Xhamia e Terzi Mehmedit ( Terzimahallës)
Është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVI-të, në mes viteve 1550-1570, pasi që përmendet në defterin e sanxhakut të Prizrenit në të cilin ceket se myezini i mesxhidit të Terzisë në atë kohë ishte Ahmedi[1].
Mehmet Tahir efendiu në Kronikën e vet për xhaminë dhe ndërtuesin e tij ka shkruar:” Edhe rrobaqepësi i tij(i Kukliut) ka ndërtuar poashtu një xhami tek ne, atë e quanin Terzi Memishi”[2].
Nga këtu mund të kuptojmë se Terzi Mehmedi ishte me profesion rrobaqepës, dhe atë rrobaqepësi personal i Mehmet Kukli beut, do të thotë se ka jetuar dhe vepruar gjatë shek. XVI-të, dhe se në atë kohë e ka ndërtuar edhe mesxhidin e tij, i cili më vonë me ndërtimin e minares dhe shtimit të mimberit është shndërruar në xhami.
Gjatë periudhave të ndryshme kohore ka përjetuar disa restaurime, të cilët janë të njohura dhe të përmendura, në vitin 1811 e ka rinovuar Osman aga, restaurimi i dytë ka qenë në dekadën e parë të shek. XX-të, dhe i treti ka qenë në vitin 1927 nga donatori Musa efendiu. Terzi Mehmeti është varrosur në oborrin e xhamisë së vet[3].
Xhamia e Terzi Mehmetit në popull njihet si xhamia e Terzimahallës, pasi që gjendet në mahallën e Terzimahallës. Viteve të fundit është kryer restaurimi i gjithëmbarshëm i xhamisë në saje të financimit nga ana e Agjencionit shtetëror turk TIKA të Turqisë. Është në gjendje mjaftë të mirë funksionale. Pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, në oborrin e saj është ndërtuar edhe Medreseja me të dy paralele të ndara të saja, atë të meshkujve dhe vajzave, dhe tani lirisht mund të them se është një kompleks i përbërë prej xhamisë, medresesë dhe konviktit.
[1] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010., fq.54
[2] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.82
[3] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.65