë shndërruar në qendrat e ateistëve. Hasan Sabbahu e kishte themeluar ligjin e tij, mbi shmangien dhe kështu, kishte ndërtuar kështjellën e Alamutit. Ai e kishte blerë këtë vend, e kishte shndërruar në një kështjellë dhe kishte shpenzuar jashtëzakonisht shumë pasuri, për ndërtimin dhe përorcimin e saj. Kjo kështjellë gjendet në rrethinat e qytetit të Kazvinit mbi një shpat mali. Banorët e Kazvinit janë të besimit të Ehli Sunnetit dhe Xhemaatit, ata kanë një besim dhe një doktrinë të pastër. Si pasojë e shmangieve të ateistëve, banorët dhe këta të fundit, janë vazhdimisht në përplasje dhe luftra. Banorët e Kazvinit dhe banorët e kështjellës së Alamutit luftonin çdo ditë. Kjo luftë vijoi deri në pushtimin e Xhengiz Hanit”.

“Kur mongolët pushtuan Iranin dhe Irakun, gjykatës Shemsuddin Kazvini, një imam besnik dhe vërtetues, doli disa herë në udhëtim, duke përballuar mallin për atdheun dhe u takua me Mengunë, duke i kërkuar këtij të fundit ndihma me sa kishte mundësi. Sipas një shkrimi, kur atesitët e kësaj kështjelle, shkaktuan rrëmujë dhe trazira në shtetet islame, gjykatës Shemsuddin Kazvivi, përdori një gjuhë të ashpër ndaj Mengusë, deri në atë masë, sa dënimi ndëshkoi mendjemadhësinë e tij”.

“Gjykatës Shemsuddini, përdori fjalë fyerëse ndaj Mengusë. Ky i fundit shtroi pyetjen: “Vallë çfarë lloj dobësie në shtetet tona, paska parë gjykatësi, që ka përdorur këro fjalë të çuditshme?!” Ndërsa gjyaktës Shemsuddini ia ktheu: “Vallë a nuk janë një dëshmi e dobësisë, ndërtimi i kështjellave të një bashkësie ateistësh?! Kjo bashkësi është nën mbrojtjen dhe udhëheqjen e mongolëve. Ata po presin dobësimin e shtetit tuaj dhe kur të ndodhë kjo, ata do të zbresin nga malet dhe do të shfarosin muslimanët që kanë mbetur. Si rrjedhojë do të zhdukin gjurmët e Islamit”. Këto fjalë e prekën Mengunë, kështu që ai urdhëroi për rrafshimin e kështjellave, pra vendqëndrimeve të tyre dhe malit të Alamutit”.

Akuzimi i Shiitëve

“Ndjekësit e Ehli Sunnetit, po kërkonin “fajtorët”, e humbjes së udhëheqjes së abbasitëve dhe rënies së Bagdadit, që simbolizonte fuqinë politike, kështu që nisën gjuetinë e shtrigave. Mënyra më e lehtë për të bërë këtë, ishte akuzimi i “kundërshtarëve” shiitëve. Megjithatë ky akuzim nuk u shënua në asnjë nga dokumentët, që përkojnë me ditët e rënies së Bagdadit, madje as në vitet pasardhëse. Përkundrazi kjo ishte një futje e shpikur në veprat sunnite, pas kalimit të dhjetra viteve, të kësaj ngjarjeje. Ja pra që nga ajo epokë, nisi hedhja e fajit drejtpërdrejtë mbi shiitët”.

“Ashtu siç e përmendëm dhe më lart të “pandehurit” kryesorë, ishin pikërisht Nasiruddin Tusi dhe Muejjuddin Ibn Alkami. Ndërsa në anën tjetër, me qindra dijetarë dhe politikanë sunnitë, ishin në krye të detyrës, në pallatin mbretëror mongol. Këta të fundit, i përcaktonin sunnitët, në detyra të ndryshme, sepse ata duke u nisur nga fakti, që nuk ishin muslimanë, nuk bënin dallime doktrinore, mes shiitëve dhe sunnitëve. Akuzimi i shiitëve, si Nasiruddin Tusi, ndodhi sepse Ibn Tejmijje dhe kundërshtarët e tjerë, të cilët pothuajse, në të tëra veprat e tyre, binin ndesh me doktrinën shiite, filluan interpretimin dhe shtimin e komentimeve negative, mbi rolin e shiitëve, të cilat zunë menjëherë vend në veprat e historisë”.

“Abbasi Ikbali pasi ka shqyrtuar, këndvështrimet e ndryshme, të historianëve sunnitë dhe shiitë, mbi rolin e Ibn Alkamit, në pushtimin e Bagdadit përshkruan: “Historianët sunnitë dhe shkrimtarët muslimanë, duke ndjerë një keqardhje dhe shqetësim të thellë, veçanërisht për vrasjen e udhëheqësit dhe shpërndarjen e shtetit abbasit,  mbajnë përgjegjës Ibn Alkamin. Ata e bëjnë këtë, sepse janë të mendimit se, i biri i udhëheqësit Ebu Bekri, kishte masakruar shiitët, në lagjen e Kerehut të Bagdadit dhe kishte plaçkitur tyrben e Imam Musait (p.m.t.)”.

