Përse shqiptarët muslimanë duhet të krijojnë partinë e tyre politike në Shqipëri?
1.
Arrestimi që i ka ndodhur përpara një muaji disa besimtarësh muslimanë të cilët dërgonin diversantë për të lutuar në Siri, e ka tronditur thellë komunitetit e besimtarëve musliman shqiptar. Udhëheqësit e Komunitetit Musliman, hoxhallarët selefij, besimtarë të thjeshtë e kështu me radhë, të gjithë janë vënë nën sulmin e mediave, politikës dhe organeve policore të cilat i bëjnë fajtorë për dërgimin e xhihadistëve. Siç kam treguar në shkrime të tjera, shqiptarët muslimanë në Siri i dërgoi vetë shteti shqiptar, i cili deri në shtator të vitit 2013 si anëtar i NATO-s që është, i nxiti e i toleroi vetë besimtarët muslimanë që të shkojnë në Siri për të rrëzuar armikun e Perëndimit, Bashar al-Assadin. Por tani që politika amerikane me Sirinë ka ndryshuar, shqiptarët që u çuan kokë turku në Siri, nga luftëtarë të lirisë po akuzohen për terroristë.
Tradhëtia e papritur që shteti shqiptar i ka bërë besimtarëve naivë i ka kapur gafilë shumë hoxhallarë e besimtarë. Papritur e papandehur ata e gjetën veten të akuzuar për terrorizëm. Për t’i vënë fre akuzave për terrorizëm e për t’u mbrojtur përballë organeve të policisë, më 4 prill 2014, 64 hoxhallarë shqiptarë (shumë prej të cilëve deri pak muaj më parë shanin e mallkonin shtetin sirian, shiitët dhe alevitët dhe indoktrinonin besimtarët për të shkuar muxhahidinë në Siri dhe vrarë “armiqtë e Islamit”), në deklaratën që kanë bërë së fundmi mbrohen e thonë se “Islami na ka urdhëruar të jemi të drejtë e të bashkëjetojmë”, distancohen nga fjalimet e tyre të pak muajve më parë, ashtu siç distancohen dhe nga kolegët e tyre që janë arrestuar për dërgimin e rekrutëve në xhihad. Tmerri që i ka zënë hoxhallarët mund të lexohet edhe në këto fjali ku thonë “Muslimanët shqiptarë, së bashku me shumë përfaqësues të besimeve të tjera, kanë qenë themelues të këtij shteti, si dhe luftëtarë të flaktë për krijimin e tij. Ky vend ia ka dalë të formohet e të mbijetojë falë kontributit të vyer të muslimanëve shqiptarë, shumë prej të cilëve kanë qenë klerikë, e që kanë sakrifikuar gjithçka për këtë komb.”
2.
Hoxhallarët shqiptarë që kanë bërë deklaratën më sipër gënjejnë. Gënjejnë kur hiqen sikur nuk kanë dashur luftë në Siri e duan bashkëjetesë, gënjejnë edhe për punën e kombit. Islami, ashtu sikur Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse nuk njohin kombe. Kombet në Evropë u imponuan nga politikat e monarkive dhe republikave të Evropës dhe për më tepër, pas Luftës së Parë Botërore kur forcat masonike-republikane shkatërruan tre perandoritë fetare të Evropës: Austro-Hungarinë që mbronte Katoliçizmin, Rusinë që mbronte Ortodoksinë dhe Turqinë që mbronte Islamin. Muslimanët e vërtetë nuk njohin kufij e kombe por njohin ymet. Ymetin e Muhamedit a.s. i cili shtrihet nga Indonezia e deri në Amerikë e kudo ku ka muslimanë. Muslimani i vërtetë nuk ndahet në gjuhë dhe lëkurë. Profeti Muhamed a.s. ka thënë që nuk ka dallim ndërmjet arabit dhe jo-arabit, të bardhit dhe të ziut. Më i miri përpara Allahut është ai që ka më shumë frikë Zotin. Profeti Muhamed luftën e tij e bëri kundër nacionalizmit të fisit të tij, kurejshëve. Kur shkoi në dyert e Mekës për t’a çliruar, ai u tha kurejshëve arrogantë: O kurejshë! Harrojini mburrjet me të parët tuaj. Dijeni se të gjithë jemi bij të Ademit, dhe Ademin Allahu e krijoi nga balta.
