Kerkimet Filozofike Fetare

Pozita e namazit në hadithet e profetit Muhamed dhe ehli bejtit të tij

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” (Sure “Mu’mnun”, ajetet 1-2)

Namazi zë vendin më të lartë ndër adhurimet në Islam. Ai është shtylla e fesë dhe mi’raxhi i besimtarit. Në Ditën e Gjykimit, njeriu do të japë llogari në fillim për namazin. Nëse ai pranohet, do të pranohen të gjitha punët e tjera; nëse nuk do të pranohet, nuk do të pranohen punët e tjera.

Allahu i Madhëruar e ka bërë namazin mjetin e lidhjes mes Tij dhe robëve të Vet. Ai është prej adhurimmeve më të rëndësishme islame. Kur’ani i shenjtë urdhëron për faljen e namazit në shumë ajete të tij ku thotë: “dhe faleni namazin” (sure Bekare”, ajeti 43. Kjo thënie është përmendur shumë në Kur’anin e shenjtë. Në një ajet tjetër Kur’ani na thotë se namazi ka kohë të caktuar: “…faleni namazin, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (Sure Nisa, ajeti 103).

Është detyrë e jona që të dimë vlerat e namazit dhe të kujdesemi për të me qëllim që të fitojmë mirësi nga begatitë e tij (namazit).

Po hadithet çfarë thonë për namazin?

Në këtë artikull do të sjell disa thënie nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nga familja e tij e pastër rreth rëndësisë së namazit.

Namazi është lumë

Një ditë profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha myslimanëve: “A e mendoni kur para shtëpisë së ndonjërit prej jush kalon një lumë dhe lahet pesë herë në ditë? A mbetet papastërit në trupin e tij?”

Sa ngjashmëri e bukur kjo e namazit me lumin. Ashtu siç pastrohet njeriu në lumë prej pisllëqeve dhe papastërtive trupore, po ashtu edhe namazi e pastron zemrën dhe shpirtin prej gjynaheve dhe mëkateve. Sa herë që në zemër mund të mbetet ndonjë gjynah, vjen rryma e lumit pastrues, që është namazi, dhe e pastron. 

Namazi është armë

Në hadithe thuhet: “Namazi është arma e profetëve.” Vallë, çfarë lidhje ka mes namazit dhe arës? Ne e dimë se arma përdoret për mbrojtje dhe për sulm. Pa dyshim, që edhe armiqët janë të shumtë.

Djalli i mallkuar është armiku i përbetuar i njeriut. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i shenjtë që thotë: Me të vërtetë, djalli është armik për ju, prandaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur.” (Sure “Fatir”, ajeti 6.). Ai e nxit njeriun në gjynahe duke ia zbukuruar të keqen.

Djalli e nxit njeriun që të bjerë në greminën e humbjes, paturpësisë, veprave të shëmtuara, përçarjes, urrejtjes, armiqësisë dhe shkatërrimit. Ai e mashtron që ta harojë Jetën Tjetër dhe gjithçka që ka në atë Jetë. Që njeriu t’i shpëtojë kësaj situate të vështirë ka nevojë për një armë të fortë, të pathyeshme dhe shpëtuese. E kjo armë padyshim që është namazi.

Me namazin përballohen të gjitha llojet e sfidave të kësaj jete. Dikush mund të çuditet kur mendon se si këto rekate të namazit të jenë armë e fortë përballë sfidave, cytjeve të djallit dhe vështirësive. Por, pas arsyetimit të thellë e kupton se namazi është armë shpirtërore që e furnizon namazfalësin me fuqi të mëdha shpirtërore për t’u përballur me sfidat e ndryshme.

Namazi është mi’raxh

Një hadith tjetër thuhet se namazi është miraxh. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Namazi është mi’raxhi i shpirtit të besimtarit.”

 Fjala “mi’raxh’ ka kuptimin e shkallëve që përdoren për t’u ngjitur në lartësi. Namazi e ngre njeriun shpirtërisht në horizontet e larta dhe e çliron nga prangat e materiales. Lartësim shpirtëror në namaz do të thotë lartësim i personalitetit në shkallët e përsosurisë. Mendja e namazfalësit ndriçohet me dritën e namazit, zemra e tij zbutet dhe e drejton kah e mira dhe e dobishmja.

Namazfalësi në çdo namaz i lutet Allahut dhe i kërkon Atij që ta forcojë në rrugën e drejtë e të udhëzimit duke thënë: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (Sure “Fatiha”, ajetet 6-7.) Vallë, a e ndjejmë këtë gjendje? Si mund ta bëjmë namazin tonë mi’raxh të vërtetë që të na ngrejë në shkallët e moraleve të mira?

 Namazi është kurban

Një hadith tjetër  thotë: “Namazi është kurbani i çdo të devotshmi.” Çfarë kuptimi ka fjala kurban? Kuptimi i kësaj fjale është: ‘Çdo punë prej punëve të mira që e afron njeriun te Zoti i tij dhe fiton afrimitetin e përhershëm te Ai.’