“Kështu që Ibn Alkami, ishte zemëruar me të dhe më pas zemërimi i tij, ishte shndërruar në armiqësi kundër abbasitëve. Kjo ishte arsyeja, që i dha shtysë atij, duke përdorur të tëra mënyrat dhe mjetet, për të ndihmuar Hulagu Hanin, në pushtimin e Bagdadit dhe shfarosjen e abbasitëve. Për këtë qëllim, ai dërgonte emisarë të fshehtë, si Hulagut ashtu dhe Nasiruddin Tusit, duke e lajmëruar për dobësimin e pushtetit të udhëheqësit dhe lehtësimin e marrjes së Bagdadit”.

“Ndërsa për sa i përket historianëve shiitë, shpjegojnë se këto akuzime, janë disa thashetheme të kota dhe të pahijshme drejtuar vezir Ibn Alkames. Ata vijojnë duke sqaruar, se shkaktarët parësorë, të kësaj ngjarje të dhimbshme, ishin dobësimi i pushtetit të udhëheqësit, dhuna e të birit të tij Ebu Bekrit, dyfytyrësia e prijësve dhe komandantëve të tij si Devadtari. Për më tëpër, ata këmbëngulin, se akuzimet e kryera, në veprën e tij me titull: “Fahr” (Metodologjia), e Muhammed Ibn Ali Ibn Tabataiut, në vitin 701 e mërgimit islam, pra dyzetepesë vite pas pushtimit të Bagdadit nga Hulagu, janë tërësisht të papranueshmde dhe qesharake dhe më tej vijojnë duke lavdëruar besnikërinë, drjetësinë dhe përkushtimin fetar të vezirit”. (“Tarihu’l-Munguli” (Historia e Mongolëve), fq. 186)”

“Në lidhje më këtë çështje, në faqen pesëdhjetë e një, të veprës së tij me titull: “Teshejju Ue Tasauuf” (Shiizmi Dhe Misticizmi) Dr. Shejbi përkufizon: “Ndonëse pushtimi i Bagdadit, erdhi si rrjedhojë e pushtimit të pandalshëm mongol, i cili rrëzoi mbarë qeveritë, duke filluar që nga rajoni i Turkistanit deri në Irak, duke marrë parasysh konfliktin e vjetër, mes sunnitëve dhe shiitëve, përfundoi me akuzimin e palës së fundit”.

Vlerësimi i Pushtimit të Bagdadit Si Një Ngjarje Pozitive Nga Gjykatës Nurullahu Dhe Muhammed Bakir Hansari

“Ndonëse shiitët e brezave të mëparshëm, rrallëherë kanë shpalosur, mendimet e tyre mbi pushtimin  Bagdadit, pohojmë se gjenden një mori fjalimesh, të cilët vërtetojnë kënaqësinë e shiitëve, mbi rrënimin e një shteti të jashtëligjshëm, që kishte vrarë imamët e pafajshëm (p.m.t.) dhe në të njëjtën kohë, ishte një shtet dhunues dhe shtypës”.

“Gykatës Nurullahu, i cili është shprehur më qartë, në krahasim sqarimet, e dijetarëve të tjerë, bën të ditur se Nasiruddin Tusi, ia kishte dalë mbanë, që të krijonte lidhje të forta dhe të bashkëpunonte ngushtë, më familjarët e Hulagut dhe shton se falë tij, si Hulagu dhe Begumi, ishin krenuar me pranimin e fesë islame”.

“Sërish sipas gjykatës Nurullahut, Ibn Alkami pasi kishte mësuar pozitën e lartë të Nasiruddin Tusit tek Hulagu, i kishte dërguar atij një letër, nëpërmjet së cilës, e kishte nxitur në pushtimin e Bagdadit dhe i kishte kërkuar atij: “Marrjen e hakut nga udhëheqësit abbasitë, për vuajtjet e shkaktuara, farefisit të zotërisë sonë Muhammedit (p.q.m.t.)”. Pas kësaj mbreti Hulagu, kishte ecur përpara me drejtësi, në udhën e vërtetë, të treguar nga Nasiruddin Tusi”. (“Mexhalisu’l-Muminini” (Mbledhjet e Besimtarëve), vëll. 2, fq. 351)”.

“Gjykatës Nurullahu, duke përshkruar dhe për dijetar Hilin shprehet: “Kreu i dhënësve të miratimeve, Shejh Xhemaluddini (m.m.t.), në veprën e tij me titull: “Keshfu’l-Hakki” (Zbulimi i Të Vërtetës), na njofton se Imam Aliu (p.m.t.), na ka paralajmëruar pushtimin mongol dhe tatar, rrënimin e mbretërisë abbasite dhe vrasjen e udhëheqësit abbasit nga Hulagu”.

