Izrael

Izraeli: e drejta e pashkruar për veto dhe imuniteti karshi ligjit ndërkombëtar

Shumë nga 33 kombet që votuan pro krijimit të Izraelit në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 29 nëntor 1947, me siguri nuk e dinin se rezultati i votës së tyre do të ishte manifestimi i paligjshmërisë dhe i shpërfilljes së plotë të konventave dhe ligjeve ndërkombëtare, të cilat po të njejtët shtete i kishin institucionalizuar nëpërmjet votës së tyre.

Sot, regjimi izraelit është entiteti më i padisiplinuar, më i dhunshëm dhe më i papërgjëgjshem në botë, i cili, falë marrëdhënieve të palëkundura me Shtetet e Bashkuara, gëzon imunitet karshi ligjit ndërkombëtar dhe është i lirë nga çdo lloj përgjegjësie.
Që nga krijimi i tij, Izraeli i është përkushtuar zejes së krijimit të problemeve, jo vetëm kundër fqinjëve të vet ose njerëzve, atdheun e të cilëve e ka okupuar, por edhe kundër gjithë botës.
Mënyra si i ka trajtuar palestinezët dhe mënyra se si ua ka mohuar atyre të drejtat më themelore dhe të natyrshme, mishëron një dhunim të qartë të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar. Por në vend që të japë përgjegjësi për veprimet dhe politikat e tija kriminale, Izraeli vazhdon t’u thurrë kurthe punëve të të tjerëve dhe t’i fusë hundët në punët e atyre që e marrin guximin për ta kritikuar.
Është e padiskutueshme se siguria tejet e brishtë dhe e ndjeshme e Izraelit do të shkatërrohej në çastin që SHBA-të do të vendosnin ta hiqnin përkrahjen e tyre të pakushtëzuar për Tel Aviv-in. Megjithatë, tani që këta dy aleatë gëzojnë marrëdhënie të mira, Izraeli është i mbrojtur nga të dhënit llogari për dhunimet e ligjit ndërkombëtar. Si pasojë, ky shtet vazhdon të bëjë gjëra, të cilat sikur të bëheshin nga ndonjë shtet tjetër, do të kishin dënime të rënda për pasojë. Pra nuk do të ishte tepërim sikur të thonim se Izraeli ka një fuqi të pashkruar vetoje, e cila i lejon të ushtrojë dhunë dhe agresion e të jetë i mbrojtur nga çdo lloj përgjegjësie. Tani le t’u hedhim një vështrim disa dhunimeve të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli dhe sjelljeve të këtij shteti, të cilat bien ndesh me rregullat dhe konventat  që njihen nga të gjithë shtetet e botës.

