Siria

“Alepo është tani sinonim për ferrin”, deklaroi Ban Ki-moon

SIRI- “Alepo është tani sinonim për ferrin”. Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon gjatë një deklarate për gazetarët në Nju Jork. Në informacionet që disponon OKB, mësohet se dhjetëra-mijëra njerëz vazhdojnë të mbeten të bllokuar në lindje të Alepos dhe paralajmëron se fëmijët janë në rrezik.

Ndërkohë, evakuimi i civilëve dhe rebelëve nga Alepo lindore e Sirisë është ndalur, pasi rebelët janë akuzuar për mosrespektim të marrëveshjes për heqjen e rrethimit nga dy zona. Së paku 6,000 civilë dhe rebelë thuhet të jenë larguar që prej të enjtes, pasi forcat qeveritare kanë rikthyer pjesën më të madhe të qytetit. Në mesin e të evokuarve janë së paku 2,700 fëmijë, thanë Kombet e Bashkuara.

Katër vjet luftime në lindje të Alepos kanë lënë mijëra njerëz të vdekur dhe kanë shkatërruar spitale. Në gjithë botën, nga Malajzia deri në Turqi, ka pasur protesta për të dënuar dhunën kundër civilëve sirianë dhe për të shprehur solidaritet me opozitën e Sirisë si dhe jetët njerëzore të humbura.