“Dijetar Hili pohon: “Për këtë arsye, kur Hulagu Hani iu afrua Bagdadit, im atë Shejh Sediddun Sejjid Ibn Tausi dhe paria e qytetëve irakianë të Nexhefit, Kufes dhe Hiles, i shkruan dhe i dërguan nje letër Hulagut, duke i kërkuar ndihmë që të shpëtonin. Pas kësaj Hulagu i thirri ata në praninë e tij. Të tërë ata që kishin shkruar, kërkesën për ndihmë, nuk shkuan përveç tim eti. Ky i fundit shkoi dhe u takua me Hulagu Hanin. Gjatë këtij takimi, kur Hulagu e pyeti tim atë: “Vallë përse më shkruat një letër, për të më kërkuar ndihmë, kur nuk janë shfaqur ende shenjat e fitores?!” Ndërsa im atë iu përgjigj qetë-qetë: “Imam Aliu (p.m.t.), na ka paralajmëruar më herët për ardhjen tuaj, për triumfimin e turqve, ndaj udhëheqësit të fundit abbasit, pra ai si një njeri largapmës, kishte parashikuar pushtimin, e të tëra kështjellave dhe qytetëve abbasitë. Pasi im atë mbaroi rrëfimin e këtij transmetimi të mahnitshëm, Hulagu e shpërbleu atë, duke ia plotësuar kërkesën për ndihmë dhe duke i lënë të qetë qytetët e Nexhefit, Kufes dhe Hiles. Në këtë mënyrë tyrbja e shenjtë, krahas banorëve sunnitë, shpëtuan nga duart e pushtuesve mongolë dhe tatarë”. (“Mexhalisu’l-Muminini” (Mbledhjet e Besimtarëve), vëll. 2, fq. 353)”.

“Gjykatës Nurullahu kishte cekur dhe më herët, letërkëmbimin mes Ibn Alkamit dhe Hulagusë, në faqen nëntëdhjetëenëntë, të veprës me titull: “Desturu’l-Uzera” (Disiplina e Ministrave), e Handmirit, për sulmin e ushtrisë abbasite, kundër lagjes shiite të Kerehut në Bagdad, nën udhëheqjen e Devatdarit, por siç shihet qartë, ky letërkëmbim nuk kishte lënë përshtypje mbi të”.

“Arseyja e gjendjes së transmetimit të nxitjes së Hulagut, nga ana e Nasiruddin Tusit, në veprën me titull: “Habibu’s-Sijeri” (I Dashuri i Jetëshkrimit) (vëll. 4, fq. 106) është sepse historianët shiitë e asaj epoke, e kanë përcjellur këtë transmetim si të zakonshëm. Pasi ushtria mongole e shkatërroi, nga themelet shtetin e banorëve të Alamutit, Haxhi Nasiruddin Tusi u largua, nga pallati mbretëror abbasit dhe hyri në shërbimin e Hulagu Hanit, i cili e shpërbleu më së miri. Nasiruddin Tusi, duke qënë në dijeni të fanatizmit të skajshëm, të udhëheqësit Mustasim, e nxiti Hulagun që të dërgonte ushtarë për pushtimin e Bagdadit”.

“Tre shekuj pas ndërrimit jetë, të gjykatës Nurullahut, Muhammed Bakir Hansari Isfahani, gjatë shpjegimit të gjendjes së figurës, së Haxhi Nasiruddin Tusit, sqaron se ky i fundit, pasi kishte bashkëpunuar me Hulagun, kishte ardhur në Bagdad dhe këtë e kishte bërë, “për përmirësimin e vendit, zhdukjen e farës së rrëmujave, fikjes së flakëve së dhunës dhe largimin nga pushteti të abbasitëve”. (“Raudatu’l-Xhennati” (Kopështi i Xhennetëve), vëll. 6, fq. 300, 301). Ja pra dhe Hansari, e ka prekur dhe njëherë çështjen e bashkëpunimit, të Nasiruddin Tust me Hulagun dhe ka shkruar: “Ishte pikërisht Haxhi Nasiruddin Tusi, ai i cili e nxiti Hulagun, në pushtimin e Bagdadit, pushtimin e qytetëve dhe shfarosjen e Mustasimit. Pas këtyre ngjarjeve, Hulagu urdhëroi dhënien e observatorit, nën mbikqyrjen e Nasiruddin Tusit”. (“Raudatu’l-Xhennati” (Kopështi i Xhennetëve), vëll. 6, fq. 315, 316)”.

“Sadi Shiraziu, e ilustron në këtë mënyrë rënien e Bagdadit:

“Nëse qielli pikon gjak në tokë, ai ka të drejtë”.
“Sepse ai qan, për plaçkitjen e pasurisë,
“Së prijësit të besimtarëve Mustasimit”.

“Ndërsa Mevlana Rumiu, mendon ndryshe. Ai kumton:

“Ndonëse Bagdadi është rrënuar”,
“Në të vërtetë bagdadatasit kanë shpëtuar”.
“Oh sa keq ai rrënoi qytetin”, kriminelët thanë,
“Uallahi ai solli drejtësinë”, të dashuruarit ia kthyen”.

“Në veprën me titull: “Tarihu’n-Nasiri” (Historia e Nasirit), (vëll. 1, fq. 462) ai ka cekur përplasjen mes shiitëve dhe sunnitëve në Bagdad dhe sulmin e sunnitëve në lagjen Kereh, e cila është si vijon: “Veziri Muejiduddin Ibn Alkami, i cili është një shiit i lagjes Kereh, i dërgoi një letër Hulagu Hanit, në të cilën përshkruante, vuajtjet e shkaktuara nga sunnitët dhe në këtë mënyrë e nxiti atë. Sërish dhe dielli i gjyqtarëve, ndihmësi i fesë dhe i bashkësisë muslimane, Nasiruddin Tusi e motivoi Hulagun, që të marshonte drejt pushtimit të Bagdadit”.