Kombet janë shpikje e modernitetit. Kombin shqiptar e shpikën Fuqitë e Evropës pas copëtimit të tokave osmane në Ballkan, dhe muslimanët e vërtetë, ashtu sikur edhe ortodoksët e vërtetë shqipfolës bërjen e Shqipërisë e panë si një tragjedi të madhe për fenë e tyre. Me në krye Haxhi Qamilin, muftiun e Tiranës Musa Qazimin e me mijëra hoxhallarë dhe me 90% të synitëve, muslimanët shqiptarë e rrëzuan shtetin nacionalist të Princ Vidit në shtator të vitit 1915. Pas luftimeve që nisën në Tiranë në maj të vitit 1914, ata mundën nacionalistët, ulën flamurin kuq e zi, pezulluan ligjet laike të Vidit, rivendosën sheriatin, vranë e burgosën qafirët nacionalistë, ngritën flamurin osman dhe nga Durrësi deklaruan ribashkimin e vilajetit të Arnautllëkut me Kalifatin e Shenjtë të Stambollit. Për këtë arsye 64 hoxhallarët që thonë se “Muslimanët shqiptarë, së bashku me shumë përfaqësues të besimeve të tjera, kanë qenë themelues të këtij shteti, si dhe luftëtarë të flaktë për krijimin e tij” ose nuk e dinë mirë historinë, ose nuk e njohin mirë Islamin, ose thjeshtë gënjëjnë siç gënjejnë edhe për punën e Sirisë.
3.
Muslimanët e vërtetë janë sikur komunistët e Marksit. Ata nuk kanë atdhe. Atdheu i tyre është toka. Vend i shenjtë për ata nuk është Kruja e Skënderbeut, apo Brukseli i NATO-s, por Meka e Ibrahimit a.s. Ideali i tyre nuk është kombi e përrallat e shpikura të kombit, por Allahu dhe mesazhi i Kuranit. Prijësit e muslimanëve nuk janë rilindasit, apo Skënderbeu, por profetët, shokët dhe mësimet e tyre. Muslimanët e vërtëte nuk besojnë në teoritë që ka shpikur njeriu, sikur komunizmi, socializmi, demokracia, kapitalizmi, iliro-pellazgizmi etj. Muslimanët e vërtetë besojnë në mësimet e shenjta të Kuranit. Me pak fjalë ata janë kozmopolitë. Muslimanët që kanë lindur në Shqipëri, shpesh do të dëshironin që të mos kishin lindur në atë vend, por ndoshta në një vend më të mirë se ajo. Për këtë arsye edhe shumë besimtarë të imam Genci Ballës bënë hixhret në Siri dhe e lanë Shqipërinë, ashtu sikur edhe shumë të tjerë kanë shkuar të jetojnë në Evropë apo Amerikë. Për ata, atdhe bëhet vendi ku ndjehen më mirë.
Në ditët që jeton Shqipëria sot, kur ajo është e pushtuar nga Bashkimi Evropjan dhe po humbet çdo pavarësi të saj muslimanët duhet të jenë një nga grupet më të gëzuar të atij vendi. Muslimanët, ashtu sikur edhe çifutët, historikisht kanë jetuar më mirë nën hyqmin e perandorive sesa shteteve kombe. Perandoritë duke qenë se janë shumë të mëdha, janë shumë më tolerante sesa shteti-komb. Ato tolerojnë minoritetet për sa kohë që ato paguajnë taksa dhe nuk i kundërvihen dhunshëm qendrës perandorake. Për këtë arsye unë besoj se shqiptarët muslimanë do të jetojnë më mirë nën dhunën politike të Evropës së Bashkuar sesa të Shqipërisë e cila që nga koha e princ Vidit e deri në ditët e Edi Ramës atyre u ka sjellë vetëm të zeza.
4.
Por edhe pse Shqipëria sot është koloni e NATO-s dhe BE-së, dhe politikanët shqiptarë për punët që bëjnë, shkojnë e japin llogari në Bruksel, muslimanët shqiptarë sërisht ngelen të vuajtur. Rasti më i fundëm i arrestimit të besimtarëve që çonin muxhahidinë në Siri dhe sulmi i egër që media dhe politika ka bërë kundër tyre, tregon fraxhilitetin me të cilin ata përballen në vendin e tyre. Edhe pse Shqipëria është provincë e Evropës, ashtu si në të gjithë provincat e perandorive të mëdha, edhe në Shqipëri vendin e drejtojnë guvernatorët vendas. Këta guvernatorë që variojnë nga Ilir Meta, Edi Rama e deri te Lulzim Basha kur përballen me muslimanët, i abuzojnë keq. Edhe pse muslimanët sot në Shqipëri përbëjnë mbi 50% të popullatës, ata janë shtresa më e diskriminuar e vendit. Muslimanët e në veçanti gratë me shami, diskriminohen në punësim, shkollim, media dhe në jetën publike. Rast diskriminimi është edhe arrestimi i besimtarëve që dërgonin muxhahidinë në Siri për hise të NATO-s.
