Haxhiu: Gjykata Themelore e Kosovës, mbron krimin “ Pronto”
Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti konferencë për shtyp në lidhje me vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë. Deputetja Albulena Haxhiu dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, i quajtën këto vendime skandaloze dhe të padrejta.
Deputetja Haxhiu përmendi fillimisht aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbylljen e seancave ndaj ish kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, i cili nga afera “Pronto” dëshmohet të jetë njeri i këtij klani brenda drejtësisë.
“Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun në seancat gjyqësore edhe përkundër faktit se edhe me Kushtetutën e Republikës, por edhe me Kodin e procedurës penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore. Duke keqpërdorur Kodin e procedurës penale, ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po fshihen prapa seancave te mbyllura”, tha Haxhiu në lidhje me këtë rast.
Kurse, më pas nga deputetja u përmend rasti i Nuhi Ukës, të cilin Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli të pafajshëm. E për këtë, ajo tha se sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit.
“Ky sistem është dëshmia më e mirë e përmbysjes së brendshme të këtij sistemi në veçanti, por edhe aparatit shtetëror në përgjithësi si kuptim i shtetit të së drejtës. Kjo përmbysje vjen nga vetë antagonizmi i brendshëm i cili është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë dhe janë instrumente të drejtpërdrejta të subjekteve politike në pushtet”, shtoi më tutje Haxhiu.
Haxhiu tha më pas se janë dy përbërës që e përkufizojnë morfologjinë e krimit të kryer dje nga Gjykata Themelore ne Prizren
.
“Përbërësi i parë përfaqëson standardin e dyfishtë të gjyqësisë, me ç’rast kur vije puna te njerëzit e sojit të Nuhi Ukës, Adem Grabovcit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Isa Mustafës, drejtësia merr petkun e provës së drejtpërdrejt në bazë të pohimit, ndërkaq në rastet e kundërshtarëve politik ai ka tipar interpretues dhe sugjestiv”, deklaroi ajo.