Nacionalizmi Iranian Dhe Akuzimi i Haxhi Nasiruddin Tusit Dhe Ibn Alkamit

“Rishtas dhe nacionalistët bashkëkohorë iranianë, janë të gëzuar nga rënia e Bagdadit, ashtu siç ishin të lumtur dhe shumë dhe shiitë në të shkuarën, të cilët besojnë se kjo ngjarje ka ndodhur, me ndihmën e Haxhi Nasiruddin Tusit. Ravendi përshkruan: “Falë sulmit të Hulagut, masave dhe udhëzimit të Haxhi Nasiruddin Tusit, më në fund u bë i mundur, rrënimi pesëqind vjeçar i udhëheqjes abbasite. Në këtë mënyrë, Lindja e Mesme ose më mirë le të themi, qendra e trazirave dhe komploteve u zhduk njëherë e përgjithmonë nga skena politike”. (“Tarihu’l-Ixhtimai’l-Irani” (Historia e Shoqërisë Iraniane), vëll. 4, fq. 526)”.

“Dhebihullah Safa, jep më tepër hollësira se sa Ravendiu, duke e shtjelluar më tej këtë çështje. Dhebihullah Safa pasi përcjell transmetime, të mosmarrëveshjes mes Ibn Alkamit dhe nëpunësve abbasitë, nga burimet e epokës mongole, në kreun me titull: “Bashkëpunimi me Mongolët” shpalos: “Sipas mendimit tonë, shiitët e Iranit dhe Irakut të asaj epoke, ishin të njëzëri mbi përfitimin, nga dobia e fuqisë mongole, për të zhdukur kështjellën e fundit abbasite, e cila në të njëjtën kohë, ishte dhe përfaqësuesja e fanatizmit sunnit”.

“Më tej Safa shton: “Në mesin e tyre, dy personalitete të njohura dhe të vlerësuara, përkatësisht Ibn Alkami dhe Nasiruddin Tusi, ishin shumë të fuqishëm, kur Hulagu kishte pushtuar tanimë Iranin dhe po përgatitej të sulmonte Bagdadin. Kështu ata ia ndriçuan Hulagu Hanit, rrugën e rrëzimit të udhëheqjes abbasite dhe pastaj ia treguan atij, si diçka të zakonshme, vrasjen e udhëheqësit dhe familjes së tij. Në këtë mënyrë, ata morën pjesë, në rënien e Bagdadit dhe më tej morën leje nga Hulagu, për rindërtimin e tij dhe qeverisjen e institucionëve të tij islamë”. (“Tarih Edebijat Der Iran” (Historia e Letërsisë Të Iranit), vëll. 3, fq. 139)”.

“Fakti i cili na tërheq vëmendjen, është se mendimi i dijetar Safasë është kristalizuar, duke u mbështetur mbi mendimin e gjykatës Nurullahut. Ne nuk duhet të harrojmë se gjykatës Nurullahu, ka jetuar në një epokë, në të cilën përgjatë tre shekujve me radhë, kishte patur një mori përplasjesh të dendura, mes shiitëve dhe sunnitëve dhe si rrjedhojë, theksojmë se ai e ka vlerësuar, ngjarjen e rënies së Bagdadit, vetëm nga një këndvështrim. Ndërsa ai i cili nënvizon se burimet e dijetarëve, janë të njëzëri mbi rolin e luajtur të Nasiruddin Tusit në rënien e Bagdadit, është shkrimtari fanatik sunnit Shirin Bejani”.

Orientalistët Dhe Roli i Shiitëve

“Në veprën e tij me titull: “Rënia e Bagdadit Dhe Sundimi Mongol i Irakut”, (Meshhed, 1989), orientalisti Rasheed, ndonëse ka paraqitur të dhëna të hollësishme, mbi rënien e Bagdadit, duke e lidhur këtë ngjarje, me mosmarrëveshjet e vjetra, mes sunnitëve dhe shiitëve, ai nuk shprehet se këta të fundit, kishin bashkëpunuar me mongolët. Ndërsa në veprën e tij me titull: “Historia e Sundimit Mongol Në Iran”, Bertold Spuler kur trajton, shtënien në dorë të Hulagut, të qytetit të Bagdadit, nuk citon gjëkundi, rolin e shiitëve. Ai prek çështjen se disa të afërm të udhëheqësit abbasit, nuk e meritonin postin e tyre, si dhe përmend tradhtinë e Ibn Alkamit dhe letrat e tij. Megjithatë Spuler bën të qartë se Hulagu, nuk ia vuri veshin udhëzimeve të Ibn Alkamit. (“Tarihu’l-Munguli Der Iran” (Historia e Mongolëve Të Iranit), fq. 55)”.