Kur namazfalësi e fillon namazin me nijetin e afrimit e Krijuesi i tij duke thënë: “Falem për t’u afruar te Allahu” ai shpreh dëshirën që ka për të qenë sa më afër Allahut të Madhëruar. Në ato çaste i vjen në mendje ajeti: “bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!” (Sure “Alak”, ajeti 19.)

Namazi është peshojë

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Namazi është peshore. Ai që rri besnik do të shpërblehet.” Sa ngjashmëri e bukur e namazit me peshoren. Dihet se peshorja ka dy anë. Gjatë peshimit duhet që të dyja anët të jenë të barabarta. Po kështu edhe namazi. Ai që e fal namazin ashtu siç duhet, me bindje, me kuptim, me frikë dhe i largohet të këqijave e të shëmtuarve, padyshim që do të fitojë shpërblimin e madh, që është shpëtimi. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” (Sure “Mu’minun”, ajetet 1-2.)

Namazi zbret mëshirë

Në një hadith tjetër thuhet: “Kur namazfalësi çohet për të fal namaz, mbi të zbret mëshira. Atë e rrethojnë melekët (engjujt). Një melek thotë:  “Sikur ky namazfalës ta dijë se çfarë të mirash ka në namaz, nuk do të ndahej prej tij.”

Namazi vitrina e fesë

Në një hadith tjetër profeti Muhamed ka thënë: “Çdo gjë ka pamjen e saj dhe pamja e fesë tuaj është namazi. Askush prej jush mos e njollosë pamjen e fesë së tij.”

Këto hadithe, e të tjera të ngjashme me to, që flasin për namazin si adhurim madhështor dhe për rezultatet e tij në marrëdhëniet shoqërore, konstatojnë dhe dëshmojnë se namazi është shkolla e përgatitjes shpirtërore të njeriut për të qenë sa më afër me Krijuesin e tij, me familjen e tij dhe me njerëzit që e rrethojnë në shoqërinë ku jeton.

Më poshtë po përcjellim disa thënie të tjera nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) rreth namazit.

 

Në porosinë e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “O Eba Dherr. Allahu i Madhëruar e ka bërë namazin dritën e syve të mi. Ai ma ka bërë të dashur namazin ashtu siç e ka bërë të dashur ushqimin për të uriturin dhe ujin për të eturin. Vërtet, i urituri kur ha, ngopet dhe i eturi kur pi e largon etjen. Unë nuk ngopem me namaz. (El Amalij, i Tusit, f. 528.)

 

Dhe: “Mos i lini namazet tuaja! Atë që e lë namazin, Allahu do ta bashkojë me Karunin, Faraonin dhe Hamanin (Allahu i mallkoftë!). Po ashtu, ai që e lë namazin, e ka plotësuar argumentin që Allahu ta fusë në Zjarr me dyfytyrakët. Mjerë ai që nuk kujdeset për namazin e tij!”  (Biharul Anuar; vëll. 79, f. 202, kap.1.)

 

Dhe: “Kujdesuni për namazin, sepse në Ditën e Gjykimit për të parën gjë që Allahu i Lartëmadhëruar do ta pyesë robin e Tij, do të jetë se a e ka falur namazin të plotë; përndryshe, do ta fusë në Zjarr.” (Biharul Anuar; vëll. 79, f. 202, kap.1.)

 

Dhe: “Kur të çohesh për të falur namazin e ti drejtohesh kah kiblja, pastaj i bën të gjitha veprimet e namazit duke filluar nga nijeti, leximi a këndimi i sures Fatiha dhe i një sureje tjetër, e kështu me radhë derisa jep selam, ty të janë falur të gjitha gabimet dhe gjynahet derisa të vijë namazi i ardhshëm.” (Biharul Anuar; vëll. 79, f. 205, kap.1.)

 

Dhe: “Për sa kohë që je në namaz, ti troket në derën e Sunduesit e Xhebbarit. Sunduesi do t’ia hapë atij që i shton trokitjet e derës.”  (Biharul Anuar; vëll. 74, f. 8, kap. 4.)

 

 Dhe: “Kur vjen koha e namazit, meleku u thotë njerëzve: Çohuni prej zjarreve tuaja që i keni ndezur mbi shpina dhe fikini ato me faljen e namazeve!” (Biharul Anuar; vëll. 79, f. 231, kap.1.)

 

NAMAZI NË HADITHET E EHLI BEJTIT (paqja qoftë mbi ta!)

 

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Namazi të mbron prej ndikimeve të djallit.” (Gurerul Hikem, f. 175, 3343.)

Dhe: “Betohem në Allahun, faleni namazin, sepse ai është shtylla e fesë.” (Nehxhul Belaga, kap. 47, f. 421.)

Dhe: “Allahu e ka bërë besimin pastrues prej politeizmit dhe namazin pastrues prej mendjemadhësisë.” (Nehxhul Belaga, urtësia 512.)

