Ta njohim më tej Kur’anin 2
Që nga koha e krijimit të babait
tonë, hazreti Ademit (paqja qoftë mbi të!) e deri në fund të kësaj jete, njeriu
kurrë nuk ka lexuar e nuk do të lexojë libër më të lartë e më të begatë se
Kur’ani i shenjtë. Ai ka qenë është dhe do të jetë më i larti i librave. Ai
është Libri i Allahut dhe vula e mesazheve qiellorë. Ai është sqarues i
gjithçaje dhe nuk është i veçantë për një grup të caktuar njerëzish por, është
Libri i të gjithë njerëzve dhe i lehtë për t’u kuptuar.
Prej madhështisë së Kur’anit është se ai nuk ka qenë e as nuk do të jetë libër i një dijeje të veçantë, apo i disa temave të caktuara por, ai është Libër i njeriut i shoqërisë dhe i qytetërimit. Është libër i legjislacionit qiellor dhe i udhëzimit më të drejtë. Në të flitet për moralin, besimin, ekonominë, politikën, shoqërinë, dijen, etj. Me një fjalë, Kur’ani është Libri i jetës. Ajetet e tij janë të qarta. Ato janë si dielli, i cili çdo ditë që lind ai e vesh gjithësinë me një petkt të ri me rrezet e tij të arta. Sa herë që lexohet Kur’ani gjendet kuptim i ri dhe zbulohen horizonte që nuk mendoheshin apo të përfytyroheshin.
Ai gjithmonë është Libër i gjallë dhe kurrë nuk shterron sepse, është i ardhur nga i Plotfuqishmi dhe i Përjetshmi që nuk e kaplon as dremitja e as gjumi.
Duke qenë i tillë, është detyrë e jona që ta studiojmë dhe ta kuptojmë Kur’anin. Ta zbatojmë atë dhe ta bëjmë prijësin tonë në çdo fushë të jetës tonë. Të përfitojmë sa më shumë prej tij, me qëllim që të ndërtojmë një personalitet të fortë. Të zbatojmë këshillat dhe porositë e tij. Duhet që të kapemi pas Kur’anit sepse, ajo është e vetmja rrugë që na siguron jetë të këndshme e të lumtur në këtë dunja dhe në Jetën Tjetër.
Kur’ani, Libër i urtësisë
Në ajetet e Kur’anit lexojmë se ai është Libër i urtësisë. Për këtë ai është quajtur edhe ‘el Kur’anul hakijm’, Kur’ani është i urtë, sepse përmban urtës për gjithçka. Ai njeri që dëshiron të fitojë lumturinë në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër, duhet patjetër të mbartë urtësinë. Që do të thotë se duhet të njohë mënyrën e të jetuarit; të dijë se nga ka ardhur, pse ka ardhur, ku do të shkojë; të dijë se cilat janë ligjet e jetës që ka vendosur Krijuesi për këtë jetë që të jetojë jetë të kënaqshme.
Dihet se njerëzit nuk janë të barabartë. Ata ndryshojnë dhe kanë nivele të ndryshme në botëkuptim. Është e habitshme se me gjithë këtë ndryshueshmëri të tyre nga ana mendore e logjke, ata përfitojnë të gjithë nga Kur’ani sipas niveleve të tyre. Këtë e shohim më qartë kur lexojmë se njerëzit më të lartë, profeti Muhamed, familja e tij e pastër dhe shokët e tij të zgjedhur, e lexonin Kur’anin dhe përfitonin prej tij. Po ashtu, edhe njeriu i thjeshtë e lexon dhe përfiton prej tij. Sekreti qëndron në shembujt dhe tregimet e shumta që përmenden në Kur’an, të cilat janë urë lidhëse mes njeriut dhe të vërtetave. Prandaj, cilido që e lexon Kur’anin duhet të mendojë në ajetet e tij dhe t’i zbatojë ato. Duhet të dimë se shembujt sqarojnë të vërtetat. Nëpërmjet kuptimit të shembujve që përmenden në Kur’an dhe zbulimit të të vërtetave që kanë lidhje me ato shembuj, njeriu mund të bëhet i urtë. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Ai ia jep urtësinë (të kuptuarit e Kuranit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur.” (Sure “Bekare”, ajeti 269)
Kur’ani, Libri i udhëzimit
(Thuaju o Muhamed): “Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti juaj prova të qarta. Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bën dëm vetes. Unë nuk jam rojtari juaj.” (Sure “En’am”, ajeti 104)
Jeta në këtë botë është e shkurtër. Errësirat e kësaj jete janë të shumta. Kështu që njeriu ka nevojë për udhëzues që ta udhëzojë në ligjet e jetës, në natyrën e saj, në sistemin e saj dhe në krijesat rreth tij. Gjithashtu, ka nevojë për mësues që ta mësojë se si të bashkëpunojë me veten dhe me të tjerët. Kur’ani është udhëzuesi, mësuesi, drita dhe ndriçuesi i përkryer. Allahu Thotë: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (Sure “Isra”, ajeti 9) Ai është e vërteta. Është e vëtetë se pa Kur’anin, pa udhëzimin e tij, pa dijen e tij dhe pa urtësinë e tij, njerëzit nuk mund të udhëzohen.