“Bertold Spuler, cek dhe rolin ndërmjetësues, të Haxhi Nasiruddin Tusit, mes shiitëve dhe nëpunësve të shtetit, duke përkufizuar kështu: “Gjatë kohës së qeverisjes së Hulagut, dijetari i njohur Nasiruddin Tusi, mori përsipër rolin e ndërmjetësuesit mes mbretit dhe shiitëve. Si një fryt i miqësisë së mirë mes këtyre të dyve, shumica e banorëve shiitë të qytetit të Hiles, iu dorëzua pa kushte Hulagut, në vitin 658 të mërgimit islam. Gjithashtu në kuadër të miqësisë së mirë, mbreti Hulagu Hani urdhëroi, mbrojtjen e faltoreve të shenjta shiite, nga kryerja e çdo lloj sulmi dhe si rrjedhojë, u krijua terreni i përshtatshëm, për zbatimin e veprimtarisë së dijetarëve shiitë. Në këtë mënyrë, pronarët e vërtetë pra shiitët i morën mbrapsht, institucionët e tyre, të cilët sunnitët i kishin shpërndarë më herët”. (“Tarihu’l-Munguli Der Iran” (Historia e Mongolëve të Iranit), fq. 245)”.

Saidi Dhe Marrja Nën Mbrojtje e Ibn Alkamit

“Debati mbi rolin e shiitëve, në pushtimin e Bagdadit, është zgjatur deri në ditët tona dhe madje disa studiues i kanë kushtuar, mbarë jetën dhe kohën e studimit, shqyrtimit të kësaj çështjeje delikate. Njëri nga këta studiues, është dhe autori i veprës të botuar, në vitin 1972 me titull: “Muejjiduddin Ibn Alkami Ue Esraru’s-Sukuti’d-Deuleti’l-Abbasijjeti” (Muejiduddin Ibn Alkami Dhe Të Fshehtat në Rënien e Shtetit Abbasit), dijetar irakian Muhammed Shejh Husejn Saidi. Ky dijetar pasi i ka klasifikuar burimet, të cilat na lajmërojnë, për pushtimin e Bagdadit, ka përmendur se duke u mbështetur në burimet e asaj epoke, flitet për miqësinë mes Ibn Alkamit dhe udhëheqësit abbasit, por në asnjërin nga këta burime, nuk shënohet për krijimin e marrëdhënieve miqësore, mes Ibn Alkamit dhe pushtuesve mongolë”.

“Duke u nisur, në veprën e sipërcituar, ndonëse nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me Nasiruddin Tusin, por me personalitetin tjetër e rëndësishëm shiit Ibn Alkamin, është një kritikë e bukur, ndaj akuzimit të bashkëpunimit mes shiitëve dhe mongolëve”.

Abdulhadi Hairi Dhe Mbrojtja e Haxhi Nasiruddin Tusit

“Artikulli me titull: “Vallë A Luajti Ndonjë Rol Nasiruddin Tusi Në Sulmin e Mongolëve të Bagdadit?” (Shikoni Ajet Haxhi Nasiruddin Tusi Der Juresh Mungulan Be Bagdad Nakshi Dashte Est?), Shtëpia Botuese: “Këshilla e Letërsisë” Meshhed, viti 17 të mërgimit islam / viti 1363 gregorian, fq. 479-502) është një punim metodologjik, në këndvështrimin historik. Metoda e ndjekur nga Dr. Hairi, i ngjan metodës së ndjekur, nga Muhammed Shejh Husejn Saidi, në hetimin e figurës së Ibn Alkamit, por ai ka klasifikuar më mirë ngjarjet dhe është përqendruar në shqyrtimin e personalitetit të Nasiruddin Tusit”.

“Autori i këtyre rreshtave, pasi i ka trajtuar në mënyrë të hollësishme, si figurën e Nasiruddin Tusit dhe të Ibn Alkamit, i ka botuar në veprën e tij me titull: “Tarihu’t-Teshejju Der Iran” (Historia e Shiizmit në Iran). Dr. Hairi në këto dy shkrime, është mbështetur në metodologjinë historike dhe ka pasqyruar një sërë burimesh. Ai jo vetëm që është nisur, në burimet në gjuhën arabe, të cilat flasin për Irakun, në mënyrë të imtësishme, por i ka krahasuar me përpikmëri, të dhënat që kanë të bëjnë me Nasiruddin Tusin. Pas përfundimit të kryerjes, së këtyre krahasimeve, Dr. Hairi arriti në përfundimin se ky akuzim, ishte kryer me dhjetra vite, pas nagjrjes së rënies së Bagdadit”. (“Tarihu’t-Teshejju Der Iran” (Historia e Shiizmit në Iran), fq. 639-665)”.

Hasan Emini Dhe Nasiruddin Tusi

“Hasan Emini, i biri i i të ndjerit Sejjid Muhsin Eminit, i a përqendruar temat e studimit të tij, në çështjet e Nasiruddin Tusit dhe ismailitëve. Si fillim, ai ka hetuar epokën e Xhengiz dhe Hulagu Hanit, në veprën e tij me titull: “Guzzu’l-Munguli Li’l-Biladi’l-Islamijje Min Bagdadi Ile Ajnu’l-Xhalut” (Luftrat e Mongolëve Në Shtetët Islamë Nga Bagdadi Deri Në Ajn Xhalut), (Bejrut, 1983), më pas ai ka shqyrtuar botën e besimeve fetare të mongolëve, në veprën e tij me titull: “Mungul Bejnu’l-Uesnijje Ue’n-Nasranijje Ue’l-Islami” (Mongolët Mes Besimeve Pagane Dhe Të Krishtera Dhe Islame), (Bejrut, 1993)”.

