Kosova

Rashiti: Për shkak politikave po shtyhet liberalizimi i vizave

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, për rreth dy muaj është në përpjekje të lehtësimit të tryezave të bisedimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës për gjetjen e zgjidhjeve rreth disa proceseve politike, përfshirë edhe çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Ka pasur shumë përafrime rreth deklaratës për çështjen e Demarkacionit. Kjo është një lloj deklarate e përafruar me dialogun politik”, thotë Rashiti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Ndoshta ky është momenti më i mirë më i volitshëm që ka pasur ndonjëherë, për të marrë liberalizimin e vizave. Shtyrja do ta shtynte shumë gjatë liberalizimin e vizave, pesimizmi frustrimi i qytetarëve do të rritet”, thekson Rashiti.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, ju keni bërë përpjekje që të harmonizoni një deklaratë të përbashkët të partive në pushtet dhe opozitë, si përpjekje për tejkalimin e bllokadës së krijuar rreth Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ku qëndron aktualisht procesi i harmonizimit të kësaj deklarate?

Naim Rashiti: Deklarata apo kjo marrëveshje politike në lidhje më demarkacioni është vetëm një segment shumë i vogël i gjithë dialogut politik dhe subjekteve politike shqiptare.

Ky dialog ka filluar në muajin mars dhe në platformën e saj ka shumë tema të rëndësishme për vendin. Me Demarkacion jemi marrë sepse ishte tema kyçe e këtij viti dhe duheshin përpjekje për të provuar dhe harmonizuar qëndrimet rreth Demarkacionit për ta bërë apo përmbyllur marrëveshjen e demarkacionit, pasi që ishte kusht edhe për liberalizimin e vizave.

Konsultat po vazhdojnë. Duhet kthyer edhe kah temat tjera që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-se në Forca të Armatosura, në dialogun me Serbinë, reformën zgjedhore, zgjedhjet, reformën e rregullores së Kuvendit dhe një numër reformash të cilat kërkojnë një konsensus më te gjerë politik.