Kurteshi : Në Kosovë drejtësia e të fortit po krijohet duke kriminalizuar institucionet shtetërore
Në deklaratën e tij në Lëvisjen Vetëvendosje Sami Kurteshi sot dha deklaratë shumë mahnitëse me disa argumente dhe mospatime që kishte. Në fjalën e tij, Sami Kurteshi përmendi Nuhi Ukën, Sali Mekajn e Nazmi Mustafin, të cilët kanë pasur pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë, e për të cilët tha se këta janë vetëm disa shembuj, por s’janë as fillimi e as fundi i sistemit të drejtësisë.
Kurteshi tha se me rastin Uka kemi një dëm që është konstatuar nga vetë gjykata dhe ekspertët e kësaj fushe, mbi 60 milionë euro, dhe konsekuencat qesharake në këto raste janë dëshmia me e mirë për gjendjen e tërësishme të drejtësisë në Kosovë.
Ai tha se ky pushtet ka kapur çdo institucion, fillimisht drejtësinë, e përfshirë edhe institucionet e pavarura, gjë që ka shkaktuar humbjen gati totale të besueshmërisë në drejtësinë institucionale.
“Si pasojë e mëtutjeshme e humbjes së besimit në drejtësinë institucionale, që do të duhej të ishte edhe drejtësi shoqërore, kemi një pasiguri pothuajse totale që për pasojë të radhës do të kishte tendencën për siguri personale të njerëzve. Dhe kjo tendencë nuk çon askund tjetër, veçse në krijimin e ligjit të fortit”, tha Kurteshi, për të shtuar se në Kosovë drejtësia e të fortit po krijohet duke kriminalizuar institucionet shtetërore.
Dhe për këtë, Kurteshi tha se nuk është fare e rastësishme që institucioni i gjyqësorit ka besimin me të ulët në mesin e institucioneve të Kosovës, sipas shumë hulumtimeve, me ç’rast përmendi një raport të vitit të kaluar, sipas të cilit besimi në gjyqësor është vetëm 17%. E nivel jo shumë më i mirë i besimit është edhe në Prokurori sipas të njëjtave hulumtime, të cilat poashtu e nxjerrin si rrezikun më të madh të brendshëm të Kosovës krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Besimi në drejtësinë institucionale dhe shoqërore ka një rënie lineare të përhershme. Kjo nuk është veç opinion i publikut të brendshëm, por kjo rrjedh edhe nëse i shohim edhe raportet e progresit të BE-së”, deklaroi Kurteshi.
Më tej ai shtoi, se këto raporte për 6 vite rresht konstatojnë se sistemi i drejtësisë është në stadin fillestar dhe se nuk ka as minimalisht progres, duke thënë poashtu se derisa të kemi konstatime të tilla në këto raporte, nuk do të ketë asgjë në lidhje me liberalizimin e vizave.
Si përfundim, u konstatua se qytetari i Republikës së Kosovës e ka për model të drejtësisë, modelin e një sistemi të kapur i cili është në shërbim të mafisë politike dhe të tjerëve që janë të lidhur me ta. Si dhe u tha se qytetarët nuk mund të presin drejtësi pa ndryshimin rrënjësor të sistemit politik. Me këtë sistem politik, drejtësi do te kenë vetëm grupet e krimit të organizuar dhe shërbëtoret e klanit Pronto. Ndërsa qytetarët do të jenë lubrifikanti për mirëmbajtjen e këtij sistemi, i cili mund te jetë çdo gjë përveç ai i drejtësisë.