“Çështja që ne po trajtojmë është artikulli me titull: “Ismailijjun Ue’l-Munguli Ue Nasiruddin Tusi” (Ismailitët, Mongolët Dhe Nasiruddin Tusi) (Kum, 1997). Në këtë vepër, dijetar Hasan Emini ka mbrojtur Nasiruddin Tusin. Ai ka paraqitur të dhëna, veçanërisht ka rrëzuar akuzimet e Ibn Tejmijjes. Dijetar Emini ka pasqyruar, shërbimet madhështore, veprimtaritë për mbrojtjen e dijetarëvë të Nasiruddin Tusit. Më pas ai ka dhënë sqarime të ndryshme mbi ndikimin e mongolëve dhe ka kritikuar ashpër Ibn Tejmijjen, me arsyetimin se ky i fundit, nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur kësaj çështjeje”.

“Hasan Emini e ka cekur këtë çështje dhe në veprën e tij të parë, ai ka hetuar figurat e Ibn Alkamit dhe Nasiruddin Tusit, në krerë të ndryshëm të kësaj vepre (fq. 89-106, fq. 106-160) dhe më tej ai ka rrëzuar akuzimet, e bashkëpunimit të tyre me mongolët. Një çështje tjetër e cila na tërheq vëmendjen, janë rrëfimet e studiuesve më të mëdhenj arabë, mbi orvatjet e Nasiruddin Tusit, me qëllimin e marrjes nën mbrojtje, së dijeve dhe dijetarëve muslimanë, përpara se bota islame të përfshihej dhe të digjej nga zjarri i fanatizmit”.

“Studiuesit më të shquar arabë, janë të njëzëri në rrëfimin se mongolët, nuk pësuan disfatë në Ajn Xhalut, por në të vërtetë zemrat e tyre, u pushtuan nga pranimi i fesë islame”. (“Ismailijjun Ue’l-Munguli Ue Nasiruddin Tusi” (Ismailitët, Mongolët Dhe Nasiruddin Tusi), fq. 47). Për më tepër dijetar Hasan Emini, ka paraqitur një mori dokumentesh, të cilat vërtetojnë se një numër i madh prijësish dhe grash sunnite, i kanë nxitur mongolët në pushtimin e Bagdadit”.

Sad Gamidi Dhe Mbrojtja e Nasiruddin Tusit Dhe Ibn Alkamit

“Sad Ibn Hudhejfe Gamidi, i cili është profesor, në Universitetin e Mbretit Saud në Rijad, ka shkruar veprën me titull: “Sukutu’d-Deuleti’l-Abbasijjeti Ue Deuru’sh-Shia Bejne’l-Hakikati Ue’l-Euhami” (Rënia e Shtetit Abbasit Dhe Epoka e Shiitëve Mes Së Vërtetës Dhe Akuzimeve), i botuar për herë të tretë në vitin 2004. Çështja kryesore e kësaj vepre, është trajtimi i shkaqeve, të rënies së Bagdadit në duart e mongolëve. Sipas Sad Gamidit, shkaku kryesor i rrëzimit të udhëheqjes abbasite, ishte tensioni i brendshëm, në institucionët shtetërorë. Ja pra ishte pikërisht ky tension, shkaku kryesor i rrëzimit të shtetit abbasit”. (fq. 17).

“Sad Gamidi pas paraqitjes, së një sërë të dhënash, në mënyrë të hollësishme, mbi luftrat e mongolëvë në shtetet islame, ai është përqendruar, në çështjen e rënies së Bagdadit dhe Irakut. Në fund të veprës së tij, ai ka shqyrtuar rolin e shiitëve në rënien e Bagdadit”. (fq. 330 dhe vazhdimi)”.

“Sad Gamidi pasi ka kujtuar, se burimet sunnite, kanë akuzuar shiitët për bashkëpunimin me mongolët, nuk ngurron të shënojë: “Ndonëse dhe në burimet sunnite bashkëkohore, përmenden të njëjtat akuzime, ne duhet të shtrojmë pyetjen: “Vallë a kishte nevojë Hulagu, për mbështetjen e muslimanëve shiitë, kundër muslimanëve sunnitë?!” Arsyeja e shtrimit të kësaj pyetjeje, është se për hir të vërtetës, duhet të bëjmë të ditur, se mongolët për gjatë tridhjetë e tetë viteve rresht, kishin sulmuar vazhdimisht trojet abbasite dhe kishin arritur deri në Bauka, Hankin dhe Samarra”.

“Në krerët paraardhës, ne sqaruam se sa shumë ishin dobësuar ushtarakisht abbasitët. Si banorët shiitë ashtu dhe ata sunnitë, të qytetit të Hiles, shkuan dhe u takuan me Hulagun, sepse ata e dinin shumë mirë, se nuk kishin ndonjë zgjidhje, tjetër përveç dorëzimit të tyre. Nëse ata nuk do të vepronin në këtë mënyrë, kjo do të nënkuptonte marrjen parasysh të vdekjes së tyre dhe ata ishin në dijeni se mongolët, kishin vrarë më mijra irakianë. Për më tepër Mengu Hani, vëllai i Hulagusë, e kishte urdhëruar këtë të fundit, që të rrethonte Bagdadin. Si rrjedhojë, Hulagu nuk kishte nevojë as për ndihmën e shiitëve dhe as atyre të sunnitëve”.

