Izrael

U pranuar ligji ‘shteti kombëtar hebre’ në Izrael

Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi ligjin ‘shteti kombëtar hebre’. Ndërsa deputetët arab dhe palestinezët thanë se ky ligj është ‘racist’ dhe se 'legalizoi zbatimin e aparteidit në vend’.

Votimi për hartimin e ligjit të propozuar nga partia Likuid në pushtet u bë herët në mëngjes. Projektligji u miratua me 55 vota kundër dhe 62 pro.

Ndërsa, deputetët e pavarur Orly Levy-Abekasis dhe Benny Begin nga partia Likud abstenuan.

GJUHË ZYRTARE U BË GJUHA HEBRAIKE

Shteti izraelit, përfaqësuesi i të gjithë hebrenjve të botës, është definuar si një shtet etnikisht-fetar.

Gjuhës arabe e cila më parë konsiderohej gjuhë zyrtare i është dhënë vetëm statusi i posaqëm, ndërsa gjuha e vetme zyrtare e vendit u bë gjuha hebraike.

‘IZRAELI ËSHTË NJË SHTET HEBRE DHE ATDHEU HISTORIK I TË GJITHË HEBRENJVE NË BOTË’

Përveq kësaj, një pjesë tjetër e këtij ligji që ka nxitur reagim është kjo:

“Vetëm hebrenjët kanë të drejtën për përcaktimin e fatit të vet në vend, Izraeli është një shtet hebre, Izraeli është atdheu historik i të gjithë hebrenjve në botë, të gjithë hebrenjtë në botë kanë të drejtë të kthehen në Izrael, ditët fetare të hebrenjëve do të llogariten si festa zyrtare, dhe kryeqyteti i Izraelit është Jeruzalemi i bashkuar.”

VENDBANIMET HEBRAIKE U NJOHËN SI 'VLERA KOMBËTARE'

Zhvillimi i vendbanimeve hebraike u përcaktua si 'vlerë kombëtare' dhe u raportua se shteti izraelit do të inkurajoj ‘krijimin dhe intensifikimin’ e këtyre vendbanimeve.

Ndërsa dispozita se “Të gjithë qytetarët izraelitë kanë të drejta të barabarta” e cila është një çështje tjetër në këtë projektligj, thuhet se është në kundërshtim me nenet e tjera dhe se nuk do të ketë kuptim në praktikë.

Në projektligj thuhet se "Izraeli është atdheu historik i të gjithë hebrenjve në botë", duke shpërfillur kështu praninë dhe të drejtat historike të palestinezëve mbi këto toka.

Izraeli inkurajon hebrenjtë në pjesë të ndryshme të botës që të vijnë e të vendosen në Izrael, ndërsa refuzon të njohë të drejtën e palestinezëve që të kthehen  në atdheun e tyre nga ku janë larguar në vitin 1948.

NETANYAHU: NJË PIKË KTHESE PËR IZRAELIN

Pas miratimit të ligjit i cili nxiti reagime të shumta, deputetët arabë protestuan kundër këtij ligji duke i djegur kopjet e tij me shkrim. Ndërsa protestat rritën tensionet në parlament, zyrtarët nxorën deputetët arabë jashtë sallës.

Pas miratimin të ligjit, mbështetësit e tij bënë fotografi me kryeministrin Benjamin Netanjahun.

Në deklaratën e bërë pas miratimit të ligjit, lideri i koalicionit të djathtë në pushtet, Benjamin Netanjahu u shpreh kështu: “Kjo është një pikë kthese për Izraelin. Rrnofsh Izrael! 122 vjet pas deklaratës së Theodor Herzl, ne me këtë ligj, kemi kompletuar parimin e ekzistencës sonë. Izraeli është shtet kombëtar i popullit hebre dhe respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve. Ky është vendi ynë, shteti hebre. Në vitet e fundit, ka pasur prej atyre që janë përpjekur të vënë në pikëpyetje parimet e ekzistencës sonë. Sot kemi miratuar këtë: Vendi ynë është këtu, kjo është gjuha jonë, himni ynë kombëtar dhe flamuri ynë.”

‘IZRAELI KA TREGUAR SE NUK NA DËSHIRON KËTU’

Përfaqësues i Listës së Përbashkët, Eymen Udeh u shpreh se “Izraeli ka treguar se nuk na dëshiron këtu” dhe shtoi se “U miratua një ligj që pranon hebrenjtë si eprorë, ndërsa neve na u tha se do të jemi gjithmonë qytetarë të klasit të dytë.” Këtë ligj, ai e cilësoi si “vdekje të demokracisë”.

Pas miratimit të ligjit, deputetët arab nga Lista e Përbashkët, Ahmed Tibi  dhe Ayeda Touma- Sylejman bërtitën duke i bërë thirrje kryeministrit Netanjahu dhe duke i thënë: “Ju miratuat në ligj aparteid, një ligj racist.”

Deputeti Tibi e pyeti Netanjahun se “Pse frikësoheni nga arabishtja?”. Ndërsa Netanjahu i’u përgjigj: “Si flisni në këtë mënyrë për demokracinë e vetme në Lindjen e Mesme?”

Ndërsa, lideri i Partisë së Punëtorëve të Izraelit,  Isaac Herzog u shpreh kështu: “Pyetja që duhet bërë këtu është nëse kjo do të dëmtojë Izraelin ose do të jetë e dobishme për të. Këtë do t’a vendos historia.”

U NDRYSHUA NJËRA NGA ÇËSHTJET MË DISKUTUESE

 Presidenti Reuven Rivlin kishte kundërshtuar më parë disa nga elementet e projektligjit, i cili ka qenë objekt i shumë kritikave, duke përfshirë mohimin e të drejtave të palestinezëve.

Në një letër dërguar deputetëve, Rivlin Rivlin theksoi se ligji në fjalë mund të "dëmtojë" hebrenjtë që jetojnë në rajone të tjera të botës dhe se për shkak të këtij projektligji, Izraeli mund t'i nënshtrohet kritikave për diskriminim dhe tha se projektligji duhet të ndryshohet.

ORGANIZATA PËR ÇLIRIMIN E PALESTINËS: NJË LIGJ RACIST

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Saib Erakat e cilësoi ligjin si 'të rrezikshëm dhe racist'.  Erakat u shpreh se ky ligj 'legalizoi zbatimin e aparteidit në vend dhe e identifikoi Izraelin si një sistem aparteid’.

Prej 8 milion banorësh të Izraelit, 17.5% prej tyre janë arab. Arabët argumentojnë se janë duke u diskriminuar që një kohë të gjatë.

Burimi: Sputnik News