Si e para, okupimi izraelit i tokave palestineze është një veprim ilegal dhe i paarsyetueshëm. Jo veç pushtimi por edhe vazhdimi i kësaj gjendjeje të pushtimit është në kundërshtim me principin e parë të “Deklaratës mbi principet e ligjit ndërkombëtar lidhur me marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve” të ratifikuar në vitin 1970.
Pasi Rezoluta 181 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i hodhi themelet e krijimit të një shteti çifut në Mandatin e Palestinës, një luftë nëntëmujore filloi ndërmjet një aleance ushtarake shtetesh arabe dhe forcave izraelite në mars të vitit 1948. Si rezultat i luftës, Izraeli pushtoi 60 % të territoreve, të cilat Asambleja e Përgjithshme ua kishte caktuar palestinezëve, duke përfshirë vende si Xhafa, Lidda, Ramle, Galileja, disa pjesë të Negevit, një rrip të gjerë përgjatë rrugës Tel Aviv-Jerusalem, Jerusalemin Perëndimor dhe disa territore në Bregun Perëndimor.
   Nëntëmbëdhjetë vite më pas, lufta e tretë arabo-izraelite (e njohur si Lufta Gjashtëditore ose Lufta e Qershorit), e bërë ndërmjet 5 dhe 10 qershorit 1967, i dha Izraelit sërish mundësi për të okupuar dhe aneksuar pjesë nga tokat arabe. Brenda gjashtë ditësh, Izraeli e pushtoi Rripin e Gazës, Gadishullin Sinai, Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor (Kuds) dhe Rrafshnaltën e Golanit.
Që nga ky pushtim ilegal, Këshilli i Sigurit i OKB-së, në të gjitha rezolutat e saja, e ka cilësuar Izraelin si “fuqia okupatore”. Rezoluta 242 e Këshillit të Sigurimit, e pranuar më 22 nëntor 1967, qartësisht i bënte thirrje Izraelit t’i tërhiqte forcat e veta nga territoret e okupuara në konfliktin e fundit. Preambula e rezolutës e theksonte “palejueshmërinë e fitimit të territoreve nëpërmjet luftës dhe nevojën për të punuar për një paqe afatgjate në Lindjen e Mesme, në të cilën çdo shtet i këtij rajoni do të mund të jetonte i sigurt.”
Në një artikull të dërguar gazetës The New York Times në vitin 2002 por të refuzuar nga redaksia, ish-ministri i jashtëm palestinez dr. Nasser el-Kudva vërente se “ajo që e bën ilegal pushtimin e tokave palestineze nga Izraeli nuk është fakti se ky pushtim ndodhi gjatë luftës së vitit 1967...Ajo që e bën ilegal pushtimin izraelit është fakti se ekzistoi për 35 vite me rradhë, në të cilët u shndërrua në një form kolonializmi dhe shtypi e diskriminoi një popull të tërë për dekada, duke e penguar të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe themelim të shtetit të tyre të Palestinës.
Sa për Jerusalemin Lindor, të cilin qeveria izraelite e aneksoi ilegalisht në vitin 1980, Këshilli i Sigurimit, në rezolutën 478 (viti 1980), vendosi se “të gjitha masat legjislative dhe administrative të ndërmarra nga fuqia okupatore e Izraelit, të cilat e kanë ndryshuar ose kanë për qëllim ta ndryshojnë karakterin dhe statusin e Qytetit të Shenjtë të Jerusalemit dhe, në veçanti “Ligjin Themelor” mbi Jerusalemin, janë të pavlefshme e të paligjshme dhe duhet të tërhiqen menjëherë.” Kështu shkruante dr. El-Kudva.
Është më se e qartë se Izraeli, të cilin Këshilli i Sigurimit e quan qartësisht “fuqi okupatore”, e ka mbështetur ekzistencën e vete në okupimin ilegal të tokave që nuk i takojnë atij. Të gjithë dokumentet dhe provat dëshmojnë kundër okupimit izraelit të Palestinës.