“Me fjalë të tjera, Hulagu nuk kishte nevojë, as për bashkëpunimin, këshillën, nxitjen ose udhëzimin e shiitëve. Nëse Hulagu Hani, do t’u kishte besuar këtyre këshillave, atëherë ai do të pranonte dhe do të kalonte në doktrinën e tyre. Për më tepër, shiitët besonin fuqishëm, se Allahu (f.m.t.) kishte zgjedhur Xhengiz Hanin dhe dinastinë e tij, si udhëheqësit e tyre. Si do që të jetë, edhepse ne nuk mundemi të themi, se mungojnë provat që dëshmojnë, se kjo bashkësi muslimane (shiitët), nuk është përgjegjëse për rrënimin e udhëheqjes abbasite, rishtas mundemi të pohojmë, se nuk gjenden argumentët, të cilët vërtetojnë se shiitët, kanë bashkëpunuar me mongolët në rënien e Bagdadit. Këtë fakt duam ta theksojmë, sepse kur ushtarët mongolë pushtuan Bagdadin, ata pasi sulmuan mbarë lagjet e tij, ata i masakruan në mënyrë të pamëshirshme, të tërë banorët e tij pa dallim, se cilës doktrine i përkisnin”. (fq. 332-333)

“Profesor Sad Gamidi, pasi i ka trajtuar thashethemet, për rolin e Ibn Alkamit, ka prekur dhe armiqësinë e lashtë, mes shiitëve dhe sunnitëve, duke u mbështetur në transmetimet e përcjellura, ka arritur në përfundimin, kjo armiqësi është një nga shkaqet e rënies së Bagdadit. Sipas tij historianët e brezave të mëparshëm, i kanë fryrë zjarrit, duke shtuar një ose dy fjali, derisa qimja është bërë tra. Më pas ai ka radhitur një për një, të tërë transmetimet që akuzojnë shiitët dhe i ka kritikuar. Gjithashtu Sad Gamidi, këmbëngul se letërkëmbimi, mes Ibn Alkamit dhe mongolëve, është një trillim i vërtetë, sepse ky akuzim ka ndodhur nga ana e historianëve sunnitë, të cilët kanë jetuar me dhjetra vite, pas ngjarjes së rënies së Bagdadit” .(fq. 336)

“Madje një tjetër çështje, e cila na bën përshtypje, është se sipas këtij dijetari, tërësia e transmetimeve që kanë të bëjnë, me bashkëpunimin mes shiitëve dhe mongolëve, nuk janë tjetër, thjesht disa mashtrime dhe trillime, ose më mirë le të themi, sajesa dhe shtesa të ngjitura njëra mbi tjetrën. Pra këto janë vetëm një grusht thashethemesh. Për më tepër Sad Gamidi, pasi ka bërë listën e këtyre transmetimeve, ka nënvizuar se burimi i këtyre thashethemeve, të cilët flasin për bashkëpunimin imagjinar, mes vezirit Ibn Alkami dhe mongolëve, është i krishteri egjiptian Amidi. Sad Gamidi shton: “Amidi i ka përcjellur të tëra këta thashetheme, duke përdorur në të tëra ata togfjalëshin: “thuhet se” dhe ky është treguesi më i mirë”.

“Përsëri sipas këtij profesori, orientalistët të cilët, kanë hetuar këtë ngjarje, kanë mbetur nën ndikim e këtyre mashtrimeve dhe trillimeve. Kështu që disa historianë si Ibn Tiktika, e kanë marrë nën mbrojtje Ibn Alkamin dhe i kanë rrëzuar këta akuzime. Sërish dijetar Sad Gamidi, ka vënë theksin se për të arritur, në dritën e të vërtetës, në këto lloj studimesh, duhet të qëndrojmë larg fanatizmit doktrinor. Rishtas ai është i mendimit, se historianët që kanë akuzuar Ibn Alkamin, me në krye Xhuzxhanin, janë historianë fanatikë sunnitë”. (fq. 342)

“Gjithashtu vlen të përmendet fakti, se këto lloj akuzimesh, nuk i kanë përcjellur historianët irakianë dhe se burimi i këtyre transmetimeve, është gjendur gjithmonë jashtë Irakut, fjala vjen Xhuzxhani është iranian, i cili ka jetuar në Delhi kur kjo ngjarje ka ndodhur. Nga ana tjetër, ishte Mengu Hani, ai që dha urdhrin për sulmimin dhe pushtimin e Bagdadit. Si rrjedhojë, sulmi nuk kishte të bënte, më asnjë nëpunës të udhëheqjes abbasite”.

“Një tjetër çështje e rëndësishme, që duhet të rikujtohet, është se mongolët duke mos qënë musliamanë, nuk bënin dallime mes sunnitëve dhe shiitëve. Kështu që kur ushtarët mongolë hynë në Bagdad, ata kryen një masakër të vërtetë, ndaj banorëvë të tij pa bërë dallim mes sunnitëve dhe shiitëve”.