Edhe pse shkruesi i këtij shkrimi e ka denoncuar dërgimin e shqiptarëve në Siri dhe hoxhallarët e çmendur që nxisnin për luftë që prej vitit 2012, sërisht, rastin më të fundëm të arrestimit të muxhahidinëve e shikon si një shkelje të madhe të barazisë në vend. Shqiptarët që shkuan në Siri të luftojnë kundër Bashar al-Assadit nuk ndryshojnë shumë nga mercenarët që shteti shqiptar ka dërguar në Irak të luftojnë kundër Sadam Hyseinit apo në Afganistan kundër talebanëve. Deri pak javë më parë shteti shqiptar nuk ka patur ndonjë ligj që i dënonte shqiptarët që merrnin pjesë në konflikte të huaja. Ndryshimi i vetëm që shqiptarët e Irakut dhe Afganistanit kanë nga ata të Sirisë është se ndërsa të parët luftonin nën komandën e amerikanëve, të fundit luftonin nën komandën e Xhehbet al-Nusrës e cila është nënkontraktore e NATO-s, Turqisë, Arabisë Sauditë dhe Katarit në Siri dhe në Irak. Por si shqiptarët e NATO-s, edhe ata të Xhehbet Al-Nusrës në Siri, okupatorë e mercenarë ishin dhe kanë vrarë njerëz të pafajshëm. Pyetja që ngrihet këtu është pse duhet të dënohen muxhahidinët e Sirisë, por jo ata të Irakut dhe Afganistanit? Nga që të parët luftonin për vendosjen e “sheriatit” të Arabisë Saudite, ndërsa të dytët të “sheriatit” të kapitalizmit amerikan? Apo ngaqë diversantët e Sirisë komandant kishin imam Genci Ballën dhe falnin namaz, ndërsa desantët e Irakut dhe Afganistanit komandant kanë patur Arben Imamin dhe Mimi Kodhelin, e disa prej tyre ndoshta pinë raki, bëjnë kurvëri e hanë mish derri?
5.
Një nga arsyet pse muslimanët diskriminohen sot në Shqipëri, lidhet me proçesin e tranzicionit. Shqipëria që Perëndimi krijoi pas rrëzimit të komunizmit në vitet 90, është një vend e cila sundohet nga banda hajdutësh. Shumica dërrmuese e klasës së pasur dhe sunduese sot në Shqipëri janë njerëz që paratë e tyre i bënë me krime në vitet 90. Sundimtarët e sotëm të Shqipërisë nuk janë pasardhës të bejlerëve apo baronëve të cilët pronat e tyre i trashëguan nga sulltani apo mbretërit e Evropës. Ata që sundojnë sot janë njerëz që në vitet 90 nuk kishin bukë të hanin, por që në këto 20 vite tranzicion arritën të grabisin pronat e shqiptarëve, merren me matrapazllëqe, shesin drogë, vjedhin e rrëmbejnë aq shumë saqë arritën të pasurohen dhe sundojnë vendin.
Duke qenë se shumica e elitës që sot sundon Shqipërinë vjen nga një e kaluar kriminale dhe pa ideale të qarta politike, ajo muslimanët nuk i sheh me sy të mirë. Në mitologjinë e saj nacional-evropjaniste ajo ka qejf që veten e saj ta përshkruaj si evropjan-katoliciste në mënyrë që vetveten ta lidhë me Brukselin, NATO-n e Romën dhe jo me katundet e Skraparit, Myzeqesë dhe Tropojës nga ku e ka origjinën. Partitë sikur ajo demokratike, socialiste, lëvizja socialiste për integrim, republikane etj termat në fjalë i kanë huazuar nga Perëndimi, jo se politikanët tanë besojnë apo kuptojnë shumë se çfarë është demokracia, socializmi, republikanizmi etj, por nga që ata nuk kanë ditur se çfarë emri t’i vënë bandave që drejtojnë për marrjen e pushtetit.
Edhe mitet kombëtariste që elita në pushtet ka adaptuar sot në Shqipëri – që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Rilindja etj nuk janë mite që shpjegojnë berishët, ilirmetët e ediramat. Këto mite mesjetare katolike janë adaptuar nga elita jonë në mënyrë pirate – tamam sikur socializmi, demokratizmi, e republikanizmi – për të fshehur krimet dhe për ta distancuar atë nga zançaushët e sudet me të cilat ajo u ngrit dhe pasurua në vitet 90. Një nga ritualet kryesorë që ministrat e pushtetarët e Shqipërisë bëjnë kur vizitojnë qendrat e pushtetit në Amerikë dhe Evropë, është ose dhurimi i busteve e pikturave të Nënë Terezës apo Skënderbeut deputetëve evropjanë dhe amerikanë, ose vizitat në Kishat Katolike. Duke qenë se kanë frikë nga Islami me të cilin Perëndimi është në konflikte të vazhdueshme, ata puthuajse asnjëherë nuk u tregojnë euro-amerikanëve që populli i tyre është dërrmueshëm musliman.
6.
