Ministri izraelit bën thirrje për 'kthim në politikat vrasëse në Gaza'
Ministri izraelit i Sigurimit Publik, Gilad Erdan i ka bërë thirrje Izraelit që të kthehet në politikat vrasëse ndaj udhëheqësve të Hamasit në Rripin e Gazës.
Në një intervistë për televizionin Kanal 10, ministri izraelit i Sigurimit Publik, Gilad Erdan u shpreh: “Për shkak të tensionit në rritje dhe raketave të hedhura gjatë ditës, Izraeli duhet t’u kthehet sonte politikave vrasëse në Rripin e Gazës.”
Duke iu referuar udhëheqësve të Hamasit për shkak të tensionit të zhvilluar sot në Rripin e Gazës, Erdan u shpreh: “Udhëheqësit e Hamasit, për të cilët vazhdimisht themi se janë përgjegjës për ngjarjet në rajon, duhet të shqetësohen për jetën e tyre.”
Erdan vuri në dukje se gjatë ditëve të ardhshme, do të rriten sulmet e Izraelit ndaj lëvizjeve në Gaza dhe shtoi se: “Është e vërtetë se nuk duam që tensioni të rritet. Por a dëshiron një gjë të tillë Hamasi dhe Lëvizja Xhihadiste Islamike? Nuk e dimë.”
NË SULMET AJRORE GJATË DY DITËVE TË FUNDIT HUMBËN JETËN 4 PALESTINEZË
Në sulmet e zhvilluara nga Izraeli ndaj disa qendrave të Hamasit dhe organizatave të Xhihadit Islamik në Gaza gjatë dy ditëve të fundit, humbën jetën 4 palestinezë. Në deklaratën me shkrim të bërë sot nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite u raportua se aeroplanët ushtarak izraelit goditën 35 objektiva në 7 pika të Hamasit dhe xhihadit islamik në Rripin e Gazës. Ndërsa burimet izraelite raportuan se si pasojë e një sulmi në Gaza, janë plagosur 5 persona, 3 prej të cilëve janë ushtarë në njësitë e vendbanimit hebre Ashkelon në kufi të Gazës.
Burimi: Sputnik News