Kur’ani, libër i bashkimit
Në Kur’an lexojmë: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju. Ne nuk e kemi bërë kthimin tënd nga Qabeja (o Muhamed) për tjetër arsye, por vetëm për t’I dalluar ata që i shkojnë pas të Dërguarit, nga ata që kthehen nga thembrat (që tërhiqen nga besimi tek ai). Kjo provë ka qenë e rëndë (për njerëzit), por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar. Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj (d.m.th. namazin që keni falur nga Kudsi). Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit. (Sure “Bekare”, ajeti 143)
Mesazhi islam bashkoi popuj dhe krijoi qytetërimin më të fortë në këtë botë. Arabët, para Islamit, jetonin të shpërndarë në Gadishullin arabik. Përgjatë 23 vjetëve, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i bashkoi ata që të jenë dëshmitarë përmbi njerëzit me drejtësi e vërtetësi. Kur’ani e forcon njeriun dhe e bashkon njerëzinë në një bashkësi të vetme. Kjo sepse Ku’rani është Libër i përjeshëm deri në Ditën e Kiametit. Allahu i Madhëruar, i ka premtuar njeriut shpërblim por edhe e paralajmëron për dënimin. Kjo do të thotë se Ai nuk e ka krijuar njeriun vetëm për këtë jetë dhe të zhduket me vdekjen sepse, kjo jetë nuk është veçse mejdan sprove për të arritur gradën më të lartë të devotshmërisë. Në kohën që Kur’ani zgjeron horizontet e njeriut, ai forcon shpirtin e vendosmërisë e të vullnetit të fortë. Kur’ani fton në njohjen e vetevetes dhe për përpjekje të vazhdueshme gjatë gjithë jetës, me qëllim që njeriu të triumfojë mbi fuqitë e unit e të prangosjes së djallit. Besimtari i vërtetë e di se koha e jetës së tij është e kufizuar prandaj, përpiqet që këtë kohë ta shfrytëzojë sa më mirë për të arritur në majat e urtësisë e të devotshmërisë si dhe për të fituar kënaqësinë e Krijuesit të tij në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Besimtarët e vërtetë e njohin ashtu siç duhet Kur’anin dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre të përditshme. Nuk ua lejojnë vetes që jeta e tyre të jetë viktimë e djallit dhe e veprimeve djallëzore. Duke qenë të tillë ata janë më të nderuarit në këtë jete dhe në Jetën Tjetër. Kur’ani është ai që e ruan njeriun dhe e drejton atë në rrugën e mirësisë e të shpëtimit. Zbatimi i Kur’anit është kusht i të qënit bashkësia më e mirë në mesin e njerëzve.
Kur’ani udhëzon në atë që është më e mira
Në suren “Isra”, ajeti 9, Allahu i Madhëuar thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.”
Kush jeton në errësirë, ëndërron për dritën. Kush jeton në humnerë nuk i njeh majat. Kjo jetë që ne jetojmë, e cila është e mbushur me errësira, lëndime e fatkeqësi, nuk është jeta e vërtetë, sepse jeta që dëshiron Allahu të jetojmë është më e këndëshme dhe më e lartë.
Vërtet, Allahu na ka lajmëruar për jetën e begatë e të përsosur, jetën e mbushur me mirësi, mëshirë e begati. Vallë, ku është kjo jetë? Cila është ndarësja që na largon prej saj? Si ta heqim atë pengesë e ta zhdukim atë?