“Si përfundim theksojmë se, është mëse e natyrshme, që vezir Ibn Alkami, i udhëheqësit abbasit, e këshilloi këtë të fundit, që të dorëzohej përpara Hulagut, duke e ditur fuqinë ushtarake të mongolëve. Ndërsa në anën tjetër, qëndronte komandant Devatdari, që kërkonte ballafaqimin me mongolët dhe njëkohësisht, ishte autori i trillimit, i këtyre thashethemeve mbi vezirin. Ja pra më në fund u bë e qartë, se ishte pikërisht Devatdari, ai cili është burimi i tërësisë së këtyre akuzimeve dhe futja e tyre nëpër burimet dhe përmbledhjet e ndryshme historike dhe si ndëshkim hyjnor për këtë ndyrësi, ra në duart e armiqve të shiitëve”. (fq. 347)

“Madje edhe sot e kësaj dite, saktësisht pasi kanë kaluar 782 vite e kësaj ngjarjeje, nëse hetoni artikujt dhe veprat e shkruara, ose thjesht nëse kërkoni në internet: “Rënia e Bagdadit”, përpara jush do të shfaqen dy ngjarje: “Rënia e parë e Bagdadit, në vitin 656 të mërgimit islam, në duart e mongolëve dhe e dyta pushtimin amerikan i Bagdadit në vitin 2003 gregorian. Mes këtyre dy ngjarjeve, gjenden shumë veçori të përbashkëta, si për shembull akuzimi i bashkëpunimit mes shiitëve dhe pushtuesve, kryesisht nga ana e palëve fanatike. Por më qesharakja e kësaj është se, akuzimet në të dyja ngjarjet, janë plotësisht të rreme dhe të kota”.

“Këtë e themi me zë të lartë, sepse në të dyja ngjarjet, rënia e Bagdadit ka ndodhur në një epokë, të populluar jashtëzakonisht tepër nga sunnitët. Madje në të dyja ngjarjet, dhuna e ushtruar shtetërore, e ka lanë popullin të privuar nga marrja nën mbrojtje. Për më tepër, në të dyja ngjarjet, pushtuesi plaçkitës dhe vrasës, nuk e ka pranuar fenë islame, në asnjë mënyrë, pra as muslimanët shiitë dhe as ata sunnitë. Pra të dy pushtuesit jobesimtarë, e kanë sulmuar si Bagdadin ashtu dhe Irakun, vetëm e vetëm për shkaqe ekonomike dhe politike”.

 

Burimet:

1- Abdulhadi Hairi, “Ajet Haxhi Nasiruddin Tusi Der Juresh Mungulan Be Bagdad Nakshi Dashte Est?” (Vallë a Luajti Ndonjë Rol Nasiruddin Tusi Në Sulmin e Mongolëve të Bagdadit?), Pejuheshi Ez Didgah Tarih Nigari, Shtëpia Botuese: “Këshilla e Letërsisë”, Meshhed, viti 17 i mërgimit islam / viti 1363 gregorian, fq. 479-502.

2- Etan Kohlberg, “Kitabhane Ibn Tausi” (Libraria e Ibn Tausit), Përkthyes: Ali Kuli Kurai Resul Xhaferijani, Shtëpia Botuese: “Libraria Marashi”.

3- Gijasuddin Ibn Humamuddin Handmir, “Desturu'l-Uzera” (Disiplina e Ministrave).
Hasan Emin, “Ismailijjun Ue’l-Mungul Ue Nasiruddin Tusi”, (Ismailitët, Mongolët Dhe Nasiruddin Tusi), Shtëpia Botuese: “Gadir”.

4- Muhammed Bakir Musevi Isfahani Hansari, “Raudatu’l-Xhennati” (Kopështi i Xhennetëve), Shtëpia Botuese: “Ismailijjan”.

5- Murteza Ravendi, “Tarihu’l-Ixhtimai’l-Irani” (Historia e Shoqërisë Iraniane), Shtëpia Botuese: “Negah”.

6- Resul Xhaferijjani, “Tarihu’t-Teshejju Der Iran” (Historia e Shiizmit në Iran), Shtëpia Botuse: “Dija”.

7- Sad Ibn Hudhejfe Gamidi, “Sukutu’d-Deuleti’l-Abbasijjeti Ue Deuru’sh-Shia Bejne’l-Hakikati Ue’l-Euhami” (Rënia e Shtetit Abbasit Dhe Epoka e Shiitëve Mes Së Vërtetës Dhe Akuzimeve), Shtëpia Botuese: “Ibn Hudhejfe”.

8- Shirin Bejani, “Din Ue Deulet Der Iran Ahdi Mungul” (Feja Dhe Shteti Në Iran Në Epokën e Pushtimit Mongol Të Iranit), Shtëpia Qendrore Botuese: “Këshilla”.

Sqarime të Nevojshme:

(f.m.t.) - falenderimi mbi të 

(k.m.t.) - krenaria mbi të 

(l.m.t.) - lartësimi mbi të 

(m.m.t.) - mëshira mbi të 

(p.m.t.) - paqja mbi të 

(p.q.m.t.) - paqja qoftë mbi të

Burimi: Medya Şafak