Arabia Saudite akuzohet për krime dhe nuk duhet të jetë në Këshillin për të drejtat e njeriut OKB
Organizata Amnesty Internacional edhe një herë ka kërkuar pezullimin e anëtarësimit të Arabisë Saudite në Këshillin për të drejtat e njeriut në OKB.
Në një letër të publikuar nga kjo organizatë ditën e premte, kërkohet anulimi i anëtarësimit të Arabisë Saudite në këtë këshill dhe thuhet se Arabia Saudite që nga koha e anëtarësimit të saj në Këshillin për të drejtat e njeriut, ka ekzekutuar me vdekje 350 persona dhe vazhdon të shtypë opozitarë dhe të shkelë të drejtat e njeriut.
Në letrën e Amnesty International shtrohet pyetja: Me ç'të drejtë Arabia Saudite mban kryesinë e radhës së Këshillit për të drejtat e njeriut të OKB. Sipas AI ky vend shumë lehtë bombardon shkollat dhe spitalet në Jemen dhe asnjë masë ndëshkuese nuk është marrë parasysh për këto veprime të regjimit Al Saud.
Më herët kjo organizatë ka thënë se për pezullimin e anëtarësimit të Arabisë Saudite në këtë këshill, duhet vota e 2/3 të anëtarëve të AP të OKB. Arabia Saudite në krye të koalicionit të përbërë nga 9 vende arabe, shpeshherë ka shkelur të drejtat e njeriut në Jemen.
Organizatat HRW dhe AI kanë mbledhur dokumente për 63 raste të sulmeve të jashtëligjshme ajrore të Arabisë Saudite në Jemen dhe ato i kanë cilësuar krime lufte, krime që kanë çuar në vrasjen e 913 civilëve jemenas, kanë shkatërruar shtëpi, tregje, spitale, shkolla, xhami dhe qendra publike.
Këto dy organizata gjithashtu kanë paraqitur fakte mbi 19 raste të sulmeve të Arabisë Saudite me bomba fragmentale kundër zonave të banuara nga civilët në Jemen.