Përveç vetë faktit të okupimit, aspekte të ndryshme të trajtimit të qytetarëve palestinezë nga Izraeli, janë në dhunim të plotë të ligjit ndërkombëtar.
Që nga dita e Nakba-së, kur erdhi në ekzistencë regjimi izraelit, u vendosën kufizime serioze mbi lëvizjet e palestinezëve që kishin për qëllim të udhëtonin përgjatë tokave të pushtuar në Rripin e Gazës ose në Bregun Perëndimor. Duke vendosur postblloqe, pika kontrolli, gërmadha, blloqe betoni, hendeqe dhe dyer të metalta nëpër rrugë, forcat izraelite ua ndaluan qytetarëve palestinezë udhëtimin nëpër qytetet izraelite dhe në tokat e pushtuara.
Kjo ndodh edhe përkundër faktit se liria e lëvizjes brenda shteteve është e siguruar në nenin 13 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Pikërisht duke u mbështetur në këtë nen, kufizimi i lëvizjes së palestinezëve nga ana e Izraelit është ilegal. Një lëvizje paqësore pro-palestineze në Jerusalem, e quajtur “B’Tselem”, thotë se këto kufizime kanë shkaktuar vështirësi serioze ekonomike, shoqërore dhe mjekësore për qytetarët palestinezë dhe se të njejtat bien ndesh me të drejtat e garantuara nga “Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore”.
Ndërtimi i vendbanimeve izraelite në tokën palestineze është një rast tjetër i dhunimit të ligjit ndërkombëtar nga regjimi i paligjshëm izraelit. Sipas ministrisë së brendshme izraelite, ekzistojnë gjithsejt 121 vendbanime në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilat janë, që të gjitha, toka të pushtuara ilegalisht nga Izraeli. Rreth 350 mijë banorë çifutë janë vendosur në këto vendbanime.
Sipas një raporti të botuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Evropiano-Palestineze, këta vendbanime janë ilegale dhe bien ndesh me ligjin ndërkombëtar në shumë aspekte.
Neni 46 i Konventës së Hagës e ndalon konfiskimin e pronave private në tokat e pushtuara. Ndërsa neni 55 i po të njejtit dokument thotë se “shteti pushtues konsiderohet vetëm administrues i godinave publike, i pronave të patundshme, pyjeve dhe pronave bujqësore...Ai është i detyruar ta ruajë kapitalin e këtyre pronave dhe t’i administrojë të njejtat në përshtatshmëri me rregullat e shfrytëzimit të ligjshëm.”
Rezoluta 446 (viti 1979) dhe rezoluta 465 (viti 1980) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e dënuan ndërtimin e vendbanimeve. Rezoluta 446 thotë se “politika dhe praktika izraelite e themelimit të vendbanimeve në Palestinë dhe në tokat e tjera arabe, të okupuara që nga viti 1967, nuk kanë vlerë ligjore dhe përbëjnë një pengesë serioze në arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate në Lindjen e Mesme”.
Neni 49, paragrafi 6 i Konventës së Katërt të Gjenevës thotë qartësisht se “fuqia pushtuese nuk duhet ta deportojë ose transferojë një pjesë të popullatës së saj në territoret e pushtuara”.
Izraeli është duke implementuar shumë politika të tjera, të cilat bien ndesh me principet e ligjit ndërkombëtar. Masat e tija diskriminuese kashi palestinezëve, duke përfshirë profilizimin racor të arabëve, refuzimin për t’u lejuar qytetarëve arabë të bashkohen me familjet e tyre në tokat e okupuara, politikën sistematike të izolimit të qytetarëve palestinezë në tokat e tyre, bllokadën e vazhdueshme e Rripit të Gazës, që po çon drejt një katastrofe humanitare në këtë enklavë të mbipopulluar bregdetare, burgosjen e palestinezëve pa akuza konkrete dhe pa procese të mirëfillta gjyqësore, ndërprerjen e paarsyetuar të kujdesit mjekësor dhe shkatërrimin e pronave publike e private, janë të gjitha raste që tregojnë se Izraeli nuk i kushton fare rëndësi ligjit ndërkombëtar dhe se nuk ekziston askush që do të mund t’i kërkonte llogari për këtë.
   Praktikat e tilla ngjajnë me regjimin e apartheid-it në Afrikën Jugore dhe përshtaten plotësisht me definicion e apartheid-it, sipas Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, kurdoherë që komuniteti ndërkombëtar ka arritur konsensus për ta dënuar Izraelin për veprimet e tija kriminale, kanë qenë Shtetet e Bashkuara që e kanë përdorur fuqinë e tyre të vetos dhe kanë vepruar si përfaqësuese të Izraelit në Këshillin e Sigurimit, duke i mbrojtur interesat e Tel Aviv-it dhe duke mos lejuar që fuqitë botërore ta dënojnë atë. Ish-shefi i byrosë së revistës Time në Izrael, Donald Neff, ka vërejtur se SHBA-të e kanë përdorur fuqinë e tyre të vetos 32 herë në favor të Izraelit dhe kështu i kanë bllokuar rezolutat që i kanë dënuar veprimet e Izraelit ose që kanë kërkuar të ndërmerren masa në favor të arabëve.
Është sikur Izraeli të ishte një anëtar i Këshillit të Sigurimit me fuqi vetoje. Ajo që dihet qartë është se për sa kohë që Shtetet e Bashkuara të mos i lejojnë botës të qëndrojë vendosmërishst përballë veprimeve kriminale dhe ilegale të Izraelit, ligji ndërkombëtar do të vazhdojë të përqeshet e të pësojë goditje.

Burimi: Mendimi Alternativ