Arsyeja që i ka shtyrë pushtetarët e Tiranës që besimtarët muslimanë që luftonin në Siri t’i arrestojë si terroristë dhe sëbashku me ta, të sulmojë të gjithë muslimanët me mediat e saja, ka lidhje me proçesin e tranzicionit dhe ndërtimeve identitare që kanë ndodhur në Shqipëri në këto 20 vitet e fundit. Elita politike që sot sundon Shqipërinë, muslimanët jo vetëm që i ka zët por kur i bien në dorë i trajton në mënyrat më mizore. Në një kohë që në Shqipëri, njerëz sikur Edi Rama që përpara pak muajsh sulmonin ministritë – bëhen kryeministra; apo sikur Ilir Meta – që janë nxjerrë në televizor duke vjedhur – bëhen drejtues parlamenti dhe nuk dënohen për vjedhjet e tyre, por disa katundarë muslimanë burgosen pse shkojnë të luftojnë në Siri – tregon pabarazinë e madhe ligjore që ekziston në vendin tonë.
Ironia e diskriminimit të muslimanëve përballë ligjit u pa edhe në datën 7 prill 2014 kur Komisioni i Ligjeve të parlamentit shqiptar votoi amendimin e Kodit Penal për të dënuar muxhahedinët shqiptar nga 10 deri në 15 vjet burg. Në këtë komision disa nga deputetët katolikë që amenduan ligjin janë dënuar për vrasje dhe krime të tjera në vende jashtë Shqipërisë, por falë postit të tyre politik ata nuk i dënon njeri.
7.
Muslimanët sot janë shtresa më e shtypur e popullsisë në Shqipëri. Edhe pse ata përbëjnë shumicën e vendit, siç kam treguar në shkrime të tjera ata janë të privuar në të gjithë aspektet në vendin e tyre. Një nga arsyet pse muslimanët janë kaq të shtypur dhe dhunuar në Shqipëri lidhet me faktin se ata në këto 20 vite tranzicioni nuk kanë qenë aktivë në politikën e vendit. Duke qenë jashtë politikës në vend, e duke mos patur një formacionin e tyre politik, ata janë kthyer sikur klasa punëtore e Evropës së shekullit të 19 për të cilën Marksi tregon në “Manifeston e Partisë Komuniste”. Ajo ishte e ndarë, e shtypur dhe në shërbim të borgjezisë. Luftonte jo për hallet e veta por për hise të borgjezisë, ku “çdo fitore e korrur ishte fitore e borgjezisë.” Edhe muslimanët sot në Shqipëri kështu janë. Ata lehin sa pas Edi Ramës, Ilir Metës e Berishës, por asnjëherë për hallet e tyre.
Duke qenë se “pushteti politik, nënkupton dhunën e organizuar të një klase për të shtypur një klasë tjetër,” muslimanët shqiptarë duhet ta kuptojnë fare mirë, se nëse ata do të duan të mbijetojnë në Shqipëri e të mos shtypen sikur tani në dekadat që do të vinë, ata do të duhet të organizohen politikisht. Vetëm duke u formuar si një grup solid interesi brenda vendit, duke u futur në politikë me partinë e tyre, nxjerrë deputetë dhe ligjvënës e duke përkthyer numrin e besimtarëve në vota dhe influencë politike, ata do të arrijnë të vendosin drejtësi dhe mbrojnë veten e tyre nga klasa politike shqiptare. Ndërsa nëse muslimanët shqiptarë vazhdojnë të qëndrojnë pasivë në politikën e vendit sikur tani, e Arabia Saudite t’i çojë të merren me aventura xhihadiste sikur këto të Sirisë, dhe pushtetin i’a lënë ilirmetave, ediramave e protestantëve amerikanë sikur erjonvelitë etj, ata duhet të jenë të sigurtë që brenda pak dekadash ata do t’i dëbojnë nga Shqipëria. Agresiviteti mediatik dhe policor më të cilin ata janë përballur në javët e fundit – në lidhje me Sirinë, por edhe diskriminimet e tjera me të cilat ata përballen prej shumë vitesh – në dekadat që vijnë mund të kthehet në dhunë edhe më të madhe kundër tyre. E mënyra e vetme sesi ata mund të mbrojnë dhe sigurojnë vazhdimësinë e tyre si qytetarë me të drejta të plota në Shqipëri në vitet që do të vijnë – nuk është me deklarata servile sikur ajo e 64 hoxhallarëve që përmenda në fillim të këtij shkrimi. E as me aventura xhihadesh sikur ato të Sirisë. Por vetëm me emancipimin dhe pjesëmarrjen politike në jetën politike të vendit të tyre. Vetëm duke u bërë bashkësundues me elitat e tjera, ata do të arrijnë të sigurojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe negociojnë me pushtetin marrëdhëniet e tija me Islamin.