 Dhe: “Sikur ta dijë njeriu që fal namazin se çfarë madhështie e Allahut e mbulon atë, nuk do ta ngrejë kokën prej sexhdes.” (Biharul Anuar, vëll. 79, f. 207, kap.1.)

 Imam Muhamed Bakir (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur falësi i namazit drejtohet kah kiblja për të falur namaz, Rrahmani (i Gjithmëshirshmi) e sheh në fytyrë.” (Biharul Anuar, vëll. 79, f. 219, kap.1.)

Dhe: “E para punë për të cilën njeriu do të japë llogari (Ditën Gjykimit), do të jetë namazi. Nëse i pranohet, do t’i pranohen edhe punët e tjera.” (Biharul Anuar, vëll. 80, f. 25, kap 6.)

Dhe: “Kush e fal namazin dhe i njeh të drejtat e tij, atij do t’i falen mëkatet.” (Biharul Anuar, vëll. 79, f. 207, kap.1.)

Dhe: “Ai që e lë namazin, nuk ka pjesë në Islam.” (Biharul Anuar, vëll. 79, f. 232, kap 1.)

Dhe: “Dije se namazi është siguria e Allahut në Tokë. Ai që do të dijë se çfarë fiton prej namazit, të shohë se nëse ai namaz që fal, a e ka siguruar prej të këqijave? Nëse është i tillë, ai e ka kuptuar se dobia e tij është për aq sa është siguruar.” (Biharul Anuar, vëll. 81, f. 263, kap.16.) 

Pakujdesia në kryerjen e namazit

 

1- Pakujdesia dhe pavëmendshmëria në kryerjen e namazit: Është transmetuar nga imam Bakir (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos e neglizho namazin tënd sepse profeti ka thënë në prag të vdekjes së tij: “Kush e neglishon namazin e tij nuk është prej meje.” (El Kafij, vëll. 3, f. 269.

 

2- Mosplotësimi i namazit: Është përcjellë nga imam Bakir (paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: Kur profeti ka qenë i ulur në xhami, një burrë hyri dhe filloi të falet. Ai nuk e plotësoi as rukunë e as suxhudin. Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kur e pa, tha:  “Ai veproi si korbi. Nëse ai vdes dhe namazi i tij është i tillë, ai nuk do të vdesë në fenë time.”  (El Kafij, vëll. 3, f. 268.)

 

3- Pavëmendshmëria në namaz: Është transmetuar nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i cili ka thënë: “Nuk pranohet namazi i atij personi zemra e të cilit nuk është e pranishme në namaz me trupin e tij.” (Mustedrekul Uesail, vëll. 4, f. 109)

Sa e mrekullueshme dhe sa domethënëse është thënia e Allahut të Madhëruar, i cili me anë të saj na paraqet një skenë prej skenave të Ditës së Gjykimit. Ai thotë: “Çdo njeri është peng i veprave të veta, përveç njerëzve të krahut të djathtë; të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin; për keqbërësit: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit. Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët dhe mohonim Ditën e Llogarisë, derisa na erdhi vdekja.” Prandaj, kurrfarë ndërmjetësimi i cilitdo ndërmjetësuesi nuk do t’i ndihmojë ata. Atëherë, përse shmangen ata nga këshillimi.” (Sure “Mudeththir”, ajetet 38-49). Në këto ajete sqarohet se shkaku i hyrjes së tyre në Xhehenem është se ata nuk e falnin namazin.

Është detyrë e çdo namazfalësi para se të fillojë faljen e namazit të pyesë veten e tij: A jam gati të komunikoj me Allahun tim? A është zemra ime e pranishme në kohën e faljes së namazit? A është mendja ime e kthjellët për ato që do të lexoj në namaz? Si do t’ia shpreh Allahut në ato momente dashurinë dhe mallëngjimin tim ndaj Tij?

Nëse në përfundim të namazit jemi të bindur se e kemi kryer ashtu siç duhet atë, atëherë t’i lutemi Allahut dhe t’i kërkojmë Atij që ta pranojë namazin tonë dhe të themi: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Sure “Bekare”, ajeti 127.)

Është mirë që në fund të çdo namazi të themi: O Zoti im. Ky namaz që fala nuk e fala se Ti ke nevojë për të por e fala për të madhëruar Ty dhe për t’iu përgjigjur asaj që më urdhërove. O Zoti im, nëse në atë namaz ka patur gabime apo mangësi në rekatet e tij apo në sexhdet e tij, mos mi regjistro dhe pranoje prej meje me pranim dhe falje o Zotërues i mirësive.”

O Zoti im. Falja Jote është më shpresdhënëse se sa puna ime. Mëshira Jote është më e gjerë se mëkati im. O Zoti im, nëse gjynahu im te Ti është i madh, falja Jote është më e madhe se gjynahu im. Nëse nuk e meritoj mëshirën Tënde, mëshira Jote më arrin mua sepse ajo përfishin çdo gjë.