Duhet të dimë se Allahu i Plotfuqishëm i ka krijuar njerëzit që të jetojnë të lumtur në këtë jetë dhe të fitojnë kënaqësitë e Jetës Tjetër. Sigurisht, shkatërrimi, devijimi dhe degjenerimi që shohim mbi tokë, të cilët kanë mbuluar shumicën e saj, nuk janë prej Allahut sepse, Ai ka thënë për Veten e Vet: “Zoti yt nuk është i padrejtë ndaj robëve.” (Sure “Fusilet”, ajeti 46.)
Gjithashtu, ka thënë: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve…” (Sure “Rrum”, ajeti 41.)
Të gjitha fenomet e këqia e shkatërruese që janë përhapur në çdo skaj të rruzullit tokësor dhe kanë përfshirë të gjitha dimensionet e jetës tonë, janë përshkak të devijimit tonë nga rruga e drejtë dhe e vërtetë, e cila është rruga e Allahut të Madhëruar. Që të kthehemi në rrugën e Allahut duhet të kthehemi te Kur’ani udhërrëfyes, i cili është litari lidhës mes qiellit dhe tokës, është mjeti i vetëm mes Krijuesit të qiejve dhe tokës, Zotit të botëve dhe mes njerëzve. Burimi themelor i problemeve tona në këtë kohë janë: devijimi mendor e ideologjik dhe devijimi moral. Allahu i Madhëruar e zbriti Kur’anin për shërimin e këtyre dy devijimeve të rrezikshme.
Devijimin mendor Kur’ani e shëron me dritën, udhëzimin dhe urtësinë e tij sepse, ai është ndarësi mes të drejtës dhe të padrejtës, të vërtetës dhe të pavërtetës. Sot përballemi me sulme të ashpëra kulturash të ndryshme të përfaqësuara nga idetë materiale dhe lakmuese që na paraqiten me anë të mjeteve të informacionit. Qëllimi i këtyre informacioneve, nëpërmjet metodave e fasadave djallëzore, është dobësimi i besimit në zemrat e njerëzve dhe largimi i tyre prej tij (besimit).
Këto ide materialiste e devijuese dhe ky informacion helmues që dëgjojmë çdo ditë, kanë arritur të çorentojnë shumë mendje myslimanësh dhe kanë arritur t’i pengojnë ata që të mendojmë për të ardhmen. Kjo sepse ato ide devijuese na serviren me metoda të përkryera djallëzore dhe përcillen nëpërmjet teknologjisë moderne. Me anë studimit e të kuptimit të Kur’anit arrijmë ta njohim më mirë jetën dhe ndryshimet e saj. Nëpërmjet Kur’anit, Allahu na sqaron të mirën dhe të keqen në këtë jetë.
Çdo ditë dëgjojmë edicione lajmesh, apo shohim programe televizioni, apo vështrojmë faqet e internetit, apo lexojmë libër e shfletojmë gazeta me qëllim që të mësojmë më shumë e të udhëzohemi. Mirëpo, ajo që na udhëzon është mendja e shëndoshë e ndriçuar me dritën e Kur’anit dhe me udhëzimet e tij. Kjo mendje e shëndoshë na njeh me drejtësinë dhe të vërtetën dhe na bën që ta përbuzim e ta urrejmë padejtësinë dhe gënjeshtrën.
Përsa i përket devijimit moral, i cili është i përhapur dhe ka mbuluar mbarë shoqëritë e sotme, edhe ky duhet shëruar duke u kthyer tek mësimet e Kur’anit, i cili na mëson se si të jetojmë në këtë jetë kalimtare. Padyshim, brezat e sotëm në përgjithësi, dhe ata muslimanë në veçanti, po përballen me plane të shumta e ndryshme djallëzore, të cilat përhapen dita- ditës nëpërmjet mjeteve të informacionit si televizionet, radiot, interneti, etj. Gjithashtu, po përballen edhe me fenomene të ndyta e shkatërruese siç janë prostuticioni, droga, alkoli, duhani…etj. Të gjitha këto fenomene çojnë në devijim moral, në shkatërrimin e individit, familjes dhe shoqërisë.
Kemi plotësisht të drejtë të pyesim: A nuk duhet t’i mbrojmë brezat e sotëm e të ardhshëm prej rënies në humnerat e devijimit moral? Patjetër. Kjo duhet të bazohet duke u kthyer tek Kur’ani dhe ai të jetë udhërrëfyesi i gjithçkaje në jetën tonë. Ai është i vetmi që siguron paqen dhe sigurinë. Ai që është i kapur me Kur’anin nuk bie pre e propagandës dhe e mashtrimeve shkatërruese. Pastaj, në anë të Kur’anit ndodhet edhe anija e shpëtimit që janë Ehli bejti i profetit Muhamed. Ata dhe Kur’ani janë të pandarë, siç thotë profeti Muhamed në hadithin e njohur: “Unë po ju lë juve dy gjëra me peshë të madhe për nga rëndësia. Nëse ju do të kapeni për këto të dyja, nuk do të humbisni kurrën e kurrës, pas meje. Njëra prej tyre është më madhështore se tjetra: Libri i Allahut, një litar që zgjatet nga qielli në Tokë dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejti im. Ata nuk ndahen deri sa të ktheheni te Hauzi (burimi Keuther). Prandaj, hapini sytë se si do të më kundërshtoni mua me këto të dyja.” (Ky hadith është transmetuar me këtë term dhe me terma të tjerë në mënyrë konsekuente (muteuatir) sipas kuptimit në: Sahijhu Muslim, 4: 1873/2408 dhe 5: 663/3786 dhe 3788. El-Mustedrek i Hakimit, 3: 148. Musnedu Ahmed, 3: 14, 17, 26, 59 dhe 4: 371, 5: 182 dhe 189. Fadailu’s-Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 2: 603/ 1035. El-Khasais i Nisaijut, 21. Mesabijhu’s-Sunneh, 4: 185/4800 dhe 190/4816. Mexhmau’z-Zeuaid, 9: 163-164. El-Xhamiu’s-Sagijr i Sujutijut, 1: 244/1608. Es-Sauaiku’l-Muhrika i Ibn Haxherit, 75 dhe 89. El-Khasaisu’l-Kubra i Sujutijut, 2: 266. Tefsiri Ed-Durru’l-Menthur i Sujutijut, 2: 60. Tefsijru’r-Razij, 8: 163. Hiljetu’l-Eulija, 1: 355. Sunenu’l-Bejhakij, 2: 148 dhe 7: 30. Usdu’l-Gabeh, 2: 13. Tarijkhu Bagdad, 8: 442. El-Mu’xhemu’l-Kebijr i Taberanijut, 3: 201/3052 e shumë të tjerë.)
Kur’ani, Libri i shpëtimit
“Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur ta kishim shpallur Kuranin në një gjuhë tjetër, ata do të thoshin: “Ah, sikur vargjet e tij të ishin të kuptueshme! Vallë, pse të jetë në një gjuhë të huaj, ndërkohë që ai është arab?!” Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.” (Sure “Fusilet”, ajeti 44.)
Gjatë jetës së tij, njeriu habitet prej problemeve dhe vështirësive të papritura. Ka mundësi që të goditet nga kriza të shumta psiqike e mendore përshkak të disa problemeve që nuk di si t’i zgjidhë. Për këtë ai ka shumë nevojë për largpamësi që ta shpëtojë veten e vet apo për dikënd tjetër për ta çuar në rrugën e shpëtimit. Por, nga vjen kjo larpamësi shpresëdhënëse? Kjo vjen nga Libri i Krijuesit, Mëshiruesit, të Dashurit e Dhuruesit, Kur’anit të shenjtë. Lind pyetje: Si vjen kjo larpamësi? Shumica e njerëzve e dinë për praninë e udhëzimit dhe dritës në Kur’anin e urtë. Gjithashtu, ata e dinë se rrugëzgjidhja e problemeve të tyre ndodhet tek Kur’ani. Vallë, përse njerëzit nuk përfitojnë prej Kur’anit për zgjidhjen e problemeve të tyre?
Përgjigje: Kjo sepse ata nuk e lexojnë Kur’anin dhe as nuk e studiojnë atë. Po të lexohet Kur’ani, padyshim që para njerëzve do të vizatohen të gjitha rrugëzgjidhjet e problemeve të tyre. Leximi i shpeshtë i Kur’anit dhe memorizimi i ajeteve të tij konsiderohen prej programeve të rëndësishme të jetës së njeriut, veçanërisht për brezin e ri.
Është detyrë nënave dhe baballarëve që t’ua mësojnë fëmijëve Kur’anin. Ne duhet ta lexojmë sa më shumë atë (Kur’anin) në çdo kohë të lirë, veçanërisht në mëngjes, sepse ai do të jetë dëshmitarë në ditën kur do të dalim para Allahut të Madhëruar pa llogaritur mirësitë që do të fitojmë në këtë jetë.
O
Allahu ynë! Na e ndriço mendjen, zemrë dhe jetën tonë me dritën e Kur’anit!