Iraku

Kërkohet kreu i grupit xhihadist, 25 milionë dollarë shpërblim për kokën e Al-Baghdadit

Shtetet e Bashkuara kanë rritur shpërblimin me më shumë sesa dyfishi i atij të mëparshëm, për këdo që ofron informacione mbi udhëheqësin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.

Plot 25 milionë dollarë do të jetë tashmë shpërblimi për atë që do të ndihmonte me vendndodhjen, arrestimin apo dënimin e kreut të grupit xhihadist. Baghdadi, një shtetas irakian emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim al-Samarrai, e deklaroi veten si kalifin e territorit të gjerë të pushtuar në Irak dhe Siri rreth dy vite më parë. Vendndodhja e tij aktuale nuk dihet ende.

Raportime të ndryshme thonë se ai mund të gjendet në qytetin irakian të kontrolluar prej Shtetit Islamik, Mosul, apo në territorin e kontrolluar prej xhihadistëve në perëndim të qytetit, shumë pranë kufirit me Sirinë, transmeton Tch.

Zyrtarë kurdë besojnë se rritja e presionit, si pasojë e sulmeve ushtarake të koalicionit në Mosul, po detyron Baghdadin dhe krerë të tjerë të lartë të grupit islamik të zhvendosen sa në një vend në tjetrin, në përpjekje